Tokat bujqësore/ Shtyhet me 1 vit afati, tapitë e pronësisë do të përfundojnë në qershor të 2016-ës

0
121

Afati i ri: 30 qershor 2016, procesi i pajisjes me tituj pronësie për tokat ish-kooperativiste

toke bujqesore2Nuk do të jetë dhjetori i vitit të ardhshëm afati kur do të përfundojë pajisja e pronarëve të tokave bujqësore me tituj pronësie, por ky proces do të zgjasë edhe një vit më shumë nga ai i parashikuar. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese miratoi dje afatin kur pronarët e tokave me origjinë ish-kooperativiste do të pajisjen me titujt e pronësisë mbi tokat bujqësore. Ky afat është 30 qershor 2016. Ky ligj prek personat që kanë përfituar tokë me ligjin 7501 në vitin 1991, përmes aktit të marrjes së tokës në përdorim, në qershor të vitit 2016 do të pajisen me tituj pronësie.

 

Shtyrja e afatit

Shtyrja e afatit ndodhi për arsye se shumë fermerë, sidomos nga Shkodra, Kukësi, Lezha dhe Dibra ende nuk janë pajisur me dokumentet përkatëse. Ministria e Bujqësisë shpjegoi se e gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndryshimit të shpeshtë të komisioneve që merren me dhënien e dokumenteve. “Zgjatet afati për plotësimin të familjeve bujqësore me dokumentacionin e pronësisë. Këtu është propozuar data 31 dhjetor 2015, por ky afat është i pamjaftueshëm. Dy ndryshimet në ligj janë të nevojshme se ka një ndryshim të situatës juridike të disa sipërfaqeve të tokave bujqësore të pandara. Një pjesë e tyre i kanë kaluar Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimit të Pronave, për këtë arsye është bërë dhe ndryshimi i nevojshëm. Këto toka që tashmë janë në fontin e kompensimit të mos jenë në këtë ligj. Një nen tjetër ka të bëjë me vendimet e marra nga njësitë e qeverisjes vendore të cilat kanë vepruar edhe mbas afatit të përfundimit, një vit nga ndarja e akteve nënligjore, shtohet që kjo praktik të mos përsëritet. Ligji 9948 mbaron efektin e vet në mesin e vitit 2016. Pra, verifikimi i titujve të pronësisë është gjykuar nga qeveria të përfundojë efektet në mesin e vitit 2016. Nëpërmjet këtij projektligji synohet që të gjitha familjet bujqësore me origjinë nga ish-kooperativat të plotësohen me dokumentacionin e pronësisë dhe procesi të konsiderohet i mbyllur”, – u shpreh përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, drejtori i Administrimit të Ujërave dhe Tokave, Irfan Tarelli.

 

Institucionet që japin pronësitë

Një ndryshim tjetër që u miratua në tërësi ishte shtimi i institucioneve nëpër të cilat kalon verifikimi dhe dhënia e titujve të pronësisë për tokat me origjinë ish-kooperativiste. Kjo do të bëhet me qëllim për të shmangur abuzimet dhe të eliminohen mangësitë në dokumentacion. Hallka e fundit që jep titujt e pronësisë do të jenë prefektët e qarqeve. “Nëse ka raste që nuk rezultojnë në gjendjen e duhur regjistrat e kohës kur janë ndarë tokat, por janë djeg ose me dashje janë grisë fletë të ndryshme, cila është instanca që kontrollon dhe kontrollohet, cila është instanca që kontrollon abuzuesit e që duhet t’ia jap vërtetimin mbi pronësinë një ish-kooperativisti vërtitimin?”, – shtroi pyetjen anëtari, deputeti i PS-së, Namik Kopliku. “Edhe ligji që është në fuqi po edhe ndryshimet që përgatitjen për t’u vënë në zbatim cakton të gjithë procedurën që nga njoftimi, fushata e ndërgjegjësimit, shpallja publike dhe, siç përcaktohet dhe në ligj, parashikohet një procedurë aplikimi, pra subjekti i interesuar do të paraqesë aplikimin pranë njësisë së qeverisjes vendore këtu përfshihen dhe kryetarët e fshatrave, merret vendimi në këshillin e komunës dhe para marrjes së vendimit, vendimi nuk është i vlefshëm nëse nuk është marrë konfirmimi nga një numër institucionesh. Kjo rregullon në një farë masë edhe mungesën e dokumentacionit që mund të ketë administrata e qeverisjes vendore . Vendimi konsiderohet i vlefshëm vetëm pas miratimit nga perfekti, jo vetëm në parim por konfirmon një për një të gjithë listën e përfituesve dhe me sipërfaqen përkatëse, duke konsideruar zbatimin rigoroz të kritereve ligjore. Në këtë mënyrë jo vetëm përcaktimet e ligjit por dhe vendimit të qeverisë mbyllin të paktën teorikisht çdo mundësi abuzimi”, – u përgjigj përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Irfan Tarelli.

Ndërkohë, qarqet e Veriut preken më shumë nga ligji 7501 për tokat me origjinë ish-kooperativiste. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë janë rreth 60-70 për qind sipërfaqe tokë ose e thënë ndryshe 15 mijë deri në 17 mijë hektarë tokë që preken drejtpërdrejt nga ligji.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency