Kontrolli i pasurisë/ “Tom Doshi ka fshehur 23 milion euro”,  ILDKP-ja e padit penalisht në Prokurori

0
40

 

 Artan Cena

 Tom DoshiILDKPI-ja ka dorëzuar një ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin Tom Doshi, i cili akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë

 Deputetit Tom Doshi duket se nuk i po i ndahen problemet me Prokurorinë. Pasi u akuzua për kallëzim të rremë, tani është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, që e ka kallëzuar penalisht deputetin e Shkodrës Doshin për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Me anë të një njoftimi për median, ILDKP ka bërë të ditur se ka kontrolluar e deklarata e Doshit nga 20005- deri në 2014-ën, të cilat kanë rezultuar me fshehje dhe deklarime të rreme të pasurive në shumën rreth 14 milion euro, kontrata fiktive, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare. Sipas Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Doshi dyshohet edhe për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9 milion euro.

 

Kontrolli i ILDKP-së

ILDKPI ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal për deputetin Tom Doshi, i cili akuzohet për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Bëhet fjalë për një shumë, që sipas Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, shkon deri në 23 milionë euro. Shkeljet, sipas ILDKP-së, janë kryer nga viti 2005 deri në vitin 2014. ILDKPKI ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara duke insistuar që hetimet të shtrihen më tej për të parë nëse ka ndonjë shkelje tjetër. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, i ndryshuar, përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Tom Doshi, me funksion Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për periudhën kohore 2005 – 2014, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, për pasuritë në shumën rreth 14.000.000 euro, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9.000.000 euro.

 

Akuza ndaj ish-drejtuesve

ILDKPI ka qenë ndër vite në dijeni të këtyre shumave, por asnjëherë nuk i ka bërë publike. “ILDKPKI bën me dije se deputeti Tom Doshi është kontrolluar nga viti 2005 deri më 2013-n disa herë, por, edhe pse në kontrollet e kaluara inspektorët e çështjes kanë evidentuar shkelje të ligjeve dhe konflikte interesi dhe kanë propozuar zgjidhjet sipas ligjit, drejtuesit e ILDKPKI-së i kanë mbajtur ato të fshehura, pa i dërguar dosjet në Prokurori, ashtu siç përcaktohet në ligjet bazë”, vijon njoftimi. Inspektorati i deklarimit të pasurive që ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë e Përgjithshme për disa vepra penale ndaj deputetit Tom Doshi, insiston se hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale.

 

Deputeti Doshi kërkon heqjen e masës “Detyrim paraqitjeje”

Deputeti Tom Doshi i ka dorëzuar dje Gjykatës së Lartë një kërkesë për të hequr masën “Detyrim paraqitjeje”. Dy avokatët e tij mbrojtës, Vladimir Meçi e Ferid Muçaj shprehen se akuza e Prokurorisë nuk qëndron. Gjykata e Lartë pritet që të shqyrtojë kërkesën e deputetit Doshi ditën e hënë. Në seancën e kaluar Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për deputetin Tom Doshi nga “Arrest shtëpie” në “Detyrim paraqitjeje”. Sipas vendimit të ri, deputeti Doshi duhet të paraqitet çdo të hënë në orën 10:00 në gjykatë. Gjykata shqyrtoi kërkesën e avokatëve të deputetit për të ndryshuar masën nga “Arrest shtëpie” në procedim në gjendje të lirë. Deputeti Doshi ndodhej në “Arrest shtëpie” pasi akuzohet se ka sajuar një skenar për vrasjen e tij dhe të deputetit të PD-së Mhill Fufi. Ai u akuzua për “Kanosje për deklarime e dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, “Kallëzimit të rremë” dhe për “Deklarata të rreme përpara prokurorit”.

 

Kompozitorit të njohur italian i bllokohen 1.2 mln euro në Tiranë

Gjykata e Tiranës sekuestroi 1.2 milionë euro të kompozitorit dhe pianistit të njohur italian Massimo Polumbo. Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, tri llogaritë bankare të hapura në Shqipëri nga pianisti i njohur janë vënë nën sekuestro, pasi dyshohet se kanë burim një aktivitet të paligjshëm. Sekuestrimi i kësaj shume erdhi pasi Prokuroria nisi hetimet për “Pastrim parash” për italianin Polumbo. Ky i fundit, sipas vendimit të gjykatës me numër 668, ka ardhur në Shqipëri ka hapur tri llogari ku i janë transferuar nga 500 mijë euro secila. Më pas vetëm 300 mijë euro ka tërhequr dhe shuma tjetër ndodhet në llogari bankare, të cilat janë sekuestruar. Hetimi mësohet se kishte nisur disa muaj më parë pas dyshimeve për pastrim parash. Nga burime është mësuar se pas sekuestrimit të parave, ka nisur hetime në lidhje me burimin e parave që janë sjellë në Shqipëri nga kompozitori italian.

 

Lihet në qeli Ismailaj, vodhi 5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje

 Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën e avokatit mbrojtës të Kastriot Ismailajt, që të lirohet nga qelia dhe të hetohet nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Në seancën e ditës së djeshme, gjykata e kryeqytetit tha se Ismailaj, duhet të qëndroi në qeli deri në përfundim të hetime, pasi ndaj tij rëndon akuza e “Pastrimit të parave” dhe “Mashtrimit në shuma të mëdha” që kapin vlerën e më shumë se 10 milionë eurove. Ismailaj para gjykatës, tha se arrestimi i tij është bërë për politikë për shkak se ka paditur pranë Gjykatës së Arbitrazhit, ish-CEZ Shpërndarjen tashmë OSHEE-n, duke i kërkuar 130 milionë euro. Nga ana tjetër, prokuroria tha se i dyshuari ka përvetësuar më shumë se 5 milionë euro nga CEZ Shpërndarja me anë të mashtrimit dhe ka pastruar për llogari të kompanive të ndryshme shumën prej rreth 10 milionë euro. Ish-administrator i borxheve të kompanisë CEZ, i vënë nën akuzë për pastrim parash në vlerën e miliona eurove, është prangosur në banesën e tij katër ditë më partë nga Policia e Tiranës. Kastriot Ismailaj është ndaluar pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës e cila ka bërë të ditur edhe lajmin. Sipas prokurorisë, arrestimi i Ismailajt është bërë me vendim gjykate, e cila në mungesë ka vendosur arrest me burg pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës. Nga ana e saj organi i akuzës prej 1 viti heton Ismailaj për fshehje pasurie, pastrim parash dhe fshehje të ardhurash në vlerën e 5 milionë eurove.

 

Tjetër zyrtar i lojërave të fatit bie në prangat e policisë

 Një tjetër zyrtar i njësisë së lojërave të fatit është vënë në pranga nga uniformat blu. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se dy ditë më parë, është ndaluar Kledian Merxhani, 33 vjeç, banues në Tiranë. I arrestuari është me detyrë përgjegjës grupi në Njësinë e Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit Tiranë. Prangosja e tij është bërë në bazë të vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest ne burg”, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim. I arrestuari mësohet se është pjesë e hetimit që përfundoi me arrestimet e zhvilluara nga policia në muajin prill, ku në pranga ranë disa punonjës të njësisë së Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit dhe të Drejtorisë së Tatimeve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here