Kualifikimi/ Ja programi në të cilin do të testohen mësuesit e arsimit fillor

0
766

testimi i mesuesveTë gjithë mësuesit e arsimit fillor do të japin provimin e kualifikimit. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, mësuesit do të testohen në bazë të programeve të zhvillimit profesional. “Mësuesit që plotësojnë kriteret, kanë të drejtë të aplikojnë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse kanë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 kredite. Punonjësit arsimorë, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende. Nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim ose nuk kualifikohet ka të drejtë të marrë pjesë në vitin pasardhës”, – thuhet në udhëzimin e MAS.

 

 Programi i zhvillimit profesional për efekt marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor 2015 

  1. HYRJE

 

Programi i zhvillimit profesional për marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve të ciklit fillor u vjen në ndihmë të gjitha drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave të arsimit të rretheve si dhe të gjithë mësuesve të ciklit fillor për t’u përgatitur për testimin kombëtar (për marrjen e shkallëve të kualifikimit).

Programi është zhvilluar duke iu përgjigjur kërkesave që MAS-i ka vendosur për mësuesit që kualifikohen. Programi është hartuar duke mbajtur parasysh fushat kryesore në të cilat testohen njohuritë dhe aftësitë e mësuesve, të tilla si:

  • dokumentet zyrtare[1] të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësimdhënies/nxënies në shkollë;
  • programet lëndore nga klasa I-V;
  • aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë në mësimdhënien/nxënien e ciklit fillor;
  • aspekte të etikës dhe komunikimit;
  • aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe;
  • përmbajtjen shkencore të lëndëve të ciklit fillor nga klasa I-V.

 

  1. QËLLIMI I PROGRAMIT

Programi i zhvillimit profesional për marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve të arsimit fillor është hartuar për të mbështetur dhe nxitur zhvillimin e tyre profesional. Programi është hartuar duke mbajtur parasysh përmbushjen e dy qëllimeve kryesore:

  • Së pari, ofrohet si një program orientues për drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat e arsimit si dhe për të gjithë mësuesit e ciklit fillor të arsimit parauniversitar për të realizuar veprimtaritë kualifikuese dhe trajnuese në bazë rrethi. Në këtë aspekt, programi mund të plotësohet nga DAR/ZA-të përkatëse sipas kushteve dhe mundësive konkrete.
  • Së dyti, ai është një program i detyruar veçanërisht për mësuesit që këtë vit do të marrin kategorinë përkatëse të kualifikimit, në mënyrë që ata të përgatiten për të përballuar me sukses kërkesat që ka testimi kombëtar.

Programi synon:

  • rritjen e përgjegjshmërisë së mësuesve për njohjen dhe zbatimin e legjislacionit arsimor e, në mënyrë të veçantë, të risive më të fundit të reformës arsimore;
  • rritjen e aftësive dhe të kompetencave profesionale të mësuesve, për të ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efektivitetit të procesit mësimor, drejt një mësimdhënieje të suksesshme;
  • rritjen e përgjegjshmërisë së mësuesve për domosdoshmërinë e njohjes së koncepteve bazë, të ligjësive shkencore si dhe të zbatimit të tyre në praktikë, në përputhje me specifikat e moshës së nxënësve dhe të klasës ku japin mësim;
  • rritjen e përgjegjshmërisë së mësuesve për njohjen dhe zbatimin e rregullave të etikës dhe komunikimit në punën e tyre në shkollë;
  • rritjen e aftësive të mësuesve në drejtim të zbatimit me saktësi të rregullave drejtshkrimore të shqipes.

 

  1. PËRMBAJTJA E PROGRAMIT

Programi i zhvillimit profesional për efekt marrjen e shkallëve të kualifikimit të mësuesve të ciklit fillor është strukturuar sipas fushave kryesore të zhvillimit profesional, të përmendura më sipër, për të cilat testohen mësuesit. Për secilën fushë janë renditur njohuritë dhe aftësitë bazë që duhet të zotërojë mësuesi i ciklit fillor që të përmbushë me sukses rubrikat e testimit.

Programi është ndërtuar duke pasur si pikënisje standardet bazë të përgjithshme të mësuesit. Përshkallëzimi i kompetencave profesionale që lidhen me secilën fushë të testimit do ta ndihmojnë mësuesin që të identifikojë nevojat e tij si dhe çështjet në të cilat duhet të thellohet më shumë në të ardhmen.

Për të qenë lehtësisht i përdorshëm, programi është paraqitur sipas një formati të caktuar. Sipas këtij formati, për secilën fushë prezantohen kompetencat që mësuesit duhet të zotërojnë në fushën e njohurive dhe aftësive si dhe literatura përkatëse rekomanduese që u vjen në ndihmë për zotërimin e këtyre kompetencave.

 

FUSHA: DOKUMENTACIONI ZYRTAR
Kompetenca

Zbatimi me përgjegjshmëri i kërkesave të dokumentacionit shkollor, të përcaktuara në Ligjin për sistemin arsimor parauniversitar, në Dispozitat normative dhe në Udhëzimet e nxjerra nga MAS-i.

Literatura e rekomanduar

 

Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·         zotëron ligjin për sistemin arsimor parauniversitar dhe dispozitat normative të këtij sistemi;

·         zbaton legjislacionin, udhëzimet dhe rregulloret për hartimin dhe zbatimin e kurrikulës shkollore;

·         zbaton legjislacionin, udhëzimet dhe rregulloret për personelin e shkollës;

·         demonstron zbatimin konkret të udhëzimeve të MAS-it në funksion të përmirësimit të procesit të mësimdhënies/nxënies;

·         zbaton etikën profesionale të mësuesit;

·         respekton të drejtat dhe liritë e nxënësit;

·         respekton detyrat, të drejtat dhe liritë e mësuesit;

·         zbaton rregulloret dhe udhëzimet për zhvillimin profesional të mësuesit.

·         Ligji nr. 69/2012 “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”.

·         Urdhri “Për miratimin e Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar” (DN), nr 343, datë 19.08.2013.

·         Udhëzim nr. 23, dt. 08.08.2014 “Për vitin shkollor 2014-2015 në sistemin arsimor parauniversitar”.

·         Udhëzimi nr. 44, datë 16.10.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 21 datë 23.07.2010 Për normat e punës mësimore – edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.

·         Udhëzimi nr.1 datë 12.01.2015 “Për zhvillimin e provimeve të maturës shtetërore 2015”.

·         Udhëzim nr. 5 datë 25.02.2013 “Për standardet e mësuesit”.

·         Udhëzimi nr. 26 datë 15.08.2015 “Zhvillimin Profesional të Punonjësve Arsimorë”.

·         Udhëzimi nr. 2 datë 12.02.2015 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”.

·         Karta e performancës së shkollës.

·         Standardet e shkollës si qendër komunitare.

FUSHA: PROGRAMET LËNDORE
Kompetenca

Zbatimi në mënyrë efektive i programeve lëndore të ciklit fillor

Literatura e rekomanduar

 

Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·         mirinformohet për të rejat e reformës kurrikulare, pjesë e të cilës është edhe arsimi fillor;

·         zbaton parimet, synimet, objektivat e përgjithshëm dhe specifikë;

·         planifikon projekte kurrikulare dhe module mësimore për orët e lira, por jo vetëm;

·         shpjegon lidhjen program-tekst dhe plan mësimor vjetor;

·         përzgjedh mjetet mësimore të nevojshme për të realizuar përmbushjen e objektivave të programeve lëndore përgjatë zbatimit të planit mësimor vjetor individual;

·         siguron informacion të saktë për të realizuar integrimin ndërlëndor duke shfrytëzuar edhe mjete digjitale.

·         harton teste sipas kritereve të caktuara për zhvillimin dhe konsolidimin e njohurive;

·         vëzhgon dhe vlerëson me përshkrim ecurinë dhe përparimin e nxënësit duke përdorur instrumente të ndryshme;

·         dokumenton detyra e punime të nxënësve që dëshmojnë përparimin dhe interesin e tyre për shkollën dhe komunitetin përreth.

·     Korniza kurrikulare 2014;

·      Programet aktuale lëndore për klasat I-V;

·      Botime dhe materiale ndihmëse në drejtim të hartimit, planifikimit dhe zbatimit të kurrikulës.

 

FUSHA: ASPEKTE TË PEDAGOGJISË DHE METODOLOGJISË NË MËSIMDHËNIE-NXËNIE
Kompetencat

–          Zotërimi i koncepteve bashkëkohore të edukimit, mësimdhënies dhe të të nxënit për grupmoshën 6-11 vjeç

–          Përdorimi i metodave ndërvepruese dhe i formave të ndryshme të punës me nxënësit e kësaj moshe;

–          Realizimi i integrimit ndërlëndor;

–          Përdorimi i instrumenteve të ndryshme të vëzhgimit dhe vlerësimit të nxënësve

Literatura e rekomanduar
Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·         është njohës i mirë i aspekteve didaktike dhe pedagogjike të mësimdhënies, i stileve të të nxënit dhe i psikologjisë moshore të nxënësve me të cilët punon;

·         shfrytëzon literaturën bashkëkohore për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe të të nxënit;

·         analizon elementet që i bashkojnë dhe i dallojnë tipet e mësimdhënies me njëra-tjetrën;

·         menaxhon situata, sjellje dhe veprime të ndryshme nxënësish;

·         zotëron aftësitë dhe kompetencat profesionale që i duhen mësuesit të ciklit fillor;

·         motivon nxënësit në forma e mënyra efektive;

·         zbaton metodat ndërvepruese të mësimdhënies në përshtatje me lëndën, temën e mësimit dhe me moshën e nxënësve;

·         planifikon veprimtari që nxisin të menduarit kritik e krijues dhe problemzgjidhës të nxënësve;

·         zhvillon mësimdhënie të diferencuar;

·         dallon vështirësinë në të nxënë nga aftësia e kufizuar;

·         harton plane edukative individuale – PEI-n;

·         krijon klimë të përshtatshme, motivuese dhe të kënaqshme për nxënësit;

·         planifikon orë mësimore duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin;

·         përdor metoda e teknika që nxisin zhvillimin e të menduarit kritik të nxënësve;

·         përdor metoda e teknika që sigurojnë barazinë dhe gjithpërfshirjen;

·         prezanton materiale didaktike duke përdorur programet më të njohura kompjuterike;

·         përdor mënyra e strategji të ndryshme të dokumentimit, vëzhgimit dhe vlerësimit të nxënësve;

·         punon me prindërit për përmirësimin e përparimit të nxënësit.

·         Literaturë që ka në fokus metodat e mësimdhënies ndërvepruese, planifikimin e punës me fëmijët me aftësi të kufizuar, hartimin e planit edukativ individual, disiplinimin e sjelljes së nxënësve në klasë etj.

 

 

 

 

 

 

 

FUSHA: ASPEKTE TË ETIKËS DHE KOMUNIKIMIT
Kompetenca

Zbatimi i rregullave të etikës dhe komunikimit si elemente të domosdoshme në të gjithë punën e mësuesit

Literatura e rekomanduar

 

Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·        njeh rregullat e etikës dhe sjelljes që duhen respektuar në marrëdhënie me drejtuesit e institucionit arsimor, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin;

·        sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.

·         Kodi i etikës së mësuesve në arsimin parauniversitar publik dhe privat, 30.11.2013

·         Literaturë dhe materiale burimore që trajtojnë çështje të etikës dhe të komunikimit.

 

FUSHA: ASPEKTE TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE
Kompetenca

Zbatimi i rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe

Literatura e rekomanduar

 

Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·        njeh rregullat e drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe;

·        demonstron zbatimin e rregullave të drejtshkrimit gjatë veprimtarive në institucionin arsimor.

·         Literaturë dhe udhëzues metodikë për përdorimin e rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
FUSHA: PËRMBAJTJA SHKENCORE E LËNDËVE TË CIKLIT FILLOR
Kompetenca

Respektimi i rigorozitetit shkencor në mësimdhënien e lëndëve të ciklit fillor

Literatura e rekomanduar

 

 

Rezultatet e pritshme

Mësuesi i ciklit fillor:

·         zotëron konceptet shkencore, dukuritë, ligjësitë në nivel shkencor dhe didaktik;

·         transmeton konceptet shkencore, dukuritë, ligjësitë dhe rregullat në përshtatje me moshën dhe të nxënët e nxënësve;

·         zotëron njohuritë, aftësitë dhe shprehitë që fitojnë nxënësit nga klasa I-V për çdo program lëndor;

·         planifikon sipas vështirësive tipike që hasin nxënësit gjatë procesit mësimor;

·         përshtat programet lëndore për nxënësit që paraqesin vështirësi në të nxënë ose që janë me aftësi të kufizuar.

·    Të gjitha programet lëndore që përmban plani mësimor nga klasa I-V;

·    Tekstet shkollore nga klasa I-V;

·    Botime të ndryshme në ndihmë të mësuesve dhe nxënësve.

 

[1] Është fjala për të gjitha dokumentet ligjore, urdhëresat dhe udhëzimet e MAS-it që zbatohen në shkollë, duke u përqendruar në ato të viteve të fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency