Veto e Shqipërisë/ Rama: Maqedonia jo në NATO, pa zbatuar Marrëveshjen e Ohrit

0
167

Gëzim Saliu

rama per maqedonine...“Përpjekje e rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Shqiptarët, faktor shtetformues në Maqedoni, e patolerueshme mungesa e transparencës”

Përmes një mesazhi të fortë për ngjarjet e ndodhura në Kumanovë të Maqedonisë ditë më parë, Kryeministri Rama paralajmëroi dje përdorimin e vetos nga Shqipëria ndaj Shkupit për hyrjen në NATO, nëse nuk merren masa në vazhdimësi për zbatimin me përpikmëri të Marrëveshjes së Ohrit. Në deklaratën e bërë në ministerialin rajonal kundër ekstremizmit të dhunshëm të mbajtur në Tiranë, Rama tha se Shqipëria e të gjitha vendet e rajonit dua një Maqedoni të qëndrueshme por jo të pajetueshme. “Një Maqedoni demokratike për të gjithë që duhet të jetë pjesë e NATO-s, por s’mund të jetë pjesë e saj pa trajtuar në frymë e në germë vlerat e parimet që e bëjnë NATO-n jo një klub ushtarak, por një aleancë të popujve e vendeve demokratike në mbrojtje të paqes dhe të drejtës së çdo populli për të jetuar i lirë dhe për të qenë i mbrojtur nga kërcënimi i jashtëzakonshëm i terrorizimit, që do të thotë se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa respektuar në frymë e në germë Marrëveshjen e Ohrit”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

Reagimi

Në fjalën e tij, Kryeministri e cilësoi si të patolerueshme përzierjen e termit terrorist të trajtimit të tragjedisë së Kumanovës. Rama i kujtoi Maqedonisë se shqiptarët kanë qenë janë dhe mbeten një faktor shtet formues i patjetërsueshëm, i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm për integritetin e shtetit maqedonas. “Do të ishte thjesht e pamundur që unë t’u shmangesha në këtë moment dy fjalëve për Maqedoninë e tragjedinë e Kumanovës ku fatkeqësisht fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranushme jo vetëm për ne por dhe për vetë interesin e Maqedonisë dhe autoritetet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë. Shqiptarët kanë qenë janë dhe mbeten një faktor shtet formues i patjetërsueshëm, i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”, – tha ai. Në këtë kontekst, kreu i ekzekutivit shqiptar pohoi se asgjë më e gabuar dhe asgjë më e rrezikshme nuk mund të ndodhë në betejën e përbashkët kundër terrorizmit nëse përziejmë sipas tij termin terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmit por demokracinë. “Përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe qeverinë shqiptare vonesa dhe ende më keq mungesa e transparencës dhe e drejtësisë për terrorin dhe dëmet që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”, – deklaroi Rama. Ndërkaq duke iu referuar temës së konferencës lidhur me ekstremizmin e dhunshëm, kreu i qeverisë tha se terrorizmi është një nga shqetësimet që aktualisht ka prekur jo vetëm Ballkanin por të gjithë botën. Nga ana tjetër duke shprehur mbështetjen për përfshirjen e Malit të Zi në NATO, Rama tha se Kosova shihet nga Shqipëria si pjesë e pandarë e këtij procesi. “Bashkimin Evropian një orë e më parë t’u japë mundësinë qytetarëve të Kosovës të mos ndjehen si të kyçur në një karantinë absurde. Për shkak se janë i vetmi popull në Evropën e sotme, që nuk lëvizin dot të lirë dhe që për të lëvizur duhet të vazhdojnë të aplikojnë për viza. Gjë që nuk e kanë bërë as kur ishin nën diktaturë. Ky është një paradoks dramatik”, – pohoi Kryeministri.

 

Në Elbasan/ Rama thumbon Blushin, ironi me Turkun: Burrë i mirë, nuk e di se si kandidon për PD-në

Kryeministri Edi Rama ishte sërish dje në qytetin e Elbasanit, ku prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak të këtij qarku. Në këtë takim, kreu i qeverisë ka “thumbuar” edhe një herë deputetin e PS-së për këtë qark, Ben Blushin, dhe Partinë Demokratike për kritikat e tyre ndaj qeverisë. “Duhet të jesh i marrë ose i ligë, që të kërkosh plotësimin e menjëhershëm të reformave. Duhet të jesh i marrë dhe i ligë po të thuash të kundërtën, ndërkohë që kërkojnë llogari për ato plagë që ata vetë i hapën”, – tha Rama. Duke mbetur në këtë pjesë, në përgjigje të kritikave për papunësinë dhe varfërinë, kreu i qeverisë deklaroi se vendi e ka marrë kthesën për të luftuar këto fenomene. “Ne ju kemi dhënë dinjitetin e të pasurit të një pune, por edhe për sigurimet shoqërore. Është e qartë se numri i të punësuarve, sipas INSTA është rritur 18 për qind më shumë. Ka më shumë të papunë se të punësuar rishtas”, – tha Rama. Duke u përqendruar tek fushata e Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore, kreu i qeverisë tha se opozita po flet përçart, pasi nuk ka në qendër të saj një program për qytetarët, por politik. Në këtë kontekst ai ironizoi edhe me kandidatin e PD-së në Elbasan, Ardian Turku, të cilin e cilësoi si një burrë të mirë, që ka vendosur të rreshtohet gabim. “A më thotë kush se ça është kjo fushata e PD-së, se unë edhe e kuptoj, edhe s’e kuptoj. Se si një qeveri të flasë kaq përçart për problemet e komuniteteve. Ata flasin për uljen e çmimit të dritave. Si do kthejnë taksën e sheshtë, ajo miratohet në Kuvend. Si do ta kthejë Ardian Turku taksën e sheshtë? Ardian Turku është burrë i mirë, unë habitem se si kandidon ai për këtë parti”, – pohoi Rama. Më tej ai e ka vlerësuar pjesëmarrjen e grave, 50% në këto zgjedhje si shumë të rëndësishme për gjithë shoqërinë. Sipas tij gratë janë shumë më pak të korruptuara dhe si të tilla do të jenë një ndihmesë shumë e madhe në luftën ndaj korrupsionit. “Pjesëmarrja aktive dhe e drejtpërdrejtë e anëtarëve për këshillin bashkiak në këto zgjedhje merr një rëndësi të veçantë. Janë përfshirë në këtë garë 50% gra. Populli ka pas të drejtë kur thotë po desh muhabet rri me burra, po deshe të zgjidhësh hall puno me gra. Ato kur e marrin përsipër një punë e çojnë deri në fund. Janë shumë më pak të korruptueshme se burrat ndaj janë një vlerë e madhe në betejën me korrupsionin. Ata duke ndjerë peshën e një përgjegjësie të madhe që u është dhënë do të bëjnë të pamundur që të çojnë emrat e duhur në listat e Partisë Socialiste”, – deklaroi Rama. Ndërkaq takimin e zhvilluar në qytetin e Elbasanit nuk kanë munguar surprizat, ku edhe pse koha ishte me diell, një shi beharor e ka zënë Kryeministrin gjatë fjalës së tij. Rama nuk e ka ndërprerë fjalën, madje nuk është interesuar as për çadër, që duket se nuk ia ka ofruar asnjë nga të pranishmit. I vetmi koment që ka bërë Rama ka qenë: “Ç’na bëri mirë ky shiu”.

 

Përballja mes Bazhdarit dhe Ademit, në Shkodër nis gara mes flamujve rozë e atyre blu

Gara për Bashkinë e Shkodrës duket më e ndezur se kurrë. Partia Demokratike dhe ajo Socialiste para garës me votë në 21 qershor, kanë nisur përballjen mes tyre përmes imazhit, ku brenda 24 orëve qyteti u vesh me flamuj partiakë. Këta të fundit pushtuan çdo hapësirë publike, duke mos kursyer as zonat muzeale të qytetit. Ky vrull i partive tregon rëndësinë e garës në këtë Bashki, ku socialistët synojnë ta marrin këtë njësi vendore për herë të parë e ndërsa demokratët nuk duan të dorëzojnë çelësat pas 24 vitesh qeverisje lokale. Ndërkaq vendosja e flamujve ka sjellë edhe përplasje mes vetë partive, ku PS ka akuzuar PD-në për vendosjen e tyre në zonat muzeale, gjë e cila vjen sipas të majtëve për shkak të panikut të humbjes. Nga ana e tyre demokratët theksuan dje se ishte pikërisht PS ajo që theu ligjin. Në garën për Bashkinë e Shkodrës kandidojnë dy femra, ku përkatësisht Aleancën Popullore për Punë dhe Dinjitet e përfaqëson Voltana Ademi e ndërsa Aleancën për Shqipërinë Evropiane Keti Bazhdari.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here