Letra e 1951/  Gazetat amerikane  për “borxhet” e Zogut, si la peng bankës xhevahiret e motrave dhe të gruas

0
174

zogu me motrenKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

 Në këtë letër Mustafa Kruja tregohet krejt i hapur dhe sinqertë me fratin pukian, duke i rrëfyer miqësinë e ngushtë që kishte me Esat Pashën, dhe si ky i fundit i pat lexuar letrën e shkruar nga Konica për shpalljen e tij sundimtar të qyteteve të Shqipërisë. Ndërsa ka episode ku tregohet se sa vështirë e kishte Mbreti Zog për të përballuar blerjen e pronave në Amerikë duke u bërë dhe objekt i gazetave amerikane që shkruanin se la peng xhevahiret e motrave e gruas nëpër bankë.

Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, ccdo fundjavw publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 ***

Graz, me 1 dhetuer 1951

Mik i dashtun,

Të falem nderës fort per leter qi e mora sot në mjesditë. Tfillimi i Yt i gját mbi veprimin e delegacjonit shqyptár në konferencen e paqës në Parigj më skjaroi shum sende qi per mue ishin endè të mbyllta.

Ndonji pyetje të vogel kishem me dashtë me T’a bâ gjithnji mbi ket pikë. A kje Bumçi kryetari i ktij delegacjonit apo jo? E dij se prej anes së qeverís shqyptare do të jetë kenë kryetar Turkhani vetë, mbasi atij i perkitte, si kryeminister qi ishte. Me gjithkta ndoshta, per oportunitet politik, kje caktue Bumçi si kryetar, si me thânë, me shpresë se ata t’Areopagut parigjin do të kishin respekt mâ teper per nji ipeshkëv katholik. Në librin qi ka botue Amedeo Gianinni me titull “ALBANIA DALL’ INDIPENDENZA ALL’ UNIONE CON L’ ITALIA”  në kapitull XII, ku âsht fjala mbi “Trattative diplomatiche durante la conferenza della pace”  figuron Bumçi si “presidente della delegazione albanese”. Per ket thohet se “inviò una nota alla conferenza”, “protestò”, “progetti da lui elaborati”   etj etj. Mons Bumçin e kam njoftë mirë e e di se ai nuk ka formulue kso promemorjesh e kso notash. E dij se aj âsht kenë mâ fort njeri fjalet e njeri anekdotash, se sa njeri kalemit. Me gjithkta m’ intereson me dijtë athue âsht kenë ai qi flitte n’ emen të delegacjonit shqyptár. Per mâ teper due me dijtë a pat kenë emnue Bumçi si pjestár i Kshillit të Naltë ne ket qeverín e Durrsit në dhetorin e 1918 apo mâ vonë në Kongresin e Lushnjes?

Gjithashtu më kande me dijtë mendimin t’ Uej mbi misjonin qi pat krye Bumçi pranë Benediktit XV, kúr çashtja e dy provinçeve të Jugut pat kenë keqsue aq fort, sa nuk pat mbetë mâ kurrnji shpresë tjeter se mund të ndreqet në favor të Shqypnís. Më bjen në mend se Bumçi ka pasë pohue njiherë, në nji shkrim botue në “Hyll të Dritës” se do t’i dihet veprimit e orvatjes së ktij Pape, po kje se Korça e Gjinokastra i pshtuen Shqypnís.

Kso here jam kah ta ngatrroj nji grimë at pjanin t’And qi ke pasë sajue mbi argumentin e letrave t’ardhshme. Por po drue se mâ vonë më del mendsh kjo pyetje e prandej jam kah t’a baj tash. Jorga në “Brève Histoire de l’ Albanie et du peuple albanais” thotë, në faqe 63, kto fjalë: “Plus-tard, Abdoul Hamid provoqua une révolte des Albanais contre les prescriptions du traité de Berlin, qui étachait une partie de leur pays pour le réunir au Montenegro.”   Kjo âsht per mue nji pikë fort me randsí e mundeni me pritë edhe mâ vonë me pergjegje t’Uej, po nuk e patet ashtu krejt kollaj tash. Pse mbi ket çashtje kishem me dashtë qi të më bieni ndoj dokument e ndoj provë krejt të sugurtë. Asaj kohe Ju nuk i a keni mrrijtë e prandej do të rekurroni edhe ju te ata shka kanë shkrue të tjerët mbi ket çashtje. Mue më intereson, veç, me dijtë shka kanë shkrue ata qi janë neutralë e jo shka shkruejn shqyptarët vetë. Edhe mue e gjithkuj i a don hatri qi ket punë randsíplote t’a kén nisë Shqyptarët krejt mendsh së veta, por drue se puna nuk âsht ashtu. Shka thue Ti?

Sa per problemin t’em qi pa prâ po vjen e bâhet mâ i pazgjidhshem, nuk kam shka tham tjeter, veçsè po pres deri per Kshndella. Mandej do t’i shkruej Mbretit nji leter krejt të shkurtë, vetem sa me i a qitë nder mend punen. Po nuk begenisi me më pergjegjë as kso here, do t’i ve kapak pergjithmonë ksaj çashtje.

Vshtirsít e mdhaja m’i keni pasë parashtrue s’ka mâ kjartë e edhe vetë e dijshem se shpresat nuk do të kishin per të kenë ashtu krejt të mdhaja, me gjithkta, qysh at ditë qi prej letres s’Ate mora vesht se Ai kishte pasë pvetë: “Po sa kërkon frati?”, mue pat fillue me të vërtetë me më lëkundë shpresa se po marr ndoj send prej Si.

Vetë në lutje t’eme paçë kenë mundue mos me lypë shum, pse drojshem mos t’a teproj. Më bjen nder mend kúr ka pasë kenë dergue P. Justin Rrota prej qeverís shqyptare me fotografue veprën e Buzukut në bibliotekën e Vatikanit, i kanë pasë dhânë 100 napoljona ár. At herë e edhe tash janë shum 100 napoljona ár. Njiqind napoljona ár janë fort mâ shum se 1200 dollar. Këtu mundet njeri me marrë me 100 napoljona ár gati 45 mijë shilinga, si më ka thânë miku yt, Dr. Kërçiku, mjesa me 1200 dollar pale a mund të merren 35 mijë shilinga. Kúr pata bâ lutjen t’eme e kam pasë para sysh ket punen e Buzukut t’athershem. Dojshem me lypë sa mâ pak, megjithse e dijshem se per kso studimesh shpenzimet janë perherë teper të nalta. Sa kishte me kushtue tash fotografimi i nji dokumenti? Sa kushtojn librat? Sa kushton letra? Sa kushton gjithçkafja? E ktu n’Austrí disa sende po na kushtuekan fort mâ shtrejt se n’Itale, si p.sh. petka e të tjera ksi soji. Si mundet njeri me ndejë tue njehë qindarët e groshat, e nder kso rasash? Shyqyr qi vetë  nuk jam maraklí as per duhan as per  alkohol e jam kondend edhe me ushqim trashaman, se per ndryshej, vaj halli! Do të kishem dalë ka dit tridhetedysh.

Sidokjoftë, deri per Kshndella po presim. Mandej do t’a ndreqi punen krejt ndryshej. Studimet po i lâm mbas doret e po vêhena e po punojm per kuvend qi mos të mundet kush me thânë se po e há buken haram. Pse do të punoj vetë posaçe  tjerve? Kto studimet e mija konsiderohen si gja luksi prej shum kúj e prandej edhe nuk më ndimon kurrkushi. Vetëm nji Mbret mundet me “financue” kso studimesh ase nji qeverí. Së mbramit, së mbramit me arsye mund të më thotë ndokushi: “Po tý kush të ka shtî në ket valle?”

Kush e din mâ vonë mund të siellet puna në mndyrë qi un me u gzue se nuk po marr gjâ prej Mbretit tash në ket kohën e ngushticës. Sado kudo, njani qi don me kenë historjak i paanshem e i vertetë, do të mbahet larg prej pares së Potentatvet të ksaj bote. Njeri do të jét krejt i lirë në gjykimet e opinjonet e veta. Nen ket pikpamje, prá, nuk âsht gjithaq keq, po nuk mora kurrgjâ prej Mbretit. Në tjetrën anë âsht fakti qi pa pare nuk po mujtka njeri me luejtë gjurmë kurrkah e nuk po mujka me shkue larg me studime. E kam provue nder kta muej qi gjindem ketu se shka don me thânë kúr po i u dashka njerit me u kujdesë edhe per sendet mâ të voglat, pa pasë ndihmen e kurrkuj. Në ket mndyrë âsht e pamundun të shkoj mâ gjatë.

Gjithnji Tý të falem nderës me gjithë zemer per shka ké ba per ket çashtjen t’eme. Pa dyshim mâ teper nuk kishe mujtë kurrsesi me bâ.

Shum shndet e të mira e, po nuk më rá rasa me Të shkrue para kallndorit, po T’uroj qysh tash nji vjetë të ré plot shndet e plot të mira.

I yt si perherë

P.P. MargjokajO.F.M.

 

  Ramleh (Aleksandrí), 15. I. 1952

I dashuni mik,

Deri tash herë T’a kam sjellë fjalën tue të thirrë Atë e herë mik.Tash e mbrapa ndër letra kam me të quejtun kurdoherë vetëm mik, tue i dhânë ksaj fjale kuptimin e vërtetë qi ka për Shqiptarin (e, kujtoj, edhe për Gjermanin) e jo atë formalin qi i epet kujdo kur i shkruhet. Atë, jam i detyruem me i thánë çdo rregulltari të njohun po të më duhet me i shkrue nji letër. E kur të jetë shkrue me na pjekun Zoti gojë me gojë, ke me qênë Pater Paulin. Madje ai intimitet qi ndiej në zêmër me Tý, dalkadalë ka me më bâmë pa dashun me harrue edhe t-n e madhe të premnit alla tedesca.

Para se me hŷmë në zhvillimin e programës s’eme historike qi kam vizatue në mênd, do të flas pikë së pari për çashtjet private e së dyti do T’ap ato sqarime qi po më lyp në letrën t’Ânde.

Nuk dij a i a ke shkrue Mbretit letrën e shkurtën qi kishe lânë për mbas Krishtlindjesh. Un e kam pamë shi pardje e s’më zûni asgjâ me gojë. Me 29 dhetuer qi shkoi, kishem prap nji bisedim me tê, qi largas mund t’i a kishte kujtue punën t’ânde. As atëherë s’më pat thânë gjâ. Nuk dij ç’me të thânë. Me Të thânë qi ai kapitull tashmâ duhet zânë i mbyllun e mos me e mendue mâ, drue se gaboj; por as me u pështetun mbë tê për planet e systemimit t’ând privat nuk guxoj me Të kshillue. Në fund të fundit rruga mâ e urta âsht ajo qi paske caktue vetë. Mbandej n’ardhtë e mira, mirse të vijë : sigurisht e padobishme s’jet se s’jet. Por disa konsiderata të Tuja rreth ksaj çâshtjeje, s’po i lâ pa i shoshitun pakëz, se më duket qi kanë mbrenda mjaft miell, por edhe krunde. Më kanë thânë ose kam këndue kushdi se kur e se ku, se gjyqtarët n’Anglí përpiqen me i kufizue sa mâ fort qi munden miqsít e tyne. Edhe historjani mund të krahasohet shumë mirë me gjyqtarët, se edhe ai âsht nji gjyqtar, sidomos ky krahasim vlén aqë mâ tepër po qe se marrim me shkrue historín e kohës s’onë. Ka, veç, edhe kjo rregull – nëse po e quejmë kështu – përjashtimet e veta. Miqsija e mirnjohja janë sende të shênjta, por ka përmbi ta nji gjâ tjetër edhe mâ të naltë : e vërteta. A s’âsht kjo qëllimi përfundimtar i krejt filozofís? E kush mundet me na qortue atbotë nëse na kemi atë forcë karakteri me e vûmë këtê te ka vêndin, dmth. përmbi çdo lidhní personale?  Do t’a kesh kuptue prej shkrimeve të mija se sa ngusht kam qênë lidhun un personalisht me Esat Toptanin. Me gjithë këtê, për të gjallë të tij ende, sŷ ndër sŷ, gojë me gojë, s’e ndala veten pa i a thânë të vërtetën e pa veprue kundra tij ashtu si më urdhnoi ndërgjegj’ e ime. Nji herë pata votun me i bâmë nji vizitë në shtëpí të tij në Tiranë. Se detyrimet private qi m’impononte miqsija s’i lêjshem kurrë mângut kundrejt tij. Ishte tue ndêjtun me të nipin, Xhemil Be Vlorën. Por sa hŷna mbrênda e i përshëndeta, i tha Xhemil Beut: “Ky âsht mâ i madhi kundrështar i im, ky qi kam pasë kujtue se s’do t’i a pritonte edhe pushkë me qitun për mue, si axha i vet!” I u përgjegja flakë për flakë e me gjak të ftohtë: “Pashë, hiq dorë prej këtyne punëve qi ke nisun për dâm të Shqipnís e provomë atëherë a qes a s’qes pushkë për tý!” Në 1913, po udhtojshem prej Elbasani, ku ishem drejtuer arsimi, për Krujë për me u martue. Ai porsa kishte shpallë në Durrës qeverín e tij shqizmatike kundra Ismail Kemalit (tetuer). Shkova me e vizitue. Qiti prej sŷthit të tryezës së tij nji fletë të shkrueme e m’a dha me e këndue. Ishte shpallj’e tij e hartueme prej Faik Konicës, mikut të madh të P. Gjergj Fishtës! E mbarova së kënduemi e i a vûna me respekt mbi tryezën qi kishte përpara. “Eh, më pyeti, si të duket?” “Nji akt tradhtije, pashë”, i u përgjegja. Ka qênë tejet gjakftohtë. Menjiherë e ktheu dramën në komedí, në nji komedí sympathike, tekembramja. M’u kërcnue se tash po më ndalte në Durrës e nusja po rrinte në shtëpí të vet. Natyrisht, jo veç qi s’e bâni këtê, por ditën e martesës i dërgoi t’im et edhe nji telegrafë urimi. S’po shkoj mâ gjatë me këtê themë, por ndish po due me thânë se edhe Ti do të mujshe me shkrue të vërtetën historike edhe kur kjo mund t’i biente ndesh ndienjave të Tuja personale.

Edhe diçka tjetër due me shtue, e vetëm për hir të së vërtetës: Mbreti, sikurse më ke pasë shkrue, u ka pasë ndihmue françeskanvet, institutevet kulturore, vezhgimevet historike gjuhsore. Por kur? Kur ishte njimend mbret dhe kishte në dorë Shtetin e kasën e këtij. Ndërsa sod… e din luga ça ka vekshi. Shumë shfaqje të përjashtme, shumë të thâna, ku rrêna e ku të vërteta, na shtyjnë me besue se Mbreti do të jetë fare mirë në gjêndje me shpenzue për nji interesë kombtare 1200 dollarë. Ç’kishin me qênë kaqë pare për atê, qi shpenzon njiqindmijë dollarë për nji pronë n’Amerikë? Mb’anë tjetër, veç, gjithnji gazetat amerikane janë qi kanë shkrue se për atë shumë i ka lânë peng bankës xhevahirnat e së shoqes e së motravet. Më qiti rryma tepër thellë për nji akt të Mbretit pa karakter politik. E s’jam tue dashun aspak me u bâmë avokat i tij në këtë pikë. Por m’erdh në gojë nji proverb shqiptar, qi ka vênd edhe për Mbretin, se edhe ky gjindet ka 13 vjet në mërgim, ka shpenzime të mëdhaja për me mbajtun dekorin e vet, për me ushqye nja 50 shpirtë e me sigurue familjen për nji t’ardhëshme sod për sod ende krejt të panjohun për tê. Shpesh herë – e këtê e kam konstatue vetë – vullnet’ i mirë e çon me premtue lehtas e mbrapa, kur vjen puna me nxjerrë, i vijnë para sŷsh gjith’ato realitete qi numrova un dhe… bân se ka harrue. Âsht nji ves edhe ky, e dënohet; por gjykues’ i drejtë s’mund t’i a mohojë edhe shkaqet lehtuese. E me kaq po i apim fund edhe ksaj theme.

Tash përgjegje pyetjeve Tuja :

1) Qeverij e Turkhan Pashës ishte qeverí e përkohshme e s’kishte regjencë ; prandej Bumçi në këtë qeverí ishte vetëm mis e delegat si të gjithë tjerët. Ka kryesue dërgatën në Paris për pak kohë mbasi u rrëzue qeverij’ e Turkhanit prej kongresit të Lushnjes, pra në fillim të vjetës 1920. U emnue regjent po prej këtij kongresi : në të vërtetë, regjenca e asaj kohe qe quejtun Kshill i Naltë, si shkruen Ti, e përbâhej prej katër misash: Bumçi, Turtulli, Aqif Pasha e Avdi Beu.

2) Âsht e vërtetë se Bumçin e pat çue dërgat’e jonë me misjon te Papa e shi n’atë fasë deshprimi qi të kam përshkrue, e qe kthye me fjalë të mira e premtime qi Papa do t’interesohej për çâshtjen shqiptare. Se deri ku ka shërbye Papa për shpëtimin e kufîjve të 1913-s e sa rrethanat tjera, këta mund të merret vesht me sigurí vetëm prej dokumentavet diplomatikë t’asaj kohe : në Vatikan, Romë, Paris, Londër e Washington.

3) E thân’e Jorgës për gishtin e Portës së Naltë në lëvizjen shqiptare  për tansín e Shqipnís kundra fqinjve të favorizueme në kurriz t’onë prej Kongresit të Berlinit, i referohet Lidhjes së Prizrenit. Historij’e ksaj lidhjeje âsht bâmë aso kohe e mbrapa objekt polemikash të gjata e t’ashpra ndërmjet albanofilve e antishqiptarve, të shoshituna në nji kapitull mjeshtruer të Ippen-it në veprën e Thallocy-it  ILLYRISCH-ALBANISCHE  FORSCHUNGEN I. Band qi kam përkthye vetë e e kam këtu të daktilografueme ; nji monografije të Mehdi Frashërit dhe nji tjetre të Xhafer Belegut. Bindjen t’eme përsa i përket ksaj lëvizjeje, mund t’a synthetizoj me këto fjalë:

Lëvizja leu themelisht prej instinktit të konservacjonit racjal qi e ka veçue popullin t’onë prej ndëkimit mirbâmës të qytenimit greko-romak tue e mbajtun si nji muzore (museum) të gjallë të racës thrako-ilire (vroj fiset e malsivet) qi e ka ruejtun prej asimilimit të plotë t’atyne dý kombeve, njani përbrí me kulturën e tij sŷmarrse e të dy, njani mbas tjetrit, zotnues të vêndit me shekuj; qi e ka shpëtue prej zhdukjes së plotë nën valët e furishme nji herë t’invadimit qeltik, e mâ vonë t’oqeanit slav. Fanatizma myslimane te Kosovarët, n’atë rasë, s’ka qênë veçse nji zâ i deformuem i atij instinkti e ndoshta nji aljate spontane e tij. Të dy këta faktorë s’do të kishin mujtun ndoshta me hŷmë në veprim në kohë të dobishme te nji popull i padijshëm qi e sheh rrezikun vetëm kur t’i ketë mbërrimë në derë, tepër vonë, sikur mos të kishte qênë edhe Pushteti othoman me e zgjue e nxitun për at’ arsye e qëllim qi shkruen Jorga e kanë shkrue sa tjerë. Mâ në funt, Lidhj’e Prizrenit, e leme prej instinktit racjal, e forcueme prej ndjenjës fetare, e nxitun prej Pushtetit tyrk, merr rrymën kombtare prej patrijotizmës së pak prinjësve të zgjuetë, në krye të të cilvet duhet me vûmë Abdyl Frashërin.

KONGRES’ I LUSHNJES. Kapitulli mâ i vështiri i kujtimeve të mija! I vështirë, sepse askund mâ tepër se këtu s’më bie me folë për veten t’eme, askund mâ fort se n’atë rasë s’â shque rol’i im politik, s’âsht mbulue me shpifje aqë të padenja e të pameritueme, asnji fasë e jetës s’eme politike s’ka pasun pasoja mâ të rânda për mue e për familjen t’eme. Brez’i parë i intelektualizmës shqiptare qi i shërbeu, secili me atë peshën e vet, lirís së kombit, deri në sendërtimin e ksaj, pat qênë krejt i bashkuem, se s’kishte gjâ ende për të damë. Por duel a s’duel Shqipnija mbë vete, nisën menjiherë me dalë përfushë edhe provat qi s’kishim qênë ende të pjekun e të denjë për tê, e jo veç popull’i thjeshtë, jo veç turma e padijshme, por edhe, e sidomos, intelektualët! Faktet qi i përkasin turmës, nuk na interesojnë ; gjithashtu ambicj’e nji Esad Toptani kuptohet lehtë. Por qi do t’u çonte nji Mitat Frashër, nji Faik Konicë, nji Mehdi Frashër, nji Abdyl Yp e nji Dervish Himë me i kthye shpinën Ismail Kemalit për atë Esat qi pak para i kishte dorzue Shkodrën Malit të Zi, mbas gjithë gjasave për ar e për me u bâmë princ, jo  këtê, deri qi s’ishin pamë punët me sŷ të habitun, s’i a kishte marrë mêndja kuj!  Mâ të rijt, mosh’e ime po i thomi, përgjithsisht qëndruen edhe do kohë në thjeshtín e përparshme. Kapën pushkën kundra komitave epirote e ushtarvet grekë të shëndrruem në komita, e kundra rebelve të Shqipnís së Mesme. Qênë këta, qi, mbas luftet, në kongresin e Durrsit zgjodhën nji prej tyne e e futën ministër në qeverín e përkohshme të Turkhan Pashës, dmth. mue.

Pushtetarët italjanë në Shqipní, ushtarakë e civila, s’kishin lanë kurrfarë fuqije efektive në dorë të qeverís shqiptare e të zyrtarve të saj. Siç e kam thânë, Roma as qi e pat dashun fare nji qeverí shqiptare, e mbasi kongresi e krijoi atë qeverí kundra deshirit e vullnetit të saj, tash oficerat e ndihmsat civilë italjanë bâjshin ç’u vinte për dore për t’a paralyzue çdo veprim administrativ t’onin. Se sa administratorë e psykologë të këqij janë mbandej italjanët përjashta vêndit të tyne, po âsht nji gjâ e dijtun prej gjithkuj. Kështu qi në krejt vêndin mbretnonte nji anarqí e plotë. Shto mbandej edhe reperkutimet e mbrapshtive të konferencës së Parisit mbi moralin e popullit t’onë dhe mendo se çë shesh i volitshëm ishte krijue në vênt për propagandën e ambicjozve t’untuem për poltrona ministrore. Nji frymë e tërbueme po vinte tue u përgatitun kundra qeverís s’onë. Fajin e gjithë të zezave e paskeshim na, të pazott me i dhânë atdheut autonomín e vet, me i sigurue kufijt e vet. Na, deshtas e padeshtas qênkshim bâmë vegla t’Italís pushtuese, imperialiste! T’asaj Italije qi vetëm pak muej parandej ishte pritun me gzim e brohorí të përgjithshme kudo në Shqipní, veç partís esadiste. Kjo turbullinë s’do t’u kthjellonte pa flí. Flija do t’ishte pa tjetër qeverij’e përkohshme. Të kishem mbetun në Paris, pjesa qi do të më përkitte mue në këtë flí do të kishte qênë baras me atê të gjithë shokve tjerë, në mos mâ e lehtë edhe se e shumkuj prej sish. Më kishte pasë pritun nji tjetër fat, mue mâ të rín e mâ t’afrin me protagonistat e lëvizjes qi po përgatitej, nji fat qi për shumë tituj të jetës s’eme të kalueme, të bashkuem me pozitën t’eme në Shqipní të Mesme, me nji emën të njohun në të tanë Shqipnín e me cilsít intelektuale qi s’i rrijshin mbas asnji politikani tjetër të vêndit t’onë, kishte shumë gjasë me më qitun në krye; përkundrazi, shumë faktorë kensorë (esencjalë) për sukcesin e nji politikani më mëngojshin, e kjo mëngesë më rrenoi atëherë, vazhdon me më salvue deri sod e ka për të më salvue deri te vorri. Anmik i oportunizmës, i hypokrizís, edhe politike, s’kam njohun tjetër taktikë në veprimet e mija, posë asaj qi më ka urdhnue ndërgjegja, karakteri e morali dhe patrijotizma; nji sinqeritet brutal faqe kujdo për ça kam dijtun për të drejtë, për të vërtetë e për dobí t’atdheut; më ka mëngue elasticiteti politik, më ka bâmë natyra me u thye, jo me u përkulë. E u theva.

Si erdhën në Paris edhe dy misa të qeverís, Mufid Libohova e Mehdi Frashëri, qi ndiheshin ndër mâ të zott për kulturë e për  proví, u pa me udhë qi un t’u kthejshem në Shqipní. Mora me vete kopjet e akteve në të cilat pasqyrohej veprimtarij’e dokumentueme e jona sa kohë qi kishem qênë un në Paris, u ndala në Romë me to, i përktheva shqip dhe botova të parin libër të kuq. U shpërdanë kudo në Shqipní këta  dokumenta. Por sa pare bân? Frika – sigurisht kishte edhe ksish -, mënija kundra Italís, qi, sikur të kishte dijtun me punue n’ato rrethana ndoshta do të kishte fitue mirnjohjen e shumicës së popullit shqiptar, ambicja e elementit intelektual, kishin marrë nji hov tepër të fortë për të qênë e mundun me u majtun në kambë qeverij’e përkohshme. Un ishem titullar’i ministrís së postelegrafave. Kur u ktheva në Durrës mora edhe zvêndsín e Mehdi Frashërit në punët e mbrêndshme. Por mâ fort se me administratën, i a hyna me u marrë me nji vepër persuasive në kontakte individuale me intelektualë qi m’a merrte mêndja se ishin shum’a pak frymzuesa të lëvizjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency