Vendimi/ Trafiku i armëve në Pogradec, 37 vite burg për gjashtë të pandehur

0
180

Alma Çuka

 pogradec armeU zbuluan nga një punonjës i policisë i infiltruar. Pranuan gjykimin e shkurtuar dhe përfituan ulje dënimi. Një pistoletë shitej nga 300 deri në 1000 euro kur ishte me silenciator

 Gjatë persona u dënuan nga Gjykata e Pogradecit, pasi u gjendën fajtorë për veprën penale të trafikut të armëve në bashkëpunim. Në total vendimi i dhënë nga gjykata për këta të pandehur ishte 37 vite burg. Ndërkohë bëhet e ditur se Andi Ballij u dënua me 7 vjet e 4 muaj burgim, Ervis Nastimi, 7 vjet e 4 muaj burgim, Floren Alliu,7 vjet e 4 muaj burgim, Elton Çela, 6 vjet e 8 muaj burgim, Armand Musollari, 6 vjet e 8 muaj burgim, Bledar Berberi, 1 vit e 4 muaj burgim. Gjykatës iu deshën vetëm dy seanca gjyqësore për të përfunduar procesin, kjo për faktin se të pandehurit pranuan të gjitha provat që ndodheshin në dosjen e prokurorisë. Por skema e zbërthimit të funksionimit të këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili merrej prej kohësh me trafikun e armëve luftarake, të cilat futeshin nga Maqedonia, u zbulua vetëm pas infiltrimit në këtë grup të një punonjësi policie. Ky i cili u njoh me pjesëtarët e grupit dhe kërkoi prej tyre të blinte një armë tip pistoletë, duke u paraqitur me emrin Edi.

 

Hetimi

Sipas informacioneve që ka patur Sektori Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, shtetasi Florenc Aliu është i përfshirë në veprimtarinë e shitjes së armëve luftarake. Nga informacionet e grumbulluara, rezulton se ky shtetas posedonte armë zjarri pistoleta të llojeve të ndryshme, të cilat së bashku me një person tjetër, ende të paidentifikuar por që nga veprimet operative, rezulton të njihet me emrin “Jani”, i afrojnë për shitje kundrejt shumave 300-1000 euro. Mbi këtë bazë është regjistruar procedimi penal, si dhe janë kryer një sërë veprimesh hetimore.

 

Agjenti në mbulim

Në takimin e zhvilluar midis shtetasit Florenc Aliu dhe agjentit në mbulim të policisë në datën 15 shkurt 2014, nga procesverbali për transkriptin e bisedave ambientale të bëra midis tyre në një lokal në Hotolisht, Elbasan, rezulton se në bisedë e sipër, i pandehuri Florenc Alliu, merr përsipër që të sigurojë disa pistoleta kundrejt pagesës agjentit të policisë. Nga biseda rezulton se Florenci nuk i posedon vetë pistoletat por i posedon një shoku i tij në Qytetin e Pogradecit. Për këtë ai e ka porositur para disa kohësh shokun nga Pogradeci, por nuk ia ka sjellë akoma. Në këtë bisede, agjenti i policisë në mbulim i parashtron Florencit (Lencit) frikën e tij nëse armët janë të përdorura më parë, ndërsa Florenci e siguron se nuk janë të përdorura. Pasi bien dakord nisen për në Qytetin e Pogradecit me qëllim për të takuar shokun e Florencit që mund të sigurojë pistoletat.

Gjatë rrugës, Florenci i thotë agjentit që pistoletat mund tua gjejë një shoku i tij që rezulton të jetë shtetasi Andi Ballij. Pasi vijnë në Qytetin e Pogradecit, parkojnë automjetin para Bashkisë dhe të dy hyjnë në një lokal në afërsi të Pallatit të kulturës, ku takojnë të pandehurin Andi Ballinj. Pasi prezantohen menjëherë fillon biseda, dhe rezulton se Andi ka biseduar dhe më parë me Florencin për pistoletat. Andi i thotë agjentit në mbulim me pseudonimin “Edi” se ka merak se Florenci i ka dalë dhe njëherë nga llafi, më pas biseda vazhdon për shitje të pistoletave “TT”.

 

Trafiku nga Maqedonia

Sipas Visit, për ato që po flasin pra për armët, i marrin në Maqedoni. Nga biseda rezulton se Edi debaton me Visin për çmimin. Nga biseda rezulton, se Visi ka folur për të gjetur pistoletat me një person të tretë i cili tashmë nuk i del në telefon pasi do ketë ikur në Maqedoni. Edi me Armandin (Lelin) dalin bashkë për të shkuar dhe takuar Andin (Kinezin). Kur takohen Edi i ankohet Andit për Visin duke i thënë se Visi i ka dhënë çmim të lartë shtatëqind. Andi i thotë se nuk e ka parë, por duke qenë se ka këtë çmim mund të jetë berete me silenciator. Edi i thotë Andit, se përderisa personi i tretë ku Visi do merrte pistoletën ka vrarë një njeri, mund të jetë pistoletë e përdorur dhe në ngjarje të tjera, ndërsa Andi i thotë se ka qenë ai që i ka kërkuar Visit mos gjejnë ndonjë këtej rrotull Andi e siguron Edin se Visi është njeri i besuar dhe se e ka shok fëmijërie. Andi merr përsëri në telefon personin me emrin Tani, por ky i fundit i thotë se nuk ka mbaruar punë ende, pasi nuk ka ikur. Edi i thotë Andit që ta marrë në çdo moment, pasi Edi mund të vijë në çdo moment në Pogradec për të mbaruar punë tjetër. Edi e pyet përsëri Visin për shumën e parave që donte, dhe Visi i thotë përsëri një shtatëqindëshe, ndërsa Edi i thotë se nuk mund të vazhdojnë përsëri me të njëjtin çmim. Visi e siguron Edin se të tjerat kanë për t’ia vlejtur si cilësi. Veprimet e të pandehurve janë zbuluar nga agjenti i fshehtë i policisë dhe më pas e gjithë dinamika e ngjarjes është siguruar përmes përgjimeve ambientale në dhomat e paraburgimit në Elbasan.

 

Bisedat e transkriptuara

Gjatë bisedës Andi bisedon në telefon me një person që i drejtohet me emrin Tano, të cilit i thotë se kanë ardhur ata shokët për të cilët kanë folur (bëhet fjalë për Florencin dhe Edin). Andi i thotë Tanit që të bëjë diçka për dy nga ato të mëdhatë pasi ka një javë që i ka lënë porosi. Nga sa rezulton nga Biseda duket se personit me emrin Tani nuk i pëlqen shifra që i kanë dhënë për pistoletat. Nga sa rezulton personi që identifikohet me emrin Tani, punon në një polici private. Përfundimisht çmimi lihet 3 për të voglat dhe katër e gjysmë për të mëdhatë (bëhet fjalë për çmimin e pistoletave në Euro). Sipas Andit të cilit i flasin dhe “Kinezi” të mëdhatë janë Zastava. Andi i merr përsipër ‘Edit” të gjeje dhe fishekë, dhe se armët sipas tij vijnë nga Tetova, ndërsa vjet vinin nga Greqia. Andi me Lencin (Florencin) e sigurojnë Edin se pistoletat janë të pastra, pra janë të papërdorura, dhe se vijnë nga jashtë. Pas kësaj ata dalin nga lokali dhe shkëmbejnë numrat e telefonit. Në datën 21 Shkurt 2014 rreth orës 13:25 i pandehuri Florenc dhe agjenti në mbulim me emrin Edi, vijnë përsëri në qytetin e Pogradecit, dhe shkojnë tek lokali i Andit. Fillimisht takon me një shtetas nga Udenishti me emrin “Leli” dhe që nga hetimi rezulton të jetë i pandehuri Armand Musollari.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency