Kosovë/ Sekuestrohen armë e municione luftarake në Drenas, arrestohen 3 persona

0
248

 

arme-pa-lejeKomisariati i Drenasit, pjesë e Policisë Rajonale të Prishtinës, ndërmori një operacion që rezultoi me gjetjen e 25 minave antitank, 4.2 kg tritol, 11 armë automatike të tipit mitralozë, një pushkë gjuetie, 39 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 4 gëzhoja.

Operacioni është kryer në komunën e Drenasit, në 4 pika të veçanta, pas marrjes së informacioneve për armë dhe municione.

“Në vendndodhjen e parë, në fshatin Llapushnik janë gjetur dy armë automatike mitralozë, një pushkë gjuetie, 11 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe 4 gëzhoja. Në vendndodhjen e dytë, gjithashtu në fshatin Llapushnik, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar një armë automatike mitraloz, një mbajtës mitralozi me dy tyta metalike, 28 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, tha Driton Morina, komandant i Komisariatit të Drenasit.

Ndërkohë, në fshatin Korreticë e Epërme, gjatë bastisjes në një vendndodhje të tretë janë gjetur dhe sekuestruar 8 armë automatike të tipit mitralozë. Gjatë kësaj bastisjeje, policia ka ngritur dyshimet se, municione dhe mjete shpërthyese mund të ketë edhe në një tjetër zonë të fshatit Korreticë e Epërme, saktësisht afër Goleshit.

“Gjatë kontrollit të këtij vendi janë gjetur 25 mina antitank, 4.2 kg lëndë shpërthyese e tipit tritol. Të gjitha këto mjete të sekuestruara janë tërhequr nga ana e FSK-së dhe KFOR-it”, tha më tej Driton Morina.

Lidhur me këtë ngjarje janë shoqëruar në polici 3 persona të moshave 20-21 vjeçare, të cilët pas marrjes në pyetje, janë liruar me urdhër të prokurorit në procedurë të rregullt.

Ndërkaq janë nisur dy çështje hetimore, për “mbajtje në pronësi, zotërim ilegal të armëve apo mjeteve të rrezikshme dhe mjeteve të dyshuara shpërthyese”, për të cilat po zhvillohen hetimet.

Gjatë vitit 2015, në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prishtinës janë raportuar 333 raste të armëmbajtjes pa leje, 95 raste të armëmbajtjes me leje, armë të cilat edhe janë përdorur. Nga këto raste, policia ka konfiskuar 314 armë të ndryshme, 52 granata dhe mina, si dhe 4544 copë municionesh.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency