Superliga Shqiptare / Partizani, i forti këtij sezoni, Flamurtari në ditët e ardhshme merr rrogat

0
206

 

Të kuqtë duken të pandalshëm pas fitores me Skënderbeun dhe duket se janë skuadra për t’u mundur, ndërsa premtohet nga drejtuesit e Flamurtarit që rrogat do të shpërndahen së shpejti

Tirana dhe Partizani

Kategoria Superiore uli siparin e fazës së parë me ndeshjet e javës së 9-të, që konfirmuan Partizanin dhe Skënderbeun liderë të kampionatit. Kampionët e vendit kaluan 2-0 Flamurtarin falë golave të Salihit dhe Olainkas, ndërsa të kuqtë u kundërpërgjigjen me suksesin 1-0 përballë Teutës në “Niko Dovana”, ku spikati 18-vjeçari Jurgen Bardhi. Asisti për Trashin ishte vetëm një nga veprimet e jashtëzakonshme të talentit të të kuqve në këtë sfidë, e cila u fitua edhe nga tifozët e 15-herë kampionëve të Shqipërisë në shkallët e stadiumit. Fitorja në përplasjen direkte me Skënderbeun bën diferencën me korçarët në këtë fazë të parë, me të kuqtë që shënuan një ecuri rekord me 8 fitore radhazi. Vlen të përmendet fakti se Partizani është i vetmi ekip që ende nuk e ka provuar shijen e humbjes në kampionat dhe që në transfertë njeh vetëm fitore. Ilir Daja e nisi me fitore aventurën e tij në krye të Tiranës, teksa 24-herë kampionët e Shqipërisë mposhtën 2-1 Kukësin në “Qemal Stafa”. Gentian Muca dhe një autogol i Franc Veliut u dhanë avantazhin e dyfishtë bardhebluve para se Gledi Mici të ngushtonte diferencën me një supergol në kohën shtesë. Për Tiranën kjo ishte më shumë një fitore morali që i jep mundësi Dajës të punojë me qetësi për implimentimin e ideve të tij, ndërsa në kampin kuksian kanë nxituar për të gjetur fajtorët edhe të gjyqtarët për dështimin e radhës përballë një skuadre rivale. Pas tre rezultateve radhazi pozitive, Vllaznia dështoi të merrte pikë në transfertë me Bylisin, që fitoi me rezultatin 3-1. Humbja e Ballshit djeg më shumë në kampin kuqeblu për faktin se erdhi ndaj një rivali direkt për mbijetesë. Një pikë shpresë mori edhe Tërbuni në sfidën e shtëpisë me Laçin, me kurbinasit që arrijnë të fitojnë prej katër ndeshjesh. Avantazhi i Krujës në pjesën e parë zgjati vetëm pak minuta pasi Dhrami barazoi shifrat në limitet e kohës së rregullt të këtij fraksioni. Në përfundim të fazës së parë renditja e përgjithshme bën një lloj ndarjeje të skuadrave në tre grupe. Kështu Partizani dhe Skënderbeu mbeten pretendentët kryesorë për titull, Kukësi, Teuta, Tirana dhe Laçi duket se do të luftojë për pjesëmarrjen në Europa League, ndërsa Tërbuni, Vllaznia, Bylisi ndoshta edhe Flamurtari, duhet t’i kufizojnë synimet te mbijetesa.

 

Lojtarët e Flamurtarit marrin pagat në ditët e ardhshme

 

“Problemi është thjesht procedural, është e vërtetë që lojtarët nuk po marrin rrogat prej 3 muajsh. Por kjo është një vonesë vetëm për procedurat, sepse problemi i pagave nuk qëndron. Në ditët e ardhshme lojtarët do të paguhen dhe ata e dinë shumë mirë këtë”. Kjo ishte deklarata e dhënë nga drejtorit sportiv i Flamurtarit, Vangjel Laluci, më tepër se një javë më parë. Zyrtari i klubit vlonjat premtoi se çështja e pagave të pashlyera do të zgjidhej javën e kaluar. Rrogat e futbollistëve dhe stafit teknik ende nuk janë dhënë. Konfirmimi vjen nga takimi i administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi. Drejtuesi i klubit zhvilloi një takim me skuadrën, duke dhënë garanci për zgjidhjen e ngërçit. Në argumentin e dhënë nga Idrizi, pengesë për dhënien në kohë të pagave është statusi i sponsorit. Kjo përkthehet me kërkesat e kompanive financuese turke TRK dhe Atlas Global drejtuar Bashkisë së Vlorës, për të vijuar investimet. Administratori u premtoi lojtarëve se çështja e pagave të prapambetura është drejt zgjidhjes, ndërsa një tjetër garanci u dha për vazhdimin e projektit me skuadrën. Gjithashtu, Idrizi njoftoi edhe vazhdimin e investimeve në infrastrukturën e klubit, ku mes projekteve të paraqitura janë ndërtimi i një kompleksi stërvitor dhe një stadium modern. Problemet financiare shkaktuan arratisjen e trajnerit çek Stanislav Levi, lojtarëve Buval e Trap, si edhe të pjesëtarëve të stafit teknik, italianëve Maltagliati dhe Milana. Në premtimin e radhës të drejtuesve të Flamurtarit, për lojtarët dhe stafin, situata do të normalizohet brenda javës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here