Me 49 vota pro, asnjë kundër Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Shqipërinë: T’i jepet statusi i kandidatit në BE

0
114

Gëzim Saliu

Raportuesi për Shqipërinë, Vuljanic: Duhet dialog politik për të gjetur zgjidhje për vendin

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar, sfidat që duhen zgjidhur nga qeveria”

 

miratimi i rezolutes se PEVetëm pak ditë para vendimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miraton rezolutën e raportuesit për Shqipërinë, eurodeputetit kroat Nikola Vuljanic, përmes së cilës kërkohet që vendit t’i jepet statusi i kandidatit. Me 49 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, rezoluta, duke mbështetur propozimin e Komisionit Evropian, “i bën thirrje Këshillit të njohë përparimin e Shqipërisë, duke i dhënë asaj statusin kandidat”. Në rezolutë njihen përparimet e bëra nga Shqipëria, drejt përmbushjes së objektivave të integrimit dhe veçanërisht arritjen e reformave të kërkuara nga Brukseli. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Jashtëm të PE-së, u nënvizua nevoja për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës e ndërkohë u kërkuan reforma të prekshme nga ekzekutivi për administratën publike, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

 

Raportuesi

Duke bërë të ditur se rezoluta e miratuar nuk është ajo fillestare, në bazë të ndryshimeve të ardhura nga qëndrimet e grupimeve të tjerë të Parlamentit Evropian, raportuesi për Shqipërinë, Nikola Vuljanic, shprehu vlerësime për votimin, duke bërë të ditur edhe pikat kryesore të saj. “Pikat më të rëndësishme të rezolutës janë ato te të cilat kam insistuar edhe më parë. Nevoja për dialog politik paqësor në vend për të gjetur zgjidhje për vendin. Jo zgjidhje për partinë, por për vendin. Kishte një replikë midis eurodeputetëve për çështjen e partive në Shqipëri dhe kryetari i komisionit ndërhyri për ti dhënë fund. Bëri mirë, se nuk janë partitë në Shqipëri që janë të rëndësishme”, – tha ai në një prononcim për “ABC News” pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të jashtëm të PE-së. Më tej, eurodeputeti kroat shtoi se sfidë për qeverinë mbetet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Vendi kërkon përveç dialogut, që të luftohet rreptësisht korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është një problem jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, por në Shqipëri është problem i mprehtë. Këto problem duhet të zgjidhen nga qeveria. Qytetarët e Shqipërisë janë shumë të shqetësuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe shqetësimi i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe këto fenomeneve të luftohen. Ashtu siç u dëgjua zëri i qytetarëve për çështjet e mjedisit, ashtu duhet të dëgjohet edhe për këto fenomene”, – theksoi raportuesi për Shqipërinë. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme, pati edhe një amendament nga grupimi i gjelbër mbi gjakmarrjen, i cili u përfshi në rezolutë. “Ky është një problem i vërtetë që ekziston. Dhe nuk janë 1000 veta të ngujuar, ashtu siç u paraqit këtu apo ashtu siç më thanë në Shqipëri, por janë 3000 veta të ngujuar. Është një çështje që evidenton që qeveria dhe policia s’funksionon siç duhet. Nëse ato funksionojnë normalisht, fenomeni i gjakmarrjes do të vijë duke u reduktuar. Shpresoj, që do zgjidhet relativisht shpejt, pasi ju nuk mund të shkoni kurrkund, kur në vend ka njerëz të ngujuar”, – pohoi eurodeputeti kroat Vuljanic. Pas rekomandimit të Komisionit Evropian që më 16 tetor kërkoi që Shqipërisë ti jepet pa kushte statusi i vendit kandidat dhe rezolutës së miratuar dje nga Parlamenti Evropian, tashmë vendimi përfundimtar mbetet ai që do të merret në javën e tretë të muajit dhjetor në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

 

Në Komisionin e Jashtëm të PE-së

Statusi edhe në mars, Meta: Marrja e tij, inkurajim për vazhdimësinë e reformave

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi në Bruksel se marrja e statusit të kandidatit nga Shqipëria do të ishte një inkurajim për vazhdimin e reformave në vend. Duke folur dje në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, Meta u shpreh se pavarësisht nga vendimi për statusin, Shqipëria do të vijojë me reformat. Sipas tij, në tre muaj, sigurisht që nuk mund të bëhen mrekullira, por qeveria ka faktuar se është e angazhuar në përmbushjen e kushteve dhe në vijimin e reformave. “Pavarësisht vendimit të Këshillit në dhjetor, ne jemi të vendosur për të vazhduar me reformat, pasi ne e dimë që këto reforma nuk implementohen për të mirën e Evropës, por për të mirën e gjithë popullit tonë”, – tha Meta. Ndërkohë, në diskutimet e zhvilluara në Komisionin e Jashtëm të PE-së, është hedhur edhe mundësia që Shqipëria të marrë statusin në muajin mars, gjatë presidencës greke të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, Meta u ka thënë eurodeputetëve se pavarësisht nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, vazhdimi i reformave është thelbësor për përparimin e vendit. Po ashtu, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u takua dje edhe me komisionerin për Zgjerimin Stefan Füle, si edhe me personalitete të rëndësishme të Mbretërisë së Belgjikës.

 

Kryetari i delegacionit të PE-së

Kukan: Duam prova të reja për reformat, bashkëpunim mes palëve

Kryetari i delegacionit të PE-së për Shqipërinë, Eduard Kukan, vlerësoi klimën pozitive të krijuar në Shqipëri, kut theksoi se për të larguar të gjitha dyshimet e vendeve skeptike duhen dhënë prova të reja nga ana e qeverisë në kuadër të reformave të integrimit. “Ju duhet të na sillni prova të reja. Unë dhe besoj edhe anëtarët e tjerë të Parlamentit ju besojnë. Ju personalisht mund të luani një rol të rëndësishëm në integrimin e vendit. Ka ende vende që mund të mos sjellin mosbesim dhe ato do të shfrytëzojnë momentet negative në mënyrë që të fitojnë vota deri në mbledhjen e Komisionit Evropian dhe ju nuk duhet t`ua jepni këtë mundësi”, – tha Kukan. Më tej, eurodeputeti duke vlerësuar atmosferën pozitive mes palëve lidhur me procesin e integrimit, theksoi me rëndësi parësore mbetet dialogu mes mazhorancës dhe opozitës. “Ne vlerësojmë atmosferën pozitive që mbizotëron në Shqipëri. Është e vështirë që të thuhet se kush ka kontribuar më shumë. Ne kërkojmë që ju të rrisni bashkëpunimin në të ardhmen. Unë jam dakord që ju nuk mund të bëni mrekullia në pak muaj, por besoj se me kalimin e kohës mund të arrini rezultate pozitive. Unë kam në dorë rezolutën e Shqipërisë dhe është një rezolutë që përshtatet me integrimin evropian. Kjo rezolutë është miratuar me konsensus mes qeverisë dhe opozitës dhe kjo është një provë që gjërat po ecin përpara”, – deklaroi Kukan.

 

Ministri i Jashtëm

Bushati: Lobim deri në minutën e fundit tek skeptikët e statusit

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pohon se qeveria do të lobojë deri në minutat e fundit të vendimit të vendeve anëtare të BE-së për të dhënë prova në ecurinë e reformave të integrimit. Në takimet e zhvilluara me homologë të tij të vendeve të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht atyre vendeve që ende po hezitojnë për të deklaruar votën e tyre në vendimin që do të mbajnë në Këshill, në kuadër të takimit dy ditor të ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s, Bushati ka bërë të ditur zhvillimet e fundit në vend. “Bëhet fjalë për besueshmërinë e procesit të zgjerimit që komisionieri i Zgjerimit është natyrisht shumë i interesuar që ta mbrojë dhe ta çojë përpara. Këtu rasti i Shqipërisë është udhërrëfyes dhe ne po punojmë së bashku me Komisionin Evropian, do të shfrytëzojmë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë për të punuar me vendet anëtare dhe sidomos me vendet anëtare që ende nuk kanë një vendim për sa i përket kandidaturës së Shqipërisë. Dera për ne është e hapur, është e rëndësishme që procesi i reformave, kryesisht i reformave që kanë lidhje me sundimin e së drejtës të vazhdojë me ritme të larta dhe me cilësi të pranueshme”, – tha Bushati në një prononcim për “TCH”.
 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency