Gati ligji / Financat propozojnë taksimin mbi pagat/ Qeveria përgatit kuadrin ligjor për rritje të dy taksave bazë dhe tarifave të energjisë

0
120

Mbledhje-Qeverie

Ervin Kaduku

-Akciza është shpallur që tani se do të rritet për kategori të caktuara, nga duhani tek karburantet; por Financat kanë propozuar edhe prekjen e taksimit mbi pagat. Zhgënjim nga taksa progresive…?

– Heqja e tarifimit të dyfishtë, përpjekje për rritje të çmimit real të energjisë elektrike

Ekonomia po ecën mirë, deklarojnë këto ditë ndërkombëtarë dhe qeveritarë. Por, nuk mund të thuhet se këto fjalë shprehin një perspektivë “rozë” për vendin, po të nisesh nga fakti se ministri i Financave, Shkëlqim Cani, po djersit rëndë në Uashington në mbledhjen e vjeshtës të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kjo doli qartë në intervistën e tij para dy ditësh, ku tha se çmimi i energjisë elektrike mbetet një ndër pikat ku po debatohet më shumë dhe tashmë qeveria shqiptare duket se e ka marrë vendimin që të ndryshojë të paktën sistemin me dy fasha çmimesh, sipas konsumit të energjisë.

Por FMN, veç problemeve të pazgjidhur të energjisë, duket se nuk është e kënaqur edhe nga performanca e Tatimeve dhe Doganave, duke qenë se po kërkon me ngulm rritjen e taksimit të shqiptarëve. Pavarësisht se është shënuar rritje në mbledhjen e disa taksave kryesore, të paktën me akcizën dhe tatimin mbi të ardhurat e të punësuarve ekspertët e Fondit nuk janë të kënaqur. Akciza ka sjellë më shumë të ardhura se një vit më parë, edhe si 9-mujor, sipas të dhënave paraprake statistikore të ministrisë së Financave, por është shumë larg objektivave, të cilat ishte angazhuar qeveria Rama t’i përmbushte në këtë zë të të ardhurave buxhetore. Ndërsa lidhur me tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), ky ka sjellë më pa të ardhura në buxhet, pasi qeveria ndryshoi sistemin, nga taksa e sheshtë, në atë progresiv, duke e shpallur një gjë të tillë si sukses, por që tashmë duket se i ka dalë boja…

Edhe pse akoma nuk është përfunduar drafti i paketës fiskale që do t’i paraqitet Kuvendit për vitin e ardhshëm, një gjë është e pashmangshme, rritja e taksave.

Ministria e Financave, e këshilluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritet t’i propozojë biznesit, qeverisë dhe Kuvendit, ndryshime në disa taksa dhe procedura administrative. Sipas burimeve nga ky dikaster, sipas parashikimeve të deritanishme, nga ndryshimi i këtyre taksave, efekti në buxhetin e shtetit pritet të jetë rreth 10 miliardë lekë ose 71.4 milionë euro.

Aktualisht në këtë dikaster po punohet për përgatitjen e buxhetit të vitit 2015 dhe të paketës fiskale që do të shoqërojë atë. Ky draft, që akoma nuk është zbardhur plotësisht, pritet të kalojë për miratim në qeveri më 22 tetor. Dy nga taksat që pritet të kenë ndryshime janë akciza dhe TAP (tatimi mbi të ardhurat personale).

Por edhe komuniteti i biznesit ka paraqitur këto ditë propozimet e tij për qeverinë për këtë paketë, ende në diskutim e sipër. Megjithatë ndryshimet dhe negociatat për këtë paketë do të vazhdojnë deri në momentet e fundit. Një gjë është e sigurtë që do të ketë rritje taksash.

 

TVSH

Rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar është tashmë problem jo vetëm për biznesin, por edhe për administratën tatimore.

Nëse biznesi ankohej për mosrimbursim në kohë, tashmë është administrata tatimore ajo që “ankohet” për përfitime të jashtëligjshme të këtij rimbursimi nga ana e sipërmarrësve. Kështu gjatë një takimi me gazetarët, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Briseida Shehaj, bëri të ditur se janë mbi 300 dosje, të cilat tashmë janë dorëzuar në organin e akuzës, nga ana e hetimit tatimor.

Sipas saj, këto dosje janë kryesisht për përfitimin abuziv të TVSH, nëpërmjet krijimit fiktiv të bizneseve, por ka edhe dosje për shkelje ligjore dhe abuzime me detyrën nga ana e funksionarëve të tatimeve. Deri në fillim të këtij viti, rimbursimi i TVSH nga tatimet ishte kthyer në një “gangrenë” për biznesin, ndërkohë që ndryshimi i skemës së kësaj procedure, rimbursimi nga thesari, duket se i dha zgjidhje.

Kështu në fund të vitit të kaluar TVSH e pa rimbursuar kapte vlerën e 12.84 miliardë lekëve. Ndërkohë sipas statistikave të DPT, vetëm për 9-mujorin janë rimbursuar TVSH biznesit rreth 6 miliardë lekë, duke bërë që të mos krijohen më borxhe nga kjo skemë. Por sipas drejtuesve të Tatimeve, është rritur edhe gatishmëria e kësaj administrate për të ulur abuzimet me këtë skemë.

 

Energjia

Nga Uashingtoni, ku ndodhet për bisedimet e përvitshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar se fasha e mbrojtur prej 300 kilovat-orësh në çmimin e energjisë elektrike do të hiqet. Ministri ka bërë të ditur se çmimi i ri do të jetë i njësuar, ndryshe nga skema aktuale, ku për konsumin deri në 300 kilovat-orë familjarët paguajnë 7.7 lekë për njësi dhe mbi këtë nivel tarifa shkon në 13.5 lekë. Ndonëse nuk ka bërë të ditur me saktësi se cili do të jetë çmimi i ri, kreu i Financave ka paralajmëruar se bëhet fjalë për një nivel mesatar midis dy tarifave aktuale prej 7.7 dhe 13.5 lekë. Ministri tha se qëllimi i kësaj mase nuk është rritja e çmimit, por ulja e humbjeve, pasi tarifimi me një çmim të vetëm ul abuzimet në rrjet.

Por kalimi me tarifë të njësuar praktikisht e rrit çmimin e energjisë për shumicën e familjeve shqiptare, duke i detyruar ata të paguajnë një faturë më të lartë për energjinë. Kreu i Financave thotë se Qeveria po shikon mundësinë se si do të kompensojë shtresat e varfra.

Vendimi për çmimin e energjisë pritet të merret në dhjetor nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili deri tani, edhe pse ka pasur insistim nga mediat, nuk është prononcuar për këtë çështje. Por deklarata e beftë nga kreu i Financave nga Uashingtoni, edhe pse ishte disi e paralajmëruar nga anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, konfirmon përfundimisht se qytetaret vitin e ardhshëm do të duhet të paguajnë në realitet një çmim të ri për energjinë elektrike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency