Universitetet kundër ligjit për arsimin e lartë

0
104

Universitetet kundër ligjit për arsimin e lartë“Sikurse më parë, edhe qeverisja aktuale nuk përmbush dot as sistemin e pagave në universitete dhe universitetet prej 3-4 vitesh marrin nga fondet e kushtëzuara”

Universiteti i Tiranës, por edhe Këshilli Studentor kanë kërkuar që në ligjin e ri të arsimit të lartë të hiqet kapitulli i 12-të dhe të bëhen disa përmirësime ligjore në një pjesë të neneve, çka do ta bënte ligjin të zbatueshëm dhe aktual. “Nëse do të bëhet pjesë e ligjit ky lloj institucioni, që e ka iminent riskun për ta kthyer të mirën publike në private, atëherë arsimi i lartë do ketë pasoja shumë të mëdha. Unë kam deklaruar se ky ligj është antikushtetues, pasi Kushtetuta u jep universiteteve autonomi dhe jo pavarësi”, – deklaroi rektori Dhori Kule. Profesorët kanë theksuar se me buxhetin e shtetit nuk arrihet që të paguhen as stafet akademike, pagat e të cilëve janë më të ulëta se kolegët e tyre në Kosovë. “Sikurse më parë, edhe qeverisja aktuale nuk përmbush dot as sistemin e pagave në universitete dhe universitetet prej 3-4 vitesh marrin nga fondet e kushtëzuara për të plotësuar nevojën e pagave. Nëse edhe në këtë pak fond që jepet nga shteti futen aktorë të tjerë, atëherë ne ngremë kështjella të bukura, por kështjella prej rëre sepse janë jashtë realitetit”, – deklaroi dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Shezai Rrokaj. “Të marrin nga privati atë që ai ka në natyrën e vet dhe jo t’i jepet emri publik, pasi kjo rrezikon të mirën publike dhe sjell pasoja të rënda jo vetëm për arsimin, por edhe kudo, sepse arsimi reflekton gjithandej”, – deklaroi sërish rektori Kule. Rektori i UT-së tha se krijimi i shumë agjencive do të sillte shpërndarje të buxhetit për arsimin, i cili gjatë këtyre viteve ka qenë i pamjaftueshëm edhe për kryerjen e pagesave të stafit akademik.
Organizimi

Institucionet e arsimit të lartë janë të organizuara në institucione publike, jopublike dhe publike të pavarura, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Institucionet e arsimit të lartë krijohen, organizohen, financohen, akreditohen dhe vlerësohen në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Ato ofrojnë programe të licencuara të studimeve, për të cilat lëshojnë diploma pas akreditimit të institucionit dhe programit të studimit. Institucionet publike të arsimit të lartë janë persona juridikë publikë që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit ose nga burime të tjera të ligjshme. Institucionet jopublike të arsimit të lartë janë persona juridikë privatë. Veprimtaria që ato zhvillojnë mund të jetë fitimprurëse ose jofitimprurëse. Për institucionet e arsimit të lartë që ushtrojnë veprimtari fitimprurëse ose jofitimprurëse zbatohen dispozitat e këtij ligji si dhe ato të legjislacionit përkatës. Institucionet publike të pavarura të arsimit të lartë janë persona juridikë publikë që krijohen sipas këtij ligji me vendim të Këshillit të Ministrave me kërkesën e institucioneve të arsimit të lartë. Institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në fusha me veprimtari akademike specifike lidhur me organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, gëzojnë status të veçantë. Ky status i jepet institucionit të arsimit të lartë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë përgjegjëse për arsimit të lartë. Institucionet ofruese të arsimit të lartë që gëzojnë status të veçantë, në rastet kur nuk i nënshtrohen rregullimeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave dhe udhëzimit përkatës të Ministrit përgjegjës për arsimin, krijohen, funksionojnë dhe administrohen sipas parimeve dhe përcaktimeve të këtij ligji për institucionet e arsimit të lartë. Llojet e institucioneve të arsimit të lartë janë: universitetet, kolegjet universitare, akademitë dhe kolegjet profesionale. Universiteti është institucion i arsimit të lartë që vepron në fushën e arsimit, kërkimit shkencor, veprimtarive krijuese dhe profesionale. Universiteti përfaqëson një strukturë të integruar dhe të përbërë nga njësi kryesore, njësi bazë dhe njësi të tjera sipas përcaktimeve të Statutit të institucionit. Ai ka në përbërje së paku tre njësi kryesore. Universiteti ofron arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, të shkencës, të inovacionit dhe të profesioneve. Universiteti zhvillon kërkim shkencor bazë e të zbatuar, veprimtari krijuese, ofron shërbime dhe ushtron veprimtari të tjera, në përputhje me fushat e programeve të studimit, me këtë ligj dhe me statutin e tij, si dhe mbështet aftësimin e personelit akademik në funksion të misionit të tij. Universiteti ofron programe studimi në të gjitha ciklet e studimeve të arsimit të lartë, si edhe programe studimi me karakter profesional.

 

Studimi/ Gjendet zgjidhja për dhimbjet e kokës

Sipas mjekëve në Albany Medical Center në Nju Jork, një ndërhyrja e re minimalisht invazive për pacientët që përballen me migrenat e ripërtërishme ishte në gjendje t’i zvogëlonte simptomat dhe ta zvogëlonte nevojën për ilaçet për migrenë. Mjekët të cilët u bashkuan me hulumtuesit në Universitetin New York Empire State College në Saratoga Springs, i ndanë detajet e trajtimit të ri të hënën në takimin vjetor të Shoqërisë së Radiologjisë intervente, të mbajtur në Atlanta. Trajtimi përfshin administrimin e 4 për qind lidokainë, një anastetik lokal i zakonshëm, për në qendrën sfenopalatine, një pako nervore që ndodhet menjëherë pas zgavrës së hundës që është e lidhur ngushtë me migrenat. Solucioni mpirës jepet përmes një kateteri me madhësi shpageti i cili zgjatet nëpër kalimin hundës. “Kokëdhimbjet e migrenës janë një nga sëmundjet më të zakonshme dhe problematike në Shtetet e Bashkuara, dhe kostoja dhe efektet anësore të ilaçit për t’i trajtuar migrenat mund të jenë të mëdha”, – tha studiuesi kryesor Kenneth Mandato në një njoftim për shtyp”.Blloqet e qendrave intranazale sfenopalatine janë trajtime të orientuara përmes imazheve, të shënjestruara dhe revolucionare”. Mjekët kërkuan nga pacientët që ta japin vlerësimin për shkallën e paaftësimit nga simptomat e tyre të kokëdhimbjes duke e përdorur një shkallë vizuale analoge, një shkallë të reagimit psikometrik në një shkallë në mes të dy pikave të skajshme (në këtë rast 1 dhe 10). Para trajtimit, 112 pacientë e dhanë një vlerësim mesatar prej 8,25. Menjëherë pas trajtimit, ky numër ishte 4,1; një muaj më vonë, ai ishte 5,25. “Administrimi i lidokainës në qendrën e sfenopalatine vepron si një ‘buton resetues’ për qarkun migrenor të trurit”, – shtoi Mandato”. Kur mpirja fillestare e lidokainës zbehet, shkaktari i migrenës duket se nuk e ka më efektin maksimal që e kishte, transmeton “Koha.net”. Disa pacientë kanë raportuar lehtësim të menjëhershëm dhe vizita më të rralla në spital për mjekime emergjente të kokëdhimbjes”. Në studimet e ardhshme Mandato dhe kolegët e tij planifikojnë ta kontrollojnë efikasitetin afatgjatë të trajtimit, si dhe ta masin efektivitetin e trajtimit në detaje më rigoroze.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here