Basha në PPE kërkon mbështetje për aksionin e PD: Qeveria e çoi rritur borxhin në 74%

0
199

Basha_konference_tek_salla_bluLideri i opozitës kërkoi mbështetjen nga PPE, për të ndalur aktet e mëdha korruptive të Ramës, kanë fundosur vendin në varfëri duke përfshirë miqtë e tij në konçesione

Sava Sota

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte i pranishëm dje në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, ku kërkoi mbështetje për aksionin opozitar, në ndalimin e korrupsionit dhe varfërisë në Shiqpëri. Në takimet e tij në Asamblenë Politike, kryetari i opozitës është ndalur shumë tek kriza ekonomike që ka mbërthyer vendin, niveli i lartë i korrupsionit, reforma në drejtësi, dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Ashtu siç thekson edhe Komisioni Europian në raportin e tij për ekonominë e Shqipërisë grumbullimi i të ardhurave buxhetore mbetet shqetësuese për shkak të korrupsionit të lartë. Në vitin 2015 rreth 400 milionë euro i munguan buxhetit të shtetit vetëm nga doganat dhe tatimet.  Shqetësim është rritja e borxhit publik nga 62% në 74% . 1.1 miliard euro ka marrë borxh qeveria” – deklaroi Basha. Gjithashtu, lideri i opozitës tha se nga qeverisja Rama, nuk asnjë investim publik, asnjë rrugë të re, asnjë shkollë, nuk ka as rritje pagash e pensionesh, as më shumë fonde për personat në ndihmë ekonomike. Sipas qëndrimit të tij, është ulur pagesa për papunësinë ndërkohë që është rritur papunësia, siç raporton Komisioni Europian. Kryetari i Partisë Demokratike është  ndalur dhe tek niveli i lartë i korrupsionit. Ai theksoi se 1 miliardë euro janë vjedhur vetëm gjatë vitit të kaluar,  400 milionë euro nga doganat dhe tatimet dhe 777 milionë euro nga tenderat, prokurimet dhe konçesionet korruptive të cilat gjithnjë fitohen nga familjarët, miqtë dhe klientët e kryeministrit dhe ministrave të tij.

Krimi i organizuar

Më tej kreu i demokratëve, u ndal dhe tek krimi i organizuar, ku theksoi në fjalën e tij se Rama me bandat që ka në dorë, kanë zaptuar ligjin. “Bandat janë ato që bëjnë ligjin, sepse kanë mbështetjen e pushtetarëve. Kjo situatë e paprecedentë në këto 25 vite e bën dhe më të domosdoshme dhe imediate reformën në drejtësi e cila është peng i vullnetit të munguar të Edi Ramës. Vetë mazhoranca është e përçarë në dy drafte pasi  Rama nuk do konsensus, sepse synon kapjen politike të drejtësisë. Kjo, do të ishte fatale për vendin sepse përtej kapjes politike do ta vendoste drejtësinë në funksion të bandave dhe krimit që sot bëjnë ligjin në vend. Partia Demokratike është e vendosur për reformën në drejtësi pasi ajo është përcaktuese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, dy problemet më të mprehta të Shqipërisë nën qeverisjen Rama dhe njëkohësisht dy kushte për integrimin europian të vendit” – bëri me dijë kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili në pjesëmarrjen e tij në PPE, mori mbështetjen e plotë për aksionin opozitar, në përpjekjet e të cilit, është ndalimi i së keqes që ka mbërthyer vendin, krizën ekonomike, korrupsionin dhe krimin. Gjithashtu mbështetja e PPE-së konsistoi dhe ofruar Shqipërisë një vizion europian përmes një qeverisje të re të dalë nga vota e lirë.

 

PD: Rama ka fut në kthetrat e tij Kompaninë e sigurimeve Insig, pronarët janë paracaktuar

Partia Demokratike ka reagur në një deklaratë për shtyp, përmes zëdhënëses së saj Ina Zhupa, e cila akuzoi kryeministrin Rama për korrupsionin e pasurive publike, sic rasti i fundit i Kompanisë së Sigurimeve Insig. “Edi Rama tregoi sot me gisht për një orë rresht popullin e tij si hajdut, në një sallë të mbushur me dhunë me punonjës administrate në orar zyrtar, ndërkohë që ai vetë qëndron në krye të bandës që vjedh dhe gllabëron çdo ditë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve. Së fundmi, Edi Rama ka futur në kthetrat e tij edhe një tjetër pasuri  publike, për ta ndarë me miqtë dhe klientelën” – deklaroi Zhupa. Ndërkaq, ajo vijoj nën akuzën e saj, se  Kompania e sigurimeve INSIG, pritet të privatizohet dhe pronarët e rinj janë paracaktuar. “Procedurat do të jenë të kota e pa vlerë, pasi ky aset shtetëror me vlerë dhjetra milionë euro, do ti jepet miqve të kryeministrit. Pronarët e rinj të INSIG pritet të jenë Gon Papuli dhe Gaz Demi. Njëri ndërtues i sarajeve private të Edi Ramës në Dardhë e në Durrës, tjetri me lidhje të forta e së fundmi në ortakëri me Olsi Ramën në biznes. Ky është një skandal, një akt korruptiv, me fitues të paracaktuar, pjesë e mendësisë së Edi Ramës për të marrë e plaçkitur, për të ndarë me miqtë çdo pasuri publike. Me dhjetra koncesione e privatizime të kësaj natyre, po bëhen cdo ditë nga Edi Rama me pasuritë e paratë e shqiptarëve”. Po ashtu ajo shprehu se tashmë është koha, që shqiptarët të reagojnë. “Shqiptarët e kanë në dorë të ndalin këtë vjedhje, këtë babëzi, këtë hajdutëri të fondeve dhe pasurive publike” – shprehu në fund të fjalës së saj zëdhënësja e Partisë Demokratike.

 

PD: Mungesa e PS-së në përfaqësimin e interesave kombëtare, dështim i diplomacisë

Në një deklatë për mediat, kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme, Kreshnik Çollaku, akuzoi kryeministrin Rama për papergjegjshmëri në përfaqësimin e interesave kombëtare. Sipas Collakut, miratimi i draft-Rezolutës në komitetin politik të këshillit të Europës ka kaluar pa praninë e të vetmes përfaqesuese të Shqipërisë në këtë komitet të deputetes Vlentina Leskaj“. “Mazhoranca ka treguar edhe në Këshillin e Europës papergjegjshmëri në perfaqesimin e interesave kombetare. Dje Këshilli i Europës ka kaluar një rezolute e cila rikthen disa prej standardeve të para-pavarësisë së Kosovës, i jep UNMIK kompetenca shtesë në marrëdhëniet me organizmat si INTERPOL dhe EUROPOL. Por miratimi i draft-Rezolutës në komitetin politik të këshillit të Europës ka kaluar pa praninë e të vetmes përfaqesuese të Shqipërisë në këtë komitet Vlentina Leskaj” – deklaroi Çollaku. Më tej ai shtoi se Amendamentet e Serbisë mund të ishin rrëzuar nëse zëvendës-Presidentja e Asamblesë Parlamentare të KiE të kishte pergjegjësinë e pjesmarrjes në komitetin politik, aq më tepër që perfaqesuesi i Shqipërisë është edhe më i domosdoshëm në mungesë të përfaqësimit të Kosovës. “Në këto kushte, duhej të kishte një reagim të shpejtë të diplomacisë dhe një kordinim me Prishtinën zyrtare. Leskaj mesa duket ka qënë e zënë me tenderat dhe koncesionet e djemve të saj dhe nuk ka pasur kohë të ishte në komitetin politik. Ai gjithashtu theksoi se pas Uneskos, ky është dështimi i dytë i paprecedent i diplomacisë nën drejtimin e Edi Ramës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency