Konferenca / Basha: Kalbëzim i shtetit, drejtorët e Policisë Korçë e Gjirokastër, të lidhur me trafikun e drogës

0
116

 

“Rama thotë ka filluar të vijë era shtet, në fakt vendi kutërbon e qelbet nga era e drogës, krimit e trafiqeve”

 

bamir-topiGëzim Saliu

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi dje Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kanë inkriminuar Policinë e Shtetit. Përmes një konference nga selia blu, kryedemokrati tha se drejtorët e Policisë në Korçë dhe në Gjirokastër janë të implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës. “Ka filluar të vijë era shtet, thotë Edi Rama. Në fakt, vendi kutërbon dhe qelbet nga era e drogës, e krimit, e trafiqeve, e përfshirjes të palo shtetit të Edi Ramës në trafiqe. Por Edi Rama është krenar dhe thotë se kjo është era shtet. A do jetë krenar Edi Rama sot për ministrin e tij, pas fakteve të reja që publikojmë, të dokumentuara po kështu nga partnerët se dy drejtorët e tij të Policisë në Korçë dhe në Gjirokastër, janë të implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës. Arapi dhe Ajet Zyberi janë dokumentuar përsëri nga partnerët si shërbëtorë të krerëve të trafikut të drogës, si njerëz në dispozicion të biznesmenëve të hashashit, miq për kokë të Edi Ramës. Era shtet është kjo?!”, – theksoi lideri i opozitës.

 

Deklarata

Deklaratën e tij publike Basha e nisi me denoncimin e ripërsëritur për ministrin e Brendshëm i cili sipas tij ka dhënë llogari para trafikantëve për kapjen e drogës nga autoritet e huaja. “Pas arrestimit të bandës në Durrës, ministri i tij është dokumentuar duke justifikuar, duke dhënë llogari para banditëve, krerëve të bandës dhe personave të lidhur me ta,  duke ju thënë “nuk e keni prej meje, nuk isha unë”. Kjo është e dokumentuar. Është pikërisht dokumentimi i kësaj që tregon se sa qelbet shteti i Edi Ramës. Kjo është era e kalbëzimit të shtetit. Kjo është era e rënies së shtetit në duart e mafies. Kjo është era e përzierjes së kryeministrit dhe qeverisë së tij me krimin. Cili është treguesi, matësi kryesor i shtetit?! Është forca, dhuna ndaj të pamundurve?! A është vallë shtet të mbushësh qelitë me të varfër, me të pamundur që nuk kanë 10 mijë lekë të vjetra të paguajnë energjinë se nuk kanë se me çfarë, se nuk kanë ku t’i marrin?!”, – nënvizoi kreu i PD-së. Më tej ai theksoi se shteti tashmë është në dorën e trafikantëve, pasi ministri dhe drejtorët e policisë së shtetit janë vënë në shërbim të bandave të drogës. “Era shtet është të kesh hektarë të mbjellë me drogë në gjithë vendin që ruhen me njerëz të armatosur, që kanë imunitet nga banditët e veshur me uniformë që ruhen nga ministri i Brendshëm që justifikohet se nuk e kanë prej atij kur e kapin shërbimet partnere?! Në fund, jo vetëm era shtet që nuk është por është era krim”, deklaroi Basha. Më tej kryedemokrati pohoi se çdo qytetar është i vetëdijshëm që qeveria i ka zënë frymën vendit. “Nuk është era shtet të dalësh e të thuash që refuzon të zbatosh një vendim gjykate si ministër i Brendshëm, e më pas po ky birbo të dalë e të arrestojë përmbaruesin që u ngarkua me zbatimin e këtij vendimi gjykate, një arrestim që prokuroria e shpalli të paligjshëm. Ky nuk është shtet. Është një regjim kriminal oligarkik”, – u shpreh ai. Në përfundim të reagimit, Basha tha se shkrirja e qeverisë së Ramës me bandat dhe ndotja e oligarkisë me krimin ka qelbur Shqipërinë. “Bashkë me qytetarët kemi detyrën dhe të drejtën ta largojmë një orë e më parë”, – bëri thirrje kreu i PD-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here