Rama: Na kritikojnë seherxhinjtë që s’kanë çfarë japin e nuk kanë asgjë në dorë

0
197

rama takimepjesemarresitTakimi me të rinjtë socialistë në Vlorë, kryeministri: Nuk do tërhiqemi nga reformat në emër të frikës së po humbasim ndonjë votë apo se po prishemi me njëri-tjetrin

Gëzim Saliu

Kritikave dhe sfidës së deputetit socialist Ben Blushi kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama iu përgjigj duke folur për njerëz që kritikojnë në pozitat e atij që nuk ka se çfarë të ofrojë,. Nga Vlora ku u zhvillua takimi me të rinjtë socialistë, Rama tha se mazhoranca dhe qeveria nuk do tërhiqet nga reformat e forta, pavarësisht pasojave që mund të sjellin ato.  “Të tjerët e kanë më të lehtë të kritikojnë dhe e kanë më të lehtë sepse nuk kanë asgjë në dorë. Kritikojnë serhirxhinjtë që nuk kanë çfarë japin dhe nuk kanë fatin e vendit në dorë. Ne nuk e kemi aspak të lehtë sepse ne kemi fatin e vendit, por jemi të vendosur që të mos tërhiqemi asnjë milimetër nga kjo rrugë reformash, që po të ishin bërë në këto 20 vjet, sot do të ishim në të tjera kushte. Ne nuk mund të tërhiqemi nga reformat në emër të frikës së po humbasim ndonjë votë apo se po prishemi me njëri-tjetrin. Boll ka humbur kohë Shqipëria! Nuk mund të humbasim edhe 20 vite të tjera”, deklaroi Rama.  Në këtë kontekst kryeministri e konsideroi programin e maxhorancës si më ambiciozin e ndërmarrë ndonjëherë në 20 vitet e fundit dhe radhiti para të rinjve vlonjatë arsyet se përse, sipas tij, ata duhet të zgjedhin Partinë Socialiste për t’u anëtarësuar. “Reforma e thellë e vetvetes në PS ka një bazë se duke qeverisur vendin PS ka mundësi t’u thotë të gjithëve se përse është partia ku duhet të përfshihen dhe duhet të gjejnë bashkë me të tjerët fuqinë për të çuar Shqipërinë përpara”, u shpreh Rama.

Reformat e masat

Duke përmendur reformat e masat e ndërmarra nga qeveria në këto dy vite e gjysmë, kryeministri theksoi dje se nuk ka operacion shpëtimi për një organizëm, të kapur nga koka tek këmbët nga kanceri, nëse sipas tij nuk pranon dhimbjet. “Ne nuk mund të vazhdonim të financonim agoninë. Ne nuk mund të vazhdonim të shpërndanim paratë për lëmosha elektorale. Lëmosha elektorale nëpër fshatra. Lëmosha elektorale lartë e poshtë. Asfalt elektoral në të katër anët dhe Shqipëria gjithmonë po aty, në vend numëro, duke u zhytur në llumin e krijuar dhe grumbulluar vit pas viti, në mungesë të reformave”, theksoi ai. Sipas kreut të qeverisë qeverisja e kaluar e la Shqipërinë të mbytur me borxhe. “Qeverisja që e la arkën e shtetit në roletën e rreth-rrotullimeve elektorale, që e la arkën e shtetit si daulle të grisur mitingjeve elektorale”, pohoi kryeministri. Ndërkaq Rama foli edhe për reformim të thellë të PS. “Nuk ka se si Partia Socialiste, ndërkohë që po reformon tërësisht Shqipërinë, të mos reformojë thellësisht edhe veten”. Sa i përket aleancës me LSI-së, kreu socialist theksoi se ajo është e rëndësishme për shumicën qeverisëse. Partia Socialiste e Shqipërisë nuk është një parti ideologjike që i ndan shqiptarët në tanët dhe të atyre. Eshtë një parti e majtë e shekullit të ri,  e cila ka fuqinë e një vizioni reformues dhe transformues për vendin, e cila e konsideron çdo shqiptar një aleat të mundshëm të saj, nga veriu në jug, nga më i varfëri tek më i pasuri, nga të papunët e deri tek punëdhënësi. Kemi pasur mundësi që në aleancë me LSI dhe parti të tjera ti japim vendit një qeverisje që ka ndërmarrë programin më ambicioz të reformave në 20 e kusur vendi”. Ndërkohë deputeti i qarkut të Vlorës Koço Kokëdhima deklaroi se aleanca e PS-së me LSI-në është e domosdoshme për fitoren e së majtës. “Duhet të punojmë së bashku për të rritur besimin e ndërsjellë e të mos lejojmë askënd të cenojë marrëveshjen tonë. As Saliun dhe as salistët dhe as interesat e tjera qofshin të brendshme, qofshin të huaja. Pa LSI-në ne nuk e bëjmë dot shumicën e qëndrueshme qeverisëse. Nga çarja me LSI-në fiton vetëm Saliu. Përballë së majtës së bashkuar Saliu është i vdekur”.

 

Kokëdhima: Dule mori mandatin me votat e majta. Kreu i PBDNJ: Ai me Ramën solli hajdutëri

Deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima iu përgjigj dje akuzave të PBDNJ-së, dhe kreut të saj, Vangjel Dule, duke deklaruar se e mori mandatin me votat e së majtës. Gjatë fjalës së mbajtur dje në takimin me socialistet e Vlorës, Kokëdhima e akuzoi Dulen se nuk mbështeti për asnjë moment interesat e minoritetit. Sipas Kokëdhimës, Dule mori një parti të fuqishme nga ish-kryetari Vasil Melo, por e shkriu atë, ndërkohë që tradhtoi edhe të majtën. Ai i kujtoi Dules se i ka qendruar besnik Finiqit dhe Himarës, si himarjot që është, ndërkohe që “Dule është minoritar grek”. I menjëhershëm ka qenë reagimi  i deklaratës së deputetit socialist, Koço Kokëdhima, i cili nga një takim me socialistët e Vlorës, kur merrte pjesë edhe kryeministri Rama, akuzoi kreun e PBDNJ-së si të korruptuar. “Të dialogoj me krimin nuk e kam bërë kurrë, as në jetën time private dhe as në atë publike, aq më tepër, nuk pranoj ta bej një gjë të tillë me kryekeqbërësin e Jugut dhe mbarë vendit Kokëdhima . Fakti se sulmi nosetindjelles ndaj meje u artikulua në prani të Kryeministrit, më detyron që t’i shpjegoj zotit Rama se nuk është faji im që prania dhe fjala ime politike i kujton atij vizionin që bashkërisht u prezantuam dhe premtuam për vite më radhë qytetarëve dhe shoqërisë, vizionin për shtetin e së drejtës, demokracinë funksionale, mirëqënien dhe barazinë. Por që për fat të keq, më përgjegjësinë e plotë të tij, pasi e përshtati me kutinë e Koços së tij, po ua kthen atyre që na besuan me autokraci, klientelizëm, hajdutëri dhe mjerim”, tha ai.

 

Çuçi i PS kundër propozimit të LSI-së: Listat e hapura  do rrisnin konfliktin politik

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe një nga ish-përfaqësuesit kryesorë të PS-së për çështjet zgjedhore, Bledi Çuçi  doli dje kundër propozimit për rikthimin e listave të hapura për zgjedhjet në Shqipëri. Ky propozim i cili u mbështet pak ditë më parë edhe nga kreu i LSI-së Ilir Meta, sjell sipas Çuçit rrit konfliktualitetin politik dhe vonon daljen e rezultatit final të procesit elektoral. “Është e papërshtatshme në fazën e kapaciteteve administrative që ne kemi. Nuk do të ishte një zgjidhje e mençur për Shqipërinë votimi në lista të hapura, sepse jo vetëm e komplikon nxjerrjen e rezultatit por krijon një premisë për të rritur konfliktualitetin”, theksoi ai.  I pyetur mbi debatin e hapur brenda PS për zgjedhjen e kreut të PS, ministri Çuçi tha se zgjidhja është respektimi i statutit. “Kongresi do të vendosë dhe për përshtatjen e statutit me realitetin e ri të PS-së dhe mbi të gjitha në realitete ku PS-së është në qeverisje siç jemi deri tani”. Ndërkaq PD ka bërë të ditur pak kohë më parë një qëndrim për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor dhe për të ruajtur sistemin e listave të mbyllura. Po ashtu demokratët do të kërkojnë që fushatat zgjedhore të financohen nga buxheti i shtetit dhe të hiqet mundësia e heqjes së reklamave politike.

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së

Ristani:  Koalicioni me LSI-në nuk është një opsion, mbështesim nismat e tyre konstruktive

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit zgjedhor me LSI-në. Sipas tij asnjë qasje konstruktive ndaj një çështjeje apo tjetre e LSI-së nuk duhet ngatërruar me mundësinë e bashkëpunimit elektoral.  “Kur janë konstruktive e në të mire të vendit janë për t’u përshëndetur. Por kjo nuk e fsheh aspak faktin se Rama dhe Meta janë bashkëpërgjegjës. Ata kanë përgjegjësi të njëjta për ku e kanë çuar ekonominë, korrupsionin, rendin e sigurinë. Për çdo gjë që shkon mbrapsht janë të dy përgjegjës, të dy njësoj”. Ndërkohë sa i përket aleancave, ku Vangjel Dule i PBDNJ pritet që pas shumë vitesh t’i rikthehet aleancës me të djathtën, Ristani tha  për “abcnews” se do të jenë të hapur për të gjetur rrugë bashkëpunimit me gjithë faktorin opozitar.   “Partia Demokratike është e hapur ndaj koalicioneve të mundshme me parti tradicionale aleate apo parti të tjera që mendojnë se duhet t’i bashkëngjiten opozitarizmit në ketë vend. Së dyti koha është e tille dhe momenti është i tille që ju e dini, është deklaruar tashmë që zgjidhja imediate duhet të jetë, zgjedhjet e parakohshme dhe qeveria teknike.”. Më tej numri 2 i PD-së theksoi se forca më e madhe e opozitës po punon për forcimin e strukturave dhe qëndrimin e tyre pranë problemeve të qytetarëve. Disa grupe të reja pune do të ngrihen për të zbritur në bazë, me qëllim korrigjimin e problematikës që demokratët shfaqën në zgjedhjet vendore. “PD është një parti e madhe shtetformuese e cila në asnjë moment nuk mund të gjendet e papërgatitur për situata, qofshin këto dhe zgjedhje të parakohshme. PD është në proces të hartimit të projektit qeverisës. Ka patur një proces analize të gjendjes së organizimit të PD-së, proces që është mbyllur dhe po ngrihen grupet e punës që të merren që nga seksionet për t’i shëndoshur, forcuar mirë organizuar e për të qenë të gatshme për betejat e ardhshme”.

 

 

 

 

 

Kongresi e kryetari

Çfarë po ndodh pas dyerve të PS-së, tri pikëpyetjet e Ramës dhe “përjashtimi” i Blushit

Pse i friket Rama një përballjeje me Blushin?! Ka të bëjë më shumë me mungesën e besimit tek anëtarësia socialiste apo ndoshta nuk kërkon të japë shembullin brenda partisë, se kërkesat e një deputetit kritik që ngre zërin mbi kryetarin, plotësohen pas këmbënguljes së gjatë?

Gëzim Saliu

Qëndrimi kritik i anëtarit të kryesisë dhe deputetit të PS-së Ben Blushi prej kohësh për mungesën e zgjedhjeve për kryetarin e partisë arriti kulmin kur ish-kreu i grupit parlamentar socialist bëri të ditur zyrtarizimin e kandidaturës së tij përballë Ramës. Por ajo që theksoi Blushi në frazën e tij ishte pikërisht togfjalëshi “Nëse do ketë zgjedhje”. Ishte kjo frazë së cilës i trembej deputeti socialist që dominoi në qëndrimin zyrtar të zyrtarëve të lartë të PS-së, që pa “teklif” i mbyllën dyert garës së brendshme në parti. Duke përdorur “armën” e modelit britanik të laburistëve, i cili i jep të drejtë kryetarit të partisë që kur fiton zgjedhjet të rinovojë automatikisht edhe mandatin, PS dhe Rama pa shpjeguar gjatë po mundohen ti ikin kushtetutës së partisë. Statuti i PS-së e thotë qartë se çdo katër vite bëhen zgjedhje për kryetarin e partisë, duke mos përcaktuar dispozita të veçanta kur ai fiton zgjedhjet apo kur zgjidhet kryeministër. Në nenin 26 të statutit, në pikën 5 të tij, përcaktohet qartë se “Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit “Një anëtar, një votë”, jo më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit”. Ndërsa në nenin 30 po ky statut ka përcaktuar se sa është kohëzgjatja e mandatit të kryetarit të partisë, i cili është katërvjeçar dhe asnjë muaj më shumë, ndërsa janë përcaktuar qartë edhe rastet kur kryetari i Partisë Socialiste ndërpret mandatin. Në asnjë nen të statutit, i ndryshuar disa herë gjatë tetë viteve të fundit, nuk përcaktohet rikonfirmimi i mandatit të mbaruar të kryetarit të PS, pasi ai ka marrë votat popullore për të qeverisur vendin.

Blushi-Rama

Përballja mes kreut të PS-së Edi Rama dhe deputetit të kësaj force Ben Blushi është e hershme. Pas miqësisë për vite me radhë që nga viti 2003, Blushi dhe Rama vunë përballë njëri-tjetrit një mal me akuza dhe kritika në vitin 2009. Vera e atij viti ishte ndër më të vështirat e të gjithë kohës së Ramës në krye të PS-së. Blushi  ushtroi aq shumë presion për largimin e Ramës për humbjen e zgjedhjeve, por në fund krijoi vetëm një lëvizje (LMN) që mbylli jetën e saj shumë shpejt. Fundi i vitit 2012 dhe 2013-ta sollën riafrimin e Ramës me Blushin, ku madje ide të deputetit socialist për platformën e socialistëve për zgjedhje u morë e përpuanuan për tu bërë pjesë e programit me të cilin PS shkoi në zgjedhjet e 2013-ës. Por paqja midis tyre nuk zgjati shumë. Menjëherë pas marrjes së qeverisë erdhën edhe kritikat e para të deputetit socialist, i cili shprehu kundërshti për një sërë masash të ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej kryeministrit Rama. Por ajo që qëndroi në krye të kritikave të Blushit në këto dy vite e gjysmë ishte dallimi midis Rilindjes dhe Partisë Socialiste, të cilat sipas anëtarit të kryesisë janë të ndryshme nga njëra tjetra, Duke kritikuar modelin e sjellë nga Rama në parti, Blushi kërkoi me ngulm risaktivitimin e PS-së mbi bazën e parimeve të majta, duke kërkuar me forcë zgjedhjet për kreun e PS-së.  E ndërsa ky “dyluftim” herë binte në heshtje herë “zgjohej”, vendosja e datës së mbajtjes së Kongrsit e bëri Blushin të shpallë hapur ambicien e tij, madje duke pohuar,: “unë mund  ta drejtoj më mirë se Rama PS-në”. E ndonëse shanset e Blushit për të fituar përballë Ramës janë të pakta, kjo kryesisht si pasojë e kontrollit të plotë të degëve nga ana e të besuarve të kryesocialistit, deputeti i PS-së i qëndron idesë së tij. Por ndërsa guximi i Blushit meriton vlerësim, edhe pse ai tenton që përmes kësaj gare të testojë se deri ku arrin besimi i anëtarësisë së PS-së ndaj tij, ajo që krijon jo pak habi është stepja e Ramës. Që kur Blushi ka nisur debatin për zgjedhjen e kryetarit, Rama “shpiku” modelin e partive laburiste dhe lançoi në publik idenë se zgjedhjet e brendshme të PS-së nuk mund të prekin kryetarin e rizgjedhur automatikisht pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme. Por pse i friket Rama një përballjeje me Blushin?! Ka të bëjë më shumë me mungesën e besimit tek anëtarësia apo ndoshta nuk do të japë shembullin brenda partisë se kërkesat e një deputetit kritik që ngre zërin mbi kryetarin plotësohen në fund? Ndonëse kryesocialisti e di shumë mirë që shanset e fitores në përballjen me Blushin janë shumë herë të mëdha në favor të tij, ai me shumë mundësi i stepet anës tjetër të medaljes. Sa do jenë numri i votave që do marrë Blushi? Edhe në rast të një humbjeje, nëse deputeti socialist përballë Ramës do të merret një numër të konsiderueshëm votash, ai do të trondiste pozitat e liderit absolut të kryesocialistit brenda PS-së. Edhe pikërisht kësaj Rama i trembet, ai e do këtë pozitë dhe mendon që të paktën deri në 2017-n të mos e shqetësojë askush, aq më tepër kur emri i sfiduesit të jetë me dy B.

box

Statuti i PS

Neni 26

Kompetencat e Kongresit

Pika 3. Përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për kryetar të PS, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitur prej tyre.

Pika 4. Kandidatët për kryetar të PS paraqesin në Kongres platformat e tyre.

Pika 5. Kongresi vendos datën e zhvillimit të votimit nga anëtarësia e partisë në shkallë vendi për zgjedhjen e kryetarit të PS-së sipas parimit “Një anëtar, një votë”, jo më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit.

Neni 30

Kryetari i Partisë Socialiste

Pika 2. Mandati i kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:

  1. jep dorëheqjen
  2. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative
  3. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë.

Pa garë

PS i mbyll dyert Blushit: Kongresi voton për rikonfirmimin e kryetarit

Peleshi: Votimi me një anëtarë një votë do ndodhte vetëm nëse delegatët e Kongresit do votonin për ndërprerjen e mandatit të Ramës. Balla: Debat shterpë i sajuar nga Blushi

Partia Socialiste i mbyll dyert deputetit Ben Blushi për të kandiduar përballë kryeministrit Rama për postin e kryetarit të forcës më të madhe politike në vend. Refuzimi vjen pas zyrtarizimit të kandidaturës së  Blushit dy ditë më parë, i cili bëri të ditur se nëse do të bëhen zgjedhje është i gatshëm të garojë përballë Ramës. Dhe ashtu sic ishte parashikuar, kryesia e PS-së do ti qëndrojë variantit të partive laburiste duke theksuar se në mbledhjen e Kongresit në 19 mars thjesht do të rikonfirmohet kryetari aktual. “Kongresi sipas statutit do të shprehet vetëm për të rikonfirmuar mandatin e kryetarit aktual, si dhe reformave të ndërmarra nga qeveria. Vetëm nëse delegatët e Kongresit do të votonin për ndërprerjen e mandatit të kryetarit,  atëherë do të niste procesi i zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një vote” për kreun e ri, gjë që është e pamundur të ndodhë”, tha zv.kryeministri Niko Peleshi në një prononcim për tvklan. Kjo taktikë e përzgjedhur nga kryesocialisti Rama duket se kërkon shmangien e garës me deputetin socialist Blushi. Por nuk dihet se pse Rama i trembet një gare kur shanset e rikonfirmimit të tij janë shumë të mëdha. Mos vallë kaq pak beson tek anëtarësia e PS-së?!

Balla akuza Blushit

Ndërkohë nënkryetari i grupit parlamentar socialist tha dje për Top Channel se, në kongres do ketë vetëm rikonfirmim të kryetarit aktual Rama.  “Ky është një debat i sajuar, i inicuar nga njeriu i gabuar në momentin e gabuar. Ndoshta do të kishte vlerë nëse do të bëhej në kushtet kur PS do kishte humbur zgjedhjet. Por ky debat është shterpë për aq kohë sa modeli organizativ i PS prej ditës kur Edi Rama ka marrë drejtimin është modeli fitues britanik i laburistëve, i cili ka sanksionuar qartë që kryetari i PS zgjidhet me parimin “një anëtar një votë” dhe Rama është zgjedhur kështu në 2009 dhe atëherë gara ka qenë e hapur dhe mund të kishte marrë pjesë kushdo.  Dhe sipas këtij modeli, kryetari i partisë kur fiton zgjedhjet është automatikisht kryeministër dhe mandati i tij automatikisht quhet i rinovuar deri në përballjen e radhës zgjedhore. Ajo që do të ndodhë në kongres është diçka që e kemi thënë prej kohësh: kryetari i PS është në vijim legjitim të mandatit të konfirmuar me votë popullore në dy palë zgjedhje.  Ne e kemi të sanksionuar në statut se zgjedhjet e përgjithshme janë ato që konfirmojnë mandatin e kryetarit të partisë. Pra, mandati i Edi Ramës është konfirmuar më 2013 dhe deri në 2017, kur do mbahen zgjedhjet e radhës, ky debat është i sajuar”, deklaroi Balla. Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi  konfirmoi dje për herë të parë se ai do të garojë për postin e kryetarit të partisë ku bën pjesë nëse do të ketë një garë në Kongresin e 19 marsit. Dy ditë më parë në emisionin “Top Story” Ben Blushi se është i gatshëm të përballet me Ramën për postin e kryetarit.  “Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun. Unë konkurroj se mendoj që e drejtoj PS më mirë se Edi Rama, e bëj më kolegjiale, më të hapur, një parti që nuk fut banditë dhe nuk zëvendëson ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Shumë njerëz më thonë për ca e bën ti këtë? Unë e bëj këtë për njerëzit, e bëj këtë për të gjithë, e bëj se besoj që mund ta drejtoj PS më mirë se Edi Rama, ta bëj një parti demokratike, të hapur, kolegjiale dhe një parti të majtë sepse nuk është ashtu sot. Kërkoj të ketë zgjedhje me parimin një anëtar një votë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency