Buxheti i 2015-ës/ Konfindustria, qeverisë: Të mos rriten më tej taksat dhe tatimet për biznesin dhe qytetarët

0
155

biznes fason“Qeveria duhet të përballojë trysninë e mundshme, në radhë të parë të FMN-së, por edhe institucioneve ndërkombëtare partnere të tjera, për rritjen e taksave dhe tatimeve për vitin 2015”

Duke marrë shkas nga përgatitjet për buxhetin e vitit financiar 2015, Konfindustria i kërkon qeverisë që rritja e nevojshme e të ardhurave në këtë buxhet të mbështetet në strategjinë e miradministrimit fiskal, dhe jo në rritjen e taksave dhe tatimeve për biznesin dhe qytetarët. “Konfindustria vlerëson, rritja e mëtejshme e taksave do të prodhonte pasoja të padëshirueshme në krijimin e kushteve për shtimin e mëtejshëm të shmangies fiskale, uljes së të ardhurave në buxhetin e shtetit, goditjes së pjesës së ndershme të biznesit dhe qytetarëve, uljes së konkurrencës së mallrave dhe shërbimeve vendore krahasimisht me mallrat dhe shërbimet e importuara”, – thuhet në deklaratë.

 

Reagimi

Në reagimin e saj të djeshëm, Konfindustria pohoi se qeveria duhet të përballojë trysninë e mundshme, në radhë të parë të FMN-së, rrjedhim i marrëveshjes së fundit dypalëshe, por edhe institucioneve ndërkombëtare partnere të tjera, për rritjen e taksave dhe tatimeve për vitin 2015, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas Konfindustrisë, ekonomia shqiptare me shmangie fiskale prej pothuaj 50% të PBB dhe vlerë absolute me të paktën 10 miliard $, jep mundësi të qarta për rritje të ardhurash në buxhet mbështetur vetëm në përmirësimin e miradministrimit nga institucionet shtetërore përgjegjëse shoqëruar me paketa fiskale lehtësuese. Sektori i Konfindustrisë theksoi se është duke përgatitur dhe do të paraqesë së shpejti para qeverisë dhe vendimmarrjes politike propozimet e saj për paketën fiskale shoqëruese të projekt buxhetit 2015. Ndërkaq, gjatë kësaj jave, Ministria e Financave mbylli negociatat me institucionet buxhetore lidhur me projektbuxhetin e vitit 2015. Të gjitha institucionet buxhetore kanë dorëzuar në fillim të muajit shtator projektbuxhetin për vitin 2015, ndërsa gjatë gjithë muajit shtator, ministria e Financave, përmes një kalendari të paracaktuar ka negociuar buxhetet me të gjitha këto institucione. Pak ditë më partë Kuvendi miratoi rishikimin e buxhetit të vitit 2014, për të cilin kryeministri Rama do të ulë deficitin dhe borxhin publik si dhe do të kthejë borxhet e akumuluara nga qeveria e kaluar. Lidhur me këtë rishikim të buxhetit, për të cilin kreu i qeverisë tha se është i pari në rritje pas 5 vitesh, opozita pohoi se Rama fshehu realitetin me publikimin e shifrave. Sipas demokratëve qeveria shtoi shpenzimet për administratën dhe për bizneset afër tij.

 

 Dokumenti zyrtar/ Banka Botërore: Rritje të çmimit të energjisë në masën 15-20%

Banka Botërore kërkon rritjen e çmimit për energjisë elektrike në Shqipëri në masën 15-20%. Propozimi i Bankës Botërore ka ardhur pas miratimit të kredisë 150 milionë dollarë për sektorin energjetik. Në dokumentin zyrtar, Banka Botërore vlerëson se tarifat duhet të rriten nga 15-20 për qind, të paktën për shpërndarjen, në mënyrë që në 2016, OSHEE të kthehet në kompani me fitim. Në raport, Banka Botërore këmbëngul se orientimi i tarifave drejt kostos reale është i nevojshëm. Aktualisht çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjarët është 9.53 lekë për kilovat orë, por Banka vlerëson se kjo tarifë nuk përfaqëson koston reale të sistemit. “Projektimet tregojnë që me investimet intensive, me tarifa që reflektojnë koston dhe menaxhim më të mirë sektori mund të përmirësohet dhe kompanitë mund të kthehen në të shëndetshme financiarisht në një kohë të shkurtër. Sa i përket shpërndarjes së energjisë edhe me një rregullim në tarifave që parashikon rritje nga 15-20 për qind, OSHEE-së i duhet një kohë e gjatë për tu përmirësuar. Investimet janë vetëm hapi i parë për rimëkëmbjen pasi kompania mund të dalë me fitim vetëm në 2016, dhe në periudhën 2014-2019 kërkon sërish shtim të një shumë prej 112 milionë dollarë për të ulur humbjet, borxhet dhe importin e energjisë”, – thuhet në raport. Banka Botërore vlerëson vullnetin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar sistemin energjetik, megjithatë pavarësisht marrëveshjes me CEZ, situata e rrezikut ende nuk ka kaluar për aq kohë sa nuk mbyllet pagesa me çekët. Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike i takon ERE, por qeveria ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit për konsumatorët familjarë dhe se do të mbrohen shtresat në nevojë. Vendimi për çmimin e energjisë elektrike pritet të merret në muajin dhjetor nga ERE.

 

Situata e krizës/ Samaras: Greqia del nga memorandumi në fund të 2014-ës

Hapat e mëtejshëm për daljen e vendit nga kriza dhe vizionin e tij për Greqinë e epokës së pasmemorandumit shtjelloi Kryeministri grek, Antonis Samaras, duke folur në ceremoninë për 40-vjetorin e krijimit të partisë konservatore greke Demokracia e Re, ndërkohë që nënvizoi se së shpejti vendi do t’i linte pas memorandumet. “Japim garancinë se së shpejti Greqia, e vetme, do të mundë me dinjitet të rregullojë punët e saj. Greqia do të ketë përkrah saj edhe Evropën, por edhe aleatin përtej Atlantikut. Ekonomia jonë mundet dhe do të gjejë së shpejti ritmet e zhvillimit ekonomik autonom”, – deklaroi Samaras. “Para dy vjetësh premtova dy gjëra, mosdaljen e vendit nga eurozona dhe nxjerrjen e tij nga kriza. E thamë dhe e bëmë, arritëm suficit primar, dolëm në tregje dhe tani, në fund të 2014-ës do të dalim nga memorandumet. Vendi po rifiton kredibilitetin”, – shtoi ai. “Mirëpo, a po dalim nga memorandumi që të rikthehemi aty ku ishim, që të shpërndajmë përsëri para’ të marra hua? Jo. Po dalim për të krijuar një Greqi të re, të lirë, me meritokraci dhe dinjitoze, një Greqi për njerëzit e aftë dhe jo militantët e partive”, – tha Samaras. Më tej, kryeministri iu referua në veçanti rishikimit të kushtetutës duke thënë se deri në qershor 2016 do të kishte përfunduar faza e parë që do të finalizohej në parlamentin e ardhshëm. “Në reforma do të përfshihet ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, që të mos mundet askush të bëjë më lojëra politike”, – deklaroi Kryeministri grek. “Do të parashikohet krijimi i universiteteve joshtetërore, ndarje e mëtejshme e pushteteve, krijimi i Gjykatës Kushtetuese etj.”, – theksoi Samaras.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency