Kukësi thyen lehtë Partizanin, Tirana dhe Skënderbeu bëjnë detyrën

0
130

Kukesi-PartizaniKuksianët kanë mundur të kuqtë me lehtësi në fushën e tyre, duke u vërtetuar edhe një herë si pretendentë për titullin kampion

Laçi, Tirana, Skënderbeu dhe Flamurtari kanë triumfuar në ndeshjet e tjera, duke konfirmuar edhe një herë ambiciet e tyre për vendet e para në tabelë

 

 

Superliga Shqiptare ka mbyllur dje javën e saj, duke luajtur edhe gjashtë ndeshjet e javës së 22-të. Sfida emocionuese ku derbi i javës luhej në Kukës, aty ku vendasit prisnin Partizanin. Por gjithçka është mbyllur në vetëm 45 minuta, koha e mjaftueshme për Kukësin për të fituar me tre gola supersfidën me Partizanin, që në vetëm një pjesë loje u dorëzua përballë verilindorëve, duke pësuar dy herë dhe duke humbur përveç ndeshjes dhe Bathën që doli me të kuq në fundin e pjesës së parë. 3-0 ishte rezultati përfundimtar në “Zeqir Ymeri”, me Pero Pejiçin që bëri të heshtin kritikët se ai shënon vetëm ndaj të dobëtëve dhe Hair Zeqirin, që mbajti premtimin se do të realizonte ndaj të kuqve. Më pas ajo që ndodhi në pjesën e dytë, përfshi dhe golin e Shametit, ishte vetëm përfundim logjik i 45 minutave të para. Nën një atmosferë të jashtëzakonshme në “Zeqir Ymeri”, e mundësuar dhe nga dy tifozeri që përkrahën në harkun e 90 minutave dhe skuadrat e njëra-tjetrës, Kukësi dhe Partizani luanin një prej ndeshjeve më të rëndësishme të këtij kampionati. Të kuqtë, të cilët kishin fituar dy përballjet e mëparshme me kuksianët, që në fillim u vunë në vështirësi, teksa në të 2-ën një rivënie me duar e Hallaçit për pak sa nuk shërbeu si asist për Pejiçin dhe për pasojë të një gabimi të Vrapit. Partizani u përgjigj në të 11-ën me Vilën, por zgjidhja e tij me një goditje të lehtë nuk ishte ajo e duhura. Në të 13-ën, Pejiç bëri atë që bën zakonisht në Superiore, shënoi. Festa ishte një dedikim për kritikët. Gjithsesi, llogaritë nuk ishin mbyllur ende. Mbrojtja e Partizanit shfaqte probleme dhe në të 24-ën për pak sa nuk përfitoi dhe Hysaj. Në të 39-ën Hoxha ndërhyri ndaj Borges, duke larguar topin në goditje këndi, nga zhvillimet e së cilës, Zeqiri shënoi dhe për faj të Trashit, që ruajti shtyllën në vend që të ngrihej për aplikimin e pozicionit jashtë loje. Pak sekonda më pas, Pejiç la metra mbrapa mbrojtjen e Partizanit, por jo Hoxhën që evitoi golin e tretë. Pjesa e parë katastrofike e Partizanit u mbyll e skuqur nga Batha, që goditi me gju Borgesin, duke lënë me 10 vetë Partizanin. Në inferioritet numerik nuk është se pritej shumë nga kryeqytetasit në pjesën e dytë dhe në fakt që të 49-ën, Hysaj për pak sa nuk trefishoi shifrat. Në të 59-ën, Partizani reagoi me Shabanin, që goditi jashtë ndërsa pesë minuta më pas, Pejiç i ktheu asistin Shametit, duke e shërbyer për golin e 3-0. Minutat e mbetura, me rezultatin e vendosur ishin minutat e dy tifozerive, që dhuruan një shfaqje të vërtetë me koret e tyre në stadium duke respektuar njëra-tjetrën por dhe skuadrat përkatëse. 3-0 ishte rezultati përfundimtar me Kukësin që lë mbrapa Partizanin në garën për titullin.

 

Teuta-Laçi

Laçi ka blinduar vendin e pestë me fitoren e djeshme ndaj Teutës. Një sfidë që ishte disi e ekuilibruar, por bardhezinjtë kanë arritur të dalin triumfator në fund. Xhejms ka një mundësi mjaft të mirë që në minutat e para, por i vetëm përballë Rizvanit ka gabuar Teuta kundërpërgjigjet Teuta që ka një mundësi të mirë me Çotën i cili i afrohet golit, por arbitri më parë kish ndalur lojën për një faull në zone. Në minutën e 27-të zhbllokohet sfida. Meto kalon Laçin në avantazh pas një zbritje të shpejtë të kurbinasve. Mesfushori fierak bëhet sërish protagonist dhe i jep avantazhin ekipit të tij. Në fundin e pjesës së parë Teuta ka dy mundësi të mira. Në fillim Brahja godet me kokë por topi ndalet nga shtylla. Dhe më pas Hoxha sërish me kokë pas një goditje nga këndi, por topi ndalet sërish nga shtylla. Në shifrat 0-1 mbyllet pjesa e parë. Fraksioni i dytë nis menjëherë vrullshëm për të dyja skuadrat. Në minutën e 54′ Cetkoviç dyfishon shifrat për Laçin pas një goditje në afërsi të zonës. Megjithatë, epërsia e dy golave për kurbinasit nuk zgjat shumë. Vetëm 2 minuta më vonë, saktësisht në minutën e 56′ Bruno Dita shënon golin e parë për Teutën në këtë sfidë. Mesfushori gjuan nga një distancë jo shumë e largët dhe ngushton diferencat. Pas golit të shënuar, Teuta rrit edhe më shumë sulmet në drejtim të portës së Laçit. Në minutën e 63-të Nika provon me një goditje nga jashtë zone dhe vë në vështirësi portierin Vujadinoviç. Teuta vazhdon përpjekjet për të shënuar edhe golin e barazimit. Në min e 87-të Ahmataj gjuan fort nga larg, reagon Vujadinoviç. Në min e 90-të Cetkoviç përfiton nga një gabim dhe i vetëm përballë Rizvanit gabon pasi nuk koordinohet siç duhet duke shpërdoruar një rast mjaft të mirë. Kur gjithçka po i drejtohet fundit Zefi, shënon edhe golin e 3-të për Laçin duke vulosur kështu fitoren e kurbinasve. Fitorja e sotme e ngjit Laçin në kuotën e 35 pikëve ndërsa Teuta vijon të mbetet e treta nga fundi me vetëm.

 

Tirana-Elbasani

Tirana nuk e pati misionin e fitores së lehtë ndaj modestëve të Elbasanit në sfidën e luajtur në Fushë Krujë. Golat e Jetmir Sefës dhe Elis Bakajt në pjesën e dytë i mbajtën kryeqytetasit në krye të klasifikimit, bashkë me Kukësin, por duhet theksuar se formacioni i Muharrem Dostit pavarësisht rezultatit zhvilloi ndoshta takimin me të bukur të sezonit. Sfida e Fushë-Krujës nisi me ritëm të kënaqshëm, pasi të dyja skuadrat kërkonin me ngul portën kundërshtare, edhe pse duhet theksuar, Tirana falë diferencave në cilësi, shfaqej me rrezikshëm në zonën e Elbasanit. Shkëndijën e parë e ndezi Taku me një finalizim që nuk gjeti kuadratin, ndërsa në të 13-ën Bakaj gaboi në shënjestër nga distanca, me topin që përfundoi mbi tra. 3 minuta më pas provoi sërish pa sukses Taku, për t’ia lënë stafetën Bakajt, që në dy tentativa të njëpasnjëshme në minutat 23 dhe 29 nuk mundi t’i gëzohej golit. Momenti më i diskutueshëm i pjesës së parë është ai i minutës së 39 kur pas një keqkuptimi mes Karabecit dhe portierit Frashëri përfitoi Hila, që e dërgoi topin në rrjetë, por për kryesorin futbollisti elbasanas ka shkaktuar faull ndaj mesfushorit bardheblu. Rasti më të pastër për Tiranën e pati Muzaka në të 39, por Ruci ndërhyri në kohë duke i mohuar golin numrit 17 bardheblu. Në pjesën e dytë pikërisht në minutën e 52-të Bakaj kërceu bukur me kokë, por Ruci sërish nuk lejoi prekjen e rrjetës, por në aksionin pasardhës portieri elbasanas nuk mundi të bënte asgjë pasi Sefa pak metra larg portës e dërgoi topin në rrjetë. Goli i pësuar nuk e demoralizoi Elbasanin, që bëri gjithçka për të vënë baraspeshën, por në asnjë moment sulmuesi i avancuar Jontsha nuk mundi ta rrezikonte seriozisht portën e Frashërit. Elis Bakaj pati një tjetër mundësi të artë në të 75 këtë radhë për të dyfishuar rezultatin, por goditja e tij me kokë sërish nuk gjeti kuadratin. Në minutat e mbetura Elbasani u hodh i tëri në sulm për të mos dalë pa pikë nga kjo sfidë, por rrezikoi të pësonte golin e dytë në minutën e 83, kur finalizimi i Ndikumanës u neutralizua nga Ruci. Në minutën e 2 shtesë Tirana fitoi një 11-metërsh pas prekjes së topit me dorë nga një mbrojtës. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Elis Bakaj, që pas shumë rasteve të humbura më ne fund arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Vetëm pas çaste më pas Kreshnik Cjapi i vërshëlleu për herë të fundit për të sanksionuar fitoren e pastër por të vuajtur të Tiranës. Në Vlorë ndërkohë Flamurtari me anë të Arbër Abilaliajt, francezit Buval dhe Arbër Abilaliaj i siguruan fitoren e dytë radhazi Flamurtarit përballë Vllaznisë në këtë fazë të tretë të kampionatit. Formacioni i Ernestino Ramelës dominoi në çdo aspekt të lojës, dhe ç’është më e rëndësishmja luajti me një vizion të qartë me të gjitha blerjet e merkatos. Me një rreshtim klasik 4-4-2, ku në vijën e parë përkrah Abilalijat u aktivizua Buval, kuqezinjtë treguan një nivel të lartë loje, çka reflektohet edhe me shifrat e thella të këtij takimi. Nga ana tjetër Vllaznia, me Grimën në stol në vend të Rainerit të pezulluar nuk pati forca për ta përballuar kundërshtarin. Kurse në Korçë Skënderbeu ruajti hapin falë golit të parë të Ajco Stojkov duke marrë fitoren 1-0 në “Loni Papuçiu” përballë Apolonisë. Një sukses i vuajtur deri në sekondat e fundit, por që i mban kampionët e Shqipërisë në rrugën e duhur për mbrojtjen e titullit, 3 pikë pas Kukësit dhe Tiranës që ndajnë kreun.

 

 

 

 

 

Starrixh: Mund të fitojmë Evropa Ligën

 

Sulmuesi i Liverpulit, Daniel Starrixh, beson se skuadra e tij ka gjasa ta fitojë Evropa Ligën sivjet. Nënkampioni anglez merr pjesë në ligën e dytë evropiane, pasi përfundoi i tretë në grup në Ligën e Kampioneve pas Realit dhe Bazelit. Kohëve të fundit skuadra e Brendan Roxhersit po kalon në formë të mirë dhe kjo ka shtyrë anglezin të mendojë se skuadra ka kapacitet të mjaftueshëm për ta fituar Evropa Ligën. “Evropa Ligë është një mundësi shumë e mirë për ne të cilën pretendojmë ta shfrytëzojmë. Luajmë futboll shumë të mirë dhe besoj në filozofinë e trajnerit të skuadrës. Të gjithë besojnë dhe e dimë se nëse luajmë futbollin që mundemi, jemi të pandalshëm. Nuk kemi dyshim në atë se çfarë ne mund të bëjmë”, – ka thënë Starrixh për BT Sport. Liverpuli ndeshjen e parë në Evropa Ligë sivjet e zhvillon ndaj Beshiktasit më vonë gjatë muajit.

 

 

Bajerni shkatërron Hamburgun, 8-0

 

Ndeshje magjike në Bundesligën Gjermane. Bajerni ka luajtur tenis ndaj Hamburgut duke fituar 8-0 Bajerni nuk u ndal nga minuta e 21-të kur Tomas Myler shënoi nga penalltia. Dy minuta më vonë shënoi Mario Gëtze për 2-0. Arjen Roben e mbylli pjesën e parë me rezultat 3-0, teksa në pjesën e dytë menjëherë ishte Roben ai që shënoi një tjetër gol të bukur për 4-0. Tomas Myler dhe Levandovski në minutën e 56-të realizuan shpejt për 6-0. Në minutën e 69-të ishte Riberi që zgjeroi për 7-0, para se Mario Gëtze të shënojë për 8-0 në minutën e 89-të. Në ndeshjet tjera Volfsburgu pas dramës arriti të fitonte me rezultat 5-4 pasi ishte duke e humbur ndeshjen dhe pse kishte epërsi prej 3-0. Sërish Bajerni ka 7 pikë epërsi ndaj Volfsburgut në tabelën e Bundesligës.

 

 

Kosta: Ibrahimoviç është përbindësh

 

Pak ditë para përballjes mes Çelsit dhe Paris Sent-Zhermenit në Ligën e Kampioneve, sulmuesi i “bluve”, Diego Kosta, ka shfrytëzuar rastin që të flasë për yllin e Parisit, Zllatan Ibrahimoviç. Sulmuesi spanjoll e ka cilësuar Ibrën si sulmuesin më të mirë në historinë e futbollit dhe ka thënë se mezi pret të përballet me të në Ligën e Kampioneve. “Zllatani është një përbindësh, – ka thënë Diego Kosta. – Ai është njëri nga lojtarët që më pëlqen për karakterin e tij. Ai është në mesin e sulmuesve më të mirë në historinë e futbollit. Të gjithë e dimë se sa e vështirë do të jetë përballja me PSG-në. Ne duhet të luftojmë shumë nëse duam të kualifikohemi”.

 

 

Milani mohon zërat për shitje

 

Milani ka reaguar ndaj shkrimeve në mediat italiane, që kanë nxjerrë lajmin për një shitje të klubit. Grupi i cili ka aksionet më të mëdha te Milani, Finivest, ka reaguar nëpërmjet një komunikate zyrtare duke mohuar se janë në shitje. “Në reagim për lajmin e publikuar në lidhje me interesimin e bashkëpunimit mes Fininvest dhe Milan, Fininvest mohon kategorikisht të ketë zhvilluar takim me ndonjë palë, në lidhje me shitjen e klubit. Po ashtu, ne duam të sqarojmë se nuk është caktuar asnjë takim në lidhje me këtë çështje”, – thuhet në komunikatën për media nga Finivest.

 

 

Granit Xhaka i jep fitoren Borusia Mynshengladbahut

 

Granit Xhaka është hero i skuadrës së tij, Borusia Mynshengladbah. Mesfushori kosovar, me pasaportë zvicerane, ka arritur të shënojë golin e vetëm në derbin mes Borusia Mynshengladbahut dhe Këlnit, që përfundoi me fitoren e vendasve. Graniti ishte fantastik gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në fundin e saj u përkujdes që të gëzonte tifozët e tij falë golit në minutën e 91-të. Pas kësaj fitoreje, Gladbah është ngjitur në pozitën e tretë në tabelë me 36 pikë të tubuara, dhe është në rrugë të mirë drejtë Ligës së Kampioneve.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency