Premiera ballkanike e filmit të Gianni Amelios në Durrës

0
205

Këto tre vitet e fuGiani Ameliondit është kthyer tashmë në traditë që Instituti Italian i Kulturës në Tiranë me rastin e Javës së Gjuhës Italiane në Botë, e parashikuar në datat 14-20 tetor 2013, të shtrijë gjatë gjithë muajit dhe në të gjithë vendin programin e aktiviteteve kushtuar gjuhës dhe kulturës italiane. “Kërkime, zbulime, risi. Italia e njohurive” është titulli i edicionit XIII të Javës së Gjuhës Italiane në botë. “Muaji i gjuhës italiane në Shqipëri” nisi një ditë më parë, me ditën e “Dyerve të Hapura” në Institutin Italian të Kulturës dhe me aderimin në iniciativën Bibliopride 2013 – Dita Kombëtare e Bibliotekave, promovuar nga Shoqata Italiane e Bibliotekave. Gjithashtu, u përurua, me prezantimin e një vepre të re në fushën e gjuhësisë, aktiviteti “Të Enjtet Letrare” të Institutit Italian të Kulturës, ku çdo të enjte të parë të muajit Biblioteka do të mirëpresë një autor italian për një takim me publikun. Paola Tiberii prezantoi fjalorin e saj shumë të dobishëm Dizionario delle collocazioni – Le combinazioni delle parole in italiano, një fjalor që i konsideron fjalët sipas mundësive të tyre të kombinimit dhe jo kuptimit të tyre. Ndërsa të shtunën fillojnë takimet e leximit për fëmijë që Francesca Mason, shtetase dhe nënë italiane me banim në Shqipëri, do të zhvillojë një herë në muaj në Bibliotekën e IIC me qëllim afrimin e fëmijëve me botën e leximit.

Mbrëmja e djeshme në Festivalin Ndërkombëtar të Durrësit iu kushtua kinemasë italiane me shfaqjen premierë ballkanike të filmit të fundit të Gianni Amelio L’intrepido (4 tetor, në 19, Teatri Aleksandër Moisiu, Durrës). Filmi ka si protagonist aktorin e njohur Antonio Albanese në rolin e Antonio Pane-s rol i vështirë dhe heroik i një “zëvendësi”, ose të një zëvendësuesi të përhershëm në çdo lloj pune: një ditë mund të jetë murator, ditën tjetër shofer tramvaji, njëherë kloun në një qendër tregtare, madje edhe shitës trëndafilash… I braktisur nga gruaja dhe i mbështetur nga djali i tij, saksofonisti (Gabriele Rendina), Antonio një ditë njihet me Lucia-n (Livia Rossi), një vajzë e lodhur nga jeta, dhe vendos ta ndihmojë atë.

Ishte i pranishëm edhe aktori Gabriele Rendina dhe prezantimi i filmit u parapri nga një mesazh urimi i regjisorit, i cili mban një lidhje të veçantë me Shqipërinë që nga koha e realizimit të filmit të tij të famshëm të vitit 1994, L’america.

Do të vazhdojnë festimet për Dyqind vjetorin Verdian me një mbrëmje të veçantë me titull “Gëzuar Ditëlindjen Maestro!” pranë Teatrit të Operas në Tiranë, të enjten, 10 tetor, dita e lindjes së kompozitorit të famshëm, dhe me shfaqjen e ” La Traviata në Paris ” të premten, 11 tetor, në orën 19, pranë Amfiteatrit Romak të Durrësit. Filmi, me regji të Giuseppe Patroni Griffi, është vënë në dispozicion nga RAI Prix Italia dhe do të mbyllë Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës të Dhomës në Durrës.

Pranë seksioneve dygjuhëshe të Tiranës, Shkodrës dhe Korçës si dhe Universitetit të Tiranës, Elbasanit dhe Shkodrës do të mbahen një seri takimesh dhe konferencash për studentët e gjuhës italiane: Marcello Francolini dhe Bledar Hasko do të mbajnë një seminar interaktiv të poezisë kushtuar Tommaso Marinetti, Giuseppe Ungaretti e Pier Paolo Pasolini (e mërkurë 16, Universiteti i Elbasanit, e enjte 17, Universiteti i Tiranës, e premte 18, Liceu Ismail Qemali në Tiranë); në Universitetin e Shkodrës do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten 16- 17 tetor një konferencë me temë “Kërkime, zbulime, risi. Italia e njohurive”, me pjesëmarrjen e profesorëve Augusta Brettoni e Paolo De Simonis të Universitetit të Firences; regjizori Luca Vullo, pas prezantimit të filmit të tij La voce del corpo (Zëri i trupit) Tirana International Film Festival, të hënën 28 tetor, në orën 18 dhe, të nesërmen, në Universitetin e Tiranës, në orën 11, do të vazhdojë një turne në qytetet e mëdha të Vendit (e mërkurë, 30 tetor Korçë, e enjte 31 tetor Gjirokastër, e premte, 1 nëntor Shkodër ).

Për studentët, operatorët dhe ekspertët në menaxhimin dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore do të jetë me shumë interes konferenca që Profesor Giovanni Padroni, një nga studiozët më të mëdhenj italianë të fushës, do të mbajë me temë “Vlera e trashëgimisë kulturore si një motor për zhvillimin socio-ekonomik”. Konferenca do të mbahet të martën, 22 tetor, ora 18, pranë sallës Nënë Tereza të Pallatit të Kulturës dhe është pjesë e aktiviteteve të Master Tempus në Menaxhimin e Trashëgimisë dhe Turizmit Kulturor drejtuar nga Profesoresha Sara Santoro, pedagoge e Arkeologjisë pranë Universitetit Chieti dhe Drejtoreshë e Misionit Arkeologjik italian në Durrës.

Në përmbyllje, do të rinovohet bashkëpunimi tashmë tradicional me Ambasadën e Zvicrës me rastin e Javës së Gjuhës italiane dhe kantautori zvicerano-italian Davide Buzzi do të performojë me bandën Almaplena të premten 24 tetor, ora 20, pranë Hotel Rogner në Tiranë dhe të shtunën 25 tetor, në 18, në Teatrin Migjeni në Shkodër.

Re. Ku.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency