Debati i mundshëm/ Vendore 2015: Beteja për Tiranën, a do të përballen Veliaj-Kosova?!

0
150

Veliaj-KosovaVeliaj: Kosova të mos përgojojë gratë si lindin, e pres sot në debat për Tiranën

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau pasditen e djeshme leje legalizimi në zonën e Saukut, ku i pranishëm në këtë event ishte edhe shefi i ALUIZNI-t, Artan Lame, i cili është vlerësuar maksimalisht nga Veliaj për punën e bërë me procesin e legalizimeve. “Drejtori i ALUIZNI-t i rri punës tek koka, prandaj ka ecur mirë procesi i legalizimit këtu. Bashkia nuk bën të njëjtën gjë. Në Sauk, qytetarët paguajnë taksat dhe nuk ka pikë uji. Normal, sepse nëse i pari i punës shkon jashtë shtetit ose tek partia, edhe të tjerët do shkojnë pas tij”, – tha ai. Duke folur për fushatën që po bën kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, ai është shprehur se është e turpshme se si Kosova në çdo takim thotë se si kanë lindur gratë, duke i quajtur këto përgojime të grave dhe të vajzave. “Është e turpshme se si Halim Kosova në çdo takim thotë se si kanë lindur gratë dhe nënat. Ne shqiptarët nuk përgojojmë gratë dhe femrat të cilat shkojnë në maternitet. Ne nuk përgojojmë, ne nuk e duam një politikë me barsoleta. Tek tavolina e bukës njerëzit thonë se si nuk morëm legalizimet se si nuk kemi çerdhe, flitet për ndriçimin dhe jo për motin në Holandë. Gjysma e grave dhe vajzave nuk kthehen dot në shpi pas orës 7, sepse nuk ka ndriçim nëpër rrugët e Tiranës”, – u shpreh ai. Më herët në prezantimin e kontratës së tij me biznesin, Veliaj pas përgjigjes së Kosovës, e ftoi atë të jetë që sot në debat mes tyre. “Më vjen mirë që pas tri javësh kërkesë ditore, të martën kemi marrë një gjysmë ‘po’-je nga kandidati tjetër për të pasur një debat. Ky është një lajm shumë i mirë dhe meriton duartrokitje. Madje, për ta marrë këtë gjysmë si një ‘po’ të plotë jam gati ta pres kandidatin tjetër të enjten në 21:00 në televizionin më të madh të Shqipërisë, për të folur konkretisht edhe për kontratën që do të publikojmë sot me biznesin e vogël dhe të mesëm, edhe për kontratën e paraqitur dje me mësuesit dhe prindërit, edhe për kontratën me të rinjtë të para dy ditëve, por edhe për 12 projektet madhore, që ne propozojmë për infrastrukturën e Tiranës”, – u shpreh Veliaj, i cili sot në darkë është i ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, i cili rikthehet në ekran pas shkëputjes, për shkak të videos private që iu publikua në media.

 

Majko paralajmëron Kosovën: Kujdes me Veliajn, në televizion është në “maternitetin” e tij

Deputeti i majtë, Pandeli Majko, përshëndeti dje nismën për debat publik mes dy kandidatëve të dy partive kryesore për Bashkinë e Tiranës, Veliaj dhe Kosova. Në rrjetin social “FB” ai shkruante se kjo do të ishte diçka pozitive që i jep fund një kulture gri, e cila “ka thelluar hendekun midis politikës dhe publikut në vend”. Por në mesazhin e tij, Majko nuk ka ngurruar të këshillojë kandidatin e PD-së të ketë kujdes në debatin televiziv me Veliajn. “Më në fund, kandidatët kryesorë për Bashkinë e Tiranes kanë rënë dakord në parim që të zhvillojnë debat publik. Ky është një lajm i mirë. Ai nuk është “çudia” e vitit, pasi e kundërta do te ishte e vërtetë. Debati publik Veliaj – Kosova do të respektojë një komunitet prej 1 milion vetësh në Bashkinë e Tiranës. Komunikimi i stafeve dhe vendosja e një grafiku komunikimesh publike të përbashkëta në tryezat më të ndjekura televizive do ti japë fund një kulture “gri” politike, e cila ka thelluar hendekun midis politikës dhe publikut në vend. Doktor Kosova e ka një “homolog” në fushatën për Bashkinë e Tiranës, i cili kishte javë që ja kujtonte këtë fakt dhe ky është Erion Veliaj. Vendimi i kandidatit të opozitës është një akt në drejtimin e duhur. Urime doktor Kosovës… veç kujdes se Velia në studion televizive është në “maternitetin” e tij”, – shkruante Majko.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here