Besa – Kodi i Nderit. Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah

0
250

4cbshoah foto“Toleranca fetare në Perëndim në kohën tonë shpeshherë matet me trajtimin e hebrenjve – në këtë aspekt shqiptarët e kanë kryer detyrën më së miri. Ndërsa të tjerët në Ballkan, dhe në mënyrë të dukshme në pjesën tjetër të Evropës, kanë institucionalizuar diskriminimin, kanë marrë pjesë në mënyrë pasive apo shpesh edhe në mënyrë entuziaste në disa nga krimet më monstruoze kundër njerëzimit në lidhje me hebrenjtë, ndërsa shqiptarët, duke marrë përsipër rrezikun, kanë hapur vendin e tyre dhe shpesh edhe shtëpitë e tyre jo vetëm për hebrenjtë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe për hebrenjtë e huaj”, – shkruan Bernd J. Fischer, profesor i Historisë dhe shef i departamentit të Historisë në Universitetin e Indianës, Fort Wayne.

Ndër ngjarjet dhe manifestimet e shumta që zhvillohen me rastin e 27 Janarit “Ditës ndërkombëtare në kujtim të viktimave të Holokaustit”, nuk duhet lënë pa u përmendur dhe puna e fotografit Norman H. Gershman e përmbledhur në botimin “Besa – Kodi i Nderit. Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”. Një udhëtim memorial dhuruar nga imazhe mbresëlënëse, një reportazh fotografik që nderon Shqipërinë dhe shqiptarët, një dokumentar i rafinuar artistik e historik. Janë mbi pesë vjet punë e hulumtime në të gjithë territorin shqiptar kushtuar kërkimit të një dëshmie të jashtëzakonshme të mikpritjes e besës së kësaj popullsie e që në emër të së cilës shpëtoi jeta e diskriminimi i mbi dy mijë hebrenjve të gjendur në Shqipëri gjatë viteve famëkeqe të Holokaustit. Mbi 60 foto bardhezi tregojnë historinë e çdo familjeje myslimane shqiptare që me besën e dhënë, i strehuan hebrenjtë duke i dhuruar sofrën, veshjet, shtëpinë e tyre, madje dhe emrat myslimanë. Jo pa shkak fjala besë e feja myslimane nënshkruajnë titullin e kësaj ekspozite duke e sjellë akoma më të befasueshme për opinionin ndërkombëtar historinë e një vendi si Shqipëria që edhe pse gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të ‘900-ës numëronte një shumicë dominuese të popullsisë myslimane përballë bashkëjetesës me numrin fillestar të 200 hebrenjve (i cili do të vijë më pas duke u rritur si rrjedhë e diskriminimit nazist) dëshmoi tolerancën, kulturën e moralin e një populli aspak fanatik. Dokumentacionet e regjistrimit të popullsisë gjatë atyre viteve tregojnë se në shkurt të vitit 1933 erdhën nga Vjena në Shqipëri rreth 100 hebrenj e në vitin 1938 ka pasur zyrtarisht të regjistruar 300 hebrenj shqiptarë e 100 hebrenj të huaj.

Duke dalë nga roli tradicional i gazetarit fotograf, Norman H. Gershman himnizon me punën e tij traditat kulturore të popullit shqiptar e kontribuon në inkurajimin e dialogut midis hebrenjve e myslimanëve, problematika e të cilit sot është dukshmërisht polemike. Objektivi i aparatit fotografik ka thjeshtëzuar e shkrirë ndjenjat e familjeve shqiptare me aktet e tyre siç i quan ai “heroike”, duke u drejtuar nga dëshira e mirë që kjo punë e tij të jetë një histori që mund të tregohet nga një brez në tjetrin. Si një antropolog që mbledh e vlerëson frytet e etnografisë Norman H. Gershman me ekspozitën apo librin e tij fotografik hap një dritare dialogu midis feve duke evidentuar këtë moment të rëndësishëm e të harruar në historinë e diskriminimit nazifashist të hebrenjve e mbi të gjitha duke dëshmuar me fotot e tij se miqësia midis tyre e myslimanëve është e mundur. Gjatë viteve 1930-1944 ndërsa në vendet evropiane thureshin ligje e politika raciste, në Shqipëri në emër të besës e nderit çdo banor i kësaj treve mikpriste e ndihmonte kush qe në nevojë, pavarësisht fesë, etnisë e gjendjes së tij sociale. Thirrjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit “Shqiptarët vdesin e besën nuk e shkelin”, “Shqiptari kur jep besën ther djalin” i njohën, i kuptuan e i respektuan mjaft mirë mbi dy mijë hebrenjtë e strehuar në shtëpitë myslimane shqiptare.

 

Fragmente nga “Besa – Kodi i Nderit. Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”.

Histori e foto.

Familja e Mbretit shqiptar, Zogu i Parë

Në koleksionin fotografik të artistit hebre Norman H. Gershman, gjithnjë në stilin karakteristik bardhezi të kësaj ekspozite, gjendet dhe foto e mbretit Leka I. Me vështrimin e tij karizmatik e me cigaren e pamungueshme në dorë kjo foto shoqërohet me kujtimet personale të tij apo të trashëguar nga i ati Ahmet Zogu I. “Jam djali i mretit Zog e i mbretëreshës Geraldinë – i nis ai ato. – Babai im ishte i pari e i vetmi mbret mysliman në Evropë. Ka pasur shumë miq hebrenj në Vjenë, veçanërisht familjen Wietzman. Ata ishin një familjesh fotografësh të elitës e të sovranëve të Evropës. Një foto e mrekullueshme e babait e nënës time është realizuar në studiot e Wietzman e më pas ka mbushur çdo vend publik në Shqipëri gjatë kohës së mbretërimit të tij. Pas ngjarjeve të “Natës së Kristaleve” (qe nata e 9-10 nëntorit 1938 gjatë së cilës në Gjermani, Austri e Çekosllovaki u vranë rreth 400 hebrenj, u shkatërruan 7500 dyqane e u dogjën 276 sinagoga) babai im ka lëshuar rreth 400 pasaporta ndaj hebrenjve që vinin kryesisht nga Vjena, midis të cilëve familja e Oestereicher, argjendarë të famshëm që realizuan dhe bizhuterinë e familjes sonë mbretërore si dhe trembëdhjetë anëtarët e familjes Wietzman.

 

Familja e Islam Prosekut

Mban fisnikërinë, thjeshtësinë e bukurinë e një nëne shqiptare që shpesh e ndeshim nëpër rrugët e Tiranës apo kudo tjetër. Quhet Nadire Proseku, e ulur në prag të derës e me foton e bashkëshortit të saj në dorë, është fokusuar nga objektivi i makinës fotografike të Norman H. Gershman së bashku me kujtimet e saj. “Jetonim në një shtëpi të vjetër pranë stacionit të trenit, – thotë ajo, – një mik i burrit na kërkoi të ndihmonim tre hebrenj . Ne nuk i njihnim, por i futëm brenda e i mbajtëm në shtëpi më shumë se një vit. Ata ishin të trembur e kishin frikë se i denonconim. Por ne nuk kishim frikë e nuk i denoncuam kurrë. Nuk më kujtohen emrat e tyre, por mbaj mend se ishin pronarë të një fabrike në Maqedoni. Pse e kemi bërë? Për ne ata ishin si vëllezër. Si besimtarë myslimanë liberalë ne po bënim vetëm detyrën tonë. Ja sot nipi im është i krishterë evangjeslist, por për mua nuk është problem. Ekziston vetëm një Zot”.

 

Familja e Hamid e Xhemal Veselit

Të dy mbështetur kokë më kokë, me ngjashmërinë natyrale e mirësinë e reflektuar në sy, vëllezërit Veseli ndalojnë në fotografinë e tyre dhe kujtimet e atyre viteve në të cilat thuhet: Kemi mikpritur e mbrojtur familjet hebreje të Josef Ben Joseph e di Moshe Mandil, të ardhura nga Jugosllavia. Gjatë pushtimit Italian Joseph punonte në dyqanin tonë të veshjeve e Moshe në atë të kushëririt tonë Refik. Gjatë pushtimit nazist situate u bë shumë e vështirë e u detyruan t’i vishnim si katundarë e t’i spostonim në rezidencën tonë në Krujë. Bëmë 36 orë rrugë në këmbë. Gjatë ditës të rriturit I fshihnim në një shpellë kurse fëmijët i çonim të luanin me banorët e tjerë të fshatit. Të gjithë e dinin se po strehonim hebrenj e si ne kishte dhe familje të tjera. Këtë gjë familja jonë e bëri për nëntë muaj të tëra. Prindërit tanë ishin besimtarë e myslimanë të devotshëm, për ta çdo goditje në portë ishte një mirëseardhje nga Zoti. Shqiptarët u kanë hapur dyert grekëve, italianëve, hebrenjve e së fundmi dhe vëllezërve tanë kosovarë që iu shmangëm gjenocidit serb”.

 

Familja e Hysref e Emine Frashërit e djali i tyre Mehmet

Mehmet Hysref Frashëri kujton se familja e tij ka jetuar përherë me ligjet e Kuranit në bazë të të cilit është respekti reciprok ndaj njëri-tjetrit. “Familja ime është me shumë tradita e ka qenë mjaft e respektueshme në vend, – thotë ai. – Gjyshi im ishte funksionar i Zogut e babai im qe njeri i studiuar e i respektuar. Në vitin 1943 strehuam familjen hebreje të Sebita Meshon Gershon, gruan e tij Berah me vajzat Hana e Stela. Në shtëpinë tonë në Kamëz kemi fshehur Jakov (Jasha) Altarac, i ardhur nga Polonia e i arratisur nga Kampi italian i Burrelit si dhe Joseph Lazer Gertler i ardhur nga Gjermania. Më vitin 1956 babai im mori një letër shumë të ngrohtë nga Joseph Lazer Gertler, i cili jetonte në Londër. Më vitin 1990 unë u vura në kontakt me Hanën e Stelën, vajzat e familjes Gershon e që sot jetojnë në Brazil e u lidha gjithashtu me Jasha Altarac që jetonte në Izrael.

 

Familja Hasan Kalaja

Fotografia e realizuar nga Norman H. Gershman ka sjellë në bardhë e zi imazhin e Sadik Kalasë pranë bibliotekës së mbushur plot me libra, duke vërtetuar fjalët me të cilat ai nis kujtimet e tij. “Jemi një familje studiuesish, nacionalistë e aktivistë politikë. Babai im ishte gjykatës para se të merrte pushtetin komunizmi e gjyshi im ka marrë pjesë në Luftën e Pavarësisë më vitin 1912. Kur familja ime strehoi hebrenjtë të ardhur nga Jugosllavia, Davide e Freda Gabaj më vitin 1943-1944 unë isha rreth 12 vjeç. Mbaj mend mirë. E ndihmoja Davide të mësonte gjuhën shqipe e ai më mësoi serbisht. Davide ishte njeri mjaft i pasur nga Beogradi por ne kurrë nuk kemi marrë lekë nga ata. Jetuan e fjetëm në dhomën tonë të fëmijëve e shpesh ndiznin qirinj e luteshin në gjuhën hebre. Freda ishte shumë e frikësuar e kurrë nuk ka dalë nga shtëpia, kurse me Daviden dolëm një ditë e ai u shtir si shurdh memec. Kur u pushtuan nga nazistët gjermanët kërkuan listën e emrave të personave për çdo shtëpi e ne i regjistruam Davide e Freda si kushërinjtë tanë. Më 1945 ata u larguan e i humbën kontaktet. Gjyshërit tanë, prindërit e ne fëmijët ishim e jemi myslimanë të devotshëm e si të tillë respektojmë urdhrin e fesë sonë: Po trokiti dera, merr përgjegjësinë tënde!”

Sipas dokumentacione historike në emigrimin e hebrenjve në Shqipëri ka qenë i rëndësishëm roli i ministrit amerikan Herman Bernstein, i cili shërbeu në Shqipëri gjatë viteve 1930-1933. Menjëherë me ardhjen në pushtet të Hitlerit u shfaq qartë rreziku i popullsisë hebre në të gjithë Evropën e Herman Bernstein kontribuoi në bisedimet me Zogun për shpërnguljen në Shqipëri të familjeve nga Austria e Gjermani. Po në bazë të dokumentacioneve popullsia hebreje e strehuar në Shqipëri në 100% të tyre i mbijetuan luftës e siç ka shkruar gjatë viteve ‘3’ Herman Berstein. “Në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve sepse Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evropë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë”.

 

Pak fjalë mbi Norman H. Gershman

Norman H. Gershman konsiderohet jo vetëm një fotograf por dhe një fotogazetar me aktivitete që shtrihen pothuajse në muzetë anekënd botës. Ka studiuar me fotografë të nivele të larta si Ansel Adams, Roman Vishniac e Arnold Newman që kanë influencuar jo pak në punën e tij. Konsiderohet gjithashtu dhe një koleksionist e tregtarë i artit të fotografisë e gjithçkaje që lidhet me të. Arti tij ka apasionuar figura internacionale si Kryeministri izraelit Yitzhak Shamir, Presidenti Jimmy Carter, Madam Jehen Sadat, Kongresmeni Tom Lantos, Dr. Mordecai Paldiel of Yad Vashem, Noble Laureate Elie Wiesel, dr. Akbar Ahmed i American University si dhe Presidentin e Emeritus Cornell Capa, themeluesin e qendrës ndërkombëtare të fotografisë. Po punon aktualisht mbi një film dokumentar të titulluar “Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore” si dhe po ndjek me sukses hapjen kudo në botë të ekspozitës “Besa- Kodi i Nderit. Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Shoah”, – që aktualisht ndodhet në Bolonjë të Italisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency