Zbuloi shpirtin e tij

0
145

 

 

 

zpZaharias Papantoniou

 

KUR maçoku i z. Sinetos ndjeu se i erdhi çasti i mbramë, sepse është e natyrshme për racën e tij që t’i japë fund me dinjitet, u fsheh në një vrimë dhe që prej atij çasti nuk ia zunë më sytë kujt.

 

  1. Sinetos nuk kishte pikë loti që ta qante maçokun e tij. Të fundit (atë që mezi del) e kishte derdhur tjetërkund. Që prej atij çasti e tutje për çfarëdolloj të keqeje që do të mund ta gjente, veç një gjë do të kishte mundur të bënte: ta llogariste si të huaj. Kur i ra në vesh prej fëmijëve të lagjes se maçoku i tij kishte ngordhur, për diçka të ngjashme me dinjitetin e kafshës së tij të dashur; e solli edhe një herë ndërmend maçokun. E la të shëtiste nëpër kujtesën e tij me gjithë ato mustaqet e tij të mëdha dhe harkun e bishtit të tij, dhe pastaj – pasi për shumë kohë prekja e tij i shkaktonte një ankth të tmerrshëm – atëherë e harroi. Po, i bëri naftën fare. E kishte pas marrë vendim. “Do ta harroj edhe këtë gjë të fundit që humbi, – tha me vete. – Do t’i shuaj dhe gjithë të tjerat! Maçoku qe i fundit”. Kështu, me një lëvizje të zemëruar të arsyes së tij, mori fund historia e dashurisë, e dhimbjeve dhe e pasioneve të z. Sinetos. Mbeti fillikat. Aq sa i mbetet jetë tani, do që të jetë vetvetja. “Edhe një gllënjkë ujë që do të pi tani e tutje, – tha me vete, – s’do ta ndaj me askënd më!”.

Kështu, z. Sinetos nxori vizë dhe rendi nëpër “vendet e huaja”, siç thoshte, në vendet shumë të trazuara, ku secili mund të gjendet mes mija vetësh të shpenguar. Tani i kuptoi ata udhëtarë të cilët duke shurdhmemecëruar nëpër trena e anije, të vendosur të mos këmbejnë as gjysmë fjale e as ndonjë grimasë me kënd, duke qenë se edhe këtë e shohin si një korruptim të pronës private. Tani ndjen kënaqësinë e atyre tipave të bezdisshëm të cilët udhëtojnë e mbajnë të shtrënguar fort me cingunizëm hidhërimet dhe gjërat e shëmtuara, mjaft të jenë të tyret! Ata që qëndrojnë në poltronat e hoteleve, të cilët bëhen antipatikë e shahen në gjuhë që nuk i njohin, horrat e trenave e të vaporëve, thjesht mbrojnë veten e tyre prej të tjerëve. Z. Sinetos shumë shpejt u bë si figurë e njohur hoteleve të Evropës. Me ç’kënaqësi të madhe gjatë udhëtimeve të tij tanimë dëgjon që garsonët e thërrasin “njëmbëdhjeta”, “njëzet e treshi”, “tetëdhjetë e dyshi”! E mbyll derën triumfator. Hesht krenarisht. Tundjen e lehtë të kokës, që e bën për të përshëndetur, teksa hyn në sallën e ngrënies, e konsideron si sakrificë. Ishte një plagë në kështjellën e vetes së tij. Të huajit të padyshimtë, me të cilin i rastiste të fliste, i gjegjej me gjest ose me njërrokësh. Një tjetër plagë kjo. Për këto bjerrje të vogla pendohej menjëherë dhe përpiqej t’i korrigjonte me një heshtje të thellë.

“Mos më shih, lum miku, – thoshte me vete duke u kthyer vështrimin të tjerëve, – s’ke për të më nxjerrë gjysmë fjale. S’më tepron asgjë për ty. Boll! Boll! Jam vetja ime! Jam njëmbëdhjeta! Njëzet e treshi! Tetëdhjetë e dyshi!”.

Dhe atëherë sillte ndërmend të gjithë ata që e kishin lënë të rronte… Ishin aradhe të tëra njerëzish. Ishte e shoqja. E shpërdoroi pjesën më të madhe të vetes së tij për të rregulluar çikërrimat e saj të vogla, të cilat atij iu prezantuan si jashtëzakonisht të vlefshme, si dhe për t’u përkujdesur për reumatizmën e saj. U divorcuan dhe kurrë ndonjëherë nuk e morën vesh se përse kishin jetuar bashkë. Ishin të njohurit e gruas. Ishin të njohurit e tij. Ishin shokët e tij. Ishin njohjet e tij të çastshme, prej, madje, të cilave – të tillë e paskësh pasur fatin! – dhe i kushtonin përkujdesje të pafundme. Për t’u shkëputur prej tyre la një copë të mishit të tij. Çdo njëri prej tyre, prej shokëve e të njohurve të tij, e kishte në xhep lënien pas krahëve të tij. Kush e tradhtoi herët e kush e tradhtoi vonë. Më në fund maçoku i tij, kur e tradhtoi dhe ai – dhe ç’është tjetër vdekja? – i dha mundësinë që të hidhte hapin historik e të rronte fillikat i vetëm.

Teksa shijonte triumfin e vetes së tij, z. Sinetos, duke kaluar me tren nëpër dy vende të huaja, në një cep, në skaj të një deti të përhimë, që nuk kishte as ngjyrë të kaltër, për të të mallëngjyer, as direkë e as ngjatjetime, në kabinën e tij hyri një udhëtar me dy valixhe.

Qysh? Erdhi dhe një udhëtar tjetër! Ëhë! Kushedi ç’kujton! As përshëndetje, jo! As edhe një fjalë! Z. Sinetos e mbylli veten e tij fortesë mesjetare. “Mos u përpiq, zotni, të më rrëfesh për shpresat e tua, iluzionete tua, fitimet e tua, brengat e tua, sukseset e tua. S’kuptoj gjë prej gjëje, unë. Jam i vetëm! Jam vetja ime! Boll! Boll!”, – tha me vete.

Dhe, i ngulur në ndenjësen e vet, duke mbajtur në duar një Bendeker, – libri i tij i dashur – i cili nuk e mallëngjente për asnjë çështje të të tjerëve – vështroi në drejtim të derës, për të parë se cili qe ai fatkeq mendjegënjyer që vjen i sigurt se gjeti bashkëudhëtarin e duhur! Dy vajza, një plakë, një burrë dhe një plak flokëthinjur hynë brenda. Që të gjithë i hodhën një sy. Pasi e panë zunë një vend. “Domethënë njëri do të udhëtoka!”. Pasi vunë mbi këtë ndenjëse një pallto, mbuloja, libra, çanta të vogla, dhe futën në rafte dy valixhe, e morën me vete personin që do të udhëtonte dhe dolën jashtë të prisnin nisjen.

  1. Sinetos nuk kishte asnjë kureshtje që të mësonte se cilin po përcillnin. Moskokëçarës, me gishtin brenda Bendekerit, doli tek dritarja e vagonit. Aty vuri re që ata të pestë po çapiteshin në platformën e stacionit, porse tani e kishin humbur gjallërinë që kishin treguar në kabinë dhe po lëviznin tejet çlirshëm. Vajzat morën një pozë si ato të pikturave të vjetra, burrat dukeshin sikur po përpiqeshin të bindnin zonjën plakë se ajo që do të ndodhte pas pak nuk do të ishte me aq rëndësi dhe se njeriu orët e liga duhet t’i përballë me një arsye të patundur. Befas u dëgjua sinjali i nisjes. Atëherë zunë të ndaheshin. Gruaja plakë ngurroi. Qëndroi për pak sikur donte të rezistonte. Pastaj iu hodh në qafë vajzës më të vogël dhe zuri ta puthte në flokë, në qafë e në sy, gjithë dëshpërim. Dy burrat, menjëherë e lanë pas krenarinë e gjinisë së tyre. Gjunjët e tyre u drodhën, shamia u gjend tek sytë. Pasi u nda me vajzën më të vogël, gruaja qafoi më të madhen, e pasta në fillim njërin burrë e më pas tjetrin. Dhe zuri ta puthte sërish më të voglën, dhe nga frika se mos nuk arrinte t’i linte gjurmët e saj tek çdonjëri – se dukej që po nisej për mjaft larg, saqë s’kishte për t’i takuar më në jetë – çikte lehtë herë qafën e njërit e herë të tjetrit, herë flokët e njërit e herë ballin e tjetrit, dhe me prekjen e dorës së saj përpiqej që t’i merrte si me fotografi ndjesinë që i falte lëkura e personave të saj të dashur. Zhurma baulesh, zëra të lartë, kërcitje vagonash, ngjatjetime njerëzish, që të gjitha binin mbi këtë çast të shenjtë me ngulmin që kanë gjërat e trasha e të vrazhda për të zhduku çdo dobësi tonën që guxon të shfaqet çasteve të tilla.

I gjithë stacioni qe shndërruar në një këngë polifonike: një zë i parë, një i dytë, një i tretë. Veç ata të pestë sikur po luftonin me shpirtin nëpër dhëmbë. As frika se mos nisej treni, e as çoroditja e përgjithshme në stacion nuk po i bënte që të nxitonin të ndaheshin nga njëri-tjetri, deri sa më në fund plaka u ngjit në tren duke valëvitur shaminë. Në dritaren e kabinës arriti që t’ua bënte me dorë edhe për pak atyre që mbetën…, duke u valëvitur katër shami nga krahu tjetër…, duke u valëvitur fort…, deri sa humbën… Ndërsa treni filloi të lëvizte dhe dy udhëtarët u gjendën vetëm për vetëm, z. Sinetos zuri ta pushtonte frika prej ndjenjës se në qenien e tij hermetike iu shkaktua një plagë, e tillë saqë atë çast nuk arriti që të mbetej fillikat i vetëm, siç edhe kishte pas vendosur.

Plaka, e cila kishte qëndruar në qoshkun përballë, vetëm tani zuri ta ndjente ndarjen. Qante. Befas qe shndërruar në një krua të vogël, si ato që ndodh të gjenden përposhtë një gjethnaje. Z. Sinetos ndjeu një farë zilie e xhelozie bashkë: ai kishte kohë që e kishte derdhur lotin e tij të fundit. Tani nuk i ka mbetur më asgjë. Vështron plakën që megjithëse në një moshë të tillë sërish ka diçka që të japë! Dhe sa! Po, ç’është ajo që i hap këto çezma? Nuk u sprapska pra dhimbja as prej ndjenjave të zemrës, as prej mendimit të njerëzve, që i kundërvihen e duan ta mposhtin, si për shembull në rastin e z. Sinetos? Plaka deshi të gënjente veten e saj: hapi një libër. Por e kotë. Nuk e kishte mendjen fare aty. E hapi në një faqe tjetër. E mbylli. Pastaj hapi një çantëz dhe nxori prej saj disa pako gjëra që për çastin nuk i hynin në punë për asgjë: një gërshërë të vogël, një pungë, dy letra, një këllëf. E rrotulloi shumë herë nëpër duar, që thua se i duheshin për ndonjë gjë. Porse edhe këto nuk arrinin që ta gënjenin, me ç’duket. I futi sërish në çantëz. Pastaj i hodhi sytë matanë dritares. Peizazhe të pakuptimta, pemë të dendura, monotone, me mija, në këmbë, gjithë si dy pika shiu. Është masë e pakuptueshme gjithësia, për njeriun, kur nuk arrin që t’i japë ndihmë! Kaloi një qytet të vogël – por pamja e qetësisë së shtëpive e të tymtarëve që fumonin, ia solli në mendje sërish ndarjen dhe i hapi edhe një herë çezmat e syve të saj bojëqielli. Kësaj here qau më shumë, deri sa më në fund, sytë e saj u thanë dhe qëndroi duke vështruar librin e hapur – pa lexuar qoftë edhe një rresht.

Ashtu siç edhe fatkeqët e rrethuar nga uji i përmbytjes e kuptojnë shumë vonë rrezikun, e që nuk munden të bëjnë asgjë tanimë, kështu, dalëngadalë, edhe z. Sinetos ndjeu se e kishte qarkuar drama e plakës së huaj. Niveli i saj ngjitej ngadalë botës së tij të brendshme. I gjithë hidhërimi i saj u përhap nëpër shpirtin e tij sikur të qe i tiji. Z. Sinetos zbuloi brenda vetes së tij një agresion që i ishte bërë, të cilin nuk e kishte pritur. Kurrë ndonjëherë nuk kishin pas qenë takuar më parë; kurrë ndonjëherë nuk do t’i gjegjeshin njëri-tjetrit; kurrë ndonjëherë nuk do të sakrifikojë njëri, për hir të qetësisë së tjetrit. E megjithatë që prej dyerve të hekurta, urave të tyre të ngritura, kullave dhe fortesës së personit të z. Sinetos hyri fatkeqësia e gruas së panjohur e cila e mbushi të gjithë shpirtin e tij të zbrazur. Dhe ndërsa nga njëra anë i vjen turp prej vetes së vet – kishte premtuar që ta ruante dhe ja si i shpëtoi tashti! – nga ana tjetër mrekullohet prej hidhërimit njerëzor që nuk është e mundur të mbyllet brenda sinorëve të një shpirti vetmitar.. Kurdoherë kërkon tjetrin. Dhe z. Sinetos e sheh shpirtin e njeriut si ato pemë që me mija rrënjët e tyre të vogla kërkojnë të gjejnë ujë dhe godasin muret e puseve për të pirë… Vëren se sa moskokëçarës tregohet në planet e tij e në vendimin e tij, fuqia që i sjell peripecitë nga njëri shpirt tek tjetri; dashamirësia.

Plaka, me sy të skuqur, mendon, paluajtur nga vendi, e zhytur në përhumbjen e efektit të asaj neuroze që pason trandjet e mëdha. Diçka kishte kuptuar. Dikush e kishte lehtësuar. Kush? Nuk e dinte. Por, me ndjeshmërinë e njeriut të hidhur, kuptoi që drama e saj kaloi në shpirtin e një njeriu tjetër. Kështu, ndërsa kishte mbyllur sytë prej narkozës, ndjeu sikur e dheli një duhmë e butë pranverore. Pas pak u ngrit prej kësaj toke. Yjet i afroheshin njëri-tjetrit, shpejtazi, dhe ajo kalonte nga njëri yll tek tjetri me veç një ndihmë të vogël që i jepnin të tjerët, ndërsa i shtrëngonin lehtë dorën e saj të rreshkur. “Gjithësitë, – thotë, – dërgonin një dritë të butë e të ëmbël që dhelte sytë e saj të qarë. Edhe engjëjt, pa i lëvizur shumë krahët e tyre të bardha, të mëdhenj, i mbanin thuajse pa lëvizur dhe lundronin herë mbi një re të trëndafiltë e herë mbi një të përhimtë. Dhe në gjithë këtë qetësi u dëgjua harmonia hyjnore, polifonike por serioze dhe e qetë, e lumit të paqtë që thua se shkrihej duke u bërë njësh me heshtjen dhe dritën. Dhe kur plaka hapi sytë e u gjend në të njëjtën ndenjëse të kabinës, me të njëjtin bashkudhëtar përpara saj, nuk pyeti as përse, assesi ndodhi kjo. Veç ndjeu që në Qiell ky udhëtim u pri prej një tjetër shpirti njerëzor. Dikujt i kishte ardhur keq për të. Nuk e dinte se kush ishte… Ndoshta ndonjëri prej njerëzve që vraponin nëpër kaosin e stacionit… Siç duket, gjatë ndarjes së saj me të vetët, dikush kishte arritur t’ia rrëmbente ngashërimin… Ndoshta ndonjë grua. Ndonjë punëtor… Ndonjë fatkeq… Kush mund ta dijë këtë?!! Kurrë nuk e dimë se ku bijnë pikat e lotëve tanë e ku ato çelin zambakë për ne”.

Pra, z. Sinetos nuk u tradhtua. Në sytë e plakës ai u duk si një udhëtar indiferent i cili po shkon diku me ngut. Kaq bukur e ruajti të patrazuar pamjen e tij ai! Plaka e pa bashkëudhëtarin e saj të panjohur të zbriste në një stacion e të humbte në mes të turmës. Nuk mund ta merrte me mend se ishte pikërisht ai, personi që i kishte pas prirë nëpër yjësi! Z. Sinetos zbriti në një qytet me të huaj, njerëz vetmitarë, numra hotelesh, njëmbëdhjetë, njëzet e tre, tetëdhjetë e dy… Indiferentë, heshtojnë, e kapërdijnë të tërën kafshatën e tyre. Por ai nuk ishte më njëri prej tyre! Nuk u bë kurrë! Aventura e tij e çuditshme e informoi se ishte gënjyer. Jo! Nuk mund ta gëlltiste krejtësisht kafshitën e tij! Në qenien e tij ende ka vend për mija dhimbje… Është krijuar për të tjerët! Është e pamundur që të qëndrojë brenda vetes së tij! Gjithë sa vuajti derimë tani ishte e drejtë që t’i vuante. dhe ato dhimbje që e presin, edhe ato i takojnë! Çdo gjë është e shkruar.

Kështu, iu desh që të udhëtonte në detra të largëta që ta kuptonte këtë? I duhej të shkonte në “vende të huaja”, vetmitar, që ta gjente sërish rrugën e shpirtit të tij.

Përktheu nga origjinali: LAVDIMIR MARKU

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here