Operacioni/ Prokurorët bllokuan telefonat e policisë pak orë para ndërhyrjes në Xibrakë

0
130

Alma Çuka

operacioni i droges në XibrakëGjermanët lejuan trafikun e kokainës për 8 muaj. Zbardhet rruga e ndjekur nga trafikantët. Kokaina futej e shkrirë në rrobat e fëmijëve nga Turqia.  Ndarja bëhej nga kolumbianët

Operacioni  “Xibraka”,  realizuar mbrëmjen e së mërkurës datë 14 janar nuk pati  rrjedhje të informacionit. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila organizoi gjithçka me kujdes, ishte përgatitur edhe për detajin e fundit. Pak para ndërhyrjes grupet speciale të policisë u thirrën nga prokurorët dhe përpara se të niste shpjegimi dhe marrja e detyrës, atyre iu bllokuan telefonat . Efektivët e policisë nuk patën mundësi të lajmëronin as familjen për misionin që kishin marrë përsipër. Të vetmit që kishin dijeni lidhur me operacionin, ishin Prokurorët e Krimeve të Rënda. Ka qenë  prokurori i çështjes Olsjan Çela, ai që ka kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë grumbullimin e efektivëve dhe po ai së bashku me dy drejtues të lartë të policisë kanë dhënë orientimet përkatëse. Fillimisht prokurori ka urdhëruar ndërhyrjen në laboratorin e kokainës në Fushë-Labinot, pa dashur të përmend emrat e personave të përfshirë në këtë trafik.  Por për të përfunduar me sukses i gjithë operacioni, Policia Gjermane bëhet me dije se ka lejuar vazhdimin e trafikut nga Shqipëria  për gati tetë muaj. Gjatë kësaj kohe, policia bavareze, arriti të identifikojë pjesëtarët e rrjetit më të fuqishëm të trafikut të kokainës dhe në fund të finalizojë një operacion.

 

 Kolumbianët

Ndërkohë  kur kanë kaluar tre ditë nga arrestimi i dy kolumbianëve brenda laboratorit të kokainës, mësohet se ata janë futur në vendin tonë nga  pika e  kalimit kufitar të Kakavijës më datë 8 nëntor të vitit të kaluar.  Çezar Avila dhe Walther Moreno kanë hyrë në territorin shqiptar nga Kakavija me linjën e autobusit drejt Gjirokastrës.  Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar dhe ka marrë informacion të detajuar lidhur me personat që kanë bërë të mundur pajisjen me vizë të dy kolumbianëve, por në këtë fazë të hetimit, tregohet e rezervuar. Sipas hetuesve, dy kolumbianët kanë ardhur në Shqipëri me cilësinë e kimistëve apo ekspertëve që ndajnë ekstraktin e kokainës nga rrobat me të cilat është sjell në Shqipëri sasia e kokainës. Mësohet se po verifikohen të gjithë personat që kanë qenë në autobusin e linjës me të cilin kanë udhëtuar edhe dy shtetasit kolumbian, të cilët kanë qëndruar në Shqipëri pa leje qëndrimi. Nuk jepen detaje për vendin e banimit të tyre, gjatë këtyre 68 ditëve të qëndrimit në Shqipëri.

 

Përgjimi

Personat e arrestuar nga Policia mbrëmjen e datës 14 janar kanë qenë në shënjestrën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për një kohë të gjatë. Bëhet me dije se Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit, ashtu si edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik, janë përgjuar, fotografuar dhe filmuar duke i shoqëruar dy kolumbianët me makinë drejt laboratorit të drogës së ngritur në Xibrakë. Këto janë edhe provat konkrete ndaj nipit të Enver Hoxhës, familja e të cilit pretendon se arrestimi është një inskenim politik për të denigruar atë dhe emrin e familjes së Enver Hoxhës. Sipas prokurorisë, Ermal Hoxha është fiksuar gjatë takimeve edhe me personat e tjerë tashmë të arrestuar apo personat që janë shpallur në kërkim.

 

Furnizimi

Prokurorët e Krimeve të Rënda deri në këtë fazë të hetimit të ndihmuar edhe nga autoritetet e policisë Gjermane, kanë arritur të zbardhin emrin e personit , i cili mendohet se ka kryer furnizimin e grupit me kokainë. Sipas burimeve jo zyrtare të organit të akuzës, bëhet me dije se Genci Xhixha, i cili është shpallur në kërkim nga policia, mendohet se është furnizuesi kryesor. Një fakt i tillë ka dalë nga përgjimi i telefonave.  Nga të dhënat paraprake, mendohet se Xhixha është pjesë e kontakteve me Gentjan Gjonaj dhe dy vëllezërit nga Elbasani, Arjan dhe Klement Dalipi.

 

Transporti i Kokainës

Trafikantët kanë përdorur  një mënyrë të sofistikuar për të futur kokainën në Shqipëri. Sipas të dhënave nga akuza bëhet me dije se kokaina ka ardhur nga Turqia e shkrirë në rroba të fëmijëve, e sjell  nga një kompani e kontraktuar nga të dyshuarit dhe që ka ndjekur rrugën Turqi-Bullgari-Maqedoni dhe në qytetin e Strugës, nga ku në tre dërgesa e gjithë sasia ka hyrë në Shqipëri. Ku është përpunuar në laborator nga dy kolumbianët të cilët kanë nxjerr ekstraktin nga rrobat ku ishte shkrirë kokaina. Sasia e sjellë, sipas informacioneve të ardhur nga autoritet gjermane kap një shifër rreth 100 kg kokainë e përzier e cila më pas do të nxirrej në tregun perëndimor nëpërmjet portit të Durrësit. Nga ky vend, do të eksportohej për në Itali me ndihmën e një kompani mineralesh e cila eksportonte drejt Italisë për përpunim.
Sasia e bllokuar në makinën e Saimir Batkut prej 19 kg kokainë dhe parat prej rreth 300 mijë euro, ishin nisur drejt Durrësit për të vendosur në një nga kontejnerët që transportonte minerale për ta dërguar në Itali. Por ndërhyrja e policisë ka bërë arrestimin dhe bllokimin e sasisë së drogës si dhe zbulimin dhe sekuestrimin e laboratorit në Xibrakë. Sipas të dhënave të dosjes, mësohet se gjermanët prej kohësh po ndiqnin Ilir Hysenin, i cili është arrestuar tashmë në Shqipëri dhe që mendohet se është pjesë e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës. Prokurorët tashmë kanë dorëzuar kërkesën në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 9 të dyshuarit e akuzuar si pjesë e “grupit të strukturuar kriminal” me qëllim trafikun e lëndës narkotike. Ndërkohë me urdhër të Prokurorisë janë liruar Fatmir Hoxha dhe Egest Dankësi, si të pa përfshirë në këtë linjë trafiku që mendohet se ka edhe shumë persona të tjerë të implikuar.

 

Operacioni/ Prokurorët Gjermën takojnë Prokurorin e Krimeve të Rënda

Prokurorët gjermanë ishin në Tiranë për t’u njohur me rezultatet e operacionit “Xibraku” dhe me deklarimet e të arrestuarve. Ata janë pritur nga kryeprokurori i Krimeve të Rënda Eugen Beçi dhe prokurori i çështjes Olsian Çela, të cilët kanë shkëmbyer informacione shtesë në lidhje me personat e arrestuar dhe bashkëpunëtorët e tyre në shtetin bavarez. Takimi mësohet se ka zgjatur rreth një orë, ku përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane dhe prokurorët e ardhur janë shprehur të gatshëm të asistojnë edhe me materiale të tjera hetimor në lidhje me grupin që dyshohet se tregtonte kokainë prej vitesh. Gjithashtu, mësohet se Prokurorët Gjerman kanë kërkuar të njihen me provat e operacionit për t’i përdorur në proceset hetimore që kanë në shtetin e tyre.

 

Trafiku i kokainës/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Didi, paralajmëron arrestime të tjera

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Artan Didi, paralajmëroi dje arrestime të tjera lidhur me trafikun e kokainës nga Shqipëria për në vendet e Evropës perëndimore. Deklarata e Didit u bë nga Kukësi teksa ishte i pranishëm në analizën vjetore të punës për vitin 2014 të Policisë së këtij qarku. Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se hetimet për të zbardhur skemën e funksionimit të rrjetit të trafikut të kokainës po vazhdojnë duke shtuar më tej se pas paralelisht me këto hetime priten të ketë edhe arrestime të tjera. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë aktualisht para drejtësisë janë vënë të gjithë personat që nga përgjimet dhe veprimet e tjera hetimore, rezultojnë përgjegjës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency