Euro 2016 / Hysaj dhe Berisha opsion të vetëm shikojnë fitoren

0
138

 

Elseid-HysajMbrojtësi shkodran dhe portieri i Lacios janë shprehur se për momentin janë të përqendruar vetëm te ndeshja dhe skuadra synon vetëm tri pikët

 

Shqipëria po vazhdon përgatitjet e saj përpara sfidës me Serbinë dhe lojtarët duken shumë të përqendruar përpara kësaj ndeshjeje. Dy nga protagonistët e sfidës, Elseid Hysaj dhe Etrit Berisha, kanë qenë në të njëjtën linjë për sa i përket asaj që presin nga kjo ndeshje. Futboll dhe tri pikët, këto janë dy objektivat e skuadrës. Në vetëm pak javë Elseid Hysaj fitoi besimin e stafit teknik të Napolit dhe u shndërrua në idhullin e tifozëve të gjigantëve të Serisë A. Mbrojtësi i është bashkuar përfaqësueses pas suksesit ndaj Milanit në San Siro, ndërsa tani duket i mësuar në përballjet me futbollistë të mëdhenj. “Unë si të gjithë lojtarët i njohim futbollistët serbë, pasi ata nuk janë lojtarë të thjeshtë, por luajnë në ekipet më të mëdha në Evropë. Janë një skuadër shumë e fortë. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe t’i mbulojmë sa më shumë që të mundemi, për të mos u lënë shumë mundësi. Parashikime për ndeshjen nuk kam, pasi aty mund të ndodhë gjithçka dhe nuk mund të parashikohet”. Për sa i takon ndeshjes, Hysaj garanton se skuadra nuk është aspak në tension. Përgatitjet vijojnë si për çdo ndeshje tjetër të mëparshme në kualifikueset e Euro 2016-ës. “Është një ndeshje si të gjitha që kemi luajtur deri më tani. Serbia nuk ka asgjë më tepër se Portugalia apo Armenia. Po përgatitemi si çdo ndeshje, po analizojmë si në çdo ndeshje mundësitë që mund të krijojë Serbia, në mënyrë që të jemi në gjendje ti ndalojmë. Presion nuk ka. Njerëzit mund të thonë çdo gjë nga jashtë, por ata nuk e kuptojnë sa rëndësi ka ndeshje si ne që jemi pjesë e ekipit. Kështu që thjesht jemi duke u stërvitur dhe duke u përgatitur për ndeshjen pa presion”. Nëse tifozët bëjnë llogaritë për kualifikimin e ëndërruar në një eveniment madhor, mbrojtësi i djathtë kërkon që ndeshjet të merren me radhë. Megjithatë, Hysaj e ka të qartë rëndësinë e rezultatit më 8 tetor. “Nuk kemi bërë llogari, sepse ndeshjet i marrim me radhë dhe nuk mendojmë për sfidat e ardhshme. Sa më shpejt ta mbyllim grupin, aq më mirë është, kështu që shpresojmë të luajmë mirë dhe të fitojmë”. Etrit Berisha e cilëson sfidën e 8 tetorit ndaj Serbisë vetëm si një ndeshje futbolli. Një takim që duhet fituar në fushë. I vetëdijshëm për rëndësinë e përballjes në “Elbasan Arena”, gardiani kuqezi premton maksimumin në fushë. “Si unë ashtu edhe i gjithë ekipi jemi të fokusuar vetëm te futbolli, kështu që do mundohemi të japim maksimumin aty. Për ne është shumë e vlefshme kjo ndeshje, sidomos fitorja do të jetë diçka shumë e madhe. Kështu që do të bëjmë më të mirën sikurse kemi bërë deri më tani dhe do mundohemi të bëjmë gjithçka të mundur për ta fituar ndeshjen”. Fanella e përfaqësueses është përgjegjësi dhe krenari. Në atë që cilësohet momenti historik për futbollin shqiptar, objektivi është i qartë: fitorja dhe kualifikimi në Evropianin “Francë 2016”. “Për mua sa herë që kam luajtur me kombëtaren përgjegjësia ka qenë e madhe. edhe në këtë rast kështu ndodh, është një përgjegjësi dhe kënaqësi. Për neve është shumë e rëndësishme vetëm fitorja dhe vetëm atë mendojmë. A besoj te kualifikimi Francë 2016? Normalisht që po. Jemi duke bërë gjithçka që është e mundur dhe jemi duke besuar dhe shpresuar te kualifikimi”. Pasi mbeti shqiptari i vetëm në ekipin e Lacios, Berisha tregon edhe bisedat me kolonisë serbe të ekipit të Serisë A, të përbërë nga mesfushori Milinković-Savić, mbrojtësi Basta dhe sulmuesi Doredevic. “Me serbët e Lacios? Kemi folur me ata vetëm si shokë dhe asgjë më shumë”.

 

Box

Bashkia e Shkodrës përplaset me FSHF-në për “Loro Boriçin”

 

Bashkia e Shkodrës nën akuzë edhe për vonesat e punimeve për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”. Ai që drejton gishtin ndaj organit të pushtetit lokal në Shkodër është anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishi, i cili pas një vizite në qytetin verior për të ndjekur punimet në stadium ngarkoi me përgjegjësi Bashkinë e cila nuk ka firmosur kontratën me FSHF-në, e cila është një kusht i vendosur nga UEFA për lëvrimin e fondeve për stadiumin. “Është e vërtetë se ka një ngadalësim të punimeve në rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” e kjo ka ardhur ngaqë nuk janë lëvruar të gjitha fondet e një nga shkaktarët për këtë është edhe Bashkia Shkodër. UEFA, si donatorja e këtyre fondeve, ka kërkuar një marrëveshje me shkrim mes FSHF-së dhe Bashkisë Shkodër, marrëveshje kjo që edhe në këto momente që po flasim ende nuk është firmosur. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF megjithatë bëri të ditur se pas takimit me kryetarin e Këshillit Bashkiak Xhemal Bushati ka marrë premtimin për zgjidhjen e ngërçit të krijuar. Zoti Dervishi refuzoi ti konsiderojë vonesat si lojëra politike duke evidentuar gatishmërinë e qeverisë për garantimin e fondeve për stadiumin. Për sa i përket punimeve, Dervishi bëri të ditur se javën e ardhshme fillon rikonstruksioni total i fushës ndërsa është rishikuar edhe projekti për tribunën për të garantuar më tepër siguri, ndërsa dha edhe afatin për përfundimin e rikonstruksionit të “Loro Boriçit”. “Ka shumë punime që nuk duken këtu, por ato kanë avancuar në mënyrë që të kapim kohën e duhur. Jemi optimistë se fundi i vitit do na gjejë me stadium. Do të ngelë ndonjë punim i vogël pa përfunduar, por që nuk na prishë asnjë punë, sepse do zgjidhet në vazhdim, sepse nuk na pengojnë në fushën e lojës. Nuk mendoj se ka ndonjë problem politika në çështjen e stadiumit të Shkodrës, siç mund të diskutohet. Ky është investimi më i madh që Qeveria shqiptare ka bërë për sportin. Ka miratuar 12-13 milionë euro, ndërsa 4 milionë do japë federata. Kështu që nuk e kuptoj se ku mund të jetë loja politike në këtë mes”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here