Në Dibër/ Rama: Pa ne, Rruga e Arbrit do mbetej fantazmë. Fushata e PD-së, si përrallë nga e kaluara

0
114

Gëzim Saliu

11402734_10153003894751523_6794239118001547154_n “Në 21 qershor votohet për familjen, ujin e pijshëm, për pastërtinë, për rrugën, për transportin urban, për kopshtet, për shkollat”

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje nga Peshkopia se Rruga e Arbrit nuk do të jetë më një projekt i premtuar, por një investim që do të bëhet realitet. Duke akuzuar mazhorancën e kaluar se në 8 vite vetëm e premtoi këtë rrugë, kreu i qeverisë tha se Parlamenti tashmë e ka kaluar projektin e kjo tregon, sipas tij, se vota në zgjedhje merr rëndësi parësore. “Sikur të mos kishte rëndësi se për kë voton, sot, Rruga e Arbrit do të ishte ende një fantazmë fushatash elektorale dhe jo një projekt. Tanimë, i financuar, i votuar nga Parlamenti dhe gati për të filluar nga puna, në mënyrë që të bëhet e mundur lidhja e shumë ëndërruar e Dibrës me Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, – u shpreh Rama, duke bërë të ditur nga ana tjetër se shumë shpejt do të jetë gati edhe projekti tjetër që lidh Dibrën e Peshkopinë me Lurën.

 

Takimi

Në Peshkopi, ashtu si në çdo takim elektoral të zhvilluar për zgjedhjet vendore, Kryeministri nuk ngurroi të akuzonte opozitën se po bën një fushatë që nuk ka lidhje, sipas tij, me interesin e qytetarëve. “Fushata e tyre flet për të njëjtën përrallë nga e kaluara që shqiptarët e ndëshkuan me votën e 23 qershorit 2013 dhe nuk kanë ndërmend ta rikthejnë sërish dhe të vonojnë duke humbur kohë me ëndrra në diell që as ëndrra nuk janë por janë gënjeshtra të një politike që i ka ikur vakti dhe i është fikur drita”, – deklaroi ai. Më tej, Rama pohoi se më 21 qershor votohet për përmirësimin e jetës e ndërsa theksoi se banorët e kësaj njësie duhet ti japin mundësinë të majtës për të punuar për ta. “Përmes votës familja e secilit përtej nesh bë të mundur përmirësimin e jetës së vet gjerë që nuk i bën dot vetë të mundur. Në 21 qershor votohet për familjen, ujin e pijshëm, për pastërtinë, për rrugën, për transportin urban, për kopshtet, për shkollat, për hapësirat që u vihen në dispozicion të moshuarve, për ata që duan të çelin një biznes të vogël. Na jepni mundësinë që të bëjmë gjithçka për ju. Të bëjmë atë që s’është bërë në 25 vite për këtë zonë”, – tha Rama, duke kërkuar votën e dibranëve për kandidatin e së majtës, Shukri Xhelilin. “Jeni ju që duhet të votoni fare thjesht, 12 vite ka ky kryetar bashkie. Është koha për ta ndërruar, edhe sikur të kishte realizuar premtimet. 21 qershori për të ecur së bashku socialistë e demokratë, për Dibrën me Dibrën. Ju e keni parë dallimin e madh mes dy fushatave. Fushata jonë flet për familjen, shkollat rrugët, transportin, zhvillimin”.

 

Në Burrel

Pas takimit në Peshkopi, kreu i qeverisë prezantoi në Burrel kandidaten e majtë për këtë Bashki, Adelina Farricin, ku, sipas tij, kjo e fundit me modelin e saj në katër vite është shembulli i transformimit urban. Ndërsa e cilësoi Farricin si një nga administratoret më të mira të 25 viteve pas rënies së regjimit komunist, Rama u kërkoi grave dhe vajzave të Matit që t’i japin asaj mbështetje, duke bindur e çuar për të votuar vëllezërit dhe burrat e tyre. “Kush ka një grua në krye të Bashkisë e fillon rrugën më një avantazh më shumë. Keni një grua të sprovuar që ka treguar se e meriton plotësisht respektin që ju i keni dhënë”, – u shpreh Rama.

 

 Përurimi/ Rikthehet linja Shëngjin-Brindizi. Meta: Fillimi për transformimin e portit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, si dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, përuruan dje linjën e tragetit Shëngjin-Brindizi, duke e cilësuar atë si një portë mjaft të rëndësishme për veriun. “Inaugurimi i vendosjes së linjës së re, event shumë i rëndësishëm për këtë rajon. Shpreh besimin tim se ky investim është vetëm fillimi për transformimin e rëndësisë së këtij porti. Ky port do i shërbejë më mirë këtij rajoni dhe bashkisë së re të Lezhës. Porti i Shëngjinit mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik”, – tha Meta. Ndërkaq, ministri Haxhinasto tha se në Shëngjin së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i portit të jahteve, një investim ky austriako-slloven. “Investimet në Portin e Shëngjinit e kanë bërë më funksional. Ky port shumë i rëndësishëm jo vetëm në veriun e vendit, por në gjithë kapacitetet tona portuale. Kapacitete deri ne 1 mijë ton mallra në vit”, – deklaroi ai. Linja Brindizi-Shëngjin rikthehet pas një ndërprerje 5 vjeçare ku pritet që ky shërbim të lehtësojë transportin e mallrave dhe të udhëtarëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.

 

 Farkë/ Veliaj: Ata merren me familjen tonë, ne bëjmë punën për familjet e qytetarëve

Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ironizoi dje akuzat e opozitës për implikimin e bashkëshortes së tij me biznesmenin Dzanazhvili. “Këshilltarët e PD këshilluan që të mos dilte Berisha në fushatë e Basha të mos dilte në Tiranë. Por pas 2 muajsh del Berisha dhe bën atë që di të bëjë më mirë, të hedhë baltë mbi çdo familje. Ata do merren me familjet tona ne do punojmë për familjet e të djathtëve”, – deklaroi ai. Nga ana tjetër, Veliaj u kërkoi banorëve të zonës që Farka t’i bashkohet projektit për ta çuar në drejtimin e duhur dhe për t’u siguruar që i njëjti shërbim që ofrohet në qendër të Tiranës të ofrohet njëlloj kudo. Në këtë kontekst ai prezantoi përpara banorëve kontratën e tij me pesë pika për banorët që do të përfitojnë ndërhyrje në zonën e tyre. Gjithashtu, ai prezantoi edhe programin e tij për zhvillimin ekonomik të zonave rurale që prekin edhe Farkën. Do të bëjmë një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe të organizimit të tregjeve. Në datën 21 qershor, me votën tuaj, nuk do të ketë më Polici Bashkiake që t’i fusë dorën në xhep dikujt që i rrit produktet e veta në Farkë dhe që mundohet t’i shesë në Tiranë”, – deklaroi Veliaj. Sipas tij, në Bashkinë e re, do të përcaktohen disa zona për tregje të përhershme dhe disa zona për tregje të përkohshme. “Madje në rrugët e Tiranës do të bllokohet trafiku, sidomos rrugët që kanë më shumë ndotje, për t’u siguruar që ata fermerë të Farkës të shërbejnë në Tiranë produktet e tyre dhe qytetarët e Tiranës të kenë mundësi të blejnë produkte bio”, – sqaroi Veliaj. Ndërsa, në shërbim të fermerëve, kandidati i majtë deklaroi se Bashkia e re do të marrë përsipër të gjithë problemet e vaditjes dhe kullimit. “Në mënyrë aktive do të inkurajojë bashkëpunimin e një kooperative moderne, ku ata që duan të bëjnë bashkë mjetet e punës dhe tokën e tyre të kenë mundësi që të aksesojnë më shumë fonde në Bashki dhe BE”, – tha Veliaj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here