Drejtësi/ Presidenti Nishani: Reforma në drejtësi, vetëm fjalë, asgjë konkrete

0
104

Alma Çuka

 Prezantohet EURALIUS IV. Kërkohet gjithëpërfshirje në hartimin e projektit të madh për të reformuar drejtësinë. Aktorët, më shumë vëmendje. BE: Ne ju mbështesim, ju bëni punën

euralius takimi foto bujar nishani naco nasip etj Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u bëri thirrje të gjithë aktorëve të drejtësisë, që t’i lënë fjalët e të hedhin hapa konkretë për realizimin e reformës në drejtësi, e cila në këndvështrimin e kreut të shtetit nuk realizohet me shkop magjik. Këtë deklaratë Presidenti i Republikës, njëkohësisht kryetari i Lartë i Drejtësisë, Nishani, e bëri gjatë Konferencës së hapjes së projektit EURALIUS IV të financuar nga BE-ja me temë “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Në veprimtarinë e zhvilluar në mjediset e “Hotel Tirana International” ishin të pranishëm ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin; kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori; prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, zëvendëskryeministri Niko Peleshi; ministri i Drejtësisë, Nasip Naço; zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi; zëvendësministri gjerman i Drejtësisë, Christian Lange; shefi i misionit EURALIUS, Rainer Deville; deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, juristë, gjyqtarë dhe ekspertë ligjorë.

 

Deklarata

“Me keqardhje po konstatoj se procesi është ende në ngërç dhe se takimet që pasuan atë të 6 tetorit nuk po godasin në shenjë. Nuk avancohet axhenda e reformës, pa një axhendë pune dhe prioritizim të të gjitha çështjeve. Ndaj gjej rastin që edhe njëherë përmes këtij takimi të bëj thirrje publike për ndaj të gjithë aktorëve vendas, të nisin sa më parë dhe seriozisht punën për: së pari, përcaktimin e prioriteteve”, – u shpreh kreu i shtetit, Bujar Nishani. “Gjej rastin që edhe një herë përmes këtij takimi, të bëj thirrje publike ndaj të gjithë aktorëve vendas të nisin sa më parë e seriozisht punën për: përcaktimin e prioriteteve, hartimin e objektivave për secilin prioritet, zbërthimin e tyre në masa konkrete ligjore dhe nënligjore, miratuese e zbatuese, me afate të qarta kohore dhe buxhete përkatëse, Bashkëpunimin e bashkërendimin me EURALIUS – udhëheqëse në këtë proces, OPDAT, OSBE, me shoqërinë civile dhe akademinë, dhe certifikimin e padiskutueshëm me Komisionin e Venecias. Vetëm me takime ngushtësisht tematike e gjerësisht përfshirëse mund të arrihet një produkt cilësor në këtë proces jetik të reformës në drejtësi. Aty ku ka vullnet gjendet një rrugëdalje, dhe tashmë që vullnetet janë shprehur verbalisht e publikisht, është koha, gjithaq e vonuar, t’i përvishemi punës dhe jo konferencave”, – tha kreu i shtetit.

 

Deklaratat

“Reforma jonë do të përqendrohet në këto shtylla kryesore: në reformimin e Gjykatës Kushtetuese, në reformimin e Gjykatës së Lartë, në atë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Konferencës Gjyqësore Kombëtare e të Këshillit të Prokurorisë”, – theksoi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. “Çështja kryesore është identifikimi i problemeve dhe marrja e masave konkrete”, – tha kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. “Nuk mund të ketë rend, siguri dhe paqe sociale, pa një drejtësi funksionale që jep drejtësi dhe nuk përsërit vendimet skandaloze të dhëna gjatë këtyre viteve, kur vrasës, kriminelë nga më të rrezikshmit, janë lënë të bredhin të lirë, pa u hyrë gjemb në këmbët e tyre”, – u shpreh zv.kryeministri Niko Peleshi. “Ajo do të fokusohet jo thjesht në ndryshimet strukturore, por sidomos në ndërhyrjet e nevojshme në legjislacionin procedural”, – tha kryeprokurori Adriatik Llalla.
Ambasadorja
Por, ambasadorja e BE-së në Shqipëri solli në vëmendje se pavarësisht nga mbështetja e Bashkimit Evropian, përgjegjësia për të bërë reformë u takon drejtësibërësve shqiptarë. “Drejtësia nuk është një mall i lirë. Është e nevojshme të alokohen buxhete, në mënyrë që sistemi i drejtësisë të mirëfunksionojë. Duhen parë kushtet e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshi edhe pagesat që duhet të përmirësohen për të përmbushur pritshmëritë nga ata, sepse ata punojnë në shërbim të shtetit ligjor dhe në shërbim të së mirës së qytetarëve. Ata duhet të jenë të pavarur nga çdo influencë politike apo ato të karakterit ekonomik, përfshi këtu edhe interesat personale”, – tha Romana Vlahutin, ambasadore e BE-së në Shqipëri.

Vrasja e Muratit, asnjë emër autori, shoqërohen në polici dhjetëra persona

Makina e ekzekutuesve të Leonard Muratit u gjet e braktisur dje në mëngjes në Vorë. Mjeti me targa të Krujës ishte braktisur në një rrugë dytësore. Policia dyshon se ekzekutuesit janë larguar me një tjetër mjet për të humbur gjurmët. Leonard Murati, i njohur si kundërshtar i Lulzim Berishës, i cilësuar si një prej kapobandave në qytetin bregdetar, u ekzekutua në derën e lokalit të tij mbrëmjen e së martës në qendër të Durrësit. Dy persona hapën zjarr me breshëri dhe pasi u siguruan për vdekjen e 49-vjeçarit u larguan në këmbë. Ata ecën mes qytetit me kallashnikovë në duar deri te makina ku i priste një person i tretë. Kur mbërriti policia, Leonard Murati kishte ndërruar jetë, i qëlluar nga 6 plumba në kokë e në trup. Një emër shumë i njohur në botën e krimit që nga viti 1994 Murati u arrestua në janar 2006 në Durrës, pasi akuzohej për pengmarrjen e Artan Ilmiut dhe vrasjen e babait të tij, Nuhiut, në vitin 1999. Por dy vjet më pas Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi, që aktet e dosjes në ngarkim të Muratit t’ia rikthejë prokurorisë për rihetim. Loja me përfundimin e afateve të paraburgimit, e nxori në gjendje të lirë.

 

Hetimet për Florand Kondin, prokurori merr në pyetje mjekun e urgjencës

 Prokuroria e Tiranës mori në pyetje shefin e shërbimit të emergjencës në Tiranë, dr. Naim Lushën. Para hetuesve ai ka mohuar neglizhencën nga ana e tij apo personelit mjekësor, duke shpjeguar mënyrën standarde të punës së tyre dhe të gjitha veprimet e kryera për rastin e të ndjerit Florand Kondi, i njohur si Dr. Flori. Sipas prokurorisë, Lusha ka treguar se pranë urgjencës fillimisht ka shkuar një grua që ka kërkuar ndihmë nga mjekët, por meqenëse ajo ka pretenduar se burri i saj është i dhunshëm, personeli mjekësor ka kërkuar të njoftojë policinë. Ndërsa për telefonatën e bërë në urgjencë, dr. Lusha u ka thënë hetuesve se 3 minuta pas saj, kanë shkuar në shtëpinë nga ku ishte njoftuar. Ai i ka thënë Prokurorisë se në momentin kur personeli ka arritur në banesën e Dr. Florit, ai kishte ndërruar jetë nga overdoza. Prokurorët thanë se pritet edhe raporti i Mjekësisë Ligjore, pas administrimit të të cilit do të pyeten edhe mjekët e tjerë dhe familjarët e të ndjerit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency