Kush po të puth?

0
200

Primo Shllaku

Marc Chagall the betrothed and eiffel tower 1913Një tufë poezish të poetit nga Shkodra, Primo Shllaku, të shkëputura nga përmbledhja antologjike “Lule nate”, botimet “Princi”, 100 poezi të pabotuara, të shkruara prej viteve ‘70 deri në fillimvitet ‘90. Rreth 25 vjet që dëshmojnë ekzistencën e një realiteti të brendshëm shpirtëror në jetën e intelektualit, njeriut të dashuruar që ka jetuar nën ankth, frikë, ndrydhje, mungesë lirie… Heshtja si akt social apo artistik?! Dilemat që marrin shkëndija shpërthyese sa herë Shllaku takon shpirtin me realitetin e jetuar në diktaturë, kohë kur shkruante tinëz poezitë. Poezitë janë të shoqëruara me shënime, që tregojnë atmosferën se si ato u krijuan

 

Kush po të puth?

ex-voto simbas Baudelaire-it

-Ndigjo:

“Dhe ajo shum e dashuna

që qejfin ma di… ”

Goja vret gojën.

Fjalët mbysin fjalët.

Trupi yt kitarrë nën sqetullën time.

Koka ime shtamë për etjen tande.

-Ndigjo të vazhdoj.

– Goja më ngurron, kujtohet,

mandej…

Duert ma gjejnë lkuren

e trupi të ra kndej nga unë.

– Prit të vazhdoj. Ka prap.

Dhe vetë i vazhdove vargjet që mbesin

nën synin tim të shqetsuem prej pyetjes:

-Kë po puth ti? Poetin, mue apo veten tande?…

1986

 

Kush po të puth?

Vazhdon kataliza e krijuesve të mdhej si faktorë universalë krijimi. Recitohen në nji seancë intime erotizmi vargje haulement erotikë të Charles Baudelaire-it. Mbas reticencës vazhdojnë vargjet ose fjalët: Ishte krejt lakuriq e kishte mbajtë vetërn stolitë tringlluese. Akti konsumohet në vargjet 6-7. Në kso rastesh çastore, perdja hapet dhe të vërtetat vetojnë nji hop. Unë si të vërteta quej edhe ardhjen e kollajtë me formulue pyetje. Fjala eksiton.

 

Të kam dashtë

Të kam dashtë…

Dashunia nuk ka të tashme

Dashunia nuk ka të ardhshme

Ajo ka vetëm të kaluemen.

Të kam dashtë…

 

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.

Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.

Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.

Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.

Dashunia vdes kur i shërohen plagët.

Dashunia fillon prap prej fillimit…

 

Dashunia i beson të gjitha.

Dashunia i shpreson të gjitha.

Dashunia i “ha” të gjitha.

Dashunia i fal të gjitha.

Dashunia banon te duert.. .

 

Të kam dashtë…

Dashunia nuk ka të tashme.

Dashunia nuk ka të ardhshme.

Ajo ka vetëm të kaluemen.

Të paskam dashtë, pra…

 

Të kam dashtë

Nji libër që iexova mbi erotikën mbas treqind faqesh perfundonte se dashunia nuk mund të përcaktohet, ajo vetëm mund të rrethohet dhe “t’i ngushtohet rrethimi”. Dashunia i ikë analizës dhe në çastin kur e përcakton, ajo s’asht ma ajo që the.

Deshta me thanë edhe unë diçka dhe bana ketë poezi. Më duket se mosshtrimja e dashunisë në të gjithë aksin e kohës e sugjeron sadopak idenë se dashunia nuk ndalet për t’u kundrue si send. Ajo rrshqet dhe kur na kujtohemi për të, ajo mund të mos jetë ma e tashme ose prani,

 

Dashnorë nën shi

Gjoksi yt

nji copë hanë.

Gjijtë e tu

dritë rrumbullake.

Buzët e tua

gur i kalbun.

Sytë e tu

ujë i gjallë.

 

Dashnorë nën shi

e trupat e tyne mbi rë

atje ku dielli kurr s’prendon.

Materia kndon e bame shpirt

(o shpirti i bamë materie).

E ç’randsi ka nëse ky zjarr

drejt njoftjes na çon,

por vete’ jeton në pezullim?

1983

 

Dashnorë nën shi

Prap kthehem te tema e Chagall-it. Edhe pse rrinë mbi qytet, ata janë nën shi. Transportimi i tyne asht i vjerguem, hedonizmi i tyne i pamundun. Ata kanë nji shkapërderdhje totale të pjesëve të trupit. Ata janë të shkompozuem. Por shkompozimi mund të jetë afer me dekompozimin. Diku trupi, diku shpirti. Ata vuejnë prej nji kurrkundsie që s’i lën me u realizue. Poeti mbahet te nji pozicion virtual, prej të cilit ai ka qejf të besojë se ata po e jetojnë epshin e rrallë të dashunisë. Edhe drama, edhe knaqsitë jetojnë vetëm te poeti. Kurse ata vetë për vete jetojnë vetëm nji pezullim.

 

Dashunia fillon prej gjysmës

Gjaku yt duhet të ishte kohë

dhe koha jote duhet të ishte zemër.

Ti më dhe aq pak,

prandej unë jetova kaq pak.

Nëpër pyllin me pemët e ditës

drujt ishin hija

dhe kujtimi

ose KUJTIMI

nji variçe në qiellin tim.

E përse duhet të vdes?

Ndër kodra bari asht i naltë.

Vetëm ti je e pavdekshme,

si gurët, si malet,

si monotonia e stinëve.

Do të vish, do të ikësh.

Ti do të kesh kambë të kuqe,

kpucë të bardha.

Ah, ta kisha edhe unë nji ijë prej gize!

Ti që në jetën time u fute

gjanë e gjatë,

si damar lagshtine

në nji mur prej ashti.

Ti e pavdekshme

e unë nji ditë do të vdes

s’e di se si

se di se pse

s’e di se sa

e syni im

qysh tash

shtërzen nji lot të fortë

si breshën.

1984.

 

Dashunia fillon prej gjysmës

Ky rast nuk asht shum tranparent. Në dashuni janë dy që ofrohen. Pra matematikisht e shprehun, nji dashuni për dy vetë. Secili formon nga nji gjysmë dashunie. Poqese njeni e dashunon tjetrin në kulm e tjetri nuk e dashunon tjetrin hiç, atëherë dashunia nuk realizohet. Pra edhe pesëdhjetëpërqindshi, pra gjysma, nuk mjafton. Matematikisht i shprehun ky rast, prej njishit deri te pesëdhjeta shtrihet zeroja. Vetëm mbas 50 fillon dashunia të jetë. Kjo poezi shkruhet në zonën prej 1 deri te 50. Ndoshta ktu kemi të bajmë me nji lloj të ri narcizizmi ku subjekti nuk ndjen dashuni për veten, por dhimbje. Kujtimi a KUJTIMl, ija prej gize që dëshirohet, por që sasht, loti i fort si breshni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here