Vota për krimin

0
120

Nga Nebil Çika

Nga Nebil ÇikaPër kë votuan shqiptarët?! Kjo është pyetja, njëherazi edhe problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve. Dje, sapo filloi procesi i votimit, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla u tha shqiptarëve se në listat e kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë, për të cilët ata do të votonin, kishte një numër të konsiderueshëm personash të inkriminuar, për te cilët ai kishte njoftuar të gjitha institucionet zgjedhore e politike, që nuk reaguan edhe pse ia kishin kërkuar vete Prokurorisë një gjë të tillë.

Kryeprokurori nuk bëri publik emra, e kjo nuk është detyrë e tij, por u tha shqiptareve se një pjesë e atyre që ata ftoheshin të votonin ishin pjesë e krimit dhe ‘malavitës’. Të ndodhur para një situate të tillë, votuesit shqiptarë u tronditën, por njëherazi edhe u stepën. Kush janë këta kriminelë në fletët e votimit? Po sikur të jetë ky që kam vendosur të votoj unë?! Me se të jetë marrë vallë?! Me vrasje?! Me trafik droge?! Me prostitucion?! Mos është terrorist?! Këto dhe pyetje të tjera i bënë vetes qytetarët normalë të këtij vendi, çka solli edhe reagimin e tyre te shprehur pikësëpari tek pjesëmarrja e ulët ne votime.

Zyrtarët zgjedhorë dhe qeveria po pretendojnë se këto zgjedhje ishin të mira dhe pa probleme, dhe për këtë i referohen faktit që nuk pati ndonjë të vrarë apo të plagosur jashtë qendrave të votimit si në zgjedhjet e mëparshme. Por ata “harrojnë” që këto zgjedhje e kishin brenda problemin e madh. Krimi nuk ishte jashtë tyre që të krijonte probleme, vrasje, plagosje e dhunë, por brenda tyre, i gatshëm për ta marrë pushtetin jo me pushkë, por me votë, gjë që me sa duket e ka realizuar.

Fakti që emrat e të inkriminuarve të identifikuar zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme nuk u përjashtuan nga lista e kandidateve, tregon qartë se krimi tashmë e ka marrë pjesën e tij te pushtetit . Në këtë situatë, këto janë zgjedhjet më te këqija të zhvilluara në Shqipëri. Zgjedhësit shqiptarë janë detyruar nga politika dhe shteti i tyre të votojnë për krimin, një e vërtetë e deklaruar publikisht dhe zyrtarisht jo vetëm nga zyrtarët shtetërorë, por edhe nga partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë, siç ishte ambasadori i SHBA, z.Lu.

Politikanet dhe zyrtarët pretendojnë se ishte ligji që i pengonte t’i hiqnin kriminelët nga listat e kandidatëve, por kjo është një gënjeshtër e madhe të cilën shumica e shqiptarëve me sa duket nuk e kane ngrenë, gjë që reflektohet tek bojkotimi i më shumë se 50% e tyre prej këtyre zgjedhjeve. Sigurisht që politika i kishte të gjitha mundësitë t’i pastronte listat nga kriminelët. Këtë e tregon precedenti dhe standardi i vendosur nga PD–ja, me tërheqjen e kandidatit të saj të Këlcyrës. Por të tjerët nuk e bënë një gjë të tillë, duke njollosur zgjedhjet dhe ndarë pushtetin me krimin. Kryeministri Rama i cilësoi “sukses” zgjedhjet dhe u mundua te justifikojë nivelin e ulët ,historik te pjesëmarrjes, por nuk dha ndonjë arsye për të, e nuk kishte si ta bënte një gjë të tillë. Si kryeministër dhe si shefi i mazhorancës, ai është përgjegjësi kryesor i kriminalizimit të zgjedhjeve dhe pushtetit të dalë prej tyre. Ai për këtë ka marrë edhe një përgjigje personale. Vlora ku ai është deputet, ka shënuar rekordin kombëtar të mospjesëmarrjes në zgjedhje, ndërkohë që në zgjedhjet e mëparshme ishte nga bashkitë me pjesëmarrje më të lartë.

Qeveria në përgjithësi e ka marrë goditjen e parë nga elektorati, pasi matematikisht është shumë me poshtë se një milion votat që mori dy vjet më parë, te cilat dyshja Rama-Meta pretendonin se do t’i shtonin në këto zgjedhje. Rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve pritet ta rrisin masën e ndëshkimit popullor ndaj qeverisë dhe bojkoti është pa dyshim një shprehje e dukshme e shuplakave që po i kthehen mbrapsht vetëm në më pak se dy vjet qeverisje. Kriminalizimi i listave të kandidatëve është sigurisht një arsye e fortë, ndoshta më kryesorja e këtij reagimi popullor ndaj këtyre zgjedhjeve, por megjithatë është i pamjaftueshëm. Katër vite në pushtet të krimit janë shumë dhe me pasoja të rënda për vendin dhe njësitë administrative ku ata janë infiltruar.

Shpresoj shumë që ky fenomen të merret seriozisht nga forcat e përgjegjshme politike dhe sidomos nga ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA. Ambasadori Lu ka qenë i qartë dhe shumë me i ashpër ndaj fenomenit në fjalë sa mund ta lejonte korniza diplomatike. Por besoj se kjo nuk ka mjaftuar. Shpresoj që ai të bëhet me “shqiptar” e të flasë troç me emra, për të rritur presionin ndaj politikës shqiptare, për të gjetur vullnetin politik, për ta larguar krimin nga pushteti, pa pritur mbarimin e mandatit zyrtar të tyre. Janë shumë katër vjet nën pushtetin e krimit!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here