Përkujtimi i ngjarjeve historike si nevojë politike

0
133

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiMuaji qershor tërhoqi më shumë vëmendjen tek fushata politike dhe konfigurimi i njësive të reja vendore. Këtu e kishin mendjen të gjithë: Kryeministri, ministra, analistë, opinionistë, drejtorë të institucioneve arsimore, shëndetësore, doganore, kulturore, historike e madje edhe për qeverinë e Kosovës. Në këtë muaj këta persona dhe institucione “harruan fare” përkujtimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Kongresit të Berlinit. Kjo është vështirë të besohet. Ashtu sikundër besoj plotësisht se përkujtimi i ngjarjeve historike në Shqipëri më shumë ka qenë i lidhur me nevojën politike, se me ngjarjen në vetvete.

 

Pse nuk u përkujtua Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Kongresi i Berlinit?

Që të dyja ngjarjet kanë shenjur gjithë zhvillimin historik të shqiptarëve dhe jo vetëm. Problemi kombëtar i shqiptarëve zë fill me copëtimin e parë zyrtar prej Fuqive të Mëdha, që do të vizonte më 1913. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e formuar më 10 qershor 1878, ishte e para organizatë mbarëkombëtare, e cila, dha mesazhin e qartë Perandorisë Osmane dhe Fuqive të Mëdha, se trojet shqiptare nuk ishin plaçkë tregu, por kishin zot, banorët e vendosur në mijëra vite, shqiptarët. Por ndoshta në 2015, kjo nuk kishte shumë vlerë, për kryeministrin, e Shqipërisë dhe Kosovës, për mediat, analistë, opinionistë, atdhetarë që shqyejnë bluzat e bëjnë shqiponjën në ekranet televizive me vend e pavend. Kjo nuk kishte shumë rëndësi, as për studiues “të thekur” të historisë, që nuk lënë rast për të na kujtuar në rrjetet sociale, se kush e ka ditëlindjen, sa mirë e pritëm në institucionin tonë, “rilindësin e fundit profesorin e profesorëve Rexhep Qosen” e me radhë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ka rëndësi të madhe as për institucionet që merren me historinë: Akademia e Shkencave, QSA, Muzeu Historik. Mbase edhe këto mund të kenë qenë shumë të zëna me aktivitete të shumta, e më me interes. Po ç’rëndësi ka në fund të fundit, t’i rikthehemi Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit? E kujtuam vjet, prapë do të harxhojmë sivjet. Vjet nuk kishim fushatë dhe e përkujtuam. Vjet bile kishim përkujtime me bollëk. Kujtuam Kongresin e Përmetit, që hodhi bazat e diktaturës së komunizmit në Shqipëri dhe na largoi nga miqtë perëndimorë, si të ishte 100-vjetori i pranimit të Shqipërisë në BE. Festimet për përvjetorin e Çlirimit rinxorën nga errësira diktatorin Hoxha, duke e bërë lajtmotiv të këtyre festimeve. Bile vjet është përkujtuar në disa faqe të shtypit edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, edhe Kongresi i Berlinit. Ka pasur edhe veprimtari që lidheshin drejtpërdrejt ose tërthorazi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Sivjet u harrua? Jo. Kjo është e qartë si kristali.

Unë prisja që në sallën e hartave, Kryeministri i Shqipërisë, i Kosovës, drejtuesit e institucioneve të kujtesës historike të shqiptarëve të mblidheshin dhe të thoshin disa fjalë të thjeshta, se cilat ishin territoret shqiptare në 1878 dhe sa u rrudhën prej Kongresit të Berlinit. Unë prisja që të kishte disa foto të burrave që dhanë gjithçka në ato ditë të vështira. Kryeministrit tonë që nuk i mungojnë batutat e fjalimet gjithandej, kësaj radhe iu lidh goja ose u qoteps nga fushata zgjedhore. Prisja që Kryetari i Shtetit të mblidhte të dërguarit e Evropës dhe ShBA-së e t’i tregonte një copëz të dhimbshme, nga historia e shqiptarëve, që nuk duhet të rikthehet për asnjë popull në Ballkan, Evropë e në botë. Por kjo nuk ndodhi. Dhe përgjigja është e thjeshtë.

 

Ngjarjet historike duhet të përkojnë me interesat politike

Përse në 2014, qeveritarë, deputetë, sejmenë të ngjarjeve historike nuk lanë vend pa bredhur, cep pa gjezdisur e shteg pa kaluar? Sepse në një vit të qeverisjes, i vetmi sukses ishte evokimi “i të kaluarës së lavdishme”. Që populli të harrojë atë që i ndodh ka shumë mënyra. Një nga këto është edhe dalja në pah e ngjarjeve të tjera, që bëjnë të harrosh atë që përjeton sot. Për këtë qëllim, shpura qeveritare e parlamentare, u vërsul gjithandej me foto në krah, në të mëngjër e përballë të Enverit, për t’i treguar popullit, sesa të denjë ishin për votën që ju dhanë. Po në vitin 2015, pse ngjarjet historike u shoqëruan me heshtje? Këtë vit, më së shumti, faqet e shtypit dhe rrjeteve sociale, kishin në qendër të saj një tjetër histori Rilindjeje, atë të Edi Ramës dhe kandidatëve të tij. Dy Rilindje, nuk mund të rrinë në një vend. Kështu që përfiton Rilindja e interesave dhe jo Rilindja e idealistëve. Përfiton më shumë zotëria dhe sejmenët e tij, që kanë pushtetin, sepse ngjarja historike ju duhet në funksion të nevojës politike. Në 2015, nuk i nevojitej shumë propaganda për të kaluarën. As edhe për një nga ngjarjet më kyç të historisë së kombit tonë. Tani u duhet të mbronin interesat ekonomike e t’i zgjeronin ato më tej, me fitoren e bashkive të reja, që konsiderohen si miniera ari. Në fund të fundit kujt i bie në mendje për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe për Kongresin e Berlinit. Madje mos u habisnin kur disa syresh i do të thonë se ato janë ngjarje me pak ose aspak vlerë në ditët e sotme. Të përkujtomë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit? Pse? “Kosovën e kemi të lirë, bile po të dojë kryeministri Rama, ja bën 8 me 2 Evropës dhe bashkohemi me Shqipërinë”. Kongresin e Berlinit? Tani kemi axhendën e Berlinit, të shpallur nga Merkeli, ku si fokus kryesor është roli edukues i z. Rama, për të gjithë elitën politike, “të pabindur e gdhë të Ballkanit”. Kështu që ne i kursejmë vetes ca ceremoni të kota, aq më tepër tani që jemi trokë si pas fushate. Për mediat, analistët, historianët, studiues, politologë, e shumë të tillë të vetë emëruar e vetë titulluar, meraku më i madh është kriza greke!? Me një analizë “të ftohtë”, a thua se janë editorët e “New York Times”, “Financial Times”, “Forbes” etj., ata japin mendje për Tsipras, politikën e tij, gabimet që ka bërë, si ka vepruar Greqia e me radhë. Të njëjtët njerëz, që fshihen dhe nuk dalin të thonë qoftë edhe një fjalë kritike për ekonominë shqiptare, politikën, zhvillimet historike etj, krekosen si “gjeli në majë plehut”, kur është fjala për të sulmuar dikë, tek i cili nuk kanë ndonjë interes. Këta së bashku me takëmin e qeveritarëve, do t’i shohim tek vrapojnë e i marrin edhe frymën, bashkëshorteve, bashkëjetuesve, e dashnoreve të momentit, për të mos munguar në shtrëngimin e duarve në 4 korrik në ambasadën amerikane. Do të bëjnë të pamundur të jenë afër e afër me deputetë të opozitës, për të treguar se janë të gatshëm të lënë mëritë, për të kremtuar të lumtur festën e ShBA-së. Me pak shkujdesje dhe po kaq të gatshëm e të babëzitur për foto, e një gotë verë, do të jenë të njëjtët njerëz, me kostume natyrisht të ndryshme, 10 ditë më pas, në festën e Francës. Ngjarjet historike të Shqipërisë? Kismet Zotit kur të na duhen për t’u hedhur hi syve të popullit, e kur të na duhen për politikë. E rëndësishme është që dy qeveritë shqiptare, e “tmerrojnë serbin”, kur bëjnë mbledhje të përbashkëta me qeverinë e Kosovës në Prizren dhe në Vlorë, kur të vijë radha. Tani ne kemi më për zemër bashkitë, dashurinë për Amerikën e Francën, hallin e vizitës së Kancelares Merkel e së fundi, ngjarjet e historisë së Shqipërisë, përkujtohen sipas vaktit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here