Opozita pa kandidat në Kurbin/ KQZ çregjistron Pjetrajn edhe me votën e Luzit. PS: Ishte jashtë afatit. PD: Do ta çojmë në kolegj

0
164

Gëzim Saliu

mbledhja e kqzKQZ pranon kërkesën ankimore të PS-së për çregjistrimin e vëllait të Fufit si kandidat për Bashkinë e Kurbinit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall të pavlefshëm regjistrimin e kandidatit të Partisë Demokratike, Ilir Pjetraj, për Bashkinë e Kurbinit. Ankimimi i bërë nga përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste në KQZ, me argumentin se Pjetraj ishte regjistruar nga KZAZ-ja e Kurbinit në tejkalim të afateve që përcakton Kodi Zgjedhor, mori votat pro të anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga e majta si edhe nga kryetarja e institucionit më të lartë zgjedhor, Lefterie Luzi. Sipas kësaj vendimmarrjeje të KQZ-së, në 21 qershor në Bashkinë e Kurbinit do të shkohet vetëm me një kandidat, atë të Partisë Socialiste, Artur Bardhi. Nga ana e tyre, demokratët e cilësuan si të paligjshëm vendimin e marrë nga KQZ-ja, duke pohuar se do ta ankimojnë atë në Kolegjin Zgjedhor.

 

Mbledhja

Mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u zhvillua mes debateve të palëve politike, pas vendimit për rrëzimin e kandidatit të PD-së për Bashkinë e Kurbinit. “KQZ shqyrtoi projektvendimin “Për shqyrtimin e kërkesës ankimore nr. 21, të paraqitur nga Partia Socialiste, me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 55, datë 13.5.2015 të KZAZ nr. 15, për regjistrimin e kandidatit për kryetar Bashkie z. Ilir Pjetër Pjetraj, Bashkia Kurbin, Qarku Lezhë” propozuar nga koalicioni APPD. KQZ vendosi pranimin e kërkesës ankimore dhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr. 55 të KZAZ-së 15”, – thuhej në vendimin e KQZ-së. Më parë në mbledhje, Partia Demokratike shprehur kundërshtinë e saj lidhur me kërkesën ankimore të PS-së ku theksoi se vendimi i KQZ-së ishte i jashtëligjshëm. “Është e padiskutueshme që Altin Biba nuk do të jetë në fletën e votimit. Në këtë moment KQZ me këtë vendim të jashtëligjshëm që ka marrë nuk ka pranuar as Ilir Pjetrajn që të jetë në listën e votimit. Ne do ankohemi në Kolegjin Zgjedhur dhe nuk mund të bëhet fletëvotimi pa u mbyllur çështja në Kolegjin Zgjedhor”, – tha përfaqësuesi ligjor i PD-së në institucionin më të lartë zgjedhor Niazi Kosovrasti. Ndërkaq, socialistët e mbrojtën kërkesën ankimore të ngritur për mosregjistrimin e Pjetrajt, me arsyetimin se kandidati i Partisë Demokratike ishte regjistruar përtej limiteve kohore e kjo, sipas të majtëve, rrezikon të kthehet në një precedent. “Ky vendim është në kundërshtim me ligjin. Është njësoj sikur sot ju të paraqisni një kandidat në Tiranë. Pra, të tërhiqet dr. Kosova dhe ju të thoni ne duam këtë kandidatin tjetër këtu”, – pohoi përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Ndërkaq, në mbështetje të kërkesës ankimore të PS-së ishin tre anëtarët e propozuar nga e majta në KQZ, ku përkatësisht nënkryetari i këtij institucioni, Denar Biba, tha se nuk mund të krijohen precedentë. “Ne nuk mund të krijojmë një precedent që do të legjitimonte ndryshimin e vazhdueshëm të kandidatëve. Çfarë do të ndodhte nëse për çfarëdo lloj arsye më 20 qershor Erion Veliajt i teket të japë dorëheqjen”, – u shpreh ai. Me vendimin e djeshëm të KQZ-së, pritet që përballja e radhës mes palëve të jetë në Kolegjin Zgjedhor e nëse ky i fundit nuk do ta zgjidhë këtë ngërç, ekzistojnë vetëm dy mundësi. Të majtët marrin rezultatin e fitores në tavolinë, për shkak të mungesës së një kandidati garues nga e djathta ose zgjedhjet në Kurbin shtyhen. Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Kurbinit, Altin Biba, u tërhoq nga gara për arsye personale. Në vend të tij, PD zgjodhi si kandidat Ilir Pjetrajn, i cili, sipas socialistëve, u regjistrua me 9 ditë vonesë nga afati zyrtar në KQZ.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here