Për emigrantët / Toponimet, aplikimet për karta e pasaporta biometrike fillojnë në janar

0
188

largea_pasaporta-shqiptare1375120567

Tiranë

ALEAT, asnjë aplikim deri tani nga emigrantët për pasaportat e reja me ndryshime. Nuk kanë përfunduar ende korrigjimet në regjistra

Emigrantët shqiptarë do të duhet të presin edhe tre muaj të tjerë para se të nisin aplikimet për pasaportat e fëmijëve të tyre, të lindur në shtetet fqinje. Në regjistrat e gjendjeve civile ende nuk ka përfunduar procesi, ndërsa burime pranë ALEAT bëjnë me dije se ende nuk ka asnjë aplikim në Shqipëri apo në zyrat e ngritura pranë ambasadave në vendet fqinje ku të jenë shënuar aplikimet e para. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, procesi pritet të nisë në janar të vitit 2015, ndoshta njëlloj me kartat e identitetit dhe pasaportat e reja biometrike, të cilat përmbajnë elementë shtesë të sigurisë. Gjithashtu, kjo zvarritje duket se ka lidhje edhe me ndryshimin e tarifave në aplikimet për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, të cilat nga janari do kenë çmime më të larta.

 

Pagesat

Emigrantët do të paguajnë sërish për pasaportat e fëmijëve të tyre, ndonëse mund të kenë disa muaj apo dhe një vit që kanë paguar për pasaportat e fëmijëve të tyre. Shteti nuk u lehtëson aspak pjesën e pagesave, ndërsa burime nga ALEAT bëjnë me dije se të gjithë aplikuesit kanë firmosur kur kanë pranuar të nxjerrin pasaportat, kështu që nuk i ka detyruar askush për të nxjerrë pasaportën pa ndryshuar ende toponimet. Pra, të gjithë aplikuesit e pasaportave biometrike me toponimet e ndryshuara ashtu siç ua kërkojnë shtetet ku jetojnë dhe punojnë, do të paguajnë 7 mijë lekë nëse do i nxjerrin pasaportat në Shqipëri dhe 10 euro plus çmimit ekzistues nëse do aplikojnë pranë zyrave të ngritura në ambasada. Ndërkohë që pasaportat e reja për fëmijët e emigrantëve nuk do kenë vetëm risi ndryshimin e toponimeve, por edhe shtimin e tri elementëve shtesë të sigurisë. Elementët shtesë janë prekja me reliev për kartën e identitetit, gjurmët e gishtave dhe verifikimi i fytyrës ose “face recognition”. Nga gjurmët e gishtave përjashtohen vetëm fëmijët, ashtu sikundër e parashikon ligji.

 

Somario

Të gjithë aplikuesit e pasaportave biometrike me toponimet e ndryshuara ashtu siç ua kërkojnë shtetet ku jetojnë dhe punojnë, do të paguajnë 7 mijë lekë, nëse do t’i nxjerrin pasaportat në Shqipëri dhe 10 euro plus çmimit ekzistues, nëse do të aplikojnë pranë zyrave të ngritura në ambasada

 

 

Vlorë

Sekuestrohen 161 kg kanabis me destinacion Italinë, arrestohet shoferi

 

Rreth 161 kg kanabis sativa janë sekuestruar dje nga policia në Portin e Vlorës, të cilat ndodheshin të fshehura në një kamion, ndërsa në pranga ka rënë edhe drejtuesi i mjetit. Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se sasia e drogës u gjet e fshehur në kabinën e kamionit tip “Renault” me targa AA 524 AJ gjatë kontrollit të ushtruar nga policia portuale. Të ndihmuar dhe nga qentë antidrogë, si dhe dyshimet që ishin bërë në kabinën e shoferit, është vënë re se pas sediljeve të shoferit ishte bërë në pjesë shtesë çka ka rritur dyshimin tek punonjësit e policisë kufitare. Pasi kanë hapur pjesën metalike e cila ishte salduar, në brendësi të saj kanë parë të paketuar dhjetëra pako të cilat ishin të mbështjella me plasmas të tejdukshëm. Menjëherë është arrestuar drejtuesi i kamionit, 47-vjeçari Ethem Danaj, banues në Vlorë. Ai është marrë në pyetje ku ka treguar se lënda narkotike vinte prej fshatrave të Vlorës. Ndërkohë nga hetimet e para, bëhet e ditur se destiancioni i lëndës narkotike ishte Italia.

 

 

Mirditë

Kamioni aksidenton për vdekje 60-vjeçarin me çiklomotor

 

Një 60-vjeçar gjeti vdekjen mëngjesin e djeshëm pasi u përfshi në një aksident rrugor në Shpal të Mirditës. Burime zyrtare policore bëjnë me dije se Fran Laska udhëtonte me çiklomotor kur është përplasur nga një kamionçinë. Policia ndaloi drejtuesin e kamionçinës Vladimir Gjera, 29 vjeç. Rrethanat e këtij aksidenti me pasojë një të vdekur, ende nuk dihen ndërsa policia në vendngjarje nisi hetimet.

 

 

Tiranë

Të alkoolizuar në automjet, policia u heq patentën 108 drejtuesve

 

Mbi 108 persona mbeten përkohësisht pa patentë dhe shkak së shumti ka qenë fakti se janë kapur nga policia nën efektin e pijeve alkoolike. Policia Rrugore bën me dije se brenda 24 orësh ka pezulluar 108 patenta. Shkak ka qenë mosrespektimi i rregullave në qarkullim, por së shumti nga përdorimi i pijeve alkoolike. Aksioni i policisë rrugore do të vijojë jo vetëm në kryeqytet, por edhe në gjithë vendin. Ky aksion synon parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency