Vrasja me pagesë Gjykata lë në qeli Ilir Karçinin, lirimi i tij mund të dëmtojë hetimin

0
133

Anxhela Tato

 

 Dëshmia e Sinananjt: Karçini më dha foton dhe më pagoi 50 mijë euro kapar për vrasjen

 Julian Sinanaj rrëfeu para prokurorëve se është takuar 4 herë me biznesmenin në prani të Genis Mëhillajt

 

ilir KARCINI-03_8 Mbetet në qeli autori i dyshuar si porositës i ekzekutimit të biznesmenit Piro Bare. Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj biznesmenit Ilir Karçini, duke mos pranuar kërkesën e mbrojtësit të tij, Theollori Sollaku. Sipas relatores së seancës gjyqësore, arrestimi i Karçinit është i ligjshëm dhe lënia e tij e lirë mund të dëmtojë provat e siguruar në këtë proces hetimor. Në seancën gjyqësore të pranishëm kanë qenë bashkëshortja e biznesmenit, i cili pas hekurave ka pranuar të thotë vetëm gjeneralitetet e tij, duke u përfaqësuar nga avokati. Prania e Sollakut ka konfirmuar thashethemet se ai do të ishte personi që do të merrte përsipër Ilir Karçinin, ndonëse hezitimit të tij për ta pranuar këtë fakt një ditë pas arrestimit të biznesmenit. Seanca gjyqësore ka nisur në orën 10:30 dhe në sallën e gjyqit kanë qenë të pranishëm dy përfaqësuesit e akuzës Ardian Nezha dhe Behar Dibra, të cilët kanë kërkuar qëndrimin në qeli të biznesmenit. Nga ana e akuzës është kërkuar që Karçini të mos lihet i lirë, pasi ai rrezikon dëmtimin e provave të mbledhura deri tash nga procesi hetimor, duke kujtuar këtu faktin se dy kushërinjtë Mëhillaj arritën të arratiseshin për shkak të dekonspirimit të operacionit, por ky pretendim është kundërshtuar nga Theollori Sollaku, sipas së cilit nuk ka prova të mjaftueshme që të fajësojnë Karçinit dhe ndaj tij gjykata duhet të japë një masë më të butë sigurie. Por relatorja Etleva Deda ka vlerësuar se në këto rrethana që ndodhet procesi hetimor i dyshuari Karçini duhet të lihet në arrest me burg. Vetë i pandehuri nuk ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës.

 

Rrëfimi i Sinanajt

 Në rrëfimin e tij vrasësi me pagesë Julian Sinanaj pohon se e ka takuar katër herë biznesmenin e gazit, Ilir Karçinin, në zyrën e këtij të fundit. Prezantimi është bërë nga Genis Mëhillaj dhe në një nga këto takime, Karçini i ka dhënë një fotografi të shënjestrës Piro Bare. Në këtë fotografi sipas Julian Sinanajt, të dy biznesmenët ishin bashkë. Bashkëngjitur me fotografinë Karçini i ka dhënë edhe 50 mijë euro parapagim. Pjesa tjetër do t’i paguhej pasi të kishte kryer vrasjen e presidentit të kompanisë “Romano Port”. Faktet e rrëfyera nga Sinanaj kanë qenë të rënda dhe prokurorët e kanë testuar. Pasi kanë pyetur Piro Baren se me kë biznesmen mund të kishte konflikte, ai ka renditur disa emra biznesmenësh. Prokurorët mësohet se kanë siguruar rreth 20 fotografi të këtyre biznesmenëve, të dyshuar nga Piro Bare dhe Julian Sinanaj ka tërhequr fotografinë e Ilir Karçinit, pa pasur nevojë të përqendrohet.

 

Akuzat e policisë

 Arrestimi i Karçinit ka çuar në katër numrin e personave të arrestuar në bandën e vrasësve me pagesë dhe tritolit, ku ndër ta janë dhe Marion Mitro dhe dy ekzekutorët e penduar Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokonaj. Ndër provat të cilat policia dhe hetuesit disponojnë për Karçinin në këto moment, veç dëshmisë së Julian Sinanajt se ishte urdhëruar nga Andon Mëhillaj të ekzekutonte Piro Baren, janë administruar dhe disa transaksione financiare të gjetura në zyrën e biznesmenit. Sipas bluve të Tiranës këto transaksione korrespondojnë me deklarimet e Sinanajt me shifrën 120 mijë euro të paguar për ekzekutimin e Bares. Në një kohë kur hetimet janë duke vazhduar intensivisht nga Prokurorët e Krimeve të rënda Behar Dibra dhe Ardian Nezha, zyrës së Interpol Tiranës i ka kaluar dosja e dy personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Përkatësisht Genis Mëhillaj, 43 vjeç, dhe Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç, të dy këta të cilësuar nga hetimet paraprake si krerët e organizatës kriminale të ekzekutimeve me pagesë në Shqipëri.

 

 

 

Policia

 Publikohen fotot e kushërinjve Mëhillaj, 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion

 Prokuroria: 2 të arratisurit ndodhen ende në kufirin shqiptar

Policia ofron 10 mijë euro shpërblim për këdo person që ka informacion rreth kushërinjve Mëhillaj. Në një njoftim për shtyp policia e Tiranës publikon fotot e dy personave të përfolur si sekserët e porositësve të atentateve të bujshme në vendin tonë, të cilëve i atribuohen rreth 2 vrasje të dokumentuara si dhe disa krime ende të pazbardhura. Ndërkaq, Prokuroria ka nisur të hetojë intensivisht rrjedhjen e informacionit për gjatë kohës që po hetohej grupi i mafies së C4-ës. Sipas të dhënave, hetimi ka nisur sërish nga Vlora dhe në fokus janë dy oficerë policie, ku njëri prej tyre i përket policisë së Vlorës dhe tjetri policisë së Tiranës. Personi që shihni në foto me mjekër është shtetasi Genis Mëhillaj, i cili rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton të mos ketë kaluar kufirin shqiptar nëpërmjet ndonjë pike kufitare. Ndërsa Andon Mëhillaj është pikërisht personi që shihni në këtë foto me bluzën me vija, ku dhe ky shtetas në kërkim rezulton të mos ketë kaluar nga ndonjë pikë kufitare. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, ku kërkon që çdo qytetar që do shoh këta dy shtetas të telefonojë në sallën operative të çdo qyteti, pra në numrin 129 për të dhënë informacion, si dhe siguron ruajtjen e privatësisë. Organi i akuzës ka bërë me ‘faj’ policinë për dekonspirimin e operacionit çka iu dha mundësi dy kushërinjve Andon dhe Genis Mëhillaj të largohen në drejtim të paditur. Edhe pse në sistemin TIMS dy të super kërkuarit nuk rezultojnë të kenë lëvizur jashtë vendit, porositësit e krimeve, sipas policisë mund të jenë të pajisur edhe me dokumente të tjera identifikimi ose mund të kenë lëvizur në rrugë tokësore. Pjesë e bandës tashmë pranga ishin edhe Julian Sinanaj, Marion Mitro, Ndriçim Gjokona.

 

Sarandë

Sekuestrohet 10 kg tritol në depon e një banese

 Policia e Sarandës ka zbuluar dhe sekuestruar 10 kg tritol të fshehur në depon e një banese në fshatin Kalasë. Policia ka arrestuar në banesën e tij poseduesin e tritolit, 52-vjeçarin Memo Zbobo, si dhe ka shoqëruar në polici edhe bashkëshorten e 52-vjeçarit. Tritoli i sekuestruar ishte i ndarë në 25 pako me nga 400 gramë. Të dy bashkëshortët, posedues të tritolit, janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë. Dyshohet se nga kjo sasi tritoli janë bërë shpërthime në Sarandë dhe lidhur me këtë po hetohen ngjarjet e ndodhura në dy vitet e fundit.

 

Kavajë

Vrasja e Sulejman Shehut, 35 vjet burg piktorit Ardian Traga

 Gjykata e Kavajës dënon me 35 vjet burg Ardian Tragën. Traga akuzohet për vrasjet e Sulejman Shehut, Durim Pashaliut dhe plagosjet e Beglie Shehut dhe Arion Shehut në vitin 2012. Vrasjet e kryera prej tij janë për konflikt pronësie dhe kanë ndodhur në plazhin e Golemit. Pas vrasjeve në 25 korrik 2012, Ardian Tragaj u vetëdorëzua pranë policisë pas negociatave me forcat e rendit. Atij iu gjet edhe arma, që u mori jetën dy personave në 25 korrik 2012. Vrasja ndodhi pranë Malit të Robit në Kavajë, ditën për diell dhe në një zonë të mbipopulluar për shkak të sezonit turistik. Vrasja për motive pronësie shkaktoi panik tek pushuesit. Viktimat ishin Sulejman Shehu, 49 vjeç e Durim Pashallari, 50 vjeç, ndërsa u plagos Erjon dhe nëna e tij, Beglie Shehu. Vrasja ndodhi pranë një kompleksi turistik dhe shkak është konflikti i pronësisë. Piktor dhe shkrimtar, Tragaj e kishte shprehur qartë mendimin e tij për vdekjen edhe në tekstin me të cilin kishte zgjedhur të përshkruante veten në faqen e Internetit të galerisë që mban dhe emrin e tij, www.ardian-tragaj.com. “Të vdekshmen si nocion e kemi nxjerrë ne qeniet e gjalla (njerëzore), nga paaftësia për të perceptuar ato gjësende që ne i quajmë të vdekshme apo të vdekura. Prandaj do të ishte më mirë dhe më e pranueshme në vend të fjalës vdekje të thoshim shndërrim për vazhdimësi”. Teksti është shkëputur nga libri “Tregime” firmosur nga vetë ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency