Takimi me Bashën për bojkotin / Mediu: Ndërkombëtarët po angazhohen, zgjidhje që Parlamenti të funksionojë sipas Kushtetutës

0
125

Mediu ne pd

Gëzim Saliu

Grupi i PR-së, takim me kreun e PD-së: Me rëndësi të jemi në Parlament, por jo për pjesëmarrje formale, por që zëri të dëgjohet. S’është çështje mandatesh, por çështje parlamentarizmi

 

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, së bashku me dy deputetët e kësaj force politike zhvilloi dje një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha, ku në qendër të diskutimit ishte aksioni opozitar si edhe bojkoti opozitar ndaj Kuvendit. Ky takim erdhi pas një serie takimesh në PE, nga ana e kreut të PR-së dhe deputetes demokrate Majlinda Bregu, të cilët kërkuan nga ndërkombëtarët ndërhyrjen e tyre për të zgjidhur çështjen bojkotit, duke theksuar se është domosdoshmëri funksionimi i Parlamentit sipas kuadrit kushtetues. Në mbyllje të takimit me Bashën, Mediu theksoi se është e rëndësishëm që opozita të jetë në Parlament, por theksoi se në këtë aulë duhet të bëhet e mundur që zëri i së pakicës të dëgjohet dhe jo të përdoret si sfond. “Ka një angazhim të parlamentarëve evropianë, të cilët duan patjetër që kjo situatë politike në Shqipëri, të marrë fund dhe të ketë një zgjidhje që parlamenti shqiptar të funksionojë brenda kuadrit kushtetues. Mazhoranca duhet patjetër të kuptojë që nuk është këtu për të drejtuar sipas interesit të vetë, apo autoritetit të çdo individi, qoftë ky kryeministër, por sipas rregullave që funksionojnë në çdo vend. Rregulli i parë i pranuar nga të gjithë është Kushtetuta e vendit që garanton të drejtat e qytetarëve dhe atë quhet balancë e pushteteve”, – u shpreh kreu i PR-së.

 

Deklarata

Sipas kreut të PR-së, kthimi në sallën e Kuvendit nuk është një çështje mandatesh. “Nuk është çështje mandatesh, por çështje parlamentarizmi. Kjo ka të bëjë me rolin e parlamentit. Është me rëndësi që të jemi në parlament. Aty duhet të ngremë zërin tonë por jo për pjesëmarrje formale, por që zëri ynë të dëgjohet”, – tha ai. Megjithëse nuk dha asnjë afat se kur do negociojnë ndërkombëtarët që mazhoranca dhe opozita të arrijnë marrëveshjen mes tyre për ti kthyer normalitetin Kuvendit, Mediu pohoi se duhet të zgjidhet problemi i funksionimit normal të Kuvendit. “Sepse nuk ka të bëjë thjesht me emrat se kush është sot, por ka të bëjë me rolin që ka opozita, mazhoranca dhe respektimin e Kushtetutës në vendin tonë. Nuk është çështje mandatesh, nuk është shtruar kjo çështje deri tani”, – theksoi ai. Më 18 dhjetor Parlamenti do të mblidhet për herë të fundit në seancë plenare këtë vit, që është edhe afati i fundit i opozitës, për të mos djegur mandatet. Ndërkaq disa prej ekspertëve ligjorë të PD-së kanë argumentuar se afati i fundit për djegien e mandateve është marsi dhe jo janari. Sipas tyre periudha e muajit gusht ku nuk ka pasur seancë si edhe 20 ditët e pushimit dhjetor-janar nuk mund të konsiderohen si periudhë bojkoti. Kështu duke marrë parasysh këto ditë, sipas ekspertëve afati i fundit është muaji mars. Por ndërkaq deputetë të mazhorancës, ku së fundmi Balla deklaroi nga Parlamenti se afati i fundit i PD-së për të mos djegur mandatet është seanca e fundit e këtij sesioni, ajo e 18 dhjetorit. Ndërkohë Kryeparlamentari Meta i pyetur në një intervistë televizive lidhur me djegien e mandateve të deputetëve të PD-së tha se nuk e kishte llogaritur periudhën, por shtoi se mund të pritej edhe shkurti apo marsi.

 

 

Ambasadori amerikan

Arvizu: Shpresoj që bojkoti i PD-së të përfundojë shpejt

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi dje se shpreson që bojkoti i PD-së të përfundojë sa më shpejt dhe kjo parti të kthehet në Kuvend. I ftuar në aktivitetin e TED-x Tirana, për dhunën ndaj gruas, kryediplomati amerikan foli edhe lidhur me takimin që zhvilloi dje me Presidentin Bujar Nishani, duke e konsideruar si rutinë. “Ne takohemi shumë shpesh për gjëra të ndryshme, që janë të interesit reciprok dhe takimi i sotëm është i kësaj kategorie”, – tha ai. Lidhur me pjesëmarrjen në aktivitetin e TED-x, ambasadori amerikan tha se fokusi është tek informacioni dhe teknologjia. “Kjo ditë përfundon fushatën 16-ditore të luftës kundër dhunës ndaj grave. Do të zhvillojmë një diskutim të hapur për hapat pozitivë që janë hedhur, por dhe të kemi një diskutim të sinqertë mbi disa hapa konkretë, për të promovuar më shumë mundësira dhe një barazi të vërtetë gjinore”, – theksoi Arvizu.

 

 

 

Provimi i 5000 mësuesve

Basha: Pas çdo testi kombëtar vjen zullumi i radhës si rilindasja e Lushnjës

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi dje testimin e mbi 5000 mësuesve dje nga qeveria, në kuadrin e reformimit të sistemit arsimor të vendit. Sipas Bashës, pas çdo reforme apo testi kombëtar vjen zullumi i radhës nga ana e ekzekutivit. “Një vit më parë filloi rrënimi i shkollës shqiptare. E nisën me konkurset popullore të drejtorive arsimore, ku përjashtuan profesionistët dhe vendosën injorantët partiake dhe të inkriminuarit. Kështu u përzgjodh dhe rilindasja e Drejtorisë Arsimore të Lushnjës që mbasi u merrte mësuesve paratë, tentonte t’u merrte dhe nderin. Mbas çdo reklamimi si “reforme a test kombëtar”, vjen zullumi i radhës”, – shkruante Basha. Sipas kryedemokratit, ka një deformim embrional të aleancës Rama-Meta që nuk e lë të japë fryte. “Nga mbarsja e se keqes nuk lind e mira. E keqja duhet ndalur. Dhe bashke me te gjithë shqiptaret e drejtë e të lirë do ta ndalim!”, – përmbylli reagimin e tij kreu i PD-së Lulzim Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency