Dëshmon kolegu për Ardian Prrenjasin/ Lajmëruam policinë, pasi nuk erdhi në punë dhe nuk na hapte derën

0
147

Sonja Caka

Gjyqi i pedofilisë, Gjykata cakton ekspert për përcaktimin e sjelljes seksuale dhe gjendjes psikike të të pandehurit

 

Ardian-Prrenjasi-i-akuzuar-per-pedofili-gjate-nje-seance-ne-Gjykaten-e-TiranePas refuzimit të Gjykatës për gjykimin e pedofilit Ardian Prrenjasi me gjykim të shkurtuar dhe vijimin e procesit me pyetjen e dëshmitarëve, dje u paraqitën dy të parët, kolegë pune të të pandehurit. Dëshmitari i parë rrëfeu me detaje njohjen me Prrenjasin dhe momentet e para edhe gjatë ditës së ngjarjes. Durim Zelia e ka përshkruar kolegun e tij si një person të qetë, pa fjalë dhe shumë të shoqërueshëm. Si një person që nuk mungonte kurrë në punë dhe kjo ishte arsyeja pse ditën e ngjarjes u shqetësuan dhe pasi nuk erdhi në punë dhe nuk hapte derën e shtëpisë kur shkuan te banesa ku rrinte me qira, u detyruan të lajmëronin policinë. Por, kurrë nuk do t’u kishte shkuar nëpër mend arsyeja e vërtetë e mungesës së tij në punë. Kanë mbetur të tronditur. “Me Ardianin punonim te kompania “Karsel” për mbledhjen e mbeturinave me makinë dhe dërgimin e tyre në landfillin e Sharrës. Ardiani ishte i qetë dhe i shoqërueshëm. Dy ditë para se të arrestohej, na tha se kishte probleme me stomakun. Nuk erdhi dy ditë në punë dhe u shqetësuam dhe për këtë arsye shkuam te banesa e tij. I ramë derës, por nuk e hapte. Të shqetësuar për shëndetin e tij lajmëruam policinë. Nuk e mendonim se ai mund të ishte personi që kishte kryer abuzimin me një fëmijë, u shokuam”, – ka treguar për trupën gjyqësore dëshmitari Zelia, ndërsa në seancë nuk ka qenë i pranishëm vetë i pandehuri, por avokatja e tij. Kolegu tjetër nuk arriti të dëshmonte, për shkak të mungesës së mjetit të identifikimit, ndërsa, përveç tij, Gjykata i ka kërkuar policisë të shoqërohen për të dëshmuar edhe shtatë dëshmitarë të tjerë, me të cilëve edhe i dëmtuari dhe babai i tij.

Eksperti

Gjykata e Tiranës ka caktuar dje edhe ekspertin e mjekësisë ligjore që do të bëjë ekspertizën psikiko-ligjore të të pandehurit Ardian Prrenjasi. Pas betimit para Gjykatës, njëri nga prokurorët e çështjes i ka dorëzuar me shkrim pesë pyetje ekspertit Sokol Preçi, i cili kërkoi 1 muaj kohë për të përgatitur raportin. Kështu, akuza kërkon të dijë nëse vuan Ardian Prrenjasi nga sëmundje psiqike apo çrregullime të personalitetit; a paraqet çrregullime në sjelljen seksuale dhe në ç’kategori; a ka qenë në vogëli objekt i ngacmimeve seksuale apo nëse në fëmijëri është abuzuar seksualisht me të; a është i përgjegjshëm para ligjit dhe nëse ka qenë i përgjegjshëm kur ka kryer veprën penale; si dhe a paraqet rrezikshmëri shoqërore për shkak të ndonjë sëmundjeje? Këto pyetje do të përcaktojnë gjendjen psikiko-ligjore të të pandehurit, ndërsa avokatja kërkoi të paraqitej edhe mjeku ligjor për të dhënë përgjigje nëse fëmija i abuzuar kishte deflorim të vjetër apo të ri, pra duke hedhur dyshime mos është abuzuar më parë dhe jo nga klienti i saj. Pas marrjes në dorëzim të pyetjeve të akuzës, ekspertit Preçi iu la një muaj kohë për të përgatitur ekspertizën, e cila do të realizohet edhe gjatë marrjes në intervistë nga ana e tij të të pandehurit Prrenjasi.

Akuza

Gjykata e Tiranës nisi dy javë më parë shqyrtimin gjyqësor për “monstrën” e Laprakës, Ardian Prrenjasi, i cili akuzohet për “Marrëdhënie homoseksuale me të mitur” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”. Qysh në fillim të seancës, gjatë kërkesave paraprake, i pandehuri kërkoi nëpërmjet avokates gjykim të shkurtuar. Ai pranoi akuzat para Gjykatës, ndërsa shpresoi që përmes gjykimit të shkurtuar t’i ulej 1/3 e dënimit. Nuk kanë qenë dakord as nga akuza dhe as nga Gjykata për këtë kërkesë të tij, pasi në sallën e gjyqit duan të paraqitet për të dëshmuar 10-vjeçari me inicialet A. C., mbi të cilin ka abuzuar Prrenjasi. Ky është një fakt i cili nuk është në fashikullin e gjykimit dhe kjo dëshmi tejet e rëndësishme për hetimin do të merret nën kujdesin e një psikologeje. Pas argumentimit të organit të akuzës, trupi gjykues ka vendosur të hedhë poshtë kërkesën e Prrenjasit. Më pas, prokurorja lexoi rrethanat e ngjarjes për të cilën akuzohet Prrenjasi. Ajo tregoi se si i pandehuri mashtroi të miturin, e futi në banesën e tij ku abuzoi me të seksualisht dhe e mbajti të mbyllur e të lidhur në banjën e katit të parë të banesës ku rrinte me qira. Më pas tregoi rrethanat e zbulimit të fëmijës në banesë, pas dyshimeve se fëmija mbahej në katin e parë të banesës ku rrinte me qira punonjësi i pastrimit të plehrave. Më pas tregohet ndërhyrja e policisë, shpëtimi i të miturit, marrja e dëshmisë së tij dhe prangosja e Prrenjasit.

 

Vlorë

Shtyhet gjyqi i Gjikës, apeli: Dosja të gjykohet këtu, transferimi absurd

Mungesa e njërit prej të pandehurve ka bërë që seanca e parashikuar për kryebashkiakun e Vlorës dhe disa zyrtarë të tjerë të mos zhvillohet. Trupi gjykues vendosi të caktojë datën 20 dhjetor për seancën e radhës, ndërsa kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili ishte i pranishëm bashkë me avokatin e tij në gjyq, reagoi duke cilësuar absurde kërkesën e Prokurorisë për transferim të dosjes për gjykim në një tjetër gjykatë. “Transferimi i dosjes absurd, prokuroria ka një vit që heton për këtë çështje”, – u shpreh Gjika pas seancës. Në fillim të kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues deklaroi se një prej të pandehurve, Gentjan Sherifaj, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve në këtë bashki, kishte paraqitur raport mjekësor për avokatin e tij mbrojtës Arjan Isufi. Në këto kushte pas diskutimit me prokurorët e çështjes, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës. Kryetari i Bashkisë së Vlorës dhe 7 punonjës të këtij institucioni akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, në dy raste të dhënies së lejeve të ndërtimit për dy godina banimi në Vlorë.

 

Takimi

Ministri Naço takon homologen italiane, Cancellieri, bisedohet për ekstradimet

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, zhvilloi dje një takim në Romë me ftesë të homologes italiane, znj. Annamaria Cancellieri. Në këtë takim u shpreh vullneti dhe angazhimi i përbashkët për vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e drejtësisë. Gjatë bisedës, ministri Naço dhe znj. Cancellieri diskutuan për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve në fuqi mes dy vendeve tona për ekstradimin dhe transferimin e të dënuarve në vendin e origjinës. Ministrat u shprehën të gatshëm për lehtësimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, ndërsa në fokus të bisedës ishte edhe reforma aktuale që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë shqiptare në sistemin penitenciar. Ministri Naço garantoi se e mirëpret vazhdimësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe, ndërsa theksoi se krimi nuk njeh kufij, por përmes harmonizimit të politikave dhe mbështetjes reciproke do të bëhej i mundur dekurajimi i tij. Njëkohësisht, kreu i drejtësisë shqiptare e vlerësoi si mjaft të rëndësishme ndihmën e dhënë nga Italia në të gjitha fushat. Për Ministren e Drejtësisë së Italisë, znj. Cancellieri, bashkëpunimi i deritanishëm ka qenë i kënaqshëm. Gjithashtu, znj. Cancellieri shprehu besimin në vijimësinë e këtij bashkëpunimi, ndërsa i konsideroi të rëndësishme shkëmbimet dypalëshe në nivel teknik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency