PS heziton për dekretin e Presidentit/ Braçe: Guvernatori, nga radhët e Këshillit Mbikëqyrës, Bushati: Jo i duhuri

0
151

Erneta Shevroja

 erbvin bushatiPartia Socialiste nuk është e bindur në kandidaturën e Sejkos për guvernator: Dekreti i Nishanit nuk përmbush kriteret

 Partia Socialiste duket se nuk është e bindur në argumentet që dha Presidenti Nishani në dekretimin e Gent Sejkos për të qenë në krye të Bankës së Shqipërisë. Gjatë dy ditëve të fundit, janë shtuar zërat nga radhët e socialistëve që shprehin hezitim për t’i thënë “po” dekretit të Presidentit për Gent Sejkon guvernator i Bankës së Shqipërisë. Gjatë ditës së djeshme, deputeti socialist Erjon Braçe tha se kandidatura e Gent Sejkos mund të hasë probleme ligjore. Sipas tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, sipas ligjit, duhet të vijë nga radhët e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndërsa për deputetin dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Ervin Bushati, në krye të Bankës së Shqipërisë duhet të jetë një person i njohur, përtej atyre të bankave të nivelit të dytë.

 

Braçe

Kandidatura e Gent Sejkos do të kalojë nëpër Komisionin e Ligjeve për t’u parë nëse përputhet me ligjin. Kështu deklaroi kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili po ashtu shtoi se debati duhet të jetë përtej atij individual. Braçe tha se precedentët e mëparshëm sqarojnë se guvernatori i BSH-së zgjidhet nga radhët e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të institucionit më të lartë financiar në vend. Siç thuhet në ligjin për Bankën e Shqipërisë, anëtarët propozohen vetëm nga Kuvendi, qeveria dhe vetë Bordi Mbikëqyrës. “Në këto kushte, – tha Braçe, – Komisioni i Ligjeve duhet të shikojë ligjshmërinë ose jo të propozimit që ka bërë kreu i shtetit Bujar Nishani. Unë do të kërkoj investimin e Komisionit të Ligjeve për të parë dekretin nga përputhshmëria me ligjin, sepse në të gjithë historinë e Bankës së Shqipërisë ka një problem shumë të madh ligjor që ka të bëjë me të drejtën e propozimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ligji është shumë i qartë: 5 anëtarë i propozon Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, 3 anëtarë i propozon qeveria dhe 1 anëtar e propozon Këshilli i Bankës së Shqipërisë. Asnjë institucion tjetër përtej këtyre tre institucioneve nuk angazhohet apo ngarkohet nga ligji për të përzgjedhur anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH”, – u shpreh Braçe në Kryesinë e Kuvendit. Sipas deputetit, guvernatori i ri duhet të vijë nga radhët e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së BSH-së, që ende nuk janë plotësuar, pasi mungon propozimi i Kuvendit. “Për fat të keq, guvernatori sipas ligjit duhet të jetë edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës kështu që mbetemi në këtë moment ligjor që duhet ta zgjidhin institucionet të tjera të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Nga ana tjetër doja t’u thosha qartësisht që ka precedent të zgjedhjes së guvernatorit që nga vitet ‘92 e me radhë dhe precedentët dëshmojnë qartë se si zgjidhet guvernatori, nga radhët e kujt zgjidhet guvernatori dhe çfarë funksioni ka pasur guvernatori”, – deklaroi Braçe. I pyetur në mënyrë konkrete nëse qeveria do t’i japë votën pro apo kundër dekretit të Presidentit, Nishani u shpreh se kërkohet mirëkuptimi i të gjitha institucioneve dhe vullnetet individuale duhen lënë mënjanë. “Unë nuk po flas as për kandidat, as për dekret. Natyrisht që është çështje shumë e rëndësishme, ashtu siç është e rëndësishme edhe çështja e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që duhet zgjidhur me qetësi. Dhe mbi të gjitha me mirëkuptim mes institucioneve. Vullnetet individuale nuk i shërbejnë askujt”, deklaroi kreu i Komisionit të Ekonomisë në përfundim të mbledhjes së kësaj të marte.

 

Bushati

Ndërsa, deputeti Ervin Bushati shkoi përtej argumenteve ligjore. Komentin e tij ai e përqendroi tek njohuritë e kandidatit që duhet të ketë një guvernator. Deputeti, njëherësh anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë la të kuptohet se kandidatura e Presidentit Nishani për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë është e papërshtatshme. Sipas tij, guvernatori i ri i bankës së Shqipërisë duhet të ketë njohuri të përgjithshme të politikave monetare. “Për mendimin tim si ekonomist jam i gjykimit që nuk duhet parë vetëm tek fusha e atyre që vijnë me background nga banka sepse guvernatori në radhë të parë është një njeri që duhet të kuptojë mirë politikat ekonomike dhe më shumë konceptet makro sesa ka të bëjë me punën ditë për ditë të bankave të nivelit të tyre apo tregtare. Mendoj se duhet parë më gjerë se dikush që thjesht është marrë me bankat”, – tha Bushati. Njohura për bankat, sipas Bushatit, nuk është parësore. “Kjo mund të ishte një avantazh, por për mendimin tim nuk është kryesore. Dikush me një background më të mirë edhe në Akademi pse jo, që i kupton më mirë politikat ekonomike dhe ato monetare që gjithmonë e më shumë duhet të jetë në mbështetje të ekonomisë sidomos këtë kohë që kemi periudhë ngërçi dhe ku hapi i politikës monetare ka mbetur vetëm tek ulja e nivelit të interesit që mesa duket për disa momente nuk po jep akoma ato që pritet”, – u shpreh deputeti socialist.

 

Çmimi i naftës, PD: Rama në krah të klientëve, vjedh shqiptarët me çmimin e lartë

Partia Demokratike, duke iu referuar burimit prestigjioz “Global Petrol Prices”, akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Rama se u bëhet krah klientëve të caktuar dhe në këtë mënyrë vjedh shqiptarët. Sipas PD-së, Kryeministri Rama nuk lejon uljen e çmimit të naftës, në një kohë që, sipas tyre, në gjithë botën ka rënie të ndjeshme. Sipas deputetit Florion Mima, Rama u bëhet krah tregtarëve të tij që blejnë më lirë në tregjet ndërkombëtare dhe ia shesin shumë më shtrenjtë qytetarëve tanë. “Duke iu referuar burimit prestigjioz “Global Petrol Prices”, sipas të cilit vetëm në tremujorin e fundit: Ne Greqi, çmimi ka rëne me 9%, dhe jo 5.3% siç deklaron Kryeministri, ose 70% më shumë; Në Itali, çmimi ka rënë me 6.7%, dhe jo 4.8% siç deklaron Kryeministri, ose 40% më shumë, në Francë, çmimi ka rënë me 7.4%, dhe jo 4% siç deklaron Kryeministri, ose 85% më shumë; në Maqedoni, çmimi ka rënë me 10%, dhe jo 4.8% siç deklaron Kryeministri, pra mbi dy herë më shumë; në Holandë, çmimi ka rënë me 8.8% dhe jo 4.4% që deklaron Kryeministri, pra rënie dy herë më shumë. Në shkalle globale, çmimet e shitjes me pakicë të diezelit, vetëm gjatë tremujorit të fundit, kanë rënë mesatarisht me 16.2%, pa përmendur këtu që vetëm në SHBA çmimi ka rënë nga 3 dollarë galloni në rreth 2 dollarë galloni, pra ka rënë rreth 50%”, – u shpreh deputeti demokrat Florion Mima.

 

Reagimi/ Gjylameti: PD ka probleme me shifrat, rënia e çmimit nuk është 40%

 Menjëherë pas akuzave të PD-së, reagoi selia rozë. Deputetja e PS-së, Blerina Gjyameti, tha se Mima përgënjeshtroi vetë kryetarin e PD-së, i cili vetëm disa ditë më parë tha se çmimi i naftës në Evropë ka rënë 40% në tre muaj. Sipas saj, çmimi i naftës në Shqipëri ndjek tendencat si në botë. “Sot deputeti i Partisë Demokratike gjeti më se fundi kurajon të përgënjeshtronte kryetarin e tij, i cili vetëm disa ditë më parë tha se çmimi i naftës në Evropë ka rënë 40% në tre muaj. Sigurisht që PD-ja ka ende probleme me shifrat, njësoj si në opozitë, por fakti që deputeti Mima flet për ulje në shkallen mesatare 6,5%, vlerë e përafërt me uljen e çmimit edhe në Shqipëri, tregon se Kryetari Basha gënjente kur thoshte se çmimi në Evropë u ul me 40%. I kërkuam Partisë Demokratike të na tregonte një vend në Evropë ku çmimi kishte rënë 40% në tre muaj. Pas shumë ditësh përpjekje, me shifra të gabuara arritën të na tregonin disa vende ku çmimi është ulur 6-8%, por sërish shumë larg uljes 40% për të cilën gënjente Basha. Sot çmimi i naftës është një debat global, por e rëndësishme për Shqipërinë është se impakti mbi vendin tonë përputhet me vendet e rajonit, jo siç gënjente Lulzim Basha”, – reagoi deputetja socialiste.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency