Përleshje me policinë/ Rama pritet me protesta në Shkodër: Mos prish shtëpitë! Kryeministri: Do shpronësoheni

0
139

Gëzim Saliu

 Ndërtimi i stadiumit të Shkodrës sjell përplasje mes banorëve dhe kreut të qeverisë

rama me banoret shkoder prishja e ndertimeve stadiumiKryeministri Edi Rama u prit dje me protesta nga qytetarët e Shkodrës, të cilëve iu prishen shtëpitë si pasojë e ndërtimit të parkingut për stadiumin e ri “Loro Boriçi”. Banorët e lagjes “Ahmet Haxhia” që jetojnë pranë stadiumit, të njoftuar për vizitën e djeshme të kreut të qeverisë ishin vendosur që në mëngjes para hyrjes së pallatit të sportit, duke protestuar kundër këtij projekti. Me pankarta në duar, ata kanë dashur të protestojnë në momentin që kreu i qeverisë do të hynte në pallatin e sportit, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë. Blutë e Shkodrës janë përplasur me banorët dhe nuk i kanë lejuar këta të fundit të qëndrojnë pranë hyrjes së pallatit të sportit.

 

Protesta

“Policia na mori parullat dhe na i grisi. Parullat tona kanë qenë “Mos i prishni shtëpitë tona!” “Gjeni zgjidhje të tjera për stadiumin!” Nuk jemi kundër për parkingun, por jo të na prishin shtëpitë tona për parking. Nuk kemi dalë të rrihemi me njeri, kemi dalë për protestë paqësore”, – tha një banor. Një tjetër protestues i bëri thirrje Kryeministrit të shqyrtojë projektin, pasi sipas tij ka zgjidhje të tjera që mund të shmangin prishjen e shtëpive të tyre. “Zotëri ne kemi vetëm një fjalë, nuk lëvizim gjallë nga shtëpitë se nuk kanë të drejtë të na i prishin. Parkimi që duhet të bëhet për stadiumin, e ka vendin se ku të bëhet. I bëjmë thirrje Kryeministrit ta shqyrtojë atë projekt se ka mundësi të tjera”, – u shpreh ai. “Stadiumi nuk bëhet jemi zotë të stadiumit. Nuk lëvizim nga shtëpitë, pa kaluar mbi trupin tonë. Ata janë djemtë e atyre që i kemi rrëzuar në ’90. Ju rrëzojmë prapë”, – tha një tjetër protestues i revoltuar. Përballë kësaj situate, ndërsa pritej ardhja e Kryeministrit, drejtuesit e policisë dhanë urdhër në përforcimin e masave të sigurisë. Brenda pak minutash zonë përreth pallatit të sportit “Qazim Dervishi” e rrethuan forca të shumta policie dhe të FNSH-së, ndërsa banorët prisnin ardhjen e kreut të qeverisë. Për 60 minuta që zgjati shpërndarja e certifikatave të pronësisë së legalizimit, rreth 100 qytetarët e prekur nga ky projekt pritën Kryeministrin e tyre në shi.

 

Takimi

Pas daljes nga takimi, nisur edhe numri i madh i banorëve që qëndronin përballë tij, Kryeministri vendosi të dëgjonte një përfaqësi të tyre, duke theksuar se në fillim do të shpronësohen qytetarët që preken nga ndërtimi i tij dhe më pas do të nisë projekti. Nga ana tjetër, Rama pohoi se ky ndërtim dhe parkingu i ri janë pjesë e standardeve të UEFA-s dhe si të tilla nuk mund të shmangen. “E para, kjo s’ka lidhje me zemrën time. Kjo ka lidhje me standardet e UEFA-s. Stadiumin do ta bëjmë stadium për ndeshje ndërkombëtare dhe siç bëmë me stadiumin e Elbasanit, duhet të marrim nga UEFA gjithë parametrat, se përndryshe UEFA nuk të lejon të bësh ndeshje. Në bazë të atyre parametrave duhen krijuar hapësirat përkatëse, qoftë jashtë stadiumit, qoftë brenda stadiumit. Në momentin që projekti përmbush parametrat, mbi bazën e parametrave bëhen pastaj edhe shpronësimet. Kështu që nuk ka asnjë lloj tendence për të prishur kot, por vetëm do prishet çfarë duhet për të përmbushur parametrat e UEFA-s”, – tha ai. Më tej, kreu i qeverisë theksoi: “Ju duhet të jeni shumë të qetë në një pikë, që procesi i shpronësimit do të fillojë dhe do të kryhet dhe pastaj do të bëhet prishja për ato pjesë që do të duhet të prishen për të krijuar hapësira. Nuk ka lidhje me çfarë dua unë, por ka lidhje me çfarë duhet të bëjmë që stadiumi të transformohet dhe të bëhet me parametrat e UEFA-s, ndryshe këtu nuk bëhen ndeshje ndërkombëtare”. Me këtë deklaratë, Kryeministri mbylli sqarimin e tij me banorët dhe e largua, ndërsa këtë të fundit vijuan diskutimin e shqetësimeve të tyre me deputetët e qarkut, të cilët shoqëruan Ramën në këtë vizitë. Rreth 30 shtëpi banimi, mes të cilave edhe banesa mbi 100-vjeçare me dokumente të rregullta, rrezikojnë prishjen. Vlera e kompensimit për truallin është 8300 lekë për metër/katror dhe 10.000 për godinë.

 

 Rama shpërndan 700 certifikata legalizimi: Bëmë në 7 muaj sa bëri PD në 8 vite

Në pallatin e sportit në Shkodër, Kryeministri Rama dhe kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, shpërndanë rreth 700 leje legalizimi, përmes një procesi, i cili u cilësua nga qeveria si i përshpejtuar. Në këtë takim, Rama theksoi se prioritet është legalizimi i shtëpive. “Ka edhe një shifër që tregon dallimin midis 2 kohëve. Nëse në 8 vjet janë bërë 1400 legalizime, ato janë 75% lokale dhe legalizime me qëllim përfitimi, në dëm të taksapaguesve, pasi në të shumtën e herës janë legalizimeve abuzive që sot, për t’u rivënë në diskutim duhen shpronësuar. Në këto 7 muaj janë po aq legalizime sa në 8 vjet, por janë të gjithë për shtëpitë e njerëzve. Ky është ndryshim shumë i madh. Nuk duhet të dëgjojnë ‘kukuvajkat’ që thonë se do ju prishën shtëpitë, se do bëhen selektive”, – u shpreh ai. Ndërkaq Lame solli edhe një tjetër rast në Pukë, që ka shoqëruar këtë proces deri pak kohë më parë. “E vetmja leje që është dhënë në Pukë ka një arsye pse u dha. U dha se aty do të kalonte rruga dhe donin të merrnin lekët e rrugës. U shpronësua 1 javë pasi u dha leja, për 100 milionë lekë. Asnjë objekt tjetër në gjithë Pukën nuk është legalizuar”, – tha ai. Në këtë vizitë Rama u ndal edhe tek një sipërmarrje në Bajzë të Shkodrës, e cila merret me fushën e grumbullimit, përpunimit dhe paketimit të bimëve mjekësore. Kjo sipërmarrje, theksoi Rama, ka përfituar nga skemat e Qeverisë të mbështetjes së bujqësisë. Ndërkaq dy muaj pas inspektimit të parë, Kryeministri u kthye dje sërish në Lezhë, për të parë avancimin e punimeve për rehabilitimin e qendrës së qytetit dhe të bregut të Drinit.

 

 Berisha: Shtëpitë nuk po jua merr UEFA, por mafia qeveritare

Ish-kryeministri i vendit, Berisha, reagoi dje lidhur me protestën e qytetarëve të Shkodrës kundër prishjes të shtëpive të tyre nga ndërtimi i parkingut për stadiumin e ri të këtij qyteti. “Pasi bllokoi i trembur protestën e tyre paqësore me një batalion të policisë dhe një tjetër të gardës dhe grisi parullat e tyre, Rama u ofroi përfaqësuesve të tyre bukëvalën e radhës. Pretendimi se ndërtimin e parkingut në sheshin që do hapet nga shembja e shtëpive të tyre e kërkon UEFA është thjesht një trillim banal sepse këtë gjë nuk e kërkon UEFA por e kërkon mafia qeveritare, e cila në sheshin që është i lirë ngjitur me stadiumin ka vendosur të ndërtojë pallate”, – tha Berisha. Në mbyllje të reagimit të tij në rrjetin social FB, deputeti demokrat pohoi: “Qytetarë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një fjalë e urtë thotë se kur një njeri të gënjen për së dyti ke gënjyer veten. Gjuha e vetme që njeh piktori dështak është protesta dhe vetëm protesta”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency