“Bombat” në Maqedoni/ Shkup, Jankullovska: Duhet t’i pastrojmë hesapet njëherë e mirë me shqiptarët

0
129

 

Gordana JanklullovskaIsh-ministrja e Brendshme, që dha dorëheqjen 3 ditë më parë, Gordana Janklullovska, është e bindur se për një orë mund t’i pastrojë shqiptarët nga Maqedonia

Lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, ka publikuar bombën e 32-të të tij, me dëshmi të shumta që, sipas atij, nxjerrin në shesh fytyrën e vërtetë të pushtetit aktual, i cili paraqitet si nxitësi kryesor i tensioneve ndëretnike në vend. Gjatë konferencës për medien, janë publikuar biseda të shumta mes zyrtarëve të lartë, të cilët shprehin mosurimin e tyre në veçanti ndaj shqiptarëve. Si protagonistë e fyerjeve të rënda sërish paraqiten, Gordana Jankullovska, Sasho Mijallkov, Ivo Kotevski e të tjerë përfshirë edhe Kryeministrin Gruevski.

 

Deklaratat e Jankullovkës

Pas shtatë vitesh koalicion me BDI-në, VMRO-DPMNE ndihet aq i fortë, saqë ish-ministrja e Brendshme, që u dorëheqjen 3 ditë më parë, Gordana Janklullovska, është e bindur se për një orë mund t’i pastrojë shqiptarët. Kjo mund të konstatohet nga bisedat e publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit Jankullovska bisedon me Mijallkovin, Protugjerin dhe bashkëshortin e vet, Ilievski, se si të pastrojë hesape me shqiptarët. “Nëse duhet të tregojmë se kush është më i fortë, për një orë mund t’i pastrojë shiptarishtat”, – dëgjohet zëri i Jankullovskës, duke biseduar me Protygjerin. “Po merrem me këta “shiptarishtat”. Shiptarishtat po më nervozojnë shumë. Si munden të jenë aq budallenj”, – thotë Jankullovska, duke folur me bashkëshortin e saj, Vllatko Ilievski. “Nuk ka bashkëjetesë me ata. Duhet të pastrojmë hesapet njëherë e përgjithmonë. Nevojitet strategji. Unë e di si ju bëhet me ta, por na mungon konsensusi nacional”, – thotë zëri i Mijalkovit. “Edhe unë jam për atë zgjidhje”, – thotë Jankullovska.

 

Plane për vrasje gazetarësh

Zaev ka publikuar të dhëna edhe për vrasjen e dy shqiptarëve në Gostivar nga një polic maqedonas. Jankullovska dhe Kotevski flasin për plane për ta bërë dramë të vërtetë rastin në fjalë. Jankullovska sërish ofendon shqiptarët, ndërsa Kotevski rrëfen se si maqedonasit dëshirojnë që të gjithë shqiptarët të kenë fatin e njëjtë. Në disa biseda tjera janë publikuar edhe biseda për plane dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe të gjitha atyre që nuk mendojnë njësoj si pushteti. Plane për likuidime në veçanti janë bërë ndaj gazetarit Bozhinovski ndërsa në një bisedë tjetër, Protuger thotë se ai personalisht do ta vrasë gazetarin Llatas. Kreu i LSDM-së tha gjatë ditës së djeshme se dëshmitë e prezantuara flasin qarë për kriminalitetin e pushtetit aktual i cili duhet të ikë sa më parë. Zaev foli edhe për protestën e së dielës duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.

 

New York Times: Maqedonia rrezikon të ndahet, po nuk iku Gruevski

Gazeta më e famshme në botë, “New York Times”, ka raportuar se Maqedonia mund ta pësojë rëndë nga superskandali i përgjimeve. E më keq se kaq, ky vend ka gjasë të vuajë deri në ndarje, edhe për shkak të telasheve etnike, që ridolën në pah një javë më parë në Kumanovë. “NYT”, shkruan se Maqedonia, një vend në Ballkan sa Vermonti në Amerikë, me vetëm 2 milionë banorë, shfaq tendenca shumë të theksuara nacionaliste, pavarësisht që ka një histori si shtet me vetëm 24 vjet. Gazeta shkruan se vendi që dikur shihej si një republikë me shpresa të mëdha për zhvillim, gjatë kohës komuniste në Jugosllavi ka kaluar dekadën e fundit, në një shtet autoritar nën udhëheqjen e vetëm një partie. VMRO-ja, siç raporton e përditshmja amerikane, i ka shtypur të drejtat e njeriut (sidomos të shqiptarëve) u ka zënë frymën medieve, ka mobilizuar forcat e sigurisë, ka keqpërdorur me sistemin e drejtësisë dhe ka arritur që ta largojë edhe opozitën nga Kuvendi. “NYT” në njëfarë forme, fajin për këtë situatë ia lë kryeministrit Nikola Gruevski, për të cilin thotë se “në një vlug të shpërthimit të energjisë me përmbajtje nacionaliste, është fokusuar në një program të infrastrukturës që duket si i pafund, e që tani po shkon drejt përfundimit”. E ky program, sipas raportit, mund të shihet me statujat e stilit neoklasik, të vendosura përgjatë lumit Vardar në Shkup, që janë bërë për të krijuar idenë e një kombi të veçantë maqedonas, duke injoruar praninë e shqiptarëve, si një popullatë e numër në vend. Shpëtimi për këtë shtet, sipas gazetës, që citon analistë dhe politikanë nga Shkupi, është në dorëheqjen e Gruevskit dhe atë me vullnetin e tij, pa pasur nevojë për protesta të dhunshme.

 

Gazetari “gozhdon” Nikolla Gruevskin

 Edhe pas publikimit të “bombave” të shumta të Zaevit, ju vazhdoni të qëndroni në krye të qeverisë! E kuptoni ju domethënien e fjalëve turp, dinjitet e moral? Një politikan normal, në një shtet normal, as që guxon t’i paramendojë e jo më t’i bëjë ato që keni bërë ju”. Ka qenë kjo pyetja që i ka shtruar një gazetar maqedonas gjatë ditës së sotme Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. I hutuar nga pyetja e papritur dhe i gjendur pa asnjë fjalë konkrete, Gruevski i është përgjigjur duke thënë se, populli është ai që vendos se kush do ta drejtojë shtetin e kush do të jetë në opozitë.

 

Policia, kontrolle në disa rajone të Kosovës

 Policia e Kosovës ka ndërmarrë gjatë ditës së djeshme një aksion të gjerë në të gjithë Kosovën lidhur me rastin e pjesëmarrësve nga Kosova në konfliktin e Kumanovës. Faktin që po zhvillohet një aksion i policisë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi Baki Kelani, po e saktësuar se për çfarë bëhet fjalë. Duke folur për “KosovaPress”, Kelani ka thënë se aksioni policor është duke u realizuar në disa rajone të Kosovës. “Policia e Kosovës e konfirmon realizimin e një operacioni policorë i cili është realizuar në disa rajone të Kosovës”, – tha shkurt Kelani duke treguar se më vonë policia do të dalë me komunikatë për media.

 

Forca të shtuara policie në Kumanovë, sërish tension në qytet

Rruga kryesore ku janë të vendosura shumë institucione, shtetërore dhe komunale në Kumanovë, prej mbrëmjes së dy ditëve më parë është e bllokuar për lëvizjen e mjeteve. Në këtë pjesë të qytetit, dukshëm është rritur prania e forcave policore. Qytetarët thonë se nuk e kanë idenë se për çfarë arsye policia ka dalë në rrugë, edhe pse shprehen të shqetësuar për gjithë situatën. “Jo jo nuk ka pasur të shtëna armësh vetëm se ne menduam se mos i kanë sjellë të paraburgosurit e lagjes së Trimave në Gjykatë, por jo nuk është e vërtet nuk ka asgjë. Besojë se ka pasur ndonjë lajmërim për ndonjë sulm ndaj stacionit dhe dihet se për frikë ilaç nuk ka, kur ta shohësh bllokuan rrugën, i ruajnë institucionet”. “Asnjë problem nuk ka këtu, po shoh polici këtu por për çfarë arsye janë këtu, askush nuk e din! T’i pyesësh, edhe ata nuk e din pse janë këtu, po ta them të vërtetën. Shihni, njerëzit lëvizin, dalin në treg, bëjnë muhabet, tani për tani nuk ka asgjë”. “Nuk e di pse e kanë bllokuar rrugën qysh mbrëmë prej orës 23, edhe ashtu isha në punë dhe vetëm kur e pash se rrugët ishin të bllokuara. Tërë natën kam qenë në punë, kështu ka qenë situata nuk ka pasur asgjë d.m.th populli bëri panik nëpër internet duke lexuar”. “Nuk jam i sigurt se çfarë po ndodhë këtu, por besojë se nuk është një gjë e tillë dhe aspak naive”. “U është futur frika këtyre dhe siç thonë në popull frika i ruan vreshtat! Pak diçka, një mizë të lëvizë këta mendojnë se ka diçka. Ja ku jetojë unë, këtu afër shkollës, asgjë nuk ka këtu”. Kryetari i Komunës së Kumanovës Zoran Damjanovski apelon që Ministrinë e Brendshme që sa më shpejtë të dal me një komunikatë zyrtare për atë se çfarë ka ndodhi në Kumanovë dy ditët e fundit që mos të hapen fjalë, dilema dhe spekulime për praninë e policisë dhe bllokimin e rrugëve. Ndërkohë zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski nuk deshi të prononcohet para kamerës por përmes linjës telefonike tha se është normale që policia të mbrojë dhe sigurojë institucionet shtetërore që gjenden në këtë rrugë në Kumanovë pasi sipas tij atje vetëm para disa ditëve kishte përplasje mes forcave të rendit dhe një grupi të armatosur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here