Blushi: PS u dha me koncesion, Rilindja falimentoi. Po pati zgjedhje, ju them nëse do kandidoj për kryetar

0
225

rama blushi“Rama i vetmi kryetar me mandat 7-vjeçar, edhe Enver Hoxha zgjidhje cdo katër vjet edhe pse formalisht”

Gëzim Saliu

Mes debateve në grupin parlamentar dhe më herët protestës së anëtarëve të PS-së, nuk mungoi dje as deklarata e deputetit socialist Ben Blushi i cili shprehu një sërë akuzash ndaj kryeministrit Rama. Duke vënë në dukje mungesën e zgjedhjeve në PS, Blushi pohoi dje pas mbledhjes së grupit kuvendor se në zona të caktuara emërohen individë pa lidhje me partinë duke e kthyer forcën më të madhe politike në vend në një biznes. “Një parti e cila nuk bën zgjedhje në përgjithësi ka një raport të vështirë me veten dhe ata që e kanë zgjedhur. Shkoni pyesni njerëz në të gjithë Shqipërinë. Nuk besoj se e miratojnë faktin që nuk ka zgjedhje në parti. Ka zona në Shqipëri ku deputetë fatkeqësisht të PS-së shkojnë dhe emërojnë njerëz pa zgjedhje, caktojnë njerëz sikur të kenë biznes privat se kush do të jetë delegat, kush do marrë pjesë në Kongres, kush është anëtar partie dhe kush jo. Ky nuk është biznes privat nuk ka ardhur koha që PS-në ta japim me koncesion. Jemi shumë herët dhe nuk ka arsye. Në zona të caktuara PS po jepet me koncesion, po trajtohet si biznes privat. Por jo e gjithë PS mund të jetë biznes privat. Në një biznes privat ndoshta nuk ka arsye të ketë zgjedhje, sepse njerëzit hiqen nga puna, në një parti jo”, tha ai. Në këtë kontekst deputeti socialist theksoi se po të shëtisësh nëpër Shqipëri do të shikosh shumë njerëz që duan zgjedhje. “Një formë e tillë drejtimi koncesionar apo privatizim të partisë është e papranueshme, sepse në fakt ka ardhur koha të pyesim veten: Kush qeveris? Rilindja apo PS. Fatkeqësisht ka qeverisur Rilindja, por Rilindja nuk është PS-ja. Rilindja ka falimentuar ka ardhur koha që pushtetin ta marrë PS. PS fitoi zgjedhjet, koncesionin e zgjedhjeve e mori Rilindja. Ka ardhur koha në Kongres ti themi e ti flasim të gjitha. Nuk mund të ketë parti pa mbledhje pa statut, pa normë, pa disiplinë dhe pa mandate të kufizuar e të pakufizuar”, deklaroi Blushi.

Qëndrimi

Sipas Blushit në dy apo tre vitet e fundit në  parti është zhbërë kryesia dhe asambleja dhe janë krijuar theksoi ai, forume që nuk ekzistojnë. “Është njësoj sikur nesër të bini dakord që vendimet e qeverisë nuk merren në qeveri, por jashtë saj. PS nuk mund të ketë një parlament jashtë kongresit dhe një qeveri jashtë kryesisë”, pohoi ai. Më tej ai bëri të ditur se nga informacionet që disponon organizatat po mblidhen në mënyrë shumë klandestine. “Sot ky debat u bë në grup. Shpresoj të ketë mundësi për ta korrektuar në kongresin e shpejtë dhe të shumëpritur besoj. Është moment kritik dhe për shkak të ekonomisë. Nëse ju më bindni se ekonomia sot është mirë, që rritja ekonomike është ashtu siç pritej, nuk ka emigracion, nuk ka korrupsion,nuk ka një drejtim të panjohur të ekonomisë, qoftë dhe me koncesionet, që janë shumë të dyshimta dhe ndoshta të panevojshme, unë them kështu është. Ka ardhur koha që PS të marrë një drejtim”, deklaroi Blushi. Në këtë kontekst deputeti socialist nuk nguroi ta shtonte dozën e kritikave ndaj kreut të partisë ku bën pjesë duke theksuar se PS-ja ka 7 vite pa zgjedhje kur ndërkohë edhe në kohën e regjimit zhvilloheshin zgjedhjet pë kryetarin ccdo katër vite. “Ka që në 2009 që nuk ka zgjedhje në PS. Edhe karnavalet e kanë një datë, ky Kongresi i PS u bë si kometë, nuk dihet kur do bëjë mbledhje. PS është në një moment kritik sot, koalicioni jonë nuk është më stabël, është e domosdoshme të ketë zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS është ndoshta i vetmi kryetar që ka një mandat 7-vjeçar. Edhe Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, zgjidhej çdo katër vjet. Formalisht, por ama zgjidhej. PS-ja është e vetmja parti pa mandat kryetari”, u shpreh ai. Duke mohuar se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme, Blushi nënvizoi nga ana tjetër se nëse do të zhvillohen zgjedhje për kryetar, do të bëjë të ditur nëse do kandidojë përballë Ramës. “Nëse ka zgjedhje do ua them, por sot e rëndësishme është të ketë zgjedhje”, theksoi deputeti i PS-së Ben Blushi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency