Kombëtarja e femrave humb 1-4 në ndaj Greqisë

0
169

 

 

Shqipëria i nis me humbje kualifikueset e Euro 2017 në futboll për femra. Përfaqësuesja kuqezi u thye nga Greqia me shifrat 1-4 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Rezultat që lë shije të hidhur, për faktin se dy prej golave të ekipit kundërshtar ishin lehtësisht të evitueshëm. Me një skuadër në proces rinovimi dhe me mjaft lojtare të reja si 18-vjeçaret Kurbogaj dhe portierja Zani, vajzat e drejtuara nga Altin Rraklli vuajtën prej minutave të para. Pikërisht nga mungesa e eksperiencës Shqipëria ndëshkohet pas 14 minutave lojë, pas gabimit të pafalshëm të portieres Marigona Zani. Harkimi i Papadopulu nga e majta e sulmit grek shkoi drejt gardianes shqiptare, të cilës i rrëshqiti topi nga duart, duke shkaktuar autogol. Përfaqësuesja kuqezi reagon dhe krijon iluzionin se mund të kthehej në lojë. Në të 23-ën, Kujtime Kurbogaj barazoi shifrat, duke shfrytëzuar pasimin e Morinës. Rrjeta e parë për sulmuesen e re në dy ndeshje të luajtura me Shqipërinë. Por, festa zgjati fare pak, me Greqinë që shënoi golin e dytë vetëm pas 4 minutave. Vaso Kydonaki e dërgoi topin në rrjetë pas një goditje potente nga distancë afro 35 metra. Kombëtarja e femrave vuajti goditjen dhe nuk arriti të reagojë. Përkundrazi u duk e pafuqishme përballë rivaleve fqinje. Në të 37-ën erdhi edhe goli i tretë i Greqisë me Sidiran, që realizoi me një tjetër goditje dënimi dhe duke përfituar përsëri nga pasiguria e portieres Zani. Në fraksionin e dytë të lojës, Rraklli provon të ndryshojë duke aktivizuar Serenaj dhe portieren Gjyli. Por, situata mbetet e njëjtë. Gjyqtarja sllovake Strpkova anuloi një gol për ekipin grek prej minutave të para, me portieren Pëllumbeshe Gjyli që mbeti për disa çaste e dëmtuar. Nga ky episod, vajzat kuqezi kishin shansin të ktheheshin në lojë, por Kurbogaj në fillim dhe më pas Morina shpërdoruan mundësinë për të realizuar golin e dytë. Me një ekip të gjithin sulmues, Shqipëria krijoi edhe tre mundësi mjaft të mira për shënim në harkun e pak minutave, por Curo, Gjini dhe Velaj shpërdoruan. Duke përfituar nga hapësirat, Greqia shfrytëzoi kundërsulmet. Nëse në të 82-ën vajzat kuqezi ishin me fat, pasi shtylla ndali goditjen e Kongoulit, ndërsa në minutën e dytë të shtesës, Markou shënoi golin e katërt për Greqinë. Një disfatë që lë shije të hidhur për ekipin shqiptar, që tashmë duhet të mbledhë forcat dhe të përqendrohet te sfida e 27 tetorit në fushën e Rumanisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here