Nik Xhelilaj thyen kufijtë

0
162

Aktori 29-vjeçar Nik Xhelilaj duke qenë protagonist në disa filma, është pa dyshim një prej talentëve të rinj shqiptarë, i cili tashmë po i ngjit me sukses shkallët e karrierës së tij si aktor me famë. Të ardhmen e tij e sheh në Shqipëri, ndërsa pikësynim mbetet teatri. I lindur në Tiranë në vitin 1983, debutimin në ekranin e kinemasë e ka në vitin 2008 me filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder” me regji të Piro Milkanit. Në vitin 2009, është sërish protagonist në filmin “Alive” (Gjallë) me regji të Artan Minarollit. Por filmi dramatik mbi plagët e emigracionit, me titullin “Shqiptari” të regjisorit Johanes Naber, ku Xhelilaj është dhe protagonist, e solli atë në “Shooting Star”, duke qenë dhe aktori i parë shqiptar që arrin këtë sukses. Ai ishte në mesin e 10 talentëve të aktrimit evropian që u nderuan për punën e jashtëzakonshme në filma në kuadër të Festivalit të Filmit në Berlin. Për këtë film, ai është vlerësuar me çmimin “Aktori më i mirë” në festivalin e Moskës, në festivalin e Prishtinës, Antalyas si dhe “Filmi më i mirë” në festivalin e filmit në Gjenevë. Xhelilaj, po ashtu është i njohur edhe me rolet e tij në shfaqje teatrale si: “Këmbanat e muzgut” të regjisorëve Alfred Bualioti dhe Andon Qesari, “A streetcar named desire” i regjisorit Timo Flloko, “Tango” me regji të Driada Dervishit.
Vlerësime të shkëlqyera dhe pozitive për aktorin Nik Xhelilaj kanë dhënë edhe revista dhe gazeta ndërkombëtare si: “Variety”, “Wall Street Journal”, “Rolling Stone” dhe “Washington Post”. Së fundi, këtë vit, aktori Xhelilaj është një nga protagonistët kryesor në telenovelën “Qyteti i humbur”, që transmetohet në “Channel D” në Turqi. Kjo është hera e parë që në një telenovelë turke luan një aktor nga Shqipëria, ndërsa destinacioni i tij është Bollivudi, si hyrje e re në tregun kinematografik në Azi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency