Zgjedhjet e 21 qershorit/ OSBE/ODIHR: Nuk na intereson rezultati, monitorojmë rastet e presionit dhe blerjen e votës

0
131

Gëzim Saliu

osbe-odhirHapet zyrtarisht misioni i vazhdimit të zgjedhjeve lokale, Glover: Do të publikoj një raport para zgjedhjeve dhe ditën pas zgjedhjeve

OSBE/ODIHR hap dje zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit 2015, ku ambasadorja Audrey Glover, që kryeson misionin për të tretën herë, prezantoi fushat ku do të përqendrohet puna. Ditën e hënë misionit do t’i bashkëngjiten 18 vëzhgues afatgjatë që do të shpërndahen në të gjithë vendin e ndërsa më 17 qershor do vijnë vëzhguesit afatshkurtër për të monitoruar aktivitetin në qendrat ku do të bëhet votimi. Në mesazhin e saj të parë publik lidhur me këtë zgjedhje, Glover theksoi se nuk është këtu për të ndërhyrë dhe nuk i intereson rezultati por transparenca. Sipas saj rëndësi parësore ka që vota e qytetarit të numërohet dhe të shkojë për kë ai ka votuar. “Është me rëndësi të kuptohet se roli ynë është vëzhgimi dhe raportimi dhe jo ndërhyrja nuk jemi politikanë jemi profesionistë zgjedhjesh. S’na intereson rezultati por procesi dhe procesi të jetë transparent dhe sipas standardeve. Si fshehtësia e votës. Na intereson numërimi i rezultatit dhe njoftimi të jetë korrekt e transparent . Interesi është që rezultatet të mund të numërohen e njoftohen në mënyrë korrekte e transparente”, – tha kryesuesja e misionit të OPDIHR-it.

 

Deklarata

Në daljen publike, Glover theksoi se gjatë këtyre zgjedhjeve prononcimet e misionit do të jenë të shpeshta por nuk do synohet të komentohet çdo deklaratë e politikanëve. “Më lejoni t’ju kujtoj se janë zgjedhje vendore. Dhe gjatë këtyre zgjedhjeve do ketë deklarata të shumta. Puna jonë është transparente. Dua të jem gjithnjë e hapur me median por mos prisnin që unë të bëj koment për çdo gjë që do të ndodhë”, – tha ajo. Më tej kryesuesja e misionit të ODIHR-it pohoi se erdhën në Shqipëri me ftesë te qeverise për të vëzhguar zgjedhjet para, gjatë dhe pas zgjedhjeve sipas standardeve. “Të mos harrojmë se zgjedhjet nuk janë ato që ndodh një ditë por ajo që ndodh para e pas është aq e rëndësishme sa ndodh atë ditë. Ne kemi ardhur këtu në Shqipëri pa ide të krijuara më parë apo me axhendë të paracaktuar. Ne kemi ardhur këtu që të vëzhgojmë zgjedhjet në përputhje me metodologjinë e zgjedhjeve që është e përcaktuar në zyrën e OSBE-ODIHR. Ne do të vlerësojmë zgjedhjet në përputhje me angazhimet zgjedhore të OSBE-së. Pra, përveç këtyre angazhimeve ne do monitorojmë dhe do vëzhgojmë edhe standarde të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe do të shikojmë edhe legjislacionin vendas. Ne do lejojmë që faktet të flasin me zërin e tyre. Misioni ynë do të ndjekë të gjithë procesin zgjedhor”, – u shpreh Glover ku shtoi se misioni do publikojë një raport para zgjedhjeve dhe ditën pas zgjedhjeve. Duke prekur edhe çështjen e dekriminalizimit, kryesuesja e misionit të vazhduesve të OSBE-së theksoi se do bëhet vlerësimi i listës së kandidatëve. “Lista e kandidatëve është e rëndësishme do bëjmë vlerësimin tonë dhe do i bëjmë publike në raportet që do bëjmë publike”. Ambasadorja Glover ka drejtuar edhe misionin e vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet politike të 2009, ku në atë kohë qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha e kundërshtoi praninë e saj, për shkak se ajo kishte drejtuar ODIHR-in në periudhën kur u zhvilluan dhe zgjedhjet problematike të 1996-ës. Mazhoranca e kaluar nuk e priti në asnjë takim ambasadoren e cila mbërriti në Shqipëri në maj të 2009, madje zyrtarisht, përmes dhe Komisionit Qendror te Zgjedhjeve, kërkoi largimin e saj. Kjo kërkesë u refuzua nga KQZ, pasi rrezikonte të hapte një precedent të paregjistruar më parë.

 

Ku do të përqendrohet OSBE/ODIHR

– Zbatimin e legjislacionit të ri

– Përfaqësimin e kandidateve femra

– Procedurat gjatë ditës së zgjedhjeve, sidomos ato që kanë të bëjnë me numërimin dhe nxjerrjen e rezultateve

– Fushatën zgjedhore

– Ndonjë presion të mundshëm ndaj zgjedhësve apo vjedhjen e votave;

– Mbulimi apo pasqyrimi i zgjedhjeve në media

– Zgjidhja e mosmarrëveshjeve zgjedhore nga administrata zgjedhore dhe nga gjykatat

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here