Trafiku i drogës, majori shqiptar/ Replikat në Parlament, akuzat mes palëve. Basha: Të shkulim me rrënjë këtë të keqe

0
120

Erneta Shevroja

AvIONi I rrEZUR Ane SPANJE Kodheli: Majori ka qenë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Investigimi spanjoll do të zbulojë të vërtetën

Në mënyrë krejtësisht të papritur, dje vëmendjen më të madhe të seancës plenare e mori rrëzimi i avionit me gati 1 ton hashash që drejtohej nga një pilot shqiptar me gradë major, Sokol Feka, në Spanjë, pjesë e strukturave të Forcave të Armatosura prej 18 vitesh. Lajmin fillimisht e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama pas disa minutash pasi qeveria spanjolle kishte informuar Mistrinë e Jashtme për ngjarjen. Kjo ngjarje u pasua nga reagimet dhe kundërreagimet e deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës. Ndër të parët që reagoi ndaj kësaj ngjarjeje ishte kreu i opozitës, Lulzim Basha. Ai vlerësoi se kjo ngjarje njollos rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë seanca plenare u zhvillua mes replikash nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzoi se qeveria po shkarkon kolonelët më të mirë për të vënë në detyrë trafikantë të drogës. Fjalën, në këtë rast, Berisha e kishte për kolonelin Dritan Demiraj, për të cilin Berisha tha se Ministria e Mbrojtjes e hoqi nga detyra. në reagimin e saj, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha se shkarkimi i Demirajt u bë pasi ai në dijeni edhe të ish-kryeministrit kishte dalë jashtë shtetit pa leje plot 102 herë. Ndërsa për rastin në fjalë, përfshirjen e majorit Sokol Feka në trafikun e drogës, Kodheli sqaroi se ai kishte dalë nga vendi pa leje, ndërsa duhet të priten hetimet që të zbulohet e vërteta e përfshirjes së majorit Feka në transport ndërkombëtar droge. Informacionet treguan se Feka pilotonte avionin me drogë nga Maroku për në Spanjë, vendi ku u rrëzua mjeti.

 

Basha

Menjëherë pasi u bë i ditur lajmi për rrëzimin e avionit me 1 ton hashash që drejtohej nga piloti shqiptar, pjesë e strukturave të Forcave të Armatosura, lideri i demokratëve reagoi ndaj kësaj ngjarjeje nëpërmjet rrjeteve sociale. “Përfshirja e efektivit të FA-së në trafikun ndërkombëtar të drogës ashtu si avionët e drogës një vit më parë në aeroportin ushtarak të Gjadrit, njollosin rëndë emrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, – shkroi Basha në “Facebook”. Ai e vlerësoi qeverinë të paaftë për të parë trafikun e drogës në vend dhe në institucione. “Këto, – tha kryedemokrati, – janë fakte të një të keqeje që duhet të shkulet me rrënjë. Paaftësia për të zbuluar trafikun në zemër të vendit dhe të institucioneve tradhton syshkeljen qeveritare ndaj narkotrafikut. Këto fakte dhe pasioni për emërimin e bosëve të krimit dhe drogës në parlament, qeveri dhe administratë publike janë këmbanat e përballjes me kriminalizimin e shtetit shqiptar. Kjo është fytyra e së keqes, që të gjithë së bashku duhet ta shkulim me rrënjë”, – ishte reagimi i kryeopozitarit Lulzim Basha.

 

Rama

Kishte vetëm pak minuta që kishte nisur seanca parlamentare, kur Kryeministri Edi Rama kërkoi të merrte fjalën për të dhënë informacionin që sapo i ishte bërë i ditur nga Ministria e Jashtme. Informacioni i rrëzimit dhe i vdekjes së pilotit shqiptar, Sokol Feka, ishte dhënë nga qeveria spanjolle, e cila njoftoi se avioni ishte në ndjekje, pasi ishte pikasur se transportonte një sasi të madhe droge nga Maroku në Spanjë. Majori i Forcave të Armatosura Shqiptare ishte në këto struktura prej 18 vitesh dhe, siç tha Kryeministri, ishte një ndër pilotët më të besuar të Forcave të Armatosura. “E mora fjalën, se para pak minutash Ministria e Jashtme është njoftuar për një ngjarje të rëndë në Spanjë, ku strukturat e Gardës Civile Spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ky major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh. Një ndër pilotët më të besuar. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje a është majori juaj apo yni? Duke marrë shkas nga kjo, kam një pyetje shumë të thjeshtë. Ky major është në strukturat e FA prej 18 vitesh, gradën e majorit e ka marrë në 2009 dhe është një nga pilotët më të besuar të FA. Tani çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje a është majori juaj, a është majori ynë? Dhe këtë pyetje e bëj për të shkuar pak më tutje lidhur me diskutimin absurd që u zhvillua këtu dhe me përpjekjen absurde për të mohuar një avancim serioz të vendosur dhe të gjithëpranuar botërisht të Shqipërisë në një luftë të paepur të shtetit me krimin dhe posaçërisht me drogën. Sigurisht që të gjitha qeveritë, edhe qeveria paraardhëse, mund të rendisin rezultatet e tyre. Dhe sigurisht që lufta me krimin dhe lufta me drogën nuk ka filluar në 23 qershor të 2013-ës, por e ka shoqëruar rrugën e përpjekjes së shtetit prej vitesh. Ama është e paimagjinueshme që të mund të vihet në diskutim se me votën e 1 milion shqiptarëve dhe me krijimin e qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Evropiane beteja me krimin dhe drogën ka hyrë në një fazë të panjohur më parë”, – informoi Rama dje nga foltorja e Kuvendit.

 

Sqarimi i ministres Kodheli

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nga foltorja e Kuvendit deklaroi se majori Sokol Feka kishte thyer lejen, duke dalë jashtë Shqipërisë, ndërsa hetimet spanjolle do të zbardhin të vërtetën.

Në replikë me ish-kryeministrin Berisha, Kodheli akuzoi Berishën se ka mbrojtur ushtarakë, të cilët kanë thyer disiplinën, duke dalë jashtë shtetit pa leje. këtu Kodheli i referohej kolonel Dritan Demirajt, të cilin, siç tha ajo, Berisha e kishte mbrojtur, se kishte dalë 102 herë pa leje jashtë shtetit.

“Majori ka dalë pa leje, ka qenë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Ju siguroj se të gjithë ushtarakët që janë larguar, të mbrojtur nga ky në këtë podium, janë larguar, sepse kanë dalë jashtë Shqipërisë pa leje. Investigimi spanjoll do të zbulojë të vërtetën”, – tha Kodheli.

 

Topalli kërkon dorëheqjen e Kodhelit. Ministrja:Dhëndri juaj përdorte FA-në për videoklipe

 Në reagimet ndaj përfshirjes së majorit Sokol Feka në trafikun e drogës, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i kërkoi ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dorëheqjen. Topalli tha se segmente të ushtrisë janë të përfshira në trafikun e drogës dhe prandaj ministrja duhet të largohet. “Sot në trafik ndërkombëtar droge na del se ka qenë i përfshirë një major i ushtrisë shqiptare, mjafton kaq që ministrja të jepte dorëheqjen, por nuk i mjafton kjo ministres, thotë ishte një gabim. E kuptoni ku jemi, për çdokënd tjetër të përfshirë kudo, ligji dhe hetimi duhet të fillojë menjëherë dhe me forcën që i takon”, – tha Topalli. Në reagimin e saj ndaj kësaj kërkese të Topalliit, Kodheli tha se ka ikur koha kur mjete të ushtrisë përdoreshin nga dhëndri i zonjës Topalli për të bërë videoklipe. “A e dini pse mungonte nafta dhe pse abuzohej me të? Sepse dhëndri i zonjës dhe dhëndurët shëtisnin për të parë bregdetin shqiptar me Flotën Ushtarake Shqiptare. Bënin dhe videoklipe në ajër e kështu me radhë. Prandaj, në ka një njeri këtu që duhet të kërkojë falje edhe për këtë gjë, pavarësisht se nuk i ka takuar fare si zonë influence dhe tani bën si eksperte, është pikërisht kjo zonjë”, – tha ministrja Kodheli.

 

Replikat në Kuvend

Berisha: Kur ne deklaruam se aeroportet u bënë baza për transportin e drogës, nuk u la fjalë pa u thënë këtu, por shpejt u detyrua gjeneral trafiku dhe ndrikulla e drogës. Tani na del një major që i ka shpëtuar sheshimit të gjeneralit të trafikut dhe ndrikullës dhe lënë detyrën, e ndërkohë që shkarkohet nga detyra ushtaraku më i mirë i Shqipërisë. Çan ferrën piloti i gjeneral trafikut dhe na bën trafik ndërkombëtar duke kolombizuar vendet e tjera.

Kodheli: Nuk ju ndihmoj dot ju, sepse nuk mund të …

(ndërhyn nga vendi Genc Pollo)

Kodheli: Të paktën kur flet, më shiko në sy, se e di që nuk je aq trim… Nuk mund të ndihmoj asnjë njeri që këtu flet broçkulla, ndërkohë që është një dekompozim politik. Dua t’ju them që me ka ardhur turp në takimin tim me Sekretarin e Mbrojtjes në Pentagon se cili ishte opinioni i tyre se çfarë kishte bërë zotëria me Forcat e Armatosura (Dritan Demiraj ). Ju ngritët një vit më parë një stuhi në gotë, sajuat një gjë të paqenë dhe pretendoni të vini këtu dhe të shfrytëzoni çdo rast për të treguar histori të paqena. Desha t’ju bëj me dije se ata ushtarakë që keni mbrojtur këtu, të paktën në njërin rast, zotëria është hequr nga Forcat e Armatosura se ka dalë 102 herë jashtë shtetit pa leje.

Topalli: Na fol për majorin, lëre atë…

Kodhelli: Ta tregoj unë Jozefinë edhe majorin… ka dalë 102 herë jashtë shtetit pa leje duke thyer disiplinën ushtarake. Vijmë tek majori, ka dalë pa leje nga Shqipëria, ka pasur leje të zakonshme dhe për lejen e zakonshme ka dalë nga Shqipëria pa leje. Të gjithë ushtarakët që janë larguar nga FA janë larguar, sepse kanë dalë pa leje. Gjithçka pas kësaj është një histori në investigimin spanjoll, e vërteta do të dalë, prandaj në ushtri ekziston Policia Ushtarake, sepse ushtarakët janë njerëz dhe si çdo njeri mund të gabojnë, ashtu siç ka gabuar derisa jam informuar, ka gabuar ky zotëria. Por që këtu të denigrohet apo t’i vihet epitete shefit të Shtabit kur ai që ishte përpara kishin mbytur ushtrinë me korrupsion, është e patolerueshme, ofensive. Ju sugjeroj që për rastin në fjalë të mateni përpara se të dilni në konkluzion.
Berisha: Së pari, meqë dole, të takonte t’u thoshe shqiptarëve ti dhe gjeneral trafiku nuk keni lidhje me të (Dritan Demiraj) dhe nuk është nisur me mision për të ndarë paret e drogës. Së dyti për kolonel Demirajn do ketë një ankesë nga grupi parlamentar, se të jesh e bindur ti se ai burri i ka bërë ndere këtij vendi 100 herë më shumë se ti. Kur luftonte ai me shokët në shkrepat e Afganistanit, ti përtypje abuzimet e tua në Bashki. Në Ministrinë e Brendshme janë thirrur të gjithë kolonelët dhe u thotë gjeneral trafiku dhe ndrikulla testim menjëherë, a mund ta imagjinoni ju këtë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency