Ekipet shqiptare/ Skënderbeu humb ndaj Dinamos së Kievit, Tirana nënshkruan me Likën

0
143

 

Skënderbeu humb ndaj DinamosKorçarët janë mundur nga ukrainasit me rezultatin 3-0, duke treguar edhe diferencat që ekzistojnë midis dy ekipeve

Tirana ka nënshkruar me shkodranin Lika që do të mbajë 10 të fanellës bardheblu

Skënderbeu e mbyll me disfatën 3-0 ndaj Dinamos së Kievit turin e miqësoreve gjatë fazës përgatitore në Austri. Në testin e fundit skuadra e Mirel Josës u mposht me rezultatin 3-0 përballë kampionëve të Ukrainës, një skuadër me buxhet dhe organikë ndjeshëm më të pasur se ajo e korçarëve, çka e bën rezultatin më se të pranueshëm, megjithëse duke marrë në kompleks ndeshjet e zhvilluara në Austri bie në sy mungesa e shënimit të golave nga ana e skuadrës korçare. Në takimin me Dinamon kampionët e Shqipërisë kanë vuajtur edhe problemet fizike të disa lojtarëve pasi nuk mundën të luajnë për këtë arsye përveç Shkëmbit të dëmtuar dhe Radas, Sabien Lilaj dhe Arbër Abilaliaj ndërkohë që janë aktivizuar nga minuta e parë edhe mesfushori i avancuar Esquirdinha si dhe Hamdi Salihi në sulm. Prezenca e shkodranit nuk ka mundur të konkretizohet me gol pasi pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura ukrainasit kaluan në avantazh që në fillimin e të dytës me Sidorcuk, në të 70-ën Bujalski dyfishoi, ndërsa goli i tretë u shënua nga Kravec që tundi rrjetën pas neutralizimit të dy tentativave radhazi nga Orges Shehi. Kjo ishte miqësorja e 7-të e Skënderbeut në Austri, takime nga të cilat kampionët e Shqipërisë kanë fituar vetëm përballë rumunëve të Botosanit 2-1, ndërsa janë mundur më pas nga Spartak Trnava, Universitatea Craiova, Lask Linz, Shakhtjar Donets dhe Dusiburg, duke shënuar vetëm 3 gola në të 7 takimet e luajtura. Skënderbeu rikthehet në Shqipëri këtë të martë për të vijuar më pas në Korçë përgatitjet për ndeshjen e parë të turit të dytë paraeliminator në Champions League, kundër fituesit të çiftit Crusaders-Levadia Tallin, e cila është programuar për në 14 korrik.

 

Lika nënshkruan me Tiranën

Nga dy gëzime në një ditë, te dy zyrtarizime në një ditë. Edhe titulli i këngës gjithsesi vlen për tifozët e Tiranës që vetëm pak orë të zyrtarizimit të Erjon Dushkut panë dhe Gilman Likën të konfirmonte firmën me bardheblutë në një tjetër prezantim përkrah Drejtorit Sportiv të klubit, Devi Muka. Në aspektin profesional dy zyrtarizime të veçuar në harkun e pak orëve krijon paksa çudi, pasi shumë mirë mund të ishin bërë bashkë, por gjithsesi ajo që ka rëndësi është se pas Dushkut edhe mesfushori 28-vjeçar është zyrtarisht i Tiranës, e madje Muka një 10 klasike e futbollit shqiptar e konsideron të denjë për numrin e më të mëdhenjve të futbollit, pavarësisht se fanella me numrin 10 zyrtarisht i përket Morinës. “Arritëm të firmosnim me Gilman Likën. Mendoj se është një ndër futbollistët më të mirë dhe meriton plotësisht të mbajë numrin 10, edhe pse për momentin ajo i përket Morinës, te cilin ende e presim për të zgjidhur kontratën”. Për Gilman Likën bëhet fjalë për një rikthim te Tirana, pas dy sezoneve me fanellën bardheblu u largua prej aty me një llogari të palarë në shumën e 30 mijë Eurove të pashlyera, hesape që siç lë të kuptohet tashmë janë mbyllur duke u përfshirë në marrëveshjen aktuale. Dashuria e vjetër ka shpërthyer sërish, tani Tirana është shtëpia e dytë. “Kemi arritur marrëveshjen duke rregulluar gjithçka. Jam shumë i lumtur për rikthimin te Tirana. Për mua Shkodra natyrisht është shtëpia e parë, por Tirana është shtëpia e dytë”. Për sa i përket fanellës, edhe pse Muka e konsideron të denjë për 10, Gilmanit i duhet të zgjedhë një tjetër. Ajo i përket Morinës, i cili ende nuk është kthyer për të filluar punën me grupin. Një çështje vërtet enigmatike, Devi Muka e ftoi Morinën publikisht të kthehet në stërvitje për të filluar punën me grupin në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare, siç ka bërë së fundmi Taku, i cili u vu nën urdhrat e Shkëlqim Muçës.

 

 

Hysaj në kërkim nga Chelsea

E bujshme! Chelsea i Jose Mourinhos interesohet për Elseid Hysajn. Janë vetë mediat pranë klubit londinez, më konkretisht “Chelsea Neës”, që zbulon faktin që mbrojtësi i Empolit pëlqehet nga kampionët në fuqi të Premier League-s, që po studiojnë mundësitë për ta blerë shqiptarin. Ky sajt vlerëson paraqitjet e 21-vjeçarit gjatë sezonit të fundit në Serinë A në radhët e Empolit, ku ka spikatur me cilësitë e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes. Hysaj sipas “Chelsea Neës”, mund të luajë në të dy krahët, duke e krahasuar për nga aftësitë që ka me mbrojtësin serb të Chelseat, Branislav Ivanovic. Gjithashtu vihet në dukje se mbrojtësi kuqezi është shumë më i fortë në fazën mbrojtëse dhe kushton më pak se 10 milionë Paund. Për mediat italiane Elseid Hysaj është vënë në ankand, pasi janë të shumta klubet e Serisë A që po monitorojnë situatën e tij. Nga Napoli, Lazio, Fiorentina Bologna, Torino madje edhe Roma, dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e futbollistit të lindur në Shkodër, pa harruar edhe skuadrat e Bundesligës Shalke 04 dhe Bayer Leverkusen. Kërkesa e Empolit për kartonin e Hysajt është 8 milionë Euro, skuadra që do të jetë e gatshme ta paguajë këtë shifër, mund ta marrë menjëherë mbrojtësin.

 

Arsenali dhe Madridi vihen pas Arturo Vidalit

Triumfi në Kupën e Amerikës duket se i ka rikthyer dinjitetin Arturo Vidalit, pas aksidentit me Ferrarin e tij në fillim të turneut i cili shkaktoi dhe polemika nëse mesfushori duhej apo jo të qëndronte në skuadër, trajneri Sampaoli nuk e largoi dhe u shpërblye me kupën e parë në historinë e Kilit. Paraqitja e lojtarit të Juventusit i ka rritur edhe më shumë vlerën në merkato ku përveç Realit të Madridit që prej kohësh është në gjurmët e 28-vjeçarit, tashmë në sulm për shërbimet e tij është hedhur edhe Arsenali. Sipas mediave italiane të dy klubet në fjalë janë gati të duelojnë në një ankand të vërtetë i cili do të filloj nga 25 milion euro, ndërkohë që në krahun tjetër bardhezinjtë duken të gatshëm ta sakrifikojnë mesfushorin, nëse vjen një ofertë e kënaqshme. Në krahun tjetër Barcelona në pritje të vendosë për çështjen ‘Arda Turan’ është në bisedime me menaxherin e Marco Verratit me qëllim gjetjen e një akordi me vetë lojtarin, e më pas mund të fillojnë negociatat edhe me klubin e PSG. Italiani nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’iu bashkuar katalanasve. Interi ka nisur misionin për Mario Suarez. Përfaqësuesit e klubit zikaltër ndodhen në Madrid për të nisur bisedimet me Atletikon. Lojtari pëlqehet shumë nga trajneri Roberto Mancini dhe në të shkuarën ka qenë edhe nën radarët e Milanit, por me sa kuptohet Interi duket më i vendosur për të përfituar aftësitë e spanjollit.

 

Messi refuzon çmimin e lojtarit më të mirë

Skuadra përfaqësuese është kthyer në një mallkim për Lionel Messin. Nëse me Barcelonën gjithçka shkon në mënyrë të përsosur për 4 herë fituesin e topit të artë, kjo nuk ndodh me Argjentinën. “La pulca” me fanellën blaugrane ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm duke filluar nga kampionati, tek liga e kampionëve e deri tek botërori i klubeve, ndërsa me “albi-çelestët” asgjë nuk ka funksionuar. Pas dështimit në finale e botërorit erdhi një tjetër disfatë në finale e Kupës së Amerikës kundër Kilit, dhe kësaj here duket se ylli më i madh i futbollit argjentinas e ka përjetuar edhe më shumë zhgënjimin. Vitin e shkuar në Brazil, Messi megjthëse për shumë persona nuk e meritonte u shpërblye me çmimin e lojtarit më të mirë të botërorit, ndërsa kësaj here vetë kapiteni i Argjentinës e ka refuzuar shpërblimin e rezervuar për të si futbollisti më i mirë i kupës së Amerikës. Në kohën kur Sanchez dhe e gjithë skuadra kiliane po festonin triumfin, organizatorët me trofeun pranë i janë afruar Messit për t’i dorëzuar çmimin, por 28-vjeçari ka refuzuar menjëherë. “Për mua? Jo faleminderit”, mësohet të ketë thënë argjentinasi duke u larguar. Duke mos pasur një alternativë organizatorët vendosën ta tërhiqnin çmimin. Pra duket se kësaj here disfata e dytë në dy vite me përfaqësuesen po përjetohet edhe më shumë nga ai që cilësohet me të drejtë si një nga futbollistët më të mëdhenj në të gjitha kohërat, madje për disa edhe më i madh se vetë Maradona dhe ndoshta ideja që “el pibe de oro” e ka udhëhequr Argjentinën drejt suksesit dhe ai ende jo, ka bërë që zhgënjimi tek Lionel Messi për dështimin ndaj Kilit të jetë në dozat më të larta.

 

Salah rikthehet te Chelsea

Vazhdohet të flitet ende për të ardhmen e Mohamed Salah dhe deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare, lojtari do të kthehet te klubi londinez. Sipas “Sky Sport’, nuk do të ketë konferencë për shtyp nga Mohamed Salah, por të enjten ai do të fluturojë për në Londër dhe do të fillojë stërvitjet me ekipin e Chelseat. Kështu është vendosur, të paktën deri sa të ketë një zgjidhje përfundimtare rreth të ardhmes së tij. Rikthimi i tij te Chelsea u bë publik nga vetë agjenti i lojtarit për “Sky Sports”, teksa vazhdohet të flitet për një transferim të mundshëm të tij te Interi.

 

Garcia: Do të bëjmë sezon të madh

Trajneri i kryeqytetasve, Rudi Garcia, tha se është i kënaqur që ka nisur fazën përgatitore më skuadrën e tij dhe se pret që sezoni i ardhshëm të jetë i suksesshëm. Ai thotë se mezi pret të nis edicioni i ri i garave. Tekniku francez është i bindur se Roma do të ketë një sezon të madh. “Unë mezi pres që të fillojmë përsëri sezonin. Pushimet janë të bukura, por puna është shumë më e mirë”, – ka thënë Garcia. “Gjithmonë është një përvojë e re, do të jetë një grup i ri, por besoj se do të kemi një sezon të madh”, – ka theksuar ai.

 

Barcelona nënshkruan me Turan

Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit të Atletico Madridit, Arda Turan, për 41 milionë euro. Mirëpo Goal raporton për një klauzolë të çuditshme që klubi katalanas i ka vënë atij. Siç dihet, te Barcelona do të mbahen zgjedhjet presidenciale të klubit së shpejti, ndërsa presidenti aktual, Josep Maria Bartomeu, e kishte bërë të qartë më parë se do ta transferonte mesfushorin turk në Camp Nou nëse i fiton zgjedhjet, duke thënë se lojtarin e kishte kërkuar trajneri Luis Enrique. Turan sot kompletoi transferimin e tij te Barça për 41 milionë euro, mirëpo brenda 12 ditësh mund të largohet nga klubi katalunas për shkak të klauzolës që ka në kontratën e tij të re. Barca i ka vënë atij një klauzolë në kontratë, që ua garanton atyre shitjen e lojtarit te Atletico Madridi para 20 korrikut, nëse presidenti i ri i klubit që do të zgjidhet me 18 korrik, nuk e pëlqen atë.

 

Marota: Juventusi as nuk shet, as nuk blen

Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka thënë se fushata transferuese e “Bianconerëve” është mbyllur dhe klubi nuk do ta shesë as Arturo Vidalin e as Paul Pogban. Ne reaguam më shpejtë se klubet tjera për shënjestrat tona kryesore”. “Tregu i transferimeve mbyllet sot. Skuadra është garuese, ka nga dy lojtarë për secilën pozitë, prandaj mendojmë se jemi konkurrues”. “Bisedimet për Vidalin janë thjesht spekulime, kemi raporte të mira me Realin, por këto thashetheme janë utopike”. “Sa i përket Pogbas, tashmë kamë folur shumë për këtë çështje – Juventusi nuk do t’i shesë lojtarët më të mirë në skuadër”, ka deklaruar Marotta.

 

Casillas te Porto

Akoma vazhdon të flitet se ku do të përfundojë Iker Casillas gjatë kësaj vere. E ardhmja e kapitenit të Los Blancos është lidhur me shumë klube, pasi Mbretërit nuk u besojnë më shërbimeve të tij. Sipas “RTVE”, portieri i Real Madridit pritet ta kompletojë transferimin te skuadra e Portos. Klubi portugez tashmë ka bërë ofertë për spanjollin, ashtu që “Estadio do Dragao” mund të jetë destinacioni i 34-vjeçar.

 

Mauri: Galliani më bindi të vija te Milani

Mesfushori i ri italian, Jose Mauri, ka bërë të ditur se ishte telefonata e drejtorit sportiv të Milanit, Adriano Gallianit, që e bindi atë për t’u transferuar te gjiganti italian. Ish-mesfushori i Parmes, Jose Mauri, sot ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Milanin. “Gjithmonë dua të luaj, e lëre më për Milanin! Jam shumë i lumtur dhe mezi po pres që të luaj”, – ka thënë fillimisht Mauri. “Unë veç kisha vendosur dhe telefonata nga Adriano Galliani më bindi edhe më shumë. Tani po pres seanca stërvitore të rënda, pasi që kam biseduar me Gabriel Palettan dhe ai më ka thënë se seancat stërvitore nuk janë të lehta. Gjithashtu kam biseduar me të edhe në janar. Ai është shok i imi dhe gjithmonë më ka folur mirë për Milanin”, – ka shtuar ai. Mauri është lojtari i katërt që i bashkohet Milanit pas Bertolaccit, Carlos Baccas dhe Luiz Adrianos.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here