Replikat mes aleatëve në largësi / Dule: Rama si Enveri, Himara jo si Kukësi. Kryeministri: Vangjeli s’di ç’bën me lirinë e tij

0
136

Deputeti-i-PBDNJ-Vangjel-Dule-dhe-Kryeministri-Edi-Rama

Gëzim Saliu

Mbledhja e kryesisë së OMONIA-s, në gjuhën greke, Dule kërkon regjistrim të ri të popullsisë: S’dihet sa janë pjesëtarët e minoriteteve

Pas debatit të fortë në interpelancën e kërkuar nga vetë kreu i PBDNJ-së, dy aleatët e koalicionit qeverisës, Vangujel Dule dhe Kryeministri Rama janë përplasur sërish dje përmes replikave në largësi. Ashtu si edhe në seancën e Parlamentit, në qendër të debatit ishin të drejtat e minoriteve në vend si edhe çështja e Himarës, për të cilën PBDNJ dhe qeveria ndajnë qëndrime tërësisht të kundërta. Nga mbledhja e konferencës se 8-të e organizatës OMONIA në Tiranë, e cila u prezantua në tabelë vetëm në gjuhën greke, ku edhe folësit në shumicën dërrmuese të tyre diskutuan në greqisht, Dule nuk ngurroi ta krahasonte kreun e qeverisë më ish-diktatorin Hoxha. “Sa herë ngre zërin për të drejtat e minoriteteve, merr përgjigjen se ne jemi vend shembull. Kjo të kujton fanarin ndriçues të shokut Enver, në brigjet e Adriatikut edhe më gjerë. Jo zotërinj. Fatmirësisht, këto kohë kanë ikur në mënyrë të pakthyeshme… Shoqëria jonë duhet të edukohet me frymën se të drejtat e minoriteteve janë të shenjta. Kush nuk do donte që Shqipëria të ishte shembull. Do ishim ne të parët që do ta përshëndesnim, por situata nuk është ashtu, e thotë Këshilli i Evropës”, – u shpreh Dule. Ndërkohë, ndaj këtyre kritikave, nuk mungoi dje reagimi i Kryeministrit Rama, i cili duke iu drejtuar kreut të PBDNJ-së në rrjetin social theksoi: “Vangjeli po më kujton atë shprehjen se kush nuk di çfarë të bëjë me lirinë, ankohet për mungesën e saj”.

Mbledhja

Sipas kreut të PBDNJ-së, në Shqipëri do të duhet një dinamikë e re në trajtimin e minoriteteve etnike, duke nisur me regjistrim të ri të popullsisë. “Gjatë regjistrimit të popullsisë në 2011 është shkelur parimi themelor i nenit 3 në Konventën Kuadër. Kjo konventë përcakton të drejtën e vetëdeklarimit. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ia hoqi këtë të drejtë. Ja pse duhet të merret një census nga e para, që të futen këto të drejta. Në vendin tonë nuk dihet cilat janë minoritetet, ku jetojnë dhe sa janë. Si mund të pretendojë një shtet serioz se na respekton kur nuk e di kush janë, sa janë dhe ku jetojnë! Këto janë elementare”, – u shpreh Dule. Ndërkaq, duke u ndalur në debatin kryesor mes palëve, atë për Himarën, kreu i PBDNJ-së theksoi: “Në Himarë na thotë se interesimi për minoritetet duhet të jetë si për Kukësin dhe Tropojën. Himarjotët kanë veçoritë e tyre dhe dallimet, këto s’i bëjnë më të mirë a më të këqij, por të barabartë. Kryeministri u cenon barazinë, të drejtën e vetëdeklartimit. Këto kohë kanë ikur”. Sa i përket debatit të zhvilluar me Kryeministrin në interpelancën në Kuvend, Dule pohoi se një prej kandidatëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së duhej të ishte prej anëtarëve të minoritetit. “Pata debat me Ramën që thotë pse duhet të ketë anëtarë nga minoritetet në Këshillin Kombëtar të RTSH, sepse në vazhdimësi duhet të jetë edhe trashëgimia kulturore e minoriteteve në emisione të veçanta në gjuhën e minoritetit. Ne kishim një kandidaturë më të denjë krijues i njohur, botues i njohur, por në një kohë që ishim marrë vesh si me mazhorancën dhe opozitën nuk ndodhi. Nëse ligji nuk e ka në mënyrë taksative që duhet të jetë një anëtar nga minoriteti, kjo rrjedh nga Konventa Kuadër, duhet të amendohet edhe ligji”, – u shpreh kreu i PBDNJ-së. Në mbledhjen e djeshme, Dule iu drejtua anëtarëve të OMONIA-s kryesisht në gjuhën greke, ndërsa në pjesën që foli në gjuhën shqipe kritikoi Kryeministrin Rama për mosrespektimin e minoritetit. Ndërkaq, edhe kreu i OMONIA-s për Tiranën, Andrea Marto, i cili u zgjodh deputet në Qarkun e Vlorës në listën e deputetëve të Partisë Socialiste, foli vetëm greqisht, duke mos lënë mundësi për t’u kuptuar nga mediat e pranishme në konferencë se ç’qëndrim ka për respektimin e minoriteteve në vend.

 

 

Media e Beogradit

Kurir: Rama do të jetë sërish me antiplumb në Serbi, ka frikë për jetën

Mediat serbe vazhdojnë të shkruajnë në lidhje me Kryeministrin shqiptar, kur pas artikullit për këpucët e trasha për t’u dukur më i lartë se Vuçiç, “Kurir” pohonte dje se Rama kishte veshur një jelek antiplumb gjatë vizitës së tij në 10 nëntor në Beograd, pasi kishte frikë nga ndonjë atentat i mundshëm. “Edhe pse vizita e tij u sigurua me 5.000 policë, më 10 nëntor në Beograd, Rama kishte veshur nën kostum një jelek mbrojtës. Në samitin e ardhshëm të krerëve të qeverisë për sigurinë e pjesëmarrësve do të kujdesen 10.000 oficerë të policisë, por Edi Rama përsëri do të veshë një jelek antiplumb”, – thuhej në artikull. Gazeta serbe, e cila citon një burim që ishte pjesë e grupit pritës së Kryeministrit shqiptar në Serbi, shkruan se Rama kishte vendosur të ndërmerrte këtë hap, pasi ishte në panik për sigurinë e tij. “Do të shihet nëse Kryeministri shqiptar do të veshë një jelek mbrojtës gjatë samitit të ardhshëm në Beograd, ku për sigurinë e 17 krerëve të qeverive do të kujdesen 10.000 oficerë. Ky fakt është edhe më interesant, kur merret parasysh që në Beograd, kanë ardhur zyrtarët më të lartë të botës, si Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kryeministri francez Manuel Vals. Por ata ndiheshin mjaftueshëm të sigurt dhe asnjëri prej tyre nuk kishte vendosur të vishte jelek”, – thekonte “Kurir” në shkrimin e saj.

 

 

Korçë, energjia elektrike

PD: Bashkia s’ka paguar 60 mln lekë. Filo: Mbifaturimi gjatë zgjedhjeve ‘09 në gjyq

Dega e PD-së në Korçë denoncoi dje publikisht Bashkinë e qytetit për detyrimet e papaguara ndaj ndërmarrjes së OSSHE. Sipas PD-së, ky skandal kap shumën e afro 60 milion lekëve te vjetra përgjatë një periudhe disa vjeçare. “Sot ne denoncojmë publikisht këtë akt të rëndë të grabitjes së shtetit nga institucionet shtetërore. Partia Demokratike ngre zërin për paratë e taksapaguesve korçarë që zhduken në eter dhe nuk dihet ku shkojnë. Qytetarët ne qendër dhe periferi paguajnë taksat për ndriçimin e qytetit dhe nga Bashkia marrin si shërbim errësirën. Zoti kryetar i Bashkisë, qytetarët korçarë kërkojnë nga ju: Pse Bashkia nuk paguan faturat disa vjeçare te energjisë dhe ku përfundojnë lekët e taksapaguesve për ndriçim? Para syve tanë në mes të ditës po ndodh një skandal korruptiv i dyfishtë, ku bashkia nuk paguan faturat e dritave dhe nëpërkëmb interesat e komunitetit për ndriçim. Kjo shkelje e rëndë cenon transparencën me taksat dhe shkel frymën e ligjit për pagesat e energjisë”, – thuhej në deklaratën e PD-së. Nga ana tjetër përfaqësuesit e PD-së në Korçë, duke pohuar se në Shqipëri, ligji ka dy standarde, kërkuan nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri i energjisë “të reagojnë menjëherë dhe të vejnë përpara përgjegjësisë autorët e kësaj shkeljeje flagrante, të cilët gjenden në kupolën e vendorëve korçarë”. Ndërkaq, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Bashkia e Korçës e drejtuar nga socialisti Sotiraq Filo, duke theksuar se jo vetëm që nuk ka asnjë faturë të pashlyer ndaj OSHEE-së, porse, sipas Bashkisë, faturat e paraqitura nga PD-ja janë false, sepse 6 milionë lekë energji i janë mbifaturuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, për të cilat është në gjyq.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency