Hyjnë në fuqi në janar 2015 / Komisariat dixhital dhe tri elementet shtesë të kartave dhe pasaportave të reja biometrike

0
231

pashaporta

Sonila Mesareja

Prezantohen dy projektet, “komisariati dixhital” dhe E-Gate, çfarë shërbimesh ofrojnë dhe ku konsiston lufta ndaj krimit të organizuar

Fillimi i vitit 2015 do të sjellë të tjera ndryshime në kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Elementet shtesë do t’i bëjnë ato edhe më të sigurta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe duke garantuar përmes tyre edhe ofrimin e një sërë shërbimesh dixhitale. Fakti u bë publik dje nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili garantoi se duke filluar nga janari 2015, qytetarët do të kenë në dorë pasaportat e reja biometrike dhe kartat e identitetit të cilat garantojnë elemente sigurie të lartë. “Të dy dokumentet do të jenë në dorë të qytetarëve për akses dhe më shumë siguri” bëri me dije ministri. Ai lançoi dy projektet që do të nisin nga fillimi i vitit te ardhshëm, komisariati dixhital ku përmes një automati ofrohet shërbimi i deritanishëm i një sporteli policor, si edhe E-Gate, që është kontrolli brenda 20 sekondash përmes fotografimit dhe krahasimit të të dhënave me bazën e të dhënave në pikën kufitare. Përmes dy projekteve “komisariati dixhital” dhe E-Gate, synohen shërbime cilësore nëpërmjet inovacionit teknologjik, duke ulur abuzimin, ulin mundësinë për të korruptuar, rrisin efektivitetin e administratës, kursejnë kohën e qytetarit dhe biznesit, rrisin aksesin e qytetarëve.

 

Komisariati dixhital

Në prezantim u fol edhe për ngritjen e një komisariati dixhital, i cili i lejon qytetarit të identifikohet përmes kartës së identitetit, duke i ofruar të njëjtin shërbim që sot ofrojnë disa zyra. Po shtrohet pyetja se çfarë është komisariati dixhital dhe cili është shërbimi që ofron? Sipas shpjegimeve të ministrit, është një automat, i cili i lejon qytetarit të identifikohet ose nëpërmjet gishtit, kartës së identitet apo pinit personal, duke ofruar një sërë shërbimesh që ofrojnë sot një serë mekanizmash institucionale, për të dhënë shërbimet për qytetarët dhe në fund duke marrë faturën. Komisariati dixhital gjendet kudo, sigurisht në institucionet publike, universitete, qendra tregtare, kudo ku ka akses ose prezencë të shtuar të publikut për t’u dhënë qytetarëve një dritare për të komunikuar me institucionin, pa pasur nevojë detyrimisht të shpenzojë kohën e tij për të ardhur, për t’u paraqitur, për të aplikuar, për të pritur e kështu me radhë. Është 24 orë i hapur, 7 ditë të javës dhe pa asnjë kufizim për sa i përket aksesit virtual. Qytetarët mund të kryejnë pagesa për shërbimet që do marrin në këmbim të faturës për çdo shërbim. Komisariati dixhital do japë, si shërbime administrative, gjë që sot e bën Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, leje, licenca, certifikime, autorizime dhe kështu me radhë, ashtu edhe shërbime policore që janë informacion, deklarim, kallëzim ose informim i qytetarit për çështjen të cilën mund ta ketë kallëzuar ose deklaruar në polici më parë dhe për të cilën mund të futet në komisariatin dixhital dhe nëpërmjet numrit unik të interesohet për fatin e çështjes së tij. Këtë gjë mund ta bëjë nga ky automat dhe nesër do e bëjë sigurisht edhe nga portali në web nga shtëpia e tij ose nga çdo pikë e ngritur për këtë qëllim.

 

E-Gate

Duke filluar nga viti tjetër, Ministria e Brendshme do të pilotojë në Aeroportin e Rinasit në Tiranë projektin E-Gate, që është hyrja ose kalimi elektronik në pikën kufitare që është mekanizmi që kemi atje. E-Gate është sistemi më modern sot për kalimin e qytetarëve në pikat kufitare duke garantuar nga njëra anë shërbim cilësor dhe nga ana tjetër siguri. Nën leximin elektronik të pasaportës dhe elementeve biometrikë, që gjendet në pasaportë dhe në të njëjtën kohë, bën fotografimin ‘live’ të shtetasit në momentin që gjendet në hyrjen e E-Gate. Dhe po në të njëjtën kohë akseson database-n e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit duke garantuar që të mos kalojnë nga ana tjetër shtetas të cilët mund të jenë në kërkim ose për të cilët ka informacione nga partnerët, pra flitet për kërkimin ndërkombëtar, ose informacione të tjera për të cilat kërkohet sqarim nga një operator policor që gjendet gjithmonë në pikën e kalimit kufitar. E-Gate garanton shërbim cilësor, bën verifikimin e identitetit ‘live’, brenda një kohe rekord i ofron shërbimin qytetari, maksimumi është 20 sekonda dhe mënjanon në mënyrë totale dhe absolute qoftë abuzimin dhe qoftë mundësinë për korrupsion.

 

Elementet shtesë në pasaportë dhe kartë

Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementet biometrike do të jenë në fuqi, që do të thotë, qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurtë, në Evropë dhe në botë. Nga janari 2015, qytetarët shqiptarë do të kenë në dorë kartat e reja të identitetit, të cilat kanë elementë të shtuar sigurie me prekje dhe reliev, kontroll të avancuar me të dhënat biometrike të ruajtura në chip, si dhe chip të aktivizuar për shërbimet elektronike, që do të thotë mundësi për të marrë shërbime në mënyrë elektronike nga vetë qytetari, pa pasur nevojë për prezencën e punonjësit autorizues, që në Policinë e Shtetit mund të jetë vetëm punonjësi i Policisë së Shtetit. Këto dokumente me elementë të shtuar të sigurisë, dokumente biometrikë, dhe pasaporta edhe karta e identitetit, garantojnë siguri maksimale nëpërmjet elementëve të sigurisë që sot janë dhe që nga janari i vitit tjetër, 2015, do jenë efektivë në çdo dokument që do marrin qytetarët në dorë. Elementët shtesë janë prekja me reliev për kartën e identitetit, gjurmët e gishtave dhe verifikimi i fytyrës ose “face recognition”. Nga ana tjetër, nëpërmjet sigurisë ose elementëve të sigurisë në këto dokumente, garantojnë dorëzimin e shërbimeve cilësore për qytetarët shqiptarë. Me chip-in e sigurt dhe të aktivizuar për shërbimet elektronike, sigurohen pagesat elektronike dhe mbi të gjitha gjurmimi i transaksioneve. Nga njëra anë ka të bëjë me shërbimin cilësor ndaj qytetarit, por nga ana tjetër ka të bëjë me një dimension shumë të rëndësishëm të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 

Zyrat “One stop shop” pranë drejtorive të policisë, funksioni

Pranë çdo drejtorie policie e komisariati janë ndërtuar zyrat e shërbimit unik ose ato që quhen “One stop shop” për shërbimet policore. Duke përmbledhur mbi 70 shërbimet që jep Policia e Shtetit në një zyrë unike, me një operator, duke i dhënë mundësinë operatorit në front-desk të japë shërbimet që kërkon qytetari brenda afateve të përcaktuara, me një sistem kompjuterik, i cili nuk të lejon as të zgjasësh afatin në mënyrë të paarsyeshme, as të sorollatesh zyrë për zyrë, por mbi të gjitha duke shkëputur kontaktin e qytetarit me punonjësin e drejtpërdrejtë, që duhet të japë këtë shërbim por duke e ndaluar deri në momentin e aplikimit, për të shmangur çdo lloj abuzimi dhe për të shmangur çdo lloj mundësie potenciale për të korruptuar punonjësin që duhet të japë shërbimin. Pritet që nga janari ky shërbim të ofrohet nga Komisariati Dixhital, që nuk është një punonjës policie, nuk është një zyrë, nuk është një sportel, por është një objekt dixhital.

 

 

Rama

Duhet të dixhitalizojmë pronën dhe pensionet

Në prezantimin e dy projekteve dixhitale të Ministrisë së Brendshme ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi arritjet ndërsa shtoi se për ta arritur këtë projekt duhet të përgatisim të gjithë pikat e furnizimit të këtij sistemi që qytetari ta marrë hipotekën në mënyrë dixhitale në qendrën tregtare apo zyrën e postës, aty ku nuk ka zyrë hipoteke. “Na duhet të bëjmë të gjithë dixhitalizimin e pronës dhe ta bëjmë të pamundur lojën me hartat dhe mbivendosjen”. Shumë shpejt, theksoi Kryeministri Rama, “do të çojmë një numër të konsiderueshëm shërbimesh në shumë qendra tregtare të vendit. Duke bërë që pensionistët mos shkojnë më nëpër ato kioskat e vjetra, por ta marrin pensionin drejtpërdrejt nëpërmjet automateve në një qendër tregtare”. Kjo, vijoi kreu i qeverisë, “nuk është utopi. Është një projekt që nuk e kemi shpikur ne, por ne po punojmë për ta importuar në vendin tonë. Kjo do të bëjë që vendi të shpëtojë nga ankthi i korrupsionit që u nxiu jetën njerëzve”. Kryeministri Rama tha se “përmes këtij procesi na jepet mundësia ta luftojmë me shumë më tepër efektshmëri dhe në rrënjë, armikun kryesor, që është korrupsioni”. “Ky proces inovacioni i jep mundësi qytetarit që të jetë më aktiv dhe më i dobishëm në luftën me këtë armik të madh dhe të përbashkët që nuk mund të fitohet nëse këtë luftë çdo qytetar e delegon tek shteti. Përmes këtij sistemi qytetari e ka shumë më të lehtë dhe të sigurtë luftën për ta çuar kontributin e tij për të luftuar armikun e përbashkët korrupsionin. Denoncimi shkon drejt e aty ku duhet dhe barra i mbetet shtetit që ta drejtojë aty ku duhet”, – tha Rama.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency