Vrasja e Artan Santos/ Ndërtohet identikiti i vrasësve me pagesë, nën përgjim bashkëpunëtorët

0
134

Anxhela Tato

santo ndjekja Hetimet e Prokurorisë, vrasësit nuk vepruan të vetëm, disa nga personat e shoqëruar në polici ishin në dijeni të atentatit

 Rrethohet fshati Fushë-Kuqe nga policia, kontrolle nëpër banesa dhe postblloqe për personat e dyshimtë

 Një javë pas vrasjes së bankierit Artan Santo policia arrin të ndërtojë skicat e identikitit të dy autorëve të krimit. Falë të dhënave fizike, veshjes dhe pamjes së jashtme nga ana e laboratorit shkencor është mundësuar krijimi i një identikiti të përafërt me vrasësit me pagesë. I vetmi detaj që bëhet me dije nga burime të policisë është se personi që ka qëlluar, i cili ishte pasagjer në motor, është i imët, i hollë, fizik i lidhur dhe me gjatësi mesatare, rreth 1.70 m. Sado i rëndomtë dhe i pavlerë mund të duket ky detaj, blutë kanë shoqëruar dhe janë duke mbajtur nën përgjim disa persona të dyshimtë, të cilët i afrohen përshkrimit të autorëve të krimit. Do të jetë pikërisht zbardhja e plotë e tabulateve telefonike të një grupi personash, për të cilët policia ka ruajtur anonimatin, gjë që mund të ndihmojë në gjetjen e identitetit të vrasësve. Burime nga grupi hetimor i uniformave blu bëjnë me dije se kanë hasur në shumë vështirësi për të ndërtuar identikitin, pasi autorët kanë qenë me skafandër të zezë, duke mos lejuar në asnjë moment zbulimin e ndonjë detaji të fytyrës apo shenjë dalluese që do të ndihmonte në arritjen më të shpejtë të skedës kriminale. Me të njëjtën metodë hetuesit kanë arritur në konkluzionin se vrasësit nuk kanë qenë të vetëm në kryerjen e krimit, pasi disa prej të shoqëruarve kanë dijeni për atentatin ndaj bankierit Artan Santo. Burime pranë policisë thanë se për shkak të hetimit ende nuk mund të bëhen publikë emrat, që kanë rezultuar të kenë dijeni për vrasjen. Për sa i përket barutit të gjetur në duart e vëllezërve Gjuzi, hetuesit thanë se procedura e analizave kërkon 15 ditë për të saktësuar, nëse kjo lëndë korrespondon me atë të gjetur në trupin e viktimës. Ndërkohë në vijim të hetimeve mbi ekzekutimin e bankierit forcat speciale zhvilluan një aksion në Komunën e Fushë-Kuqes. Në të gjitha segmentet që lidhin komunën me superstradën janë ushtruar kontrollet e automjeteve në hyrje dhe në dalje, ndërsa policia ka shoqëruar disa persona për armëmbajtje pa leje. Policia kontrolloi edhe banesat e zonës pranë magazinës ku u gjetën lojëra fati të palicencuara dhe 3 skafandra.

 

Patrullimi

Rrethohet fshati Fushë-Kuqe me kontrolle masive nëpër banesat nga forcat RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, të mbështetura dhe nga Shqiponjat dhe forca të tjera të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe oficerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në të gjitha hyrje-daljet Lezhë – Tiranë janë vendosur postblloqe duke kontrolluar automjetet. Gjatë këtij aksioni, policia ka shoqëruar disa persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Kjo është hera e tretë që forcat speciale mësyjnë në Fushë-Kuqe dhe pas kontrolleve në Bubq, Fushë-Krujë dhe Lezhë, Fushë-Kuqja është zona ku janë përqendruar përfundimisht hetimet për autorët e vrasjes së biznesmenit 58-vjeçar. Vëmendja e policisë është përqendruar në rrethin e Lezhës, pas gjetjes së një motori dhe dy skafandrave të ngjashme me ato që u përdorën në ekzekutimin e biznesmenit Santo, ndërsa tentoi të futej në zyrën e bankës që drejtonte prej vitesh në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në qeli për atentatin ndaj biznesmenit Santo janë vetëm kushërinjtë nga Fushë-Kuqja, Saimir dhe Klodian Gjuzi, të cilët fillimisht u ndaluan si pronarë të motorit të sekuestruar nga policia në një servis në zonën e Bubqit të Fushë-Krujës, i ngjashëm me atë të përdorur në vrasjen e Santos. Por më tej, nga kontrollet në banesa atyre iu gjetën armë, ndërsa e kaluara e Klodian Gjozit ishte me precedentë kriminalë në Greqi. Ai ishte i dënuar 7 vjet për vrasje dhe i konsideruar i rrezikshëm për shtetin helen për shkak të grabitjeve me armë. Sakaq, motori rezultoi se ishte vjedhur në janar të këtij viti në Selanik të Greqisë. Duke u bazuar mbi veprimtaritë e mëparshme kriminale, ndaj tyre u bë testi i parafinës i cili nxori gjurmë baruti në duart e tyre. Por ende nuk mund të thuhet nëse baruti i përket arnës së zjarrit, pasi mund të shkaktohet nga shumë elementë. Nga ana tjetër motori i gjetur nuk përputhet me atë të autorëve, i cili kishte dy marmita dhe dy pasqyra, ndërsa motori i të arrestuarve vetëm nga një copë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency