Prokuroria, Gjykatës/ Kërkesa: Të dënohet 2 vjet burg ish-drejtori Urbanistik i Bashkisë Vlorë

0
179

Sonila Mesareja

 Akuza për Odhise Zoton, “Shpërdorim detyre”. Hartoi dokumentacionin për ngritjen e një ndërtese shërbimi dhe banimi në breg të detit

 prokuroria  e vloresDy vjet burg ka kërkuar dje Prokuroria e Vlorës për ish-kreun e Urbanistikës së Bashkisë së këtij qyteti, Odhise Zoto, si dhe dënimin plotësues për 2 vjet heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike. Akuza që rëndon ndaj Zotos është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi akuza ka provuar se ka hartuar në kundërshtim me ligjin dokumentacionin për ngritjen e një ndërtese shërbimi dhe banimi në breg të detit. Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Vlorës arrin në konkluzione se ky shtetas, në kundërshtim me ligjin dhe me detyrën që mban, ka hartuar dokumentacionin për ngritjen e një ndërtese shërbimi dhe banimi në breg të detit, në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, nga shoqëria “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, një zonë në të cilën nuk lejohet absolutisht ndërtimi. Në bazë të veprimeve procedurale, rezulton se i pandehuri, në cilësinë e drejtorit urbanistik të Bashkisë Vlorë, pas shqyrtimit të kërkesës së dorëzuar nga ana e shoqërisë së ndërtimit, ka nxjerrë aktin me shënimin “Të mos kalojë për miratim në KRRT. Të vendosë KRRT”. Por, ndërkohë rezulton që kjo kërkesë, pasi ka kaluar për vendimmarrje në Këshillin e Rregullimit të Territorit (KRRT), Bashkia Vlorë, është votuar nga të gjithë anëtarët, përfshirë edhe të pandehurin Zoto (si anëtar i KRRT-së), i cili vetë ishte shprehur se nuk duhet të miratohet (në cilësinë e drejtorit urbanistik). Për më tepër, shkelja e detyrës nga ana e të pandehurit konsiston edhe në faktin që kjo kërkesë nuk duhej të kalonte për shqyrtim në KRRT prej tij, pasi pozicioni i tij është filtri kryesor për kërkesat që shqyrtohen nga KRRT. Ky shtetas, pavarësisht se ka pasur bindjen se kërkesa nuk duhej miratuar, për faktin që kërkohej ndërtimi në një zonë të palejuar për ndërtime, sërish e ka përcjellë këtë kërkesë për vendimmarrje në KRRT.

 

Akuza

Në konkluzionet përfundimtare të paraqitura para gjykatës nga Prokuroria bëhet me dije se Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, Tiranë, ka dërguar me shkresën dt. 9.2.2011, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, kallëzim penal lidhur me ndërtimin në zonën e Ujit të Ftohtë, në Vlorë, të një objekti ndërtimor nga shoqëria “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, konkretisht për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbime. Mbi bazën e këtij kallëzimi penal si dhe të dokumentacionit të bashkëngjitur këtij kallëzimi penal, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka regjistruar procedimin penal nr. 200 viti 2012. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi me anë të kontratës së shitjes së pasurisë së paluajtshme të datës 11.11.2009, kanë blerë pasurinë të llojit truall me sipërfaqe 1663 m², të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, në Vlorë, të regjistruar në regjistrin hipotekor me numër 418 datë 4.11.2009 të lëshuar nga ZRRPP Vlorë. Më datë 30.4.2010 pronarët e truallit të mësipërm kanë lidhur kontratën noteriale me shoqërinë “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, me objekt të kontratës ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me disa kate, sipas lejes që do të merrej nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. Në vijim të kësaj kontrate, lidhur me truallin e mësipërm, nga pronarët e truallit si dhe nga subjekti ndërtues janë përgatitur dokumentet për t’u pajisur nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë me dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e godinës së banimit dhe të shërbimit. Pasi dokumentacioni përkatës është paraqitur në Zyrën e Urbanistikës së Bashkisë Vlorë, më datë 14.7.2010 është zhvilluar në Bashkinë Vlorë mbledhja e Këshillit Teknik ku janë marrë në vlerësim një sërë studimesh urbanistike pjesore, midis të cilave edhe studimi urbanistik pjesor lidhur me truallin e shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, studim i cili është përgatitur nga autorët Artur Çakalli dhe Renato Barbullushi. Lidhur me këtë studim Këshilli Teknik, në mbledhjen e datës 14.7.2010, duke iu referuar protokollit të mbledhjes, në të cilën ka qenë i pranishëm i pandehuri Odhise Zoto, si dhe relacionit të paraqitur lidhur me këtë mbledhje, të nënshkruar nga i pandehuri Odhise Zoto, në cilësinë e drejtorit të departamentit të Urbanistikës, është konkluduar që “Të mos kalojë për miratim në KRRT. Të vendosë KRRT”. Studimi urbanistik pjesor në fjalë është paraqitur për shqyrtim në zyrën e urbanistikës së bashku edhe me kërkesën për shesh ndërtimi nga pronarët e truallit si dhe për lejë ndërtimit nga shoqëria ndërtuese, sipas formularit 3/1.

 

Mbledhja

Kjo kërkesë nuk rezulton që të jetë trajtuar në mbledhjen e Këshillit Teknik të datës 14.7.2010. Në këtë mbledhje është diskutuar vetëm lidhur me studimin urbanistik pjesor, por jo në lidhje me kërkesën për shesh ndërtimi dhe për lejë ndërtimi. Njësia e Urbanistikës nuk ka bërë ndonjë trajtim lidhur me kërkesën për sheshin dhe për lejen e ndërtimit, por ato në heshtje kanë kaluar për miratim në KRRT. Ndërkohë, më datë 17.8.2010 është zhvilluar mbledhja e KRRT-së së Bashkisë Vlorë. Me vendimin e KRRT-së datë 17.8.2010 është vendosur miratimi i destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, lidhur me ndërtimin në truallin e shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, të një objekti banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane, në lagjen Uji i Ftohtë, Vlorë. Në të njëjtën mbledhje, me vendimin e KRRT-së datë 17.8.2010, është vendosur miratimi i lejes së ndërtimit në favor të subjektit ndërtues “G.B. A-Konstruksion” sh.p.k, të objektit objekt banimi dhe shërbime 1-4-5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane, në lagjen Uji i Ftohtë, Vlorë. Duke iu referuar protokollit të mbledhjes, rezulton se dokumentacioni lidhur me lejen e mësipërme të ndërtimit është shqyrtuar në pikën nr. 7 të rendit të ditës, ku është përshkruar që miratohet leje ndërtimi për objekt banim dhe shërbime në lagjen Uji i Ftohtë, në perëndim të rrugës A. Moisiu, subjektit “G.B. A-Konstruksion”. Proces verbali i mbledhjes është nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KRRT-së, si edhe i pandehuri Odhise Zoto, në cilësinë e Drejtorit të Departamentit të Urbanistikës dhe njëkohësisht edhe të sekretarit të KRRT-së. I pandehuri Odhise Zoto ka nënshkruar proces verbalin pa paraqitur ndonjë vërejtje në momentin e nënshkrimit të tij. Lidhur me miratimin e kësaj leje ndërtimi nuk përshkruhet në proces verbal ndonjë diskutim nga ndonjë nga anëtarët e KRRT-së apo që ndonjëri prej tyre të ketë qenë kundër apo që të ketë paraqitur vërejtje. Ndërkohë, nga përmbajtja e proces verbalit rezulton se lidhur me shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga subjekte të tjera ndërtuese, në raste të tjera të trajtuara në të njëjtën mbledhje, janë përshkruar në proces verbal diskutimet të veçanta të anëtarëve të KRRT-së. Kështu që, duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes së mësipërme të KRRT-së, sipas përshkrimit të paraqitur pikërisht në këtë proces verbal, ku përshkruhet se është miratuar leja e ndërtimit ne favor të subjektit “G.B. A-Konstruksion”, në kushtet kur në proces verbal nuk përmbahet ndonjë përshkrim tjetër apo vërejtje lidhur me miratimin e lejes së ndërtimit në fjalë, rezulton se i pandehuri Odhise Zoto ka votuar pro miratimit të lejes së ndërtimit në favor të subjektit “G.B. A-Konstruksion”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency