Vendimi/ Ish-drejtori i OSHEE Tropojë paguan 300 mijë lekë për të lënë qelinë e burgut

0
130

Alma Çuka

 qeliKërkesa e Prokurorisë për të mos qëndruar në burg kundrejt garancisë pasurore pranohet nga ish-drejtori i OSHEE. U arrestua, pasi rezultonte debitor në KESH

 Ish-drejtori i OSHEE Tropojë, Rrustem Gjoni, arriti t’i shpëtonte arrestit me burg, pas kërkesës së Prokurorisë së këtij rrethi për të garantuar lirinë e tij me shumën e 300 mijë lekëve. Organi i akuzës ashtu si edhe Gjykata ranë dakord që i pandehuri të hetohej në gjendje të lirë, duke pasur parasysh pozicionin e tij si dhe gjendjen shoqërore që gëzon. Një tjetër arsye për të lehtësuar masën e sigurisë për këtë të pandehur, sipas Prokurorisë, ka shërbyer edhe fakti se arrestimi i tij është bërë për mospagimin e detyrimeve si abonent familjar e jo si pronar biznesi, ku organi i akuzës thotë se për këtë kategori ka aplikuar masa më të rënda. Në të njëjtën kohë Gjykata e detyron të shlyejë borxhin që ka ndaj KESH-it, i cili, sipas organeve kompetente, arrin në shuma të mëdha. Por, ndryshe ka vepruar prokurori për vartësin e ish-drejtorit Rrustem Gjoni, shtetasin Muhamed Media, që sipas saj ka konstatuar shkeljet në aparatin matës të drejtuesit të tij, por nuk i ka raportuar. Pra, Prokuroria në një anë ka lehtësuar pozicionin e drejtorit dhe ka rënduar atë të vartësit, duke e lënë në arrest me burg, të cilin e bën përgjegjës më shumë për shkeljen e konstatuar. Gjykata vendosi masën e arrestit me burg për shtetasin Muhamed Media, ish-punonjës i OSHEE Tropojë, ashtu sikundër vendosi të njëjtën masë edhe për shtetasin Hazir Ismailisufaj, punonjës në të njëjtin institucion.

 

Hetimi

Nga veprimet paraprake hetimore, të nisura bazuar në materialin referues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës rezulton se më datë 2.12.2014, Njësia e Kontrollit të Brendshëm pranë OSSHE Tiranë ka ushtruar kontroll në matësin e energjisë së abonentit familjarë Rrusten Gjoni me detyrë përgjegjës i OSSHE Tropojë. Gjatë kontrollit është vërejtur se nga pamja vizive boksi kolektiv i pallatit duket në gjendje të rregullt, nga testimi me aparat laborator portativ rezultoi se sistemi matës, ishte brenda klasit, abonenti rezulton të jetë debitor ndaj kompanisë. Sipas të dhënave të marra nga sistemi Billding deri më datë 2.12.2014, vlera e debisë së abonentit është në shumën 1.704, 343 lekë. Më datën 2.12.2014 abonenti ka lidh një akt marrëveshje për pagesën e një pjese të shumës totale të detyrimit. Më datë 2.12.2014, ka paguar këstin e parë dhe detyrimi ka shkuar në masën 1.449.228 lekë. Nga verifikimi rezulton se kjo kontratë është faturuar deri në masën 61.735 kwh, ndërkohë që në vend matësi kishte gjendjen 64.892 kwh, pra me një diferencë prej 3187 kwh të pafaturuar.

 

Masat

Po ashtu grupi i verifikimit ka rekomanduar masë disiplinore “Largim nga puna” për faturistin pranë OSHEE Tropojë Muhamed Memia me detyrë lexues pranë OSHEE Tropojë, për mosfaturim korrekt dhe mos raportim të anomalive, për pasojë faturim i padrejtë i klientit dhe cenim të imazhit të kompanisë. Mbi këto të dhëna oficerët e policisë gjyqësore kanë filluar hetimet paraprake ndaj shtetasve Rrustem Gjoni dhe Muhamed Memia. Gjatë pyetjes së tij shtetasi Rrustem Gjoni deklaron se faturues në matësin e energjisë elektrike të zonës ku banon është shtetasi Muhamed Memia. Ai nuk ka pasur dijeni nëse ky punonjës ka bërë faturime të parregullta të energjisë elektrike në banesën e tij dhe nuk ka pas dijeni nëse e ka faturuar atë për pjesën e shkallës së përbashkët të pallatit pasi kjo është detyrë e faturistit. Po ashtu ai deklaron se nuk ka pas dijeni për pjesën e pa faturuar nga lexuesi në aparatin matës të banesës së tij. Nga kontrolli që ka bërë auditi matësi i tij ka rezultuar brenda të gjitha kushteve teknike.

 

 Vendimi/ Detyrohen të japin dorëheqjen, më pas shkarkohen tre drejtorë të hipotekave në rrethe

 Tre drejtorë hipotekash lokale u shkarkuan dje nga detyra me vendim të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Njoftimi zyrtar ishte tepër i shkurtër dhe informonte publikun vetëm për shkarkimin dhe zëvendësimin e tyre me emra të rinj, sigurisht të besuar të dy partive në pushtet. Zyra e shtypit pranë dikasterit të drejtësisë njoftoi se janë shkarkuar kryeregjistruesi i Tiranës Andrea Miço, ai i Vlorës Bledar Koçiu dhe i qytetit të Lushnjës Bledar Luçaj. Ndërsa ministri Nasip Naço njofton shkarkimin, mësohet se tre drejtorët rreth dy javë më parë kanë qenë të detyruar të paraqesin dorëheqjen dhe kjo më pas të shitej si shkarkim, për arsye të mosrealizimit të detyrave si duhet. Në njoftim nuk thuhet asnjë arsye. Nuk jepen hollësi të shkarkimit. Ish-drejtorët kanë pretenduar në ministri se kanë dhënë dorëheqjen dhe në asnjë mënyrë nuk pajtohen me faktin se u shkarkuan, pasi nuk kryen mirë detyrat.

 

Procesi/ Gjykata e Tiranës rrëzon padinë e Tafajt kundër Erion Velisë

 Presidenti i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, ka dalë i zhgënjyer nga një vendim gjykate, përmes të cilit u hodh poshtë padia e tij për shpifje regjistruar kundër ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Në vendimin e saj gjykata shprehej se në kërkesën padi rezultonte vetëm firma e Sinan Tafaj, i cili ka statusin e të verbrit dhe asnjë firmë tjetër, e cila mund të garantonte vërtetësinë e saj. Pas përfundimit të seancës gjyqësore Sinan Tafaj u shpreh se kundërshtonte pretendimin e gjykatës, duke thënë se arsyeja e vërtetë sipas tij ishin provat e shumta që në dosje kishte kundër ministrit Veliaj. I vetmi ligj që kërkon vendimmarrje të mbështetur për një person me aftësi të kufizuar sipas Tafajt është ai i gjithëpërfshirjes kundër të cilit kjo kategori sociale është ngritur në protesta. Presidenti i Shoqatës së të Verbërve shprehet se çështjen do ta apelojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency