Në Durrës/ Basha: Vota për PD-në heq nga frigoriferi ngrirjen e pensioneve dhe rrogave

0
131

Gëzim Saliu

basha durresdKreu i PD-së: Punësimi i qytetarëve nuk është prioritet i qeverisë së Ramës dhe Metës, por prioritet i opozitës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje nga Durrësi se mazhoranca e majtë nuk mbajti asnjë premtim, por hodhi poshtë në Parlament çdo amendament të propozuar nga PD-ja për hapjen e vendeve të reja të punës, uljen e taksave dhe të çmimeve. Në takimet me banorët e Kënetës, Katundit të Ri dhe Sukthit, kryedemokrati pohoi se alternativa e së majtës nuk përbën drejtimin e duhur për shqiptarët. Sipas tij, Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta kanë dëshmuar në këta dy vjet se prioriteti i tyre nuk janë qytetarët, nuk është punësimi dhe mirëqenie e tyre. “Opozita paraqiti amendamentet për uljen e taksave për biznesin që punëson të rinj, e votuan kundër, siç votuan kundër amendamentin tonë para tre muajsh për uljen e çmimit të energjisë, siç votuan kundër amendamentin tonë për uljen e çmimit të naftës. Ky nuk është drejtimi i duhur për Shqipërinë, ky nuk është drejtimi i duhur për njerëzit, ky është drejtimi i duhur vetëm për një grusht njerëzish që kanë vendosur të pasurohen në kurrizin e shqiptarëve, në kurrizin e më të varfërve, në kurrizin e taksapaguesve, në kurrizin tuaj”, -theksoi Basha.

 

Takimi

Në takimin në Durrës, Basha shpalosi edhe ofertën e Partisë Demokratike e cila do t’u sigurojë sipas tij qytetarëve mirëqenie, punë dhe dinjitet, duke nisur me uljen e çmimit të energjisë dhe taksat, duke nisur me taksën e qarkullimit. “Punësimi juaj nuk është prioritet i qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës, punësimi është prioriteti im dhe i PD. Platforma e demokratëve është së pari ulja e taksave për t’u mundësuar bizneseve të hapin më shumë vende pune dhe vende pune me paga më të mira. Së dyti, falja e kamatë-vonesave anembanë vendit dhe ulja me 25% e çmimit të energjisë elektrike”, – pohoi kreu i demokratëve. Më tej në fjalën e tij, lideri i opozitës tha se prej dy vitesh qeveria ka ngrirë pagat dhe pensionet e ndërsa çmimet dhe taksat janë rritur janë rritur, “Duke votuar për PD-në, ju do të votoni alternativën tonë të heqjes nga frigoriferi i ngrirjes të pensioneve e rrogave, rritjes së rrogave e pensioneve dhe rikthimin në listën e asistencës ekonomike të gjithë familjeve që janë hequr në mënyrë të padrejtë nga kjo listë, duke i privuar nga buka e gojës”, – deklaroi Basha.

 

Në Laprakë/ Kosova: Tirana do të ketë spitalin e saj bashkiak

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, u takua dje me banorë të Laprakës, ku dëgjoi shqetësimet e tyre dhe ndau me ta idetë për drejtimin e qytetit. Në këtë kontekst, Kosova u bëri të ditur qytetarëve idenë e tij për ngritjen e një spitali bashkiak. “Ideja ime është që në ndihmë të qytetarëve të Tiranës, Bashkia e ardhshme e Tiranës të ketë spitalin e saj bashkiak që me menaxhimin dhe me syrin e vëmendjen time do të krijojë një model, ashtu sikurse edhe në detyrat e mia të mëparshme, që jo vetëm do ndihmojë të gjithë shtresat në nevojë dhe jo në nevojë që ka Tirana, për një shërbim që ata meritojnë, por do t’i bëjmë edhe një konkurrencë dinjitoze sistemit shëndetësor të propozuar nga qeveria dhe t’i themi që ky vend ka mundësi të ofrojë shembuj pozitiv dhe merreni kopjojeni dhe çojeni në çdo qytet në mënyrë që këtë shërbim shëndetësor që Tirana nesër do të ketë pse mos e kenë të gjithë qytetarët kudo që banojnë”, – u shpreh ai. Ndërkaq, duke u ndalur tek përvoja e tij menaxheriale, Kosova tha se do të garantojë transparencë. “Mu në mes të Tiranës do vendos një tabelë të madhe, ku në mënyrë transparente, çdo qytetar të shohë se ku ikin lekët e taksave, si shpërndahen ato, kush paguan e kush jo. Vetëm atëherë lekët do vijnë t’ju kthehen juve në të mira për ju, për familjen dhe për gjithë qytetin”, – theksoi kandidati i opozitës. Nga ana tjetër një qytetar kërkoi në këtë takim kujdes me administratën duke theksuar: “Partia Demokratike për tetë vjet ka punuar vepra të mëdha si Rruga e Kombit, Tuneli i Elbasanit, Boshti i Jugut në përfundim, me mijëra kilometra rrugë. Çfarë e dëmtoi Partinë Demokratike? E dëmtoi administrata, nuk qe në shërbimin e duhur të popullit. Duhet t’i kërkosh hesap administratës sepse administrata e bën punën dhe ne e duam në punë administratën”. Duke bërë një koment për kundërshtarët, Kosova tha se ata kanë filluar të shumëfishojnë zyrat si asnjëherë më parë. “Kujtojnë se sa më shumë flamuj dhe sa më shumë parulla të ketë aq më e afërt është fitorja. Kurse unë them aq më i madh është abuzimi që ata kanë bërë. Kurrë nuk mund të jenë në avantazh ata që për dy vjet kanë bërë atë dëm qytetarëve të Tiranës që kurrë ndonjëherë nuk e kam parë për 23, 24 vjet demokraci”, – përfundoi kandidati i PD-së për bashkinë e kryeqytetit.

 

Ish-të përndjekurit: Veliaj na mashtroi, s’ka asnjë votë nga ish-të burgosurit politikë

Një përfaqësi e ish-të përndjekurve politikë akuzoi dje kandidatin e së majtës për Bashkinë e Tiranës se ka mashtruar në lidhje me dhënien e dëmshpërblimeve. “Sot premton Erion Veliaj premton vëmendjen ndaj shtresave në nevojë. Ishte po ky Erion që në vitin 2013 premtoi dëmshpërblim që në vitin e parë të qeverisjes për të gjithë ish-të burgosurat gra mbi 70 vjeç dhe ish-të burgosur burra mbi 75 vjeç. Dëmshpërblim brenda 2 viteve në vijim të ish-të burgosurve që janë në jetë. Pra, premtoi se të gjithë ata që janë gjallë do të dëmshpërbleheshin brenda 2 viteve. Tha, do t’jua jap me euro. Do jua shtoj, do t’jua bëj me 20 euro në ditë. Jo vetëm që nuk e bëri 20 euro në ditë, por i përjashtoi trashëgimtarët, fëmijët e të pushkatuarve, fëmijët e ish-të burgosurve, nipërit dhe mbesat, motrat dhe vëllezërit. Ky premtim doli mashtrim. Erioni dhe ministria e tij ishin përgjegjës për të realizuar këtë premtim. Përse nuk janë dëmshpërblyer ish-të burgosurit sipas premtimit. Kush ja ka fajin Erionit për këtë mashtrim?”, – tha përfaqësuesi Hoxha. Më tej ai theksoi se Veliaj po premton vetëm për të marrë pushtetin dhe nuk e ka problem të mashtrojë sërish për të marrë pushtetin. “Por votuesit e Tiranës nuk do të mashtrohen përsëri nga ky zymbyl i Sulltani të Madhërishëm që di vetëm të shesë fiq e asgjë tjetër. Një ministër që nuk ka asgjë në CV-në e tij kontribut për Shqipërinë, sot kërkon të marrë bashkinë e Tiranës. Ta dijë mirë që asnjë votë nga ish-të burgosurit, trashëgimtarët e tyre Erion Veliaj ta harrojë. Sot është fat për Tiranën që është bërë një zgjidhje e shkëlqyer me dr. Halim Kosovën si kandidat për bashkinë e Tiranës. Ta harrojnë se të përndjekurit politikë, trashëgimtarët e tyre hedhin votë për këtë qeverisje mashtruese që di vetëm të përdorë burg dhe e ka kthyer në një shtet policor të cilën e vuajtëm për 50 vjet me radhë”, – përfundoi deklarata.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here