Kallëzimi/ Abuzuan me pronat, hetim tre specialistëve të Hipotekës në Sarandë

0
219

Alma Çuka

 prokuroriaNë 9 raste shmangie të detyrimeve financiare prej 6.2 milionë lekësh, në 150 raste për sipërfaqen prej 23 ha ka regjistruar tokë bujqësore më tepër se titulli i pronësisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori tre specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga auditimi i kryer pranë këtij institucioni, u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, mbi bazën e të cilave KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, për tre specialistë të këtij institucioni, A. N., me detyrë ish-juriste; R. P., me detyrë ish-hartograf dhe N. B., me detyrë ish-hartograf, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, për periudhën nga janari 2011 deri më shtator 2014.

 

Shkeljet

Sipas KLSH-së, janë konstatuar shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore lidhur me zbatimin e tyre në pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Kjo ka sjellë aplikimin dhe regjistrimin e 31 pasurive të përfituara me leje legalizimi, në zonën turistike të Ksamilit, brenda brezit turistik. Në këtë zonë ndalohet zhvillimi i ndërtimit dhe nuk lejohet legalizimi i objekteve e blerja e truallit, në 9 raste shmangie të detyrimeve financiare prej 6.2 milionë lekë, në 150 raste për sipërfaqen prej 23 Ha ka regjistruar tokë bujqësore më tepër se titulli i pronësisë. Sipas të dhënave, bëhet e ditur se tre specialistët me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë regjistruar më tepër një sipërfaqe të papërfituar sipas vendimit dhe tjetërsim të padrejtë të sipërfaqes prej 1.25 ha tokë të llojit truall (ka regjistruar sipërfaqen prej 69.2 ha nga 68 ha sipërfaqe e kthyer sipas vendimit), si dhe kur prona e regjistruar krijon pjesërisht mbivendosje me pasuri të regjistruara më parë, për sipërfaqen prej 8 ha. Duke parë të gjitha provat kundër tyre, të nxjerra nga auditi i brendshëm, KLSH me shkresën nr. 673/7, datë 30.1.2015 ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse për ish-specialistët e ZVRPP Sarandë, A. N., ish-Juriste, R. P., ish-hartograf dhe N. B., ish-hartograf, të cilët në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

 Vendimi/ 20 vite burg për 71-vjeçarin, tentoi të përdhunonte të miturën

Gjykata e Tiranës gjeti fajtor dhe dënoi me 20 vite burg të pandehurin Novruz Mejdani për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, në dëm të fëmijës M. Lipe, e kryer me dhunë dhe më shumë se një herë, parashikuar nga neni 100/2 i Kodit Penal. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Novruz Mejdani, sipas vendimit të djeshëm të Gjykatës duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë, provat materiale sipas procesverbalit për sekuestrimin e provës materiale, datë 14.5.2014, t’i kthehen të dëmtuarës M. Lipe, nëpërmjet familjarëve të saj. I pandehuri u vu në pranga në maj të vitit të kaluar pas kallëzimit penal që bënë kundër tij familjarët e vajzës së mitur. Ata kishin konstatuar se i moshuari në mënyrë të vazhdueshme ngacmonte seksualisht vajzën e tyre, duke krijuar probleme, derisa një ditë gjithçka u zbulua. Policia menjëherë vuri në pranga burrin ë moshuar, nën akuzën e tentativës për abuzim seksual. Sipas vendimit të gjykatës i arrestuari është Novruz Mejdani, 71 vjeç, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur. Arrestimi i tij u bë pas denoncimit të vajzës së mitur dhe nënës së saj. Ato janë shprehur si në polici dhe në Gjykatë se Mejdani ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën e saj në moshë të mitur. Mësohet se vogëlushja ka mundur të shpëtojë duke lajmëruar të ëmën për veprimet e të moshuarit. Pas kësaj gruaja bëri denoncimin në polici, duke çuar në arrestimin e tij.

 

Tiranë/ Arrestohet polici, dyshohet për trafik droge, sekuestrohen kokainë dhe heroinë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka arrestuar në flagrancë kryeinspektorin Hamëz Demushi, me detyrë punonjës i patrullës së përgjithshme në komisariatin e policisë nr. 6 në Tiranë. Ky punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme. Në banesën e Hamëz Demushit është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë dhe 0.5 kg e dyshuar heroinë. Gjithashtu janë sekuestruar, 1 presë që shërbente për presimin e lëndës narkotike, 2 kompjuterë laptop, 6 telefona celularë dhe mbi 30 karta SIM të kompanive celulare shqiptare dhe kosovare. Bëhet e ditur se janë sekuestruar një sasi e madhe dokumentacioni, si akte shitblerje apartamentesh dhe automjetesh, si dhe dokumente të tjera të rëndësishme për hetimet. Hetimet janë zhvilluar nga SHÇBA, në bashkëpunim me Task-Forcën në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, duke aplikuar metodat special të hetimit. Nga këto hetime rezultoi se punonjësi i policisë Hamëz Demushi, është pjesë e një grupi kriminal, që ushtronte aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike, të të gjitha llojeve e shtrirë kjo në Kosovë dhe Shqipëri. Behet e ditur se vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi si dhe bashkëpunëtorëve të tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency