Qendra e Vartësisë Alkoolike në QSUT / Tendenca e alkoolpirësve drejt rritjes 8% në vit, mjeku zbardh statistikat shtator 2014-2015

0
265

 

duhani dhe alkooliInfermieri Gëzim Doda: Meshkujt pas trajtimit në qendrën e rehabilitimit i rikthehen sërish alkoolit, 30% e tyre konsumues në mënyrë të vazhdueshme

 

Vojsava Sota

 

Sipas statistikave të këtij viti, në Qendrën e Vartësisë Alkoolike në QSUT, situata paraqitet alarmante për personat që janë vartës ndaj alkoolit. Numri i regjistrimeve në këtë qendër ka qenë gjithmonë e më shumë në rritje, ku 30% e meshkujve janë përdorues të rregullt të alkoolit në mënyrë të vazhdueshme. Këto të dhëna na i konfirmon për gazetën “Standard” infermieri dhe operatori Gëzim Doda, i cili pohoi: “Numri i meshkujve ka shkuar deri në 490 në vit, ndërsa ai i femrave në 13. Më problematikë mbeten meshkujt, rastet e të cilëve janë rikthimi i tyre për të dytën herë në Qendrën e Rehabilitimit. Kurse femrat që janë rehabilituar njëherë nuk janë kthyer më”. Ndërkaq ai bëri të ditur se niveli i përdorimit të alkoolit kalon në 3 stade. “Tek stadi i parë futen personat që konsumojnë alkool çdo ditë, por jo më shumë se 100 gr. Stadi i dytë është ai i moderuari ku personat pinë mbi 100 gr në ditë, duke e thelluar më shumë masën se faza e parë. Ndërsa stadi i 3-të është ai kur personat e kalojnë dozën mbi 500 gr në ditë duke u futur tek kategoria e atyre që janë totalisht vartës ndaj alkoolit”. Diagnozat që sjell varësia e alkoolit janë këto: Etilizëm kronik (sindrom abstinence), dipendencë e varësisë alkoolike dhe eksitacion psikomotor që shkaktohet nga përdorimi i gjatë i alkolit. Metodat e trajtimit hap pas hapi të të rehabilituarve mbeten ndër më modernet. “Çdo pacient kalon seancat njëra pas tjetrës për të marrë trajtimin e duhur sipas rastit. Trajtimi i parë i një pacienti të sapo shtruar, zgjat 3 deri në 4 ditë, me mënyrën e detoksifikimit, për të pastruar gjakun me perfuzione. Forma e dytë është mjekimi stabël me tableta, për të plotësuar deficitet e lëna nga alkooli në trupin e njeriut. Ndërsa faza e 3-të është psikoterapia e cila kryhet çdo ditë 1 deri në 2 orë me çdo pacientë”. Po ashtu mjeku Doda tha se edukimi shëndetësor është një terapi e veçantë që realizohet në një orë nga personeli i mesëm (infermierët). “Ditët e qëndrimit në Qendrën e Rehabilitimit shkon nga 14 deri në 21 ditë. Pacientët pasi kalojnë të gjithë këto faza të trajtimit në qendër, duhet të paraqiten 1 herë në javë për 6 muaj rresht, për tu konsultuar me mjekun rreth gjendjes së tyre në vijimësi. Kryesisht meshkujt janë më të prirë drejt konsumimit të llojeve të ndryshme të alkoolit, ndërsa femrat janë konsumatore vetëm të birrës. Personat që pinë rregullisht alkool presupozohen të jenë të sëmurë, njëlloj si çdo person që është i prekur ndaj një sëmundje tjetër”, – theksoi ai. Infermieri Doda bëri gjithashtu me dije se rreth 90% e personave vartës, janë shëruar falë ndihmës së stafit të mjekëve, të cilët kujdesen në çdo seancë të tyre. “Ndërkohë faktorët që çojnë këto persona drejt këtyre qendrave, mbeten problemet ekonomike, sociale, apo traumat e ndryshme që një individ pëson gjatë jetës së tij, dhe që gjen “shpëtim” tek alkooli”, – deklaroi ai. Personat që abuzojnë me alkoolin paraqesin një rrezikshmëri të lartë duke sjell shkatërrimin në shoqëri dhe familje. Rastet të tilla shkojnë deri tek abuzimet me fëmijë, dhunë në familje, përdhunime, gjendje depresioni, si edhe divorcet në çift.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here