Dëshmia “Shkolla nuk më njoftoi për konfliktin mes djemve”

0
127

 Anxhela Tato

 

Dritan Varaku: Binda Edrinin të dorëzohej, jemi të hidhëruar dhe ndjehemi shumë keq

Flet babai i autorit të krimit: Nëse do të njoftoheshim nga mësuesit, krimi i rëndë do të shmangej

 

 

vrasesiBabai i autorit të krimit tragjik, ku mbeti viktimë 16-vjeçari Adriatik Tota, rrëfen se ndihet shumë keq, pasi një fëmijë vdiq nga dora e djalit të tij, ndërsa shton se nëse do të ishte informuar në kohë nga shkolla për konfliktin mes dy djemve, kjo ngjarje do të ishte parandaluar. Dritan Varaku tregon se ditën e ngjarjes ka mësuar për konfliktet e herëpashershme mes dy djemve, sa situata në shkollë një moment kishte degjeneruar, duke sjellë edhe praninë e policisë. Sipas Dritan Varakut, ai si prind nuk është vënë në dijeni nga drejtuesit e shkollës dhe këto i ka mësuar vetëm ditën tragjike të vrasjes. “Ndihem fajtor që nuk kam ditur gjë për konfliktin mes djemve në shkollë. Kishin dy vjet që konfliktoheshin, kohët e fundit më shumë. Mësuesit nuk më kanë vënë në dijeni asnjëherë për këtë sherr mes djemve, do të ishte shmangur gjithë kjo, jam i bindur. Unë e binda djalin të dorëzohej. Kishte shtatë orë që fshihej, e binda që më mirë do të ishte të dorëzohej dhe të pranonte fajin dhe arsyet që e çuan deri aty. Jemi të hidhëruar, një fëmijë u vra nga dora e djalit tim, jemi keq, të gjithë si familje, tepër, tepër e rëndë”, – pohoi Dritan Varaku.

Dëshmia e autorit

“Po, unë e vrava Adriatik Totën, pasi nuk mund ta duroja dot më. Ai ishte një vit më i madh se unë. Sa herë që më shikonte, më shante. Kur gjendeshim vetëm në shkallët e shkollës apo edhe në ambiente të tjera, Adriatiku më thoshte: “Të bëfsha robt, të bëfsha motrën”. Më ofendonte vazhdimisht. Kur isha i shoqëruar me shokë, ai më ngacmonte, më thoshte: “E di vetë ti, mos e harro çfarë të kam thënë”. Kjo më kishte mërzitur shumë. Më vinte shumë keq dhe shumë turp që ta diskutoja këtë problem me shokë të mitë ose familjarë. Adriatiku ishte një vit më i madh se unë dhe nuk më respektonte, por vetëm më ofendonte. Ishte shumë e rëndë për mua ta duroja më. Unë isha vërtet një vit më i vogël nga ai, por nuk mund ta lejoja të më tallte vazhdimisht e të më shante nga njerëzit e shtëpisë me fjalë aq të rënda. Në fakt, këto ditë, ai ma kishte bërë shumë borxh. Nuk linte vend pa përmendur ofendimet që më bënte. E përsëris, nuk mund ta duroja më dhe një ditë më parë vendosa që ta vrisja. Arma ishte prej ‘97-ës. E kishte pasur një fshatar yni. Ai e kishte groposur në tokë. Unë e mora dhe e pastrova. E kisha vendosur ta vrisja personin që më tallte dhe më nxinte jetën. Mëngjesin e djeshëm e mora pushkën, e futa në mes të shalëve. Meqë nuk e kishte qytën prej druri, nuk dallohej nga të tjerët. Rripi i mesit e mbante mirë. Sipër kishim përparëset ngjyrë blu, kështu që nuk arritën ta dallonin shokët e klasës. Kur u futëm në klasë, Adriatiku po më hiqej si garip. Më shkeli syrin dhe më tha: “E di vetë ti, nuk ta përsëris më”. Nuk durova dhe nxora armën, e qëllova dy herë. Më pas ika, u largova me vrap. Erdha në qendër të Durrësit. Mora vesh që e gjithë policia më kërkonte. Erdha në Durrës dhe u futa në të gjitha lagjet e brendshme, nëpër rrugica. Mora vesh nga “Facebook”-u që isha njeri i kërkuar nga policia. Pata frikë të dorëzohesha. Mendova që nuk do të më gjenin dot. Por, kur babai kishte bërë ujdi me policinë, u binda që nuk kisha nga shkoja më. Babi në telefon më tha që duhej të dorëzohesha, por unë vijova të lëvizja nëpër rrugica. Në fund babai arriti të më bindte që të dorëzohesha, pas shtatë orësh nga ngjarja. U takova me babanë në një lokal në qendër dhe aty erdhi policia. Më vunë prangat. Jam penduar për çka kam bërë”, – dëshmia e Edrin Varakut.

 

Shokët e Adriatik Totës: Edrini e vrau me gjakftohtësi dhe iku me vrap

Viti i dytë i shkollës “Beqir Çela” është nisur në varrimin e shokut të tyre Adriatik Tota, vetëm 16 vjeç, i vrarë nga moshatari i tij. Tronditja e shumë prej tyre është e madhe, të gjithë ishin të pranishëm kur u shkreh arma dhe ra i vdekur. Ata rrëfejnë se ishin duke bërë mësim në klasën e Mekanikës, së bashku me ta Adriatiku dhe Edrini anash, në tryezë tjetër. Nuk ka zgjatur shumë, kur Edrini nxjerr një pushkë të fshehur nën xhaketë dhe ia ka drejtuar moshatarit Adriatik. Nxënësit thonë se gjëja e parë që kanë bërë ka qenë shtrirja përtokë dhe më pas kanë vënë re që autori, shoku i tyre, është larguar. I mbytur në gjak ka mbetur Adriatiku, që humbi jetën në çast. 19 djemtë, të cilët po kryenin orën e praktikës në ambientet e ofiçinës së shkollës së mesme profesionale, thonë se gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondash dhe se autori e kreu krimin me shumë gjakftohtësi. “Mbaj mend vetëm kur personi hyri aty brenda dhe qëlloi direkt. Në atë moment ne po rrinim brenda tek klasa, ai hyri brenda dhe dëgjuam dy të shtëna. Ne ngelëm në vend. Nuk e prisnim atë gjë. Viktimën e kishim shokë klase. Nuk kam dëgjuar që të kenë pasur ndonjë konflikt”, – thotë një shok. “Jemi ndier shumë të tronditur, shumë të frikësuar. Të gjithë u trembëm kur pamë atë, të gjithë vrapuan dhe dolën jashtë. Ngjarja ndodhi në shumë pak sekonda. Autori la armën, hoqi përparësen dhe iku”, – thotë një shok tjetër. Shoku i tyre, Adriatik Tota, do të mbetet gjatë në memorien e tyre, si një kujtim i hidhur. Ndërkohë, drejtori i shkollës, Bashkim Shkëmbi, thotë se kjo është një ngjarje që duhet të reflektojë në gjithë sistemin arsimor. Ai ka deklaruar se si trupë pedagogjike do të hartohet një program i ri lidhur me sistemin e sigurisë në shkollë, por edhe për marrëdhëniet mes mësuesve dhe nxënësve në shkollë. “Këtu duhet të kemi një bashkëpunim të ngushtë shkollë-familje-shoqëri. Ky rast është tepër specifik dhe ajo që më shqetëson, është fakti që ne për këta dy nxënës nuk kemi pasur asnjë lloj informacioni në lidhje me konflikte që kanë pasur”.

 

Policia: Në trupin e viktimës u gjetën 2 plumba

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, policia zbardh detajet, duke bërë me dije se autori është dorëzuar saj bashkëpunimit me prindërit. Vrasjen e ka kryer me një armë zjarri, e cila u sekuestrua bashkë me 16 fishekë të braktisur 100 metra larg vendit të ngjarjes. “Edrin Varaku dyshohet se rreth orës 09:50, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, në ambientet e shkollës, për motive të dobëta, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Adriatik Tota, 16 vjeç, banues në Rrushkull, Sukth, Durrës, nxënës i vitit të parë në po këtë shkollë”, – thuhet në njoftim. Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar nga ambientet e shkollës me qëllim shmangien e hetimit. Policia e Durrësit, pas identifikimit të kryer brenda një kohe të shkurtër mori një sërë masash në drejtim të kapjes së tij. Kështu u ushtruan një sërë kontrolle banesash, ambientesh të tjera, u ngritën pika kontrolli në segmentet rrugore të zonës dhe pikat hyrëse e dalëse në qytet. Krahas këtyre masave u kontaktua me familjarët e autorit, të cilëve iu shpjegua rreth situatës. Pas një sërë veprimesh policore si dhe falë bashkëpunimit të familjarëve, rreth orës 16:45 u bë e mundur kapja e shtetasit Edrin Varaku në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Lidhur me këtë ngjarje u punua intensivisht në drejtim të grumbullimit të provave për dokumentimin e plotë ligjor të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pushkë, 16 copë fishekë model 56, e cila u braktis nga autori në vendin e ngjarjes. Në ngarkim të 15-vjeçarit janë ngritur akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake.

 

Pasioni i Edrin Varakut, foto vrasjesh dhe armësh në “Facebook”

“Unë jam një vrasës dhe vras njerëz për para, por ti je shoku im dhe të vras ty lirë”, – një citat i postuar në faqen e “Facebook-ut” të 15-vjeçarit Edrin Varaku. Pasioni për krimet dhe armët është ajo çka konstatohet në profilin e djalit, i cili paraditen e së mërkurës ekzekutoi me plumb në kokë bashkëmoshatarin. Foto armësh, skena vrasjesh dhe fraza dhune mbizotërojnë tek faqja e “Facebook”-ut. “Killer elitë. Mbijeton vrasësi më i mirë”, – është një frazë tjetër që gjendet e postuar në “Facebook” më datë 23 prill. Faqja e adoleshentit përmban edhe foto ku vihet re pasioni i nxënësit për motorë, pistoleta, tipi i shoqërisë së madhe dhe shprehje të fortësh. Është me të vërtetë shqetësuese se si një 15-vjeçar kultivon pasionin për krimin, ndërsa pohon se e vetmja arsye pse ekzekutoi bashkëmoshatarin e tij janë ofendimet. Nga ana tjetër, në faqen e “Facebook-ut” të viktimës ndodhet një foto e tij me një armë zjarri në dorë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency